Fatmir Terziu: Eh, ore Petro Mejdo, më vikate në memorje…
- 2 days ago
- 4 min read

Eh, ore Petro Mejdo, më vikate në memorje…
Kam qenë vetë mësues në atë zonë, pikërisht në atë kohë të viteve tetëdhjetë, në Ostrenin e Madh të Dibrës, dhe ky tregim më rikthen me një gjallëri të rrallë jo vetëm ngjarjet, por edhe frymën, ritmin dhe peshën psikologjike të jetës në atë hapësirë të Veriut. Ai nuk është thjesht një rrëfim udhëtimi i gjatë e të mundimshëm, por një dokument i gjallë letrar, ku ndërthuren përvoja individuale, presioni ideologjik dhe humanizmi i thjeshtë i njerëzve.
Që në hyrje, autori vendos një ton autentik dhe emocional, duke e nisur me një kujtesë tingëlluese, thirrjen dramatike ndaj Fatemes në agjencinë e biletave. Kjo nuk është vetëm një episod folklorik apo anekdotik; ajo përfaqëson tensionin social të kohës, mungesën, padrejtësinë dhe përplasjen mes njerëzve të zakonshëm dhe një sistemi që shpesh funksiononte me privilegje të fshehta. Rradha për një biletë bëhet metaforë e një gare të pabarabartë për mbijetesë dhe dinjitet.
Struktura e tregimit është e ndërtuar me kujdes, duke përdorur “intermexo”, si ndërprerje që nuk e thyejnë rrjedhën, por e thellojnë atë. Letra anonime është një nga pikat më të forta narrative. Ajo nxjerr në pah klimën e frikës dhe të kontrollit ideologjik, ku një veprim i thjeshtë njerëzor, si bujtja në një shtëpi në një natë të ftohtë, mund të interpretohej si devijim politik. Këtu autori arrin të japë me finesë absurditetin e “luftës së klasave”, pa e tepruar me retorikë, por duke e lënë faktin të flasë vetë.
Po aq i goditur është portretizimi i operativit të sigurimit, Tafës. Ai nuk paraqitet si figurë njëdimensionale, por si një personazh kompleks, pothuaj paradoksal: njëkohësisht përfaqësues i sistemit dhe njeri me sjellje të çuditshme, herë ironike, herë të çliruar nga rregullat që vetë sistemi predikonte. Episodi me fotografinë e Enver Hoxhës është kulmor, një moment që përmbledh në mënyrë simbolike hipokrizinë, frikën dhe lojën e heshtur që zhvillohej mes individit dhe pushtetit. Heshtja e Zylifit dhe e rrëfimtarit është më elokuente se çdo reagim i drejtpërdrejtë.
Pjesa kryesore e udhëtimit Tiranë–Qafë Buall–Shupenzë është ndërtuar me një realizëm të hollë dhe me një ritëm që pasqyron vetë vështirësinë e rrugës. Përshkrimet e dëborës, të autokolonave të bllokuara, të ankthit kolektiv në autobus, janë jo vetëm vizuale, por edhe ndijore. Lexuesi ndjen të ftohtin, pasigurinë, lodhjen dhe shpresën që vjen herë pas here nga lajmet për buldozerët apo ndërhyrjen e shtetit. Kjo pjesë ka një forcë të veçantë sepse ndërthur natyrën e egër me psikologjinë njerëzore.
Në këtë rrëfim, gjuha është një pasuri më vete. Ajo bart në vetvete jo vetëm shqipen standarde të kohës, por edhe nuanca të të folmeve lokale, sidomos të Dibrës dhe zonave përreth. Shprehje si “qe pieme gollo”, përdorimi i fjalës “kromid”, apo intonacionet e bisedave, nuk janë thjesht elementë stilistikë, por dëshmi të gjalla të një bote ku gjuha ishte identitet. Për ne që kemi jetuar aty, këto nuk janë vetëm fjalë, janë tinguj që na kthejnë në klasa të ftohta dimri, në oda burrash, në biseda pranë sobës.
Po ashtu, përmendja e emrave dhe figurave, qofshin ata Zylifi, Flora, Taf Murrra, apo edhe operativi Tafa, nuk mbeten thjesht personazhe letrarë. Ata përfaqësojnë një brez të tërë kuadrosh të rinj, agronomë, mësues, ekonomistë, veterinerë, që u dërguan në këto zona si pjesë e një misioni ideologjik, por që në fakt u bënë pjesë e një realiteti shumë më të ndërlikuar. Në kujtesën tonë, këta emra ngjajnë me dhjetëra të tjerë që kemi njohur: njerëz të mirë, të përkushtuar, por gjithmonë nën hijen e një biografie që mund të kthehej në pengesë në çdo çast.
Toponimet në tregim janë një hartë e gjallë e memories: Qafë Bualli, Klosi, Batra, Bulqiza, Ura e Shupenzës, Gjorica, Zerqani… këto nuk janë vetëm pika gjeografike, por etapa të një udhëtimi që kush e ka bërë një herë, e mban mend gjithë jetën. Rruga me kthesa, ngricat, zinxhirët e gomave, ndalesat e gjata – të gjitha këto janë pjesë e një përvoje kolektive që sot duket e largët, por atëherë ishte përditshmëri. Edhe vetë udhëtimi 11-orësh nuk është thjesht një fakt, por një provë durimi dhe qëndrueshmërie.
Në sfond, pa u thënë drejtpërdrejt, qëndron e gjithë struktura e jetës nën diktaturë. Letra anonime, frika nga biografia, prania e operativit, autocensura në biseda, të gjitha këto janë elementë që për ne nuk janë të huaj, por pjesë e përvojës sonë. Ato nuk duken të ekzagjeruara në tregim, përkundrazi, janë të përmbajtura, çka i bën edhe më të besueshme. Janë pikërisht këto detaje që e bëjnë tregimin të ngjajë si një copëz e drejtpërdrejtë e kujtesës sonë.
Një element shumë i rëndësishëm është kontrasti mes vështirësive ekstreme dhe ngrohtësisë njerëzore. Mbërritja në shtëpinë e Taf Murrës përbën kulmin emocional të tregimit. Në një kohë kur ideologjia ndante njerëzit në “të mirë” dhe “armiq”, mikpritja e kësaj familjeje e thyen këtë kufi artificial. Tavolina e mbushur, kujdesi për fëmijën, sakrifica e heshtur e familjarëve, të gjitha këto japin një mesazh të fortë: humanizmi mbetet mbi çdo ndarje politike.
Në tërësi, ky tregim është një dëshmi e fuqishme e një kohe të vështirë, ku idealizmi i rinisë përplasej me realitetin e ashpër të jetës dhe të sistemit. Ai na kujton se përtej vështirësive, frikës dhe kontrollit, ekzistonte një botë njerëzore e mbushur me solidaritet, guxim të heshtur dhe dashuri për tjetrin.
Dhe ndoshta për ne që e kemi jetuar atë kohë, ky rrëfim nuk është thjesht letërsi, është një rikthim i plotë në një jetë që, me gjithë ashpërsinë e saj, mbetet e gdhendur thellë në kujtesën tonë. Rrugët mund të kenë ndryshuar, emrat mund të jenë harruar nga disa, por ndjesitë, njerëzit dhe ajo frymë mbeten të paharrueshme.








Comments