Skënder Milaqi: Dua të lë gjurmë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3h
- 2 min read

Skënder Milaqi
Dua të lë gjurmë
S’dua të jem si ai shkrimi në rërë,
që edhe një dallgë e lehtë e prish pa mëshirë,
apo si një pikë uji në vesën e mëngjesit,
e tharë nga një rreze e pafajshme.
S’dua të jem një zë i humbur në kor,
megjithëse ka cilësi,
apo si monedha e përdorur keq
nga njerëz të pavlerë.
Jo, s’ndodh dhe s’duhet të ndodhë,
për arsyen e thjeshtë të të qenit njeri.
Dua të jem dritë në syrin e një fëmije,
kur sheh botën për herë të parë,
të jem rrënjë për dheun e dashur
dhe gur i kohës që s’e di lavdinë,
por duron hapat e përjetësisë.
Të jem shkëndijë në zemrën e natës,
që yjet të marrin për shenjë,
dhe tingulli që mbetet
kur muzika hesht.
Dhe nëse një ditë Hëna më harron,
dhe Dielli s’do më njohë më në dritë,
le të mbetet një erë që përshpërit:
dikur këtu kaloi një shpirt
që deshi të lërë gjurmë përjetësisht.
Na ishte një herë
Niseshim një herë pa dalë dielli,
në këmbë kodrave për Currila,
gjelbërim kudo, të qeshur, të lirë,
madhështore na dilte përpara vila.
Ditën tjetër rruga për Golem,
gjelbërimi dhe pishat – një pafundësi,
arritja pranë detit na dukej e gjatë,
çfarë kënaqësie kishte brezi i ri!
Çadrën ngulnim mbi rërën e pastër,
uji qelibar na bënte me sy:
“Hajdeni, djema, kridhuni pranë meje,
unë dhe ju të bëhemi një.”
Më pas mbi letra ose pas një topi
kalonim kohën e lirë,
çfarë dite e ëmbël ishte kjo për ne,
Zoti mbi re dhe zogjtë e dinë.
Po sot ku jemi vallë, a e dimë?
Në plazhe, qyteza të ngritura mbi rërë,
s’e njohim më atë perlë të rrallë,
gjithçka e mirë është shkrirë.
Dua të kaloj prapë në Currila,
të shkoj përsëri në Golem,
s’e gjej më rrugën, duket si xhungël,
vetëm Google Maps-i e gjen.
Eh, ato kohë janë nostalgji,
është Durrësi im që kurrë s’e harroj,
mbi ato kujtime nis e prehem gjatë,
në memorie, ngulitur, i kujtoj.
Vajza – kjo ëmbëlsi e jetës
Eh, çfarë është vajza, a e dimë?
Duket fjalë e thjeshtë,
për disa edhe rutinë.
Disa thonë: është mbretëreshë,
për të tjerë zog me fletë,
por për mua, miq të dashur,
është dhe mbetet vetëm jetë.
Unë që e kam dhuratë të Zotit,
si dhe shumë të tjerë,
është lule e një lëndine,
oksigjeni i një frymëmarrjeje.
Mund ta bëj karshi diellit,
melodisë së një kanarine;
buzëqeshja që të dhuron
është e ëmbël sa është fine.
Vetëm kur e sheh në derë,
me buzëqeshjen e një fëmije,
thua: të ka falur botën,
thua: të ka shtuar jetën.
Mirësia që të shfaqet
brenda shpirtit të mbetet.
Vajzat shkruhen me të arta,
janë thesar për një shtëpi,
energji për një shoqëri,
janë lule për një familje.
Zoti i ka bërë mrekulli.









Comments