top of page

SI URIM PËR LIBRIN


KUJTIM BORIÇI

SHPENDI TOPOLLAJ


DY FJALË ZEMRE SI URIM PËR LIBRIN E KUJTIM BORIÇIT DHE

MAKSIM FEJZULLËS PËR SKËNDERBEGASIT

Në 76 vjetorin e krijimit të shkollës

Na gëzoi pa masë dalja nga shtypi i volumit të katërt “Skënderbegasit ndër vite” i dy autorëve të pa lodhur Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla, pikërisht në 76 vjetorin e krijimit të shkollës lavdiplote “Skënderbej”. Se në qoftë e vërtetë ajo thënia e Endrju Karrenxhit se “Për gjithë njerëzimin, rruga e lumturisë kalon nga kultura, pra nga librat”, mendoni sesa të lumtur duhet të ndihen ata që në këto libra gjejnë pasqyrimin dhe vlerësimin e emrit, virtyteve dhe punës së tyre të ndershme. Për më tepër, kur portreti i tyre është i rrethuar nga një tis sugjestionues që ka lidhje me formimin njerëzor e qytetar qysh në bangat e një shkolle të mbuluar me një emër të madh, si ajo “Skënderbej”. Po sa të vështirë duhet ta kenë pasur autorët e nderuar Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla që gjatë hartimit të këtyre katër volumeve, u është dashur të përzgjedhin midis mijra nxënësve që studiuan atje në harkun kohor të 35 viteve, ndërkohë që gjithkush prej tyre do të ishte i denjë për t`u përfshirë në faqet e këtyre librave që pavarësisht kësaj, meritojnë të quhen si një nga enciklopeditë e ushtrisë tonë. Vetë jeta dhe shërbimi si kuadro në ushtri, në armë nga më të ndryshmet, që përfshijnë tokën, ajrin e detin, në funksion të një qëllimi të madh; dashurisë për Atdhe, e bën aq të larmishëm jetëshkrimin e gjithsecilit, sa, si edhe në volumet e më parshme, edhe te ky që po marrim në duar, të bëhet se je duke lexuar një libër të bukur me tregime, ku kryefjala e secilit prej tyre mbetet: thjeshtësia dhe përkushtimi. Asnjëherë, oficerët e dalë nga shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe më pas nga shkollat e larta ushtarake, Akademitë dhe Universitetet brenda dhe jashtë vendit, nuk i kanë kërkuar as mburrjet e as lavdërimet. Ata, pavarësisht ndeshjes me vështirësitë, sakrificave, privacioneve dhe triumfit mbi to, mbetën njerëzorë e modestë. Shpirti i tyre ishte i madh, dhe mendjen e kishin plot dije e kulturë, ndaj e dinin më mirë se kushdo rëndësinë e thënies së Mark Tweinit se “Zhurma nuk provon asgjë. Shpesh një pulë që ka bërë vetëm një vezë, kakarit sikur ka bërë një asteroid”. Kur me dekretin e vitit 1992, shkolla “Skënderbej” u mbyll, ne u hidhëruam, por edhe e dinim se do ta mbanim gjallë atë me kujtimet tona të bukura dhe të paharruara. Dhe nuk kemi sesi të mos ndiejmë kënaqësi, kur mendojmë se në zemër kemi mbetur ende skënderbegas dhe këtë e demonstrojmë në veprimtaritë që shoqata jonë realizon, në takimet me njëri - tjetrin apo edhe në shkrimet si në gazeta, ashtu edhe nëpër libra. Tek “Arti poetik” Horaci vinte në dukje të metën e zakonshme të pleqve; lavdërues të kohës së kaluar. Ne, nuk e shfaqim dashurinë për shkollën tonë thjesht si nostalgji, por ngaqë i detyrohemi shumë dhe i mbetemi përherë mirënjohës asaj, mësuesve dhe oficerëve që punuan me ne. Burri më i ditur i lashtësisë filozofi Aristotel ka thënë se “Rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por pemët janë të ëmbla”. Ato pemë bënë që ne të ndihemi të vlerësuar edhe me një fjalë të vetme; skënderbegas. Prandaj, ne ndihemi shumë të rinj, edhe pse poeti ynë i zemrës A.S.Pushkini shkruante: “Karroc` e jetës ecën shpejtë, / Sido që është e ngarkuar; / Dhe karrocjeri, koha vetë, / S`qëndron gjëkund për të pushuar.” Vitet ikin, por ne jemi po ata adoleshentët e dikurshëm plot zjarr në gji që të ardhmen tonë e shihnim të pandarë nga fati i të gjithë popullit dhe bëmë gjithë sa mundëm që ky popull, në rast nevoje t`i dilte për zot lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të tij. Shihni emrat e të gjithë atyre kuadrove që kaluan vitet më të hareshme në shkollën “Skënderbej” që janë rreshtuar në këtë libër, dhe padyshim që do të vini re se në çdo hap ata kanë shkëlqyer, si në detyrat e rëndësishme që ju ngarkuan në ushtri, ashtu edhe në art, letërsi, shkencë, sport etj. Duke përfunduar, dua të shpreh bindjen se librat e shkruar nga autorët Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla, kushtuar shkollës tonë “Skënderbej” do të mbesin gjatë, njësoj si ai rekuiemi i Moxartit, që më shumë se vdekjes i këndoi jetës, dhe që lidhi gjenialitetin e vërtetë tokësor me të pavdekshmen hyjnore, pra si dëshmi e praruar historike për brezat; se për 35 vjet me radhë, ishte një shkollë ku studiuan mijra djem të thjeshtë, që vunë gjithçka kishin në shërbim të Atdheut dhe popullit të tyre. Vite më parë, kur po nga këta dy autorë plot pasion, u botua vëllimi i parë kushtuar skënderbegasve, jam shprehur se shkolla jonë nuk u mposht, por ashtu si zogu i përrallës Feniksi, u ngrit krenare nga hiri i vet, tashmë i mbuluar më shumë se kurrë me nder e dinjitet, pasi mirënjohjen për të nuk e harruan kurrë bijtë e saj. Dhe ja ku kemi mbërritur te volumi i katërt, ndaj si e tillë, kjo shkollë pa mure e çati, nuk do të kthehet kurrë në fantazmë, por do të vazhdojë të kryejë misionin e saj; duke mbetur shembulli më domethënës për gjithë arsimin shqiptar, se pajisja me dije e kulturë është e vetmja mënyrë për të zbatuar porosinë e të adhuruarit nga Napoleoni, Sharl Lui Monteskiesë se “Nuk ka qëllim më të bukur sesa të punosh që njerëzit që do të vijnë më pas të jenë më të lumtur seç ishim ne”. Ja pse gjithashtu i uroj autorët për të realizuar të tjera volume, dhe të gjithë skënderbegasve, jetë sa më të gjatë, gjersa secili ta shohë emrin, jetën dhe veprën e tij të pasqyruar në to.

18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page