top of page

Migel Flor: “GRËNJA” ME TË VJETRËN

  • 24 hours ago
  • 4 min read

Kur artin e komandojnë mjekëroshë e “zonja” kolltuqesh, problemi s’është më vetëm estetik. Bëhet fjalë për kontradiktën dialektike kulturore konservatore: “grënja” i të resë me të vjetrën, fenomenon objektiv edhe në art e letërsi...

Ka mendje “stisur”, që sapo fitojnë një titull apo gradë nga rreth miqsh, fillojnë të besojnë se arti është një privilegj privatizimi. Harrojnë se ofiqi nuk krijon talent nga lëvdatat artificiale dhe kurrë dëshmi vlere. Koha e pjek një artist, në udhën e tij, por mund edhe ta lërë atë “aguridh”; mund ta bëjë më të thellë, më hije rëndë, me një staturë simpatie, por mund edhe ta kthejë në roje “misri”, pa asnjë lulëri gjelbërimi...

“Mjekëroshi” i artit është ai që e mat vlerën e veprës me moshën e autorit, me afërsinë që ka me të, me emrin që mbart apo me vendin që zë në një hierarki të krijuar në qerthullin e tij. Ai nuk pyet: çfarë sjell kjo vepër, kush e ka shkruar, cili është motivi dhe ç’mjete ka luftuar?

Dhe këtu fillon dilema dhe “cipa” e padrejtësisë. Në art nuk njeh grada. Një varg i shkruar dje, a më tutje, mund të ketë më shumë jetë se një libër i botuar para tridhjetë vitesh, që ka zënë ndryshk; një zë i ri mund të ketë më shumë shkëlqim se zëri i konsumuar në përsëritje; një autor pa emër mund të sjellë një ide që një “emër madh” nuk e ka cekur dot kurrë.

Ah, sikur në art e letërsi të hiqej emri i autorit dhe të paraqitej vetëm poezia, proza apo piktura! Vallë, ç’do të ndodhte? Çudira do të shikonim, deri në habi! Do të dilte në pah e bukura me “velon” e saj dhe autori me staturën e bukur të tij, i ri apo i vjetër, dhe gara do të ishte sa e bukur, edhe fisnike, në gjelbërimin e përjetshëm... Dhe, natyrshmërisht, do të zhvillohej evolucioni i sythit të ri mbi lëvozhgën e vjetër; për rrjedhojë, gjallëria, jeta do të ishte më vitale, me një frymëmarrje hyjnore pylli, oazi dhe gjithësie.

Dhe në këtë dyluftim dhe harmoni ndjesish e mundësish, gjejmë jo atë që cekëm më lart, por asfiksi moçalesh e dukuri të padukshme. Për t’u dëgjuar duhet të njohësh dikë; për t’u vlerësuar duhet të jesh pjesë e rrethit; për t’u quajtur i talentuar duhet të kesh marrë më parë bekimin e “bekuesve profetikë”!

Kjo nuk është sofër e kritikës letrare, është një administrim reputacioni, është vonesë në dinamikë, ku ritmi i hedh si leshterikë tutje... ku mediokriteti fillon rrënjëzimin dhe nesër kthehet në një pemë që mbërthen territor dhe bëhet tepër e sertë, dhe për ta çmontuar atë çimentim do të duhet kohë e “matrapykë” për ta shkallmuar.

Ku elozhet, buzëqeshjet fallso, duartrokitjet bëhen “shenja pikësimi” atje ku s’duhet dhe fjalia ndryshon rrjedhën, kuptimin dhe bëhet një “tos’mollos” arti. Ky rreth vicioz, ku i pavleri ushqen vetveten, e shtrin rrjetin me teknikën e merimangës...

Ndoshta janë këta që e kanë kthyer përuljen në strategji të pështirosur. Lëpijnë duart e autoritetit, zvogëlohen para tyre, jo sepse besojnë në art, por sepse servilizmi, mercenarizmi është bërë natyrë e dytë, pa të cilën ata s’marrin dot frymë e të jetojnë. Në vend që të lartësohet vlera e vërtetë, mezi presin të ngjiten në poltrone dhe aty duan dhe vëmendje...

Në këtë betejë sa fisnike dhe misionare, një rol parësor ka edhe lexuesi, dhe vetëm lexuesi, si një pasqyrë e bukur, ku shikohen fytyrat e vërteta. Lexuesi s’është thjesht një dekor që duartroket atë që i serviret, por është parafiltri që distilon ujvarën e ndjesive poetike; është bleta mëmë me një shqisë më shumë; është ai që mund të thotë: këtë zë dua të dëgjoj, se ky më shëron dhe më “deh” shpirtin...

Lumthi kush sjell këtë pije magjike dhe mjerë kush servir “poraqe” me lëvozhga rrushi “thartirë”.

Ndaj, qëndrimi ndaj autorëve të rinj nuk është bamirësi, por detyrim stoik dhe kulturë. Të lexosh dhe të vlerësosh një autor të ri, të futesh te bota e tij, ta lëmosh me dhëmbshuri, t’i japësh hapësirë dhe të mos e gjykosh përpara se ta lexosh, do të thotë të mbrosh njëherësh ardhmërinë e artit dhe jetëgjatësinë e autorit...

Cilido që ka frikë nga ky qëndrim, nga kjo gjuhë, në thelb, ka frikë se shkëlqimi i tyre, që vë në “hije” mediokrit, që mbështillen me guaskën e kërmillit dhe nxjerrin antenat vetëm në vesën e lëndës së tyre. Por edhe pa këta s’do të kishte kuptim jeta, zhvillimi, sepse shpirti ka nevojë edhe të lodhet, të qeshë, edhe të ngashërehet...

Me fjalë të tjera, arti nuk është kronologji gare, por një det pafundësie ndjesish, që “zien”; aty krijohet rryma, energjia, drita që ne marrim jetë e çelim përherë, ashtu siç ndodh me poeteshën më të madhe të universit: NATYRË.

Në këtë rrethrrotullim të përhershëm, ne u ngjajmë stinëve, ku ato bëhen “shpina e muzës”, ku ne kalërojmë në garën hyjnore për të gjetur çelësin e të bukurës, embrionin e saj, kumtimin, dhe aty ku ne ngremë flatrat për lartësi të reja.

Në fund të fundit, synimi i përbotshëm është një dhe vetëm një: të performohet e bukura, ajo që do të rregullojë botën, tha i madhi Dostojevski.

Dhe kësaj bote ne duhet t’i lëmë të shtrenjtën tonë, LIBRIN, që koha t’i hapë fletët me frymë, dhe brez...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page