Edmond Shallvari: Forma e erës
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 17 minutes ago
- 1 min read

Kam …
Kam lënë ajrin e pathithur, atij qielli të vendlindjes
Kam lënë ëndrrën e paarritur, që më ndjek dhe përtej ikjes
Kam lënë shpresën e zhgënjyer, diellëzuar, borëzuar
Kam lënë dheun edhe yjet, bashkë me veten e gjysmuar
Kam marrë ajrin e munguar, që më mban ende të gjallë
Kam marrë foshnjën e gëzuar, që ma bën jetën përrallë
Kam marrë shpirtin prindëror, të ndjej mëmën dhe babanë
Ç’pata vallë që po lotoj? Edhe lotët paskam marrë.
Qiraxhi
Dhe në qoftë Zoti krijues
S'ma dha jetën me qira
Qind për qind më la zotrues
Që në lindje, në gjithçka
Dikush tjetër, racë si unë
Jetën time pronësoi
Me një firmë e një vulë
Nëpër ngastra ma coptoi
Dhe më vuri tjetër taksë
Për çdo copë të kësaj jete
Brenda jetës më la jashtë
Qiraxhi edhe pas vdekjes
Forma e erës
Ke provuar të marrësh formën e erës?
Erës së veshur me tyl pranveror
Flladi i saj si rrahjet e zemrës
E bën dhe plakun të ndjehet dashnor
Formën e erës ke provuar të marrësh?
Erës së veshur me gjethet e vjeshtës
Flladi i saj si tingujt e kitarës
Të sjell në shpirt aromën e femrës
Ke provuar të marrësh formën e erës?
Erës së veshur me gunën e dimrit
Suferina e saj ia kalon Sirenës
E bën dhe Omerin të ndryshojë mitin
Forma e erës i ngjan vetëm shpirtit









Comments