Sakip Cami: “Tregimet e Veriut” të Petro Mejdit, sintezë jetësore për të sotmen dhe të nesërmen
- 2 days ago
- 12 min read

Sakip Cami: “Tregimet e Veriut” të Petro Mejdit, sintezë jetësore për të sotmen dhe të nesërmen
Nga Sakip Cami
Viti 1980. Një djalë i ri nga Gjirokastra, mësues në Ostren të Dibrës së bashku me bashkëshorten mësuese. Quhet Petro Mejdi. Fati dhe detyrat e kohës e sollën qindra kilometra larg në Gollobordë të Dibrës midis nxënësve të etur për dije dhe prindërve të tyre që ngushëlloheshin te gota e rakisë për së thati dhe me bujari të ftonin ta ndanin bashkë gotën e rakisë së zier vetë. Por mësuesin nga Gjirokastra e donin më shumë se vehten. Ka ardhur nga larg, ka lënë prindërit dhe të afërmit për të mësuar fëmijët tanë, shpreheshin banorët e zonës. Ky mësues është edhe autori, edhe personazhi kryesor i këtyre tregimeve të Veriut që më ngjasojnë me “Dëborat e Kilimanxharos” të Ernest Heminguejit. Petro Mejdi është shkrimtar për fëmijë dhe të rritur, studiues dhe koleksionist. Ai jeton në Greqi, por tregimet e Veriut e kanë shoqëruar dhe e shoqërojnë vazhdimisht. Unë si dibran dhe si ish ushtarak i kam ndjerë deri në palcë këto tregime që më ngjajnë me jetën time. Lexuesve të tjerë u ngjajnë me jetën e tyre. Edhe unë sikurse Petro kam mbetur në Qafën e Buallit, në atë qafë ku siç thotë legjenda ngriu bualli një natë dimri, edhe unë me fëmijën kalapiç në qafë kam ecur kodrave nga Ura e Shupenzës deri në Ostren, por për një “jabanxhi” me gruan dhe djalin motak kjo nuk është aspak e lehtë. Edhe unë “vendaliu” jam suverjuar nga të mitë, por të suverjosh një “jabanxhi”, mësuesin e fëmijve të tu, nuk është aspak normale. Këto ngjarje kanë shenjuar jetën e Petros, që i ka hedhur në letër dhe publikuar se këto tregime janë për sot dhe për të ardhmen. Në këto tregime ka art, por nuk ka zbukurime e trillime sepse personazhet janë të vërtetë pavarësisht se ngjasojnë si personazhe heminguejanë. Tregimet janë ndërthurje e ditarit, intermexove dhe përshkrimeve të motit të egër të janarit të vitit 1980 ku dëbora arriti mbi një metër dhe në vendet e fryrë nga era dëbora ishte bërë mal dhe nuk kishte asnjë buldozer të hapte rrugën.

Pa lejen e autorit zgjodha për lexuesin një tregim nga cikli “Tregimet e Veriut”.
Nga cikli: -- Tregimet e Veriut –
( shkruar nga Petro Mejdi në vitin 2018 )
Qaf Buall - Shupenzë, 11 orë me autobuz
Ua kushtoj kuadrove të lartë të kohës që shërbyen në veri, të cilët kanë përjetuar të tilla ngjarje. *** ( Oj Fateme , ej ti t' u shoftë emni! -- ende më jehon në vesh kjo thirje patetike e një dibrani , drejtuar punonjëses së agjencisë së biletave të Tiranës për linjat e Veriut .)
11 Janar 1980
Intermexo 1.
Letra anonime
Intermexo 2.
Një operativ sigurimi i çuditshëm. Në axhensinë e linjave të Veriut në Tiranë. Tiranë -- Qafbuall Qafbuall--Shupenzë Ura e Shupenzës --Mali i Ramnagorës , rruga e mundimëshme për në Ostren . --kapitull pa emër -- Nga që ndoshta shumë miq , nuk do të kenë durim dhe kohë që të lexojnë gjithë këtë histori të gjatë, po u them se ne të katër , personazhet kryesorë të historisë , ish kuadro jabanxhinj , siç na thoshnin vendasit , ishim të moshës nga 23 deri në 27 vjeç . Mosha, bindja se ishte një detyrë ndaj Atdheut , ndaj Partisë, që na edukoi dhe arsimoi, po vimim në jetë një premtim që bënim në fund të kërkesës për të drejtë studimi se, do të shërbenim aty ku të kishte nevojë Atdheu dhe kur do na bënte thirje Partia. Këto na bënë që t'i tejkalojmë këto vështirësi të rrëfimit tonë e të tjera e të tjera në fshatin e varfër të Veriut të atyre viteve. I haronim , se jetomim midis njerëzish të mirë dhe të thjeshtë. (personazhet : Zylifi, kryeagronom i Ostrenit, Flora, e shoqja , e konomiste e lartë, Anakreonti , djali motak, Eva , mësuese , unë, Taf Murra , Tafa tjetër , operativi i sigurimit dhe fotografia e Enver Hoxhës dhe plot njerëz të mirë , takuar në udhët e jetës .) intermexo 1 Fragmente nga një letër anonime drejtuar komitetit të Partisë Dibër . ( nga tregimi i Florës ). Kur i thashë Florës, ajo shkruante nga Amerika, se dua të rrëfej atë peripecinë e dëborës, në atë janar të vitit 1980 , ajo , së pari , ishte dakort, bile dhe ma freskoi ngjarjen dhe me fakte e hollësi të tjera, dhe së dyti më thotë: --Ju nuk e dini se , pas asaj nate për Zylifin dërguan një letër anonime lart në Komitet dhe iu desh të jepte llogari , se pse shkuam tek shtëpia e Taf Murrës.Kishim fëmijë të vogël , motak , u tha , dhe hoteli ishte i mbyllur. Pastaj ne në Ostren kemi koleg djalin e Tafës, Petritin, veteriner i lartë. Ashtu ma, vazhdon Flora tregimin, nuk u ngacmua më tej ajo histori. Ndoshta ndihmuan dhe të njohurit tanë në Peshkopi, ndoshta nga që nuk kishim cene në biografi, ndoshta, ndoshta ndihmoi dhe operativi i zonës , Tafa. Ja një përmbledhje e letrës anonime , ashtu siç e tha copa - copa Flora , se kanë kaluar dhe gati 42 vjet nga ngjarjet.: " Ju vëmë në dijeni se , Zylif K. , kryeagronom i Ostrenit , i cili ka dhe një vëlla pilot , dhe kuadro të tjerë të shkolluar dhe edukuar nga Partia, natën e 11 janarit , në ditën e Shpalljes së Republikës , ka bujtur familjarisht në Shupenzë , në shtëpinë e Taf Murrës, i cili ka vëllain në burg. Ja si e kuptojnë luftën e klasave këta kuadro...., e dërci e vërci, shtoi Flora , fjalë që thuheshin atëhere, jo vigjilenca , jo titistët, të cilët i kishim përballë Shupenzës.
intermexo 2.
Operativi i sigurimit dhe portreti i Enver Hoxhës .
( sipas tregimit të Zylifit)
Me që në këtë histori u përmënd dhe emri i Tafës, operativit të Ostrenit , po tregojmë dhe historinë e Zylifit me Tafën në apartamentin e tij në Ostren. Vite më vonë ,në Ulëz , do të bëheshim miq me njerëzit e gruas së Tafës . E kisha parë disa herë që të dilte me Zylifin nga apartamenti pa automatikun .Ishin të dy nga Shqipëria e mesme , kjo, dhe fakti që Zylifi ishte kuadër i lartë , operativi linte aty armën .( Dhe më kujtonte Skorenë time, ku disa herë më ka takuar që të shoh operativin të hynte në nja dy shtëpi me automatik dhe pas pak të dilte pa të.) Ka patur raste , kur ata ishin në klub ,atëhere Zylifi më thëriste dhe mua .Me thënë të drejtën u shmangesha, se më dukej sikur do më thoshte:-- E di që ke dy xhaxhallarë në burg. Më bënte përshypje se në Ostren burrat nuk u shmangeshin operativëve, nuk shqetësoheshin fare dhe vazhdonin në qef të tyre atë rit të përditshëm " qe pieme gollo"( po pimë thatë, pa meze, ose me ndonjë qepë,( kromid , kjo fjalë greke e dëgjuar aq larg Skoresë më emociononte) si meze , ndryshe nga Skorea ime, ku shumica e burrave nuk shkonin në klub , ose nuk dilnin fare nga shtëpia kur e merrnin vesh se kishte ardhur operativi , bile vetë i dytë me një që e shoqëronte, edhe ai me armë. Ndoshta nga që operativi do të kalonte dhe në fshatrat e brezit kufitar.Ajo që mbaj mënd nga operativ Tafa , është trupi i tij si prej mundësi dhe e folmja e lezeçme, kishte një kolorit më krahinor të Shqipërisë së mesme se sa Zylifi . Këtë histori Zylyfi ma ka treguar vonë: Më kishte gjetur belaja me Tafën.Vjen një ditë në shtëpi dhe duke varur çantën dhe automatikun , hodhi vështrimin nga murri përballë dhe më thotë: --Po a s'ke nanë e babë , or çun , që ke vu në kry fotografinë e atij. Unë u çudita! Kjo nuk është gjë tjetër , veçse provokim, mendova aty për aty.I thashë dhe Florës që ta harojmë atë që tha Tafa, se po treguam , do ta fusim në belara e do të bredhim dhe vetë gjyqeve. Pas pak kohe Tafa vjen prapë për vizitë në shtëpi. Kur ktheu vëshrimin nga muri tha me qesëndi: --Pa shiko ç'ka ba çuni, ka vendos dy foto të Enverit.Hiqi or çun , ç'e do atë , vër të babës tat. Kjo ishte si bombë për mua.Përsëri nuk bëra zë,e mbytëm midis nesh. Fat që ai u largua nga zona e Ostrenit dhe ne u transferuam në Peshkopi .Dhe duke ikur nga" vëndi i krimit , sikur u harrua. Në një farë mënyre Tafa më doli dhe mua përpara. Ai e kishte gruan matiane nga fisi Hoti dhe unë njohjen me të ( këtë ma kujtoi nëna e Hotajve se në Ostren kishte dhëndrin operatv.) e shfrytëzova që të bindja familjen Hoti , Ilirin , një muzikant i mirë , të larguar për në Burrel, të më lëshonte apartamentin në Ulëz , të ndërtuar në kohën, kur inxhinierët sovjetikë ndërtonin hidrocentralin. Kisha dëgjuar në Ulëz se Hotët kishin vite që përpiqeshin të merrnin shtëpi në Burrel, dikush nga ata punonte tek Uzina e Ferrokromit , por seç kishin një kleçkë në biografi dhe i mundonin . I mënçur Iliri, ka menduar:”Thonë se ky ka ardhur këtu me ndërhyrjen e Nedin Hoxhës, kryetarit të komitetit.Le të ankohet për shtëpi, të më japin mua në Burrel dhe unë e liroj.Dhe silogjizmi i tij ishte i saktë.
Hotët morrën shtëpi në Burrel.U bëmë dhe miq.Nëna e djemve erdhi në Ulëz dhe ne shkuam tek ata në Burrel. -Prolog Në agjensinë e linjave të Veriut në Tiranë . E dhe pse që atëhere kanë kaluar gati 45 vjet, edhe pse ajo ndërtesë midis Sahatit dhe hotel Drinit ( edhe ai nuk është më si dikur ) nuk egziston më, sa herë kaloj në atë rrugicë më duket se dëgjoj jehonën e zërit të një malësori nga Kalaja e Dodës, veç së folmes më bindi që ishte nga ato vise, veshja atij, dhe sidomos ajo rroba ngjyrë kafe , pa mëngë .:" Oj Fateme , ej ty t' u shoftë emni"!
Dhe Fatemja nuk ishte askush tjetër veç biletashitëses së axhensisë së udhëtarëve të linjave të Veriut, në Tiranë. Fatemja duhet të ishte nga Golloborda , e dëgjova kur bisedoi me dikë për punë biletash .Ai djali i ri hyri në zyrë për t' i marrë .Autobuzat e paktë, pasagjerët e shumtë dhe bëhej luftë për një biletë. Dhe ishte një luftë e pabarabartë, një luftë që të bënte të haroje edukatën dhe kulturën, se, në se doje biletë, duhej që të dilje që andej , pa kopsa,apo me këmishë të grisur.Ti rrije në rradhë, përlesheshe ,dhe shikoje që të dilnin nga zyra e Fatemes ca me kollaro me biletat në dorë. Se pa biletë , të priste Laçi, e më vonë Miloti , duke iu lutur skodave të kromit ,të cilat të linin në Qafbuall, ato që shkonin për në Batër dhe në Bulqizë ,ato që ngarkonin në krom në atë sektor. Ne i kishim prerë atë fillim janari për datën 11, në Ditën e Shpalljes së Republikës , pas Shqipërisë së Mbretërisë.
Pjesa e parë: Tiranë -- Qafbuall .
Axhanset e lajmeve na e shtuan shqetësimin atë mëngjes janari të vitit 1980. Flisnin për dëborën e dëndur, për ngricat, bllokimin e rrugëve kryesore.Dëbora, kjo mikeshë që do të na nxirrte aq të papritura , na përshëndeti që në Tiranë , mbi barbrizet e makinave , që nuk dihej nga kishin zbritur. Kisha vite që e bëja atë rrugë dhe kisha vënë disa " shënja" .Dhe një shënjë ishte dalja ose jo e Matit mbi rrugë pas urës së Skurajt.Atë ditë nuk kishte dalë.Ia thashë këtë dhe Zylifit, Zylyf K., kryeagronomit të Ostrenit, nga një fshat i Maminasit.--Mos u gëzo , më thotë Zylifi, kjo tregon se rreshjet kanë qënë rreshje dëbore.Dhe më bëri shënjë për të parë malet rrotull .Mendo se sa e trashë do të jetë nga Klosi e lart , dukej sikur thoshnin sytë e tij gjithë mendim. Dhe kështu të kapluar nga mendimet arritëm në të përpjetën e kthesave të Klosit .Kudo mbretëronte e bardha e borës.Ngado që të ktheje sytë , nga Guri i Bardhë, nga malet e Batrës, deri thellë në ato maja malesh ku fantazoje se do të ishin Tirana dhe Elbasani e Martaneshi më në verilindje. Dëbora gjithsesi kishte zbukuruar kodrinat dhe pjerësitë anë rrugës që të çonte në Batër.Ishim mësuar me ngjyrën e mineralit të kromit dhe të kuqes së baltës , vendosja e zinxhirëve , Qafa e Ulzës, të përpjetat e Bazit, kthesat e Klosit dhe ndonjë pushim bënë që kur iu afruam Qafë Buallit kishte vajtur ora një. Qafbuall --Shupenzë Sa u duk Qafa pamë autokolonën e bllokuar, skoda me rimorkiot në karoceri, gaze, zisa dhe autobuza ishin rreshtuar pranë njeri - tjetrit, dikur donin të ngrohnin njeri - tjetrin me tymin që nxirrnin , se mos ngrinin dhe nuk ndizeshin më. Pas pak ata të policisë krijuan mundësi që autobuzët të përparonin dhe të ishin pranë e pranë. Edhe rruga e shkelur u mbulua. Mbulohej me shpejtësi çdo gjurmë nga dëbora e dëndur dhe me flokë të mëdhenj .Tani filloi shqetësimi.Dëgjoheshin të qara fëmijësh.U zgjua dhe Ani. Eva shfrytëzoi rastin dhe i ndrroi pelenat. E pashë që i ishin skuqur mishrat. Si e pudrosi dhe e lidhi, fjeti. Ma dha për pak çaste që të ç'mpinte duart.Ata që dilnin jashtë na sillnin të rejat: Autokolona zgjatet deri në Bulqizë.Flitej se po vinin buldozerët e minierës dhe të gjeologjisë.U dëgjua emri i një Heroi të Punës Socialiste i cili dejtonte gjithë këtë aksion për zhbllokimin e rrugës. Këto na ngrohën pak.Pra nuk jemi në mëshirën e fatit , makina shtetërore ishte vënë në lëvizje. Nga ankthi nuk e kuptuam se kishin kaluar orët aq shpejt.Tani filluam të mëndojmë se ku do të zbrisnim , në Shupenzë , që ta kishim më afër për të nesërmen për në Ostren , apo në Peshkopi?! Ia thashë këtë shqetësim Zylifit dhe ai më qetësoi se do të flinim në hotelin e tregëtisë në Shupenzë. Më së fundi buldozerët erdhën.Pas tyre ecnin, rrëshqisnin ngadalë autobuzët dhe makinat e tjera .E tatëpjeta e Qafës së Buallit deri në Bulqizë ishte e shkelur. Ishte zbuluar shtresa e akullit që shkëlqente frikshëm dhe verbueshëm nën dritën paksa të verdhë të farëve të autobuzit të fuqishëm e komod çek, i cili, ishte blerë a këmbyer me krom, me kromin që dilte nga thellësitë e nëntokës, mbi të cilën ai tani rrëshqiste me kujdes plot me udhëtarë. Më shumë kishim një besim të verbër tek shoferët e tyre , tek ata djem të fuqishëm dhe mjeshtra jo vetëm në timon , por dhe si mekanikë. Sigurimi me vështirësi i një bilete për Tiranë , i kthente ata njerëz të thjeshtë , në persona me rëndësi në qytet . Pas kthesës së fundit u shfaq Bulqiza , një vend që është sinonim i të ftohtit, i mbitokës së varfër e pa ngjyra , ku duket vetëm ajo gri, sinonimi i pasurisë nëntokësore. Qyteti është i zhytur në erësirë.Drita e zbehtë e dritareve tregon se në atë terr ka jetë. Tani e ndjejmë më shumë të ftohtit brënda autobuzit, në Bulqizë vinin erëra të ftohta, vinin nga fusha e ngushtë e bërë kallkan , vinin nga mali i Deshatit, në e mbaj mënd mirë emrin e malit, vinin që larg , nga malet e Radikes, se Bulqiza është si Tepelena, mbledh erërat e Veriut. Pa përparuar as 500 m , autokolona ndaloi.Binte aq dëborë , flokët e sëcilës, sado me kujdes që t'i ndiqje nga drita e autobuzit, gjithmonë.do të zhgënjeheshe , pasi asnjera nuk do të zinte vënd aty ku e mendoje, sapo e hapnin buldozerët , rruga zihej prapë. Me ecjen e një breshke, autobuzi arriti tek Ura e Qytetit, mbi të cilën ngrihej gjithë kërcënim mali i mbingarkuar me dëborë. Pra, një largësi prej 3- 4 km e kishim bërë për 9 orë. Flokët e borës ngjiteshin lehtas mbi xhama.Kjo ishte shënjë se kishte rënë era.Në metrat e para të tatëpjetës nga njeri krah i rrotave të prapme filloi një zhurmë e fortë.--Edhe kjo na duhej, tha dikush, të këputet dhe zinxhiri, e ku se, m'u tani që ka veç akull dhe kthesa . Dhe vërtet që larg shkëlqente akulli .Të gjithë ramë në mendime. Kthesat e Urës i kaluam gjithë ankth.Të gjithë sa ishim në autobuz mendonim të njejtën gjë:-A do rrëshqiste autobuzi në atë aquadrom që shkëlqente frikshëm, a e lehtësonte rrëshqirjen goma pa zinxhirë?! E njihja rrugën me të gjitha hollësitë. Pasi ia hodhëm paq dhe tek Ura e Qytetit , unë , ndoshta dhe të tjerë në autobuz , mendonim për tatëpjetat përballë Zerqanit.Aty nuk bëhej shaka , po rrëshqiti do mbarojmë në Zallin e Sopotit, a lumin e Bulqizës, nuk jam i sigurt se si i thoshnin atij vendi.Një rruge të tillë të ngjashme, në Zall Dardhë i thoshnin Lak, në Lakcan , a Laku i Canajve. Arritëm dhe tek e tatëpjeta .Shtrëngoja fort hekurat e sediles për të larguar ankthin. Eva e njihte këtë dobësi timen dhe më shkeli syrin, sikur të më thoshte : --Bëhu trim, mos na turpëro! Këtë ndjenjë frike, këtë shtërngim të hekurave të ndenjëses e kam ndjerë kur kaloja Shkallën e Lunikut me autobuzat e Elbasanit.Përpara kishim të përpjetën e Shupenzës e cila ecte paralel me lumin e Gjoricës .Por nuk pata kohë as ta mendoj e as të trembem.Pas së përpjetës u shfaq Shupenza dhe tej dukeshin dritat e fshatrave të Dibrës së Madhe.Lavdi zotit arritëm shnoshë e mairë , siç e thoshnin vendasit këtë shprehje. -- Miq tek Taf Murra në Shupenzë -- Zylifi shkoi tek hoteli . Kur u kthye na që është i mbyllur.bSidoqoftë hoteli nuk është për ju, kini djalin e vogël, do larë e ndrruar. Të paktën kishte drita. -Do shkojmë tek Tafë Murra , tha Zylifi, tek babai i Petritit që kemi veteriner në Ostren. Kur tha këto vështrimi i tij u kryqëzua me të Florës.Një vështrim enigmatik . Po sikur?!, dukej sikur thoshnin sytë e saj.--- Në ketë orë dhe këtë natë nuk ka kush të na shohë, sikur thanë sytë e Zylifit. Unë nuk kuptova gjë. A se nuk e dija, apo nga gjithë ai siklet , kisha haruar se Petriti ishte dhe ai nga një familje e deklasuar, me një xhaxha në burg. E unë kam dy , mendova me vete , Flora dhe Zylifi diçka dinin . Më së fundi pamë zjarr. Të zotët e shtëpisë u vunë në lëvizje. U ngrohëm nga zjarri dhe gota e rakisë. Eva rregulloi djalin. Ai , si piu, u ngroh, dhe pas ndrrimit nuk e digjinin mishrat .Fjeti gjithë natës si asnjëherë, se ishte grindavec. Të nesërmen kishte ditëlindjen . Mbaj mënd që tavolina e bukës në shtëpinë e Murajve u mbush me gjithë të mirat. Nuk haroj petullat dhe kabuninë. Nuk e di se ku fjetën një pjesë e shtëpisë , me siguri nëpër të afërm a komshij. …Ishte 12 janar , ditëlindja e parë e djalit .E puthëm të katër dhe u nisëm ….








Comments