top of page

Skënder Buçpapaj ka një zë krejt ndryshe nga brezi i vet krijue


SKËNDER BUÇPAPAJ

SKËNDER BUÇPAPAJ, KY BARD I MADH MITIK I POEZISË MODERNE

Nga Vasil Tabaku


Skënder Buçpapaj, një zë i veçantë dhe tepër i fuqishëm në poezinë moderne shqipe. Ai vjen nga gjiri i Bjeshkëve, atje ku lindi dhe u këndua EPOSI SHQIPTAR. Në zemër të Bjeshkëve të Tropojës, përmes gurravë mitike, poeti Skënder Buçpapaj, piu gjirin magjik të legjendave dhe pak nga pak u shëndrrua në një legjendë poetike. Ai erdhi herët, mjaft herët në poezi, thuajse adoleshent me librin e vet të parë poetik “Zogu i bjeshkës”, por ardhja e tij ishte një befasi, një risi dhe mbi të gjitha një zë i veçantë dhe tepër domethënës në poezinë shqipe… Skënder Buçpapaj erdhi me prurje të reja në poezi, forca e tij metaforike ishte një fuqi qiellore plot pasion dhe nerv, plot dritë qiellore dhe forcë hyjnish. Ai theu të gjitha kornizat poetike të kohës, bëhet fjalë për vitin 1973 me librin poetik “ Zogu i bjeshkës”. Vargu i poezisë së Skënder Buçpapajt ishte një varg homerik dhe tepër i fuqishëm, plot ngjyra dhe frymëmarrje të thellë, ku padyshim ndjehej bota e madhe shpirtërore e një krijuesi mjaft premtues dhe të realizuar. Skënder Buçpapaj kishte se çfarë t’iu thoshte kështu njerëzve dhe poezisë modern shqipe. Ai ishte një zë unik dhe tepër sfidues, në korin e poetucëve të diktaturës që i thurnin himne diktarotit, Patisë së Punës dhe fitoreve të saj… Skënder Buçpapaj ishte një sfidues i fuqishëm i fjalës, një zë mjaft dinjitoz dhe premtues.

MJESHTËR I METAFORËS ME ZËRIN MITOLOGJIK TË LEGJENDËS

Flokëbardhën Sybardhë Qerpik-bardhë As me sy As me të prekur Por vetëm se kundërmonte zanë mali E dallova Skënder Buçpapaj, është padyshim një mjeshtër i fjalës poetike, i vargut me ngarkesë të lartë emocionale dhe vlera të holla njerëzore. Zëri i tij metaforik ndërton blloqe madhështorë mendimi dhe filozofie, ku shpërfaqet natyrshëm bota e madhe njerëzore. Një poet i veçantë, pa asnjë përqasje me dikë tjetër, i matur, lakonik dhe me një timbër të shquar verior. Ai është poeti kombëtar i Veriut, ku ndërmjet të tjerash kanë zënë vend në opusin e tij poetik, stilema dhe zëri krejt orgjinal i baladave epike dhe në mënyrë të patjetërsueshme vet EPOSI, ky univers madhështor i bjeshkëve dhe shpirtit të magjishëm verior. Dhe lënda e parë e ndërtimit të EPOSIT është metafora si një mundësi e madhe shprehjeje dhe figurshmërie mjaft e lartë artistike. Pikërisht këtë magji të metaforës Poeti Skënder Bucpapaj, ka ditur ta vërë në gjenezën e vargut të vet. Metafora është baza ndërtuese e ngrehinës poetike të këtij autori vërtet të mrekullueshëm dhe befasues. Por Skënder Buçpapaj është padyshim dhe mjeshtër i figuracionit të gjerë poetik, krahasimi tek ky autor është një art më vete, ashtu sikundër është metonimia apo dhe monologue poetik i brendshëm dhe tepër depertues. Skënder Buçpapaj di të ndërtojë ura të padukëshme me lexuesin dhe krijon kështu lidhje të ndërsjellta. Shpesh lexuesi ndjehet i zgjuar brenda poezisë së Skënder Buçpapajt. Gjithçka, përfshi mesazhin dhe informacionin, lexuesi e merr nga brenda poezisë duke u bërë kështu edhe protagonist i saj. Poezia e Skënder Buçpapajt është një poezi e angazhuar me Atdheun dhe kombin, me diellin dhe qiejt, me malet dhe yjet, me pemët dhe njerëzit… Një poezi universale, mjaft dinamike dhe njerëzore, plot rezonim dritash dhe tingujsh. Skënder Buçpapaj nuk është aspak abuzues me vargun dhe figurën. Githçka tek poezia e tij rrjedh në mënyrë të vetvetishme, pa sforcim dhe pa kërkime të stërholluara. Ai është një organizëm magjik i lindur për poezinë, për këngën e shpirtit të bukur njerzor. Poeti është lindur dhe rritur në një natyrë të papërsëritëshme, plot madhështi të bjeshkëve, e mbushur me gjelbërimin solid të pishave dhe pemëve alpine dhe padyshim me lulëzimin mahnitës të luadheve dhe luginave të Valbonës dhe Tplanit, vendlindjes se tij. Të gjitha këto kanë zënë vend të pashmangshëm në vargun poetik të Skënder Buçpapajt. Ato janë shëndrruar në portretin e tij alpin dhe me një madhështi bjeshkësh, aty është ama e Eposit të madh dhe magjia e legjendave. Ky poet është shëndrruar kështu i tëri në një sinonim të mrekullisë alpine dhe vet Eposit.

SINQERITETI POETIK DHE UNIVERSI NJERËZOR

Këtë ditë dielli, Bota Është një tingull i gëzuar dielli Në buzëqeshjen tënde. Raportet e poetit me universin dhe njeriun janë tejet të sinqerta dhe reale. Ai ndërton një ligjërim mjaft të thjeshtË, por dhe tepër të sinqertë. Skënder Buçpapaj është dhe një mik i mirë. Në gjithë tërësinë e tij poetike, bie në sy ngazëllimi njerëzor, por edhe dimensioni universal me Botën dhe qiellin, me Diellin dhe dritën. Skënder Buçpapaj ka një spekter të fshehtë ku, pas prekjes së tij, e gjithë Bota , pra realiteti shndërrohet në gjuhë perëndish, në poezi… Fjala e poetit është një hapësirë ku zgjohen diejt e buzëqeshjes dhe pafundësia e qiejve. Shpesh këto dimensione duken të vogla përpara përmasave të poezisë së tij. Skënder Buçpapaj ka një zë krejt ndryshe nga brezi i vet krijues. Ai është sa orgjinal aq dhe magjik, sa real aq dhe befasues. Skënder Buçpapaj në themel të rrëfimit të vet poetik ka sinqeritetin, një vlerë e çmuar dhe e pakrahasueshme poetike, e cila i jep fytyrën e pastër, transparente dhe prej drite poezisë së tij. Skënder Buçpapaj, që në hapat e tij të para në rrugën e poezisë kishte përcaktuar profilin e vet. Ai vinte si një poet i formuar dhe i kristalizuar në orgjinalitetin e tij krijues, me universin e vet të figurave, mesazheve, ngjyrimeve emocionale dhe stilit narrativ emocionues. Krijimtaria poetike e Skënder Buçpapajt është padyshim një përpjekje titanike e përditëshme, e jashtezakonshme për të mbajtur pranë shpirtit POEZINË, Perendinë e shpirtit njerëzor. Sa shumë punë ndër vite, një betejë e pafund dhe me shumë mund e sakrifica, një jetë të tërë punë e lodhje, përpjekje dhe punë, punë dhe vetëm punë për të shkruar qoft edhe nje varg të vetëm, sa shumë vullnet dhe guxim. E gjitha një betejë që asnjehere nuk fitohet, vetëm vazhdon, vazhdon dhe vetëm vazhdon gjer çastin e fundit. Them se beteja poetike e Skënder Buçpapajt vazhdon, sepse poeti është në kulm të krijimtarisë së vetë poetike dhe me arritje mjaft të dukëshme dhe mbresëlënëse. Mjafton të kujtojmë këtu librin e tij mjaft të suksesëshëm “Frika nga Atdheu”, një metaforë e fuqishme e poezisë moderne shqipe, një arritje mahnitëse dhe padyshim një risi poetike në hapësirat e poezisë bashkëkohore. Skënder Buçpapaj, me librin e tij të fundit poetik shënoi një rekord të ri kombëtar, duke e ngritur nivelin e poezisë bashkëkohore në hapësira e dimensione të reja, mjaft të arrira dhe të suksesëshme. Një poet si Skënder Buçpapaj i vjen rrallë poezisë, ai është mjaft produktiv dhe cilësor. Në rrafshin e botimit poetik Skënder Bucpapa është tepër i vëmëndëshëm dhe asnjëherë i ngutur dhe sasior. Poeti sjell poezi mjaft cilësore, të shkruara më një shpirt vetmohues dhe mjaft dinamik, mitik dhe orgjinal. Në krijimtarinë poetike të Skënder Buçpapajt spikat ndjeshëm puna mjeshtërore në ndërtimin e vargut por edhe qëndrimi mjaft i përkorë dhe unikal i autorit, për të mos e kaluar masën. Skënder Buçpapaj di të kërkoj me mjaft sukses mënyrën e vet shprehëse, por ajo që bie më tepër në sy është sinqeriteti i jashtzakonshëm dhe mbresëlënës i tij, ku ndërgjegja poetike e Skënder Buçpapajt krijon një univers të ri poetik. Natyrisht, e gjithë kjo lidhet ngusht me vlerat individuale krijuese të Skënder Buçpapajt, të shpirtit të tij të bukur e të madh poetik dhe njerzor, një Aed i madh mitik që bart mbi shpinën e vet mrekullitë e legjendës dhe Eposit të mahnitshëm të Veriut.

GJEOGRAFIA POETIKE DHE SHPIRTËRORE E SKËNDER BUÇPAPAJT

Pa asnjë mëdyshje, zemra e një poeti me vlera kombëtare si ajo e Skënder Buçpapajt është sa në Tropojë aq dhe në gjithë Shqipërinë, sa në Shqipëri aq dhe në Kosovë, në Mal të Zi dhe Maqedoni, në Zvicër dhe në Diasporë. Miti i poezisë së tij ndërton harqe të mëdha ylberi mbi gjithë hapësirën shqiptare dhe atë shqipëfolëse. Këtë “pasaportë” Skënder Buçpapaj e ka marrë në gjithë vitet e tij krijuese me të drejtën unike të një krijuesi mbarëkombëtar. Këtë e vërtetojnë poezitë për Kosovën dhe shpirtin e saj krenar, poezitë për bjeshkët dhe qiejtë e trazuar të Ballkanit. Ky Aed i madh i Ballkanit, Skënder Buçpapaj, është kështu zëri shpërthyes dhe tronditës i gjithë frymëmarrjes madhështore të kombit shqiptar. Skënder Bucpapaj, ka lëvruar puthuaj të gjitha zhanret e shkrimeve publicistike dhe letrare, që nga informacioni, nga kronika, reportazhi, përshkrimi, reportazhet, nga analizat, komentet, fejtonet, replikat, vëszhgimet, polemikat, bisedat, intervistat e shumë e shumë të tjera. Skënder Buçpapaj është autori i disa dokumentarëve televizivë, emisoneve radiofonike etj. Skënder Buçpapaj është përfshirë në antologji të ndryshme poetike brenda dhe jashtë vendit. Ai si krijues dhe si poet ka tërhequr vëmëndjen e estetëve dhe kritikëve letrarë, të historiografëve letrarë në Shqipëri dhe jashtë saj. Ky emër tingëllues është autor i librave poetikë, i shumë studimeve, eseve si dhe mjaft teksteve shkollore të botuar në librat shkollorë në Shqipëri, në Kosovë, Mal të Zi e Diasporë. Një autor me këto përmasa, padyshim që i përket një vlere mjaft të lartë krijuese shqiptare, ai ka shënuar kështu një rekord krijues mjaft elitar dhe cilësor, gjë e cila e shquan mes shumë krijuesve jo vetëm të brezit të tij por edhe të brezave të tjerë krijues shqiptarë. Kjo gjë i ka dhënë Skënder Buçpapajt të drejtën e autorit me vlera kombëtare dhe të shquara, të cilat kanë lënë mbresa të dukëshme në hapësirat e Letërsisë së re moderne shqiptare dhe e ngre Skënder Buçpapajn në nivelin e krijuesve të shquar emblematikë në panteonin krijues letrar kombëtar.


18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page