top of page

Skitë që zbritën nga qielli


Skitë që zbritën nga qielli

(Tregim i bazuar pjesërisht në një ngjarje të vërtetë)

Nga Fatmir Terziu


Në një fshat të largët të Gollobordës zjarri dogji për të tretën herë shtëpitë. Kësaj here zjarri nuk ishte nga pushtuesit, sikurse kishte ndodhur dy herë më parë, por nga oxhaku i një shtëpie të mbuluar me kashtë. Bëhet fjalë për vitet e para të pasluftës. Përveç shtëpive që u dogjën, humbën edhe njerëz. Zjarri shkaktoi dëme të mëdha. Aty gjeti vdekjen nga flakët e zjarrit të madh edhe H. Ai la pas gruan e tij. Gruaja ishte shtatëzënë. Ajo lindi pas shtatë muajve një djalë. Nënën e djalit të porsalindur e martuan me vëllain e burrit (pasi ajo ishte jetime dhe nuk kishte ku të shkonte) që ndërroi jetë nga zjarri. Kunati i saj, tashmë burri, kishte dy vjet diferencë me burrin dhe katër vjet më i madh se gruaja që tashmë kishte në shtrat. Djali u rrit me përkujdesje të re. Në atë shtëpi jetonin dy vëllezërit e tjerë të burrit, dhe ata të martuar, dhe dy prindërit e burrit të ri e të atij të larguar nga kjo jetë për arsye të zjarrit të oxhakut, sepse ishin të njëjtët prindër. Pas disa vitesh, kur djali po bënte të tetat e tij, nëna e djalit u paralizua, dhe gjërat u vështirësuan edhe ekonomikisht. Sakaq në atë lidhje filloi sherri. Burri (ish-kunati) u largua në kurbet. Iku larg dhe nuk u kthye deri sa djali u bë dhjetë vjeç.

Djali mbeti nën përkujdesjen e dy kunatave të tjera. Nuk kishte kush tjetër që të kujdesej për të, përveç atyre, se prindërit e burrit ishin mjaft të lodhur dhe dy kunetërit punonin tokat. Njëra nga kunatat ishte caktuar të mbetej si kujdestare për punët e shtëpisë dhe tjetra shkonte pas dy meshkujve, burrave të familjes, që u duhej të siguronin bukën për të gjithë. Por kunata, që përkujdesej dhe për djalin, doli që të ishte një njeri mizor. Kur ajo u u ngarkua që të përkujdesej për të, që në ditën e parë fëmija iu nënshtrua sharrjeve të ndyra dhe dhunës fizike. Ajo tashmë si kujdestari i tij i ri, e rrahu dhe e dënoi, edhe për keqbërjen me padashjen më të vogël. E ushqente pak, vetëm me copat e mbetura të sofrës, dhe nuk i lejonte kontaktin as me fëmijët e tjerë të mëhallës, as me të tjerët, madje as me nënën e tij të paralizuar, që dergjej e vetmuar në shtrat. Por, kjo ishte e vazhdueshme, dhe shumë e dhimbshme, madje as kur e ëma ndërroi jetë, ata nuk e lanë që të shkonte tek varri i saj.

Djali duroi, dhe e duroi, pa u ankuar për fatin e tij, por një ditë, pas një rrahjeje tjetër mizore, nuk duroi dot, dhe iku. U bë alarm në atë shtëpi, por nuk u bë më shumë se pragu i derës, se kishin frikë nga shteti i asaj kohe, pasi mendonin, që do ta merrnin vesh edhe arsyen. Ai iku larg. Filloi të endej rrugëve, duke shkuar fshat më fshat duke kërkuar strehim dhe ushqim. Flinte kudo që gjente dhe jetonte nëpër plevica. Kur e pyesnin bënte rolin e budallait, më saktë të një harraqi. Ndonjëherë merrej në punë kur njerëzit korrnin dhe kishin nevojë për punë. Por, duke u endur dhe duke u përballur me fatin e tij të palumtur, jetimi bëhej më i fortë, mësoi punën dhe disiplinën, fitoi aftësi të ndryshme dhe ndërtoi një karakter të fortë.

Një ditë rruga e çoi në një fshat tjetër malor ku ndodhej shkolla më e famshme e skiatorëve të zonës, madje femrat e atij fshati përfaqësonin ekipin e „Korabit“ në rang Kombëtar. Kishte mjaft artikuj, shkrime, tregime, rrëfime për mjeshtërinë e skiatorëve dhe skiatoreve të asaj shkolle. Teksa kërkonte një vend për të kaluar natën, jetimi përfundoi një ditë në derën e shkollës. Ai trokiti me druajtje në portë dhe kur ia hapën, kërkoi të strehohej natën aty. Rrojes i erdhi keq dhe e pranoi. E vuri në gjumë tek kabineti i skive. Më pas kur e pa të arsyeshme e çoi tek profesori i skive dhe kur ai e pyeti, ai i tregoi historinë e tij të trishtuar. Djali i tha se dinte të bënte ski dhe ishte mundës i fortë. Ai i kishte thënë se dimrave kishte rrëshqitur fshehurazi me ski të vjetra të gdhendura prej dërrasash dhe ishte ndeshur në mundje tradicionale me të panjohur. Profesori i skive lotoi, dhe për atë ditë i tha: „Ju mund të qëndroni këtu! Ne do të … Ne kemi nevojë për një skiator në grupin tonë, dhe ushqimi do të gjendet në një farë mënyre edhe për një skiator të ri, për një numër tjetër. Ne do të lajmërojmë instancat përkatëse dhe…

Dhe kështu djali filloi jetën e tij të re. Ishte mirënjohës për ndihmën dhe me dëshirë bëri edhe punën më të rëndomtë ndërsa shkolla ia hapi sytë. Dhe kur kishte më shumë kohë nuk u ndahej skive. Profesori e pëlqeu djalin dhe e admiroi karakterin dhe këmbënguljen e tij të fortë, kështu që një ditë vendosi të fillonte ta mësonte atë në hollësitë e sportit të bukur të rrëshqitjes me ski, duke mos harruar dhe mundjen. Ai u kujdes personalisht për stërvitjen e tij dhe shumë shpejt vuri re se djali tashmë binte në sy mes skiatorëve të tjerë dhe mundja i kishte dhënë trup të ndjeshëm. Ai padyshim e kishte si një dhuratë dhe u përpoq më shumë se të gjithë të tjerët.

Vitet kaluan, djali u rrit dhe u bë një i ri i fortë. Ai ishte më i miri ndër të gjithë skiatorët dhe i preferuari i Mjeshtrit, madje në një Spartakiadë zonale ai doli kampion. Kështu që u thirr edhe në rreth. Dhe pastaj në ekipin përfaqësues. Ata i dhanë një mundësi të dytë. E dërguan në Shtëpinë e Fëmijës dhe që aty në Institutin e Kulturës Fizike në Tiranë. Pas shumë vitesh ai u kthye me titullin “Mësues” në atë shkollë, ku kishte fjetur si jetim.

Një ditë Mësuesi i ri shkoi në një mision që të gjente skiatorë të rrinj në fshatrat përreth. Dhe rastësisht përfundoi në fshatin, nga i cili dikur ishte 'arratisur'. Kur kaloi në shtëpinë ku kishte lindur, pa një grua të rraskapitur, që qëndronte në prag e kërrusur dhe rrënkonte. Mësuesi iu drejtua të rinjve, që tashmë kishte me vete, si kandidatë për skiatorë të rrinj dhe u tha:

- Kam ikur nga kjo..., eh, shumë vite më parë. Kjo, ishte njeriu mizor që kam në kujtesën time nga fëmijëria ime për të cilin ju tregova.

Të rrinjtë tashmë e mësuan shumë mirë historinë e mësuesit të tyre. Kështu ata panë njëri-tjetrin dhe u bënë gati të revoltoheshin me fjalë.

- Jo! Nuk kam dëshirë për një gjë të tillë. Jo, tek unë nuk ka vend për hakmarrje. As tek ju nuk duhet të ketë një të tillë. Në fakt i jam mirënjohës kësaj frymoreje. Sepse me mizorinë dhe pashpirtësinë e saj më largoi nga këtu, që ende i vjen era e djegjes, ende ka tym, ka dhimbjet e babait që m'u dogj dhe të nënës që vdiq e paralizuar, dhe kështu gjeta rrugën time të vërtetë. Kush e di se si do të isha nëse do të jetoja ende në këtë fshat dhe në këtë shtëpi ..., por ja që një ditë, … një ditë edhe skitë më erdhën nga qielli, pa plan, sikurse tashti kam plan të shtoj edhe mundjen në ëndërrat e mia sportive.


Shënim: Më pas ky djalosh, u bë mundës me emër në Elbasan, studioi dhe inxhinieri dhe u bë i dëgjuar edhe në zanatin e tij. Ai mori emrin e babait të tij të vdekur, dhe quhej Hasan...

40 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page