Skënder Milaqi: Na ishte një herë një kalë azgan e një druvar
- Feb 22
- 5 min read

(Kushtuar librit të titulluar” Çili” të poetit Hasan Shahini).
Të flasësh për Z. Hasan Shahini do të thotë të flasësh për një zë të përkushtuar ndaj fjalës së shkruar dhe ndaj vlerave njerëzore që e mbajnë gjallë ndërgjegjen e një kombi. Ai përfaqson figurën e intelektualit që e sheh letërsinë pjesë integrale të jetës së tij ,jo vetëm si art por si mision, mision për të ruajtur kujtesën, për të forcuar identitetin dhe për të ndriçuar rrugën e së ardhmes.
Në veprat e tij letrare shquhet për ndjeshmërinë e thellë poetike dhe për tonin e drejtpërdrejtë që depërton lehtësisht në shpirtin e lexuesit.
Shkrimet dhe poezitë e tij trajtojnë tema që lidhen ngushtë me vendlindjen, atdheun, historinë,sakrificat dhe dinjitetin njerëzor.
Veprimtaria e tij nuk është vetëm krijimi i vlerave artistike por dhe një mësues dhe pedagog i mirë, i zellshëm, i ndjeshëm në edukimimin dhe formimin e brezit të ri që i ka kushtuar gjithë jetën e tij, ku një pjesë të librave të botuar janë të kësaj fushe.
Shkrimin e titullova” Na ishin një herë një kal azgan dhe një druvar” duke marrë spunto dhe iluminim nga gjetja e shkëlqyer e cituar në rreshtat e fundit të librit.
Libri i z. Hasan Shahini “Çili”, besniku i zemrës është një libër pjesërisht autobiografik ku përmendet me hollësi jeta mes fshatit të tij Trebishtit, në parajsën e gjelbërimit dhe peisazhit përrallor me vlera jetësore dhe historike dhe e qytetit të kulturës dhe artit të Elbasanit me gumëzhimin e gjallërinë e flladit rinor e veçanarisht asaj që ndodhte në shkollën e mesme pedagogjike të këtij qyteti.
Libri pasqyron me ndjeshmëri copëza jete sidomos në fshat, të mbartura me halle e vështirësi por dhe me vullnet e dashuri të trashëguara nga një familje patriotike, artdashëse dhe që kishin lënë gjurmë në zonë dhe më gjërë.
Këto dhunti ishin të përftuara nga stërgjyshi i autorit që gëzonte të njejtin emër Mulla Hasani i cili proverbialisht shquhej për duart e tij të arta, për kthjelltësinë mendore,atdhedashurinë por dhe si mjek popullor i njohur në krahinë dhe më gjërë.
Dhunti këto që u trashëguan nga djali i tij Zeqiri( gjyshi i Hasanit) dhe djemtë e tij Shahini,babai tij i ndjerë( Mustafai) dhe Qatoja, si dhe nga stënipi i tij që mbart të njejtin emër Hasan Shahini i riu.
I gjithë libri shtjellohet rreth një pike të fisme “ Çilit” kafshës fisnike, të dashur dhe puntore dhe mbi të gjitha megjithëse njëthundrakë në të kuptuar me ndjenja njerëzore.
Me historikun, veset dhe ndjenjat e Çilit autori u forcua, u edukua, dhe u mësua me një profesion të ri e të vjetër sa vetë njerëzimi të druvarit, këtij profesioni sa të lodhshëm dhe të kujdesshëm aq dhe të ngrohtë në brendësi të tij, pasi ngroh nga trungjet e druvarit jo vetëm zonën përreth oxhakut por dhe zemrat e njerëzve dhe miqve përreth tij.
Përshkrimi i autorit të lagjeve të fshatit si Açkës, Kadriaj,Tumbicë,Gurët femërore,Kaçotrapi,Çezmja e Mersos,Treshticë,Çelebies etj ku kalonte përditë me Çilin e dashur azgan për të bërë dru është një letrarizim mes gjelbërimit dhe peisazhit e flladit që përshkon e gjithë zona.
Thuajse çdo ditë Hasani i brishtë me Çilin e tij kalonin kodrinat e Lenishtit piktoresk ku poshtë shtriheshin pllajat e tjera nën malet e Deshatit dhe Stogovës nga shtrihej Dibra e madhe.
Ai hap pas haçi u bë mjeshtër që me sopatën e kosoren e tij priste dhe stivoste drutë sipas rregullit të mësuar nga gjysh Zeqiri dhe bashkëmoshatarët e tij pak më të rritur.
E zakonshme ish prerja e druve pranë kryemal Raduçi ku qëndronte hijshëm kodra dominuese Gari,pasi e gjithë zona kodrinore- malore ishte e mbushur me pyje halorë dhe drusorë të bollshëm.
Krahas punës së druvarit Hasani i vogël mbaroj shkollën 7 vjeçare me rezultate të shkëlqyera dhe si rrjedhojë përfitoj të drejtën e studimit me gjysëm burse në shkollën e mesme pedagogjike të Elbasanit. Gëzimi i tij dhe i familjarëve dhe sidomos i gjyshit ishte jo vetëm kënaqësi dhe i ligjshëm por për Hasanin e vogël dhe një përgjegjësi për të narrë rezultate të larta që të përfitonte bursë të plotë në fillim të semestrit të dytë.
Vullneti, përkushtimi, dashuria mes shokësh dhe sidomos e shoqes së bankës ( Ervehes) dhe respekti ndaj mësuesve bëri që nxënësi nga fshati malor i Trebishtit të shkëlqente që në semestrin e parë, duke përfituar bursën dhe hartimet e tij të shpalleshin në koridorin e stendës së nxënësve të dalluar për të bërë krenar veten dhe gjyshin e tij.
Zelli i tij për letërsinë dhe puna e palodhur me lëndën e rusishtes ku kishte mungesa nga 7- vjeçarja bën që gjithë ciklin e shkollës së mesme ta përfundonte me rezultate të larta.
Ndjenjat e pastra si dy të rinj mes tij dhe shoqes së bankës Ervehesë, dhuratat simbolike të dyanshme familjare
megjithëse kishte simpati ngeli një iluzion.
Ndihma e pakursyer e gjysh Zeqirit dhe e xhaxhit me banim në Durrës ja lehtësuan jetën Hasanit, tashmë të rritur e të pjekur,të rritur herët pa baba por me një dashuri të pakufishmr familjare dhe lidhja e afërt që krijoj me Çilin e tij fisnik ja bën të lehtë fillimin e studimeve të larta në degën e gjuhë- letërsisë në fakultetin e histori- filologjisë të UT.
Mbas mbarimit të studimeve të larta me rezultate të shkëlqyera rrugët u ndanë mes shokësh por jo dashuria dhe respekti për njeri- tjetrin dhe e vetmja dashuri që ishte substanciale ishte ajo për Çilin,kalin azgan dhe të dashur aq sa përjetimet e tij përqasen me përjetimet e veprave të spikatura të Gogolit me “Taras Bulba”, për kolosin e fanshëm trim me të bijtë në luftën ruso- polake apo Leonid Leonov me “Pyllin rus”.
Në analogji të këtyre veprave dhe nga sjellja fisnike e Çilit që tregon një kafshë që ska të krahasuar dhe të vjen përshtirë me dredhitë histerike në historinë greke me “kalin e trojës”ku nga barku i tij,i këtij kali pervers prej druri siç citon autori rridhte helm e pabesi.
Në pushimet e çdo vere Hasani,ky djalë i ri,i rritur dhe shtat të hedhur shkonte në fshat duke ushtruar zanatin e druvarit që ishte bërë pjesë e jetës së tij.Por nga kjo punë e gjatë dhe e mundimshme Çili ca nga mosha dhe lodhja e tepruar,duke bërë dhe punë të tjera si plugime etj u sëmurë rëndë, që megjithë kujdesin e përkushtimin e mjekut veterinar të zonës
dhe të familjarëve nuk ja doli.
Kjo shkaktoj një pikëllim të madh tek Hasani i vogël dhe tashmë i rritur,tek gjysh Zeqiri tashmë i sëmurë dhe familjarë të tjerë dhe tek fshatarët e zonës ku azgani Çil kishte shkelur me patkojtë e tij duke punuar ugarët.
Atij ju bën nderimet siç citon aotori që i ka përjetuar këto situata dhe copëza jete ,siç i bëhet një njeriu të afërt dhe të shtrenjtë të familjes.
Në fund të librit është mbyllja emblemë e autorit që më pëlqeu shumë se emri yt Çil dhe i imi janë të gdhendur në disa drurë të lartë dhe të bëshëm të ahut të Raduçit mal dhe sa më tepër trashet trungu aq më shumë bien në sy emrat tanë sipër lëkurës luspa-luspa të drurëve që shushurisin paqësisht refrenin tonë disavjeçar.
Ndaj i vura titullin këtij shkrimi”Na ishte një herë një kalë azgan dhe një druvar” se personifikon jetën reale të një çunaku që u rrit dhe u edukua e u mësua me jetën e bukur por të vështirë të fshatit që shërbeu si udhërrëfyese në jetën e tij.
Skënder Milaqi Durrës 22/02/2026








Comments