SIAMEZJA FENOMENALE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 28, 2019
- 1 min read

Vullnet Mato
SIAMEZJA FENOMENALE
Kur artistët prindër gdhendën me pasion skulpturën e gjallë të trupit tënd, s’menduan, se me një femër, që verbon, mund t’i linin meshkujt krejt pa mend...
Ky vështrim i syve me rrezatim të shenjtë, ditën më sjell aroma, nga lulet dhe pyjet, netëve më josh me eros e më deh krejt, derisa ndjehem fllad, që flas me yjet.
Buza, gusha, gjoksi, nektari yt i hojës, kur nisin të ndezin puthjen e shpuzët, puthja tjetër fryn prushin brenda gojës dhe hovi i zjarrit, të flakëron te buzët.
Ndoshta nuk është mishi trazimtar, që më jep etjen e diellit, përmbi dete, por lumi i thellë, i shpirtit me valë, që më fundos dhe përsëri kam etje.
Mos ma ndaj prehrin me dallgë ekstaze, se më thahet zemra, o moj shpirtushe! Kthehu drejt meje dhe pulsomë taze, të më vijë gjaku prapë, nëpër barkushe.
Dy siamezët njihen si një rast përjashtim, fenomen anomalie, i trupave të ngjitur; Ashtu të paça ty, ngjitur me shpirtin tim, o siamezja ime, fenomen nga qielli zbritur!
Comments