top of page

Fatmir Terziu: Nga larg, Gëzuar, me një gotë të malluar në duar

Aug 24
5 min read

Nga larg, Gëzuar, me një gotë të malluar në duar

 

Kanë kaluar thuajse dy dekada nga ajo gotë e parë uiski, shoqëruar me një kafe ekspres, në „Europa“-n e hershme të biznesmenit Agron Kurtaj. Ishte një ditë e shtunë. Të shtunat, zakonisht, kishin një tjetër ritëm për shqiptarët e Londrës. Në një shkollë të arsimit plotësues shqip, pranë një shkolle katolike londineze, mblidheshin nxënësit shqiptarë dhe prindërit e tyre, ata që i ishin bashkuar shoqatës „Mother Tereza-Albanian Union“, të krijuar dhe të drejtuar nga një grup intelektualësh e intelektualesh, nën drejtimin e Dr. Zamira Përfundi Ruspi. Por ajo ditë, për mua, do të mbetej edhe për një arsye tjetër. Në kujtesën time do të fiksohej serioziteti, qetësia dhe sinqeriteti i një intelektuali me veçori që sot, fatkeqësisht, nuk i gjen shpesh. Që nga ajo ditë, miqësia dhe takimet tona, sa herë që koha e lirë na i ka mundësuar, kanë pasur thuajse gjithmonë të njëjtën skenë të thjeshtë e njerëzore: një kafe dhe një gotë përpara, mbi të cilat janë ulur bisedat, kujtimet, Shqipëria, jeta dhe rruga jonë në këtë vend të largët.

Sot është ditëlindja e tij. Dhe, natyrisht, nuk jemi bashkë. Mes nesh janë vitet, rrugët, angazhimet dhe ajo hapësirë e pafundme që quhet mërgim. Por nga larg, një kafe dhe një gotë do të jenë urimi im më i bukur, më i thjeshtë dhe më i sinqertë për mikun, intelektualin e mirëkualifikuar shqiptaro-britanik, Aqif Neli. Aqifi ishte një prej atyre shqiptarëve që në vitin 1997, në një kohë kur Shqipëria po përjetonte një nga periudhat më të vështira të historisë së saj moderne, hodhi sytë drejt Mbretërisë së Bashkuar. Për shumë shqiptarë, ai vit ishte një luftë e jetuar, një tronditje e përditshme; për të huajt, ishte një realitet që vinte përmes pamjeve televizive, lajmeve dhe kronikave. Për Aqifin, si për shumë të tjerë, ishte edhe një pikë kthese. Por Mbretëria e Bashkuar, ajo tokë e ëndërruar nga larg, nuk rezultoi aspak aq e lehtë sa dukej nga Shqipëria. Kur mbërriti, kuptoi se ëndrra kishte një çmim: duhej të niste nga e para. Duhej të punoje, të përshtateshe, të mësoje gjuhën, të njihje rregullat dhe të fitoje vendin tënd me punë. Në Shqipëri kishte punuar Pedagog, drejtues, shef personeli. Në Angli, ditët e para e gjetën në ndërtim. „Këtu e gjeta veten duke punuar në ndërtim“, më shtonte mes bulëzave të gotës dhe emocioneve të sinqeritetit atë ditë ai.

Natyrisht pa kafe dhe gotë ... me letra dhe projekte pune, në këtë ambient modern zyre...
Natyrisht pa kafe dhe gotë ... me letra dhe projekte pune, në këtë ambient modern zyre...

Dhe kujton mes emocionesh. Disa miq bashkëkombës e ndihmuan, e morën në punë dhe i mësuan përdorimin e disa prej veglave më të thjeshta të kantierit. Ata njerëz që dikur i dhanë dorën në fillimet e tij, sot janë pjesë e kompanisë së tij. Jeta, ndonjëherë, di ta mbyllë bukur një rreth. Puna nuk e kishte trembur kurrë. Vështirësia ishte përshtatja me një realitet krejt të ri. Dhe sidomos gjuha. „Kujtoj që shumë shpejt pas ardhjes sonë këtu, së bashku me bashkëshorten time, (sot doktereshë) u regjistruam në shkollë për të përmirësuar anglishten. Gati më zinte gjumi në klasë, pasi isha lodhur gjithë ditën, por e vazhduam. Nuk kishim tjetër zgjidhje.“ Ndoshta pikërisht kjo fjali e përmbledh më mirë karakterin e tij. Nuk kishim tjetër zgjidhje. Dhe kur nuk ke tjetër zgjidhje, ose dorëzohesh, ose ndërton një rrugë.

Aqifi zgjodhi të dytën. Punëdhënësit panë shumë shpejt tek ai diçka më tepër se një punëtor. Panë përgjegjësinë, seriozitetin dhe aftësinë për të drejtuar. Fillimisht ndihmoi bashkëkombësit me gjuhën, më pas mori përsipër drejtimin e punëve në kantiere. Nga përgjegjës pune te menaxheri, nga projektet e vogla te kontratat e mëdha, ai kaloi pothuajse në të gjitha nivelet e profesionit. Në shumë kompani, thirrej pikërisht atëherë kur gjërat kishin mbetur prapa dhe duhej vendosur rregull. „Ana praktike e punës po shkonte mirë, por dita-ditës po shihja që më duhej të kompletohesha edhe me njohuritë teorike të nevojshme.“ Dhe nuk u mjaftua me atë që kishte mësuar nga përvoja. Një kompani i dha mundësinë të ndiqte rrugën e kualifikimit profesional. Sot pas arritjeve tek MCIOB – Member of the Chartered Institute of Building, me kualifikim në menaxhim ndërtimi, krahas shumë kurseve të tjera të nevojshme për profesionin është në nivelin më të lartë që një drejtues kompanie ka. Në fund të vitit 2007, gati dhjetë vjet pas mbërritjes në Angli, mori një tjetër vendim të rëndësishëm, aivendosi të punonte për vete. Kështu lindi kompania e tij, AN Construction Solution Ltd. Nga një njeri që dikur mësonte të përdorte veglat e para të ndërtimit, Aqifi u shndërrua në sipërmarrës. Kompania vazhdon edhe sot të konkurrojë në treg, me dhjetëra të punësuar, një pjesë e mirë e të cilëve janë bashkëkombës shqiptarë. Por suksesi i tij nuk është vetëm historia e një biznesi. Është historia e një njeriu që ka besuar te puna, te rregulli dhe te mundësia për të ecur përpara. „Gjëja e parë që të bie në sy për mirë këtu është se ka rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë“, thotë ai.

Në një vend ku rregullat janë të përcaktuara, puna bëhet edhe më e matshme. Siguria teknike, përgjegjësia, kontratat, kualifikimet dhe respektimi i standardeve janë pjesë e një sistemi që nuk të lejon të ecësh me hamendje. Dhe Aqifi e kuptoi shpejt se suksesi nuk ndërtohet vetëm me forcë pune, por edhe me dije, disiplinë dhe respekt për rregullin. Por pas gjithë kësaj është familja. Për Aqifin, ajo mbetet gjëja më e shtrenjtë. Është krenar për fëmijët e tij, për arritjet e tyre, për kualifikimet dhe rrugën që kanë ndjekur. Ka bërë gjithçka që ata të kishin mundësi të merrnin pjesë në aktivitete të ndryshme edhe jashtë programit mësimor, sepse e ka kuptuar se edukimi nuk mbaron te dera e shkollës. Dhe ndoshta këtu gjendet një nga sukseset më të mëdha të emigrantit: të mos ndërtojë vetëm një biznes, por të ndërtojë një të ardhme për fëmijët.

Një rilindje, një diplomim, një gëzim familjar, një ditëlindje... Momente që nuk përsëriten. Këto janë disa momente që mbeten në kujtesë, por kjo s’do të thotë se ata nuk na mungojnë përditë e gjithmonë. Dhe sot, në ditëlindjen e tij, ndoshta kjo fjali merr një kuptim edhe më të veçantë. Sepse unë e kam njohur Aqifin jo vetëm si sipërmarrës, jo vetëm si profesionist, jo vetëm si një shqiptar që ndërtoi jetën e tij në Britani. E kam njohur si një njeri që, edhe pasi arriti të ngrihej profesionalisht, nuk harroi ditët kur vetë kishte nevojë për një dorë. Aqifi vazhdoi të angazhohej me bashkëkombësit, njësoj si në ditët e para të emigrimit. Ka ndihmuar dhjetëra familje për të gjetur punë, ka këshilluar të sapoardhur, ka hapur dyert e shtëpisë së tij dhe ka ndarë me të tjerët atë që kishte mësuar nga përvoja. Dhe kujtoj gjithnjë bisedat me një mik timin, të cilin e kisha njohur që në Shqipëri, në Suç të Burrelit, kur isha Komandant i Sektorit Suç. Përparim Hysi, ish-përgjegjësi i sektorit Suç më thoshte: „Gruaja ime i ka të vetët, dhe nuk gjen familje si ajo e Nelajve, por Aqif Neli është kupa e kupës së kësaj fjalie“.  Ndoshta kjo është pjesa më e bukur e gjithë kësaj historie. Njeriu nuk matet vetëm me atë që arrin, por edhe me atë që bën për të tjerët pasi ka arritur. Sot, nga larg, nuk kemi gotën përpara si atëherë te „Europa“. Nuk kemi as atë kafenë ekspres dhe as bisedën e gjatë që shpesh e kthente një pasdite të zakonshme në një kujtim. Por gota është aty, në kujtesë. Dhe kafeja është aty, në mall.

Për ty, Aqif, sot ngre një gotë nga larg. Për shëndetin, për familjen, për rrugën e gjatë që ke bërë, për gjithçka ke ndërtuar me duart e tua dhe për gjithçka ke lënë pas pa e harruar kurrë. Gëzuar ditëlindjen, mik i mirë! Nga larg, me një gotë të malluar në duar, të uroj edhe shumë vite të tjera, shëndet, gëzim e mbarësi. Dhe, mbi të gjitha, uroj që ajo gotë e largët një ditë të kthehet sërish në një gotë pranë njëra-tjetrës, me një kafe ekspres përpara dhe me miqësinë që koha nuk e ka konsumuar.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page