Si u krijuan fërkimet me regjimin, në ç’drrasë të kalbur kishit shkelur… ?


NJË BISEDË ME SHKRIMTARIN AGIM SHEHU

(rreth romanit „UDHA PËR TE VDEKJA“)


Admirina Peçi - Romani juaj « Udha për te vdekja » a mund të ishte një libër kujtimesh ? Ai është historia e jetës suaj, apo jo ?

Agim Shehu - Lexuesi mund t’i verë çdo emërtim pas gjykimit e shijes së vet, por vepra është ajo që është. Autori është sigurisht në qendër të tij e në tërë shtrirjen e ngjarjeve. Në të vërtetë në çdo vepër, cilado qoftë ajo, autori fshihet brënda saj siç fshihen brënda trupit arteret e gjakut. Edhe nëse në vepër nuk e sheh qartë autorin, atij i ndjen frymëmarjen që merr e jep në fletët e librit. Aq më tepër kur vepra ka plagë autori brënda dhe dihet se frymëmarja më e vërtetë e njeriut është ajo që del nga plagët e tij. Aq më tepër kur, siç i ndodhi autorit gjatë 10 vitesh dënimi çnjerëzor, mbarimi i një dhimbjeje qe fillimi i një tjetre më të madhe me kufi derën e burgut. Si e pse ndodhën ngjarjet, si punoi mekanizmi i diktaturës sidomos mbi intelektualët e ndershëm, kush i thurte ato?..Si u bënë drama mundimi për gjithë shoqërinë ?! Për këto nuk mbeta thjeshtë në kujtime të mia e t’i ndaja nga ngjarjet, ashtu si detin ta ndash nga lumenjtë e burimet që e ushqejnë. Në vepër sigurisht është historia e jetës sime në një nga periudhat më të veçanta të jetës ku e kaluara do të bisedonte për më tej me të ardhmen. Për një vepër të tillë me synim të caktuar, nga kujtimet kam marrë çastet më përfaqësuese të jetës atje ku densiteti i dhimbjes arrinte kulmin, nga kujtimet kam zgjedhur ata ‘gurë’ në ngjyra të ndryshme siç i duheshin mozaikut si vepër.

A. P. - Si u shkrua vepra ? Ç’u shtyri ?

A. Sh. - Më duket se lindi vetë, pa u kuptuar siç i lindin pemës gjethet, apo siç lind fëmia pa e pyetur atë (thotë me humor miku im Pëllumb Kulla). Gjatë viteve në Metalurgji, në vetminë time të hutuar sidomos në fillimet, në një fletorkë të vogël mbaja ndonjë shënim për ngjarje tepër mbresëlënëse tronditëse, shoqëruar pastaj me pikëllimin tim dhe ndonjë gjykim për to. Sigurisht e ruaja fshehur me vete, aq sa më zhubrosej e diku grisej e shuhej nga djersa a lagia në shi. Atë që mbeti e ruaja si kujtim të dashur, nga më besniket në ditët aq të vështira. Rodhën ngjarjet. Erdhi «demokracia». Komunizmi kravatën e kuqe e ktheu në blu. Kundërshtarët më goditën për vdekje dhe Zvicra më dha Azil Politik familjarisht. Në vetminë e llojit tjetër në mërgim duke shfletuar dokumente e shkrime, ripashë kujtimet e Metalurgjisë. Ndjeva mall për të kaluarën, mall edhe për dhimbjet. Për më tej, detyrim trazuar me kënaqësi, që atë kohë ta rrëfeja të plotë për familjen, e më gjerë për të interesuarit. E shkruaja dhe e ripunoja ngeshëm, për mbi 10 vjet. Në mbyllje të romanit, gati 100 faqe i kam gjykime të hollësishme e të gjera në kohë e hapsirë siç m’i rezatonin kujtimet. Aty drama ime harmonizon aq sa i takon me historinë e brezave në jetë, me psikologjinë e tyre dhe filozofinë në tërësi duke gjykuar dhe veten. Kisha parasysh gjykimin e tragjedianit të lashtë, Sofokliut : « Dhimbjet më të mëdha janë ato për të cilat ne vetë jemi shkaku »…E të tjera.

A. P. - Si shumë krijues të tjerë në diktaturë, edhe për ju erdhi një çast kur rrugëtimi juaj ndëroi kah. Si u krijuan fërkimet me regjimin, në ç’drrasë të kalbur kishit shkelur…?

A. Sh.- Ky është fenomen më vete, i përbashkët për të gjithë e te secili me llojin e vet. Është udha dhe fati i krijuesit në diktaturë, me zikzaket që prodhonin së bashku rrethanat e jashtme me karakterin e çdo njeriu. Brezi ynë lindi nga mitra e diktaturës apo fëmininë e kaloi në barkun e saj. E ndjenim veten se na mbante si ‚nënë‘ në prehërin e saj kur diktatura me tepër zgjuarësi e largpamje për vete na fuste gjithënjë e më shumë në ingranazhet e një mekanizmi sa të përbindshëm aq dhe të mistershëm. Për ta kuptuar apo për t’iu ruajtur, njerzit vunë maska. Disa i ngjitën aq shumë maskat në fytyrë sa ato u kthyen fytyrën e vërtetë e tyre. Jeta u bë në shumë anë një ‚ballo me maska‘. Shteti komunist tek ne në tërësi skicoi fytyrën e vet për të na lidhur sa më fort te vetja. Në fillimet ne e pranuam gëzueshëm ardhjen e atij shteti pasi vinte me lirinë aq të ëndëruar, e shqiptari në psikologjinë gjenetike që trashëgon beson gjer në naivitet fëmie. Ylli i kuq në ballë të tij, pa e menduar kurrë vulë shtypjeje e mashtrimi, na u duk yll meteori që na vinte jo nga stepat sllavo-komuniste po nga qielli me lumtëri jete si asnjëherë. Sigurisht nisëm t’i bënim këngë…

A. P. - Si ju erdhën këto këngë? Si qe mekanizmi i atij frymëzimi ?

A. Sh. - Siç shihet qartë tanimë, në fillim nga adhurimi i çiltër i mirëbesimit. Më tej siç shihnim të mëdhenjtë, kënga bëhej për ndonjë privilegj. Shkova mësues në gjimnazin e Gjinokastrës e pasi iu kundërvura drejtorit diktator, më pushuan nga puna e më caktuan mësues në malet e Kurveleshit. Një mik në Komitet më tha që t’i bëja një poezi Enver Hoxhës. Ia bëra, u pëlqye e u ktheva në gjimnaz. (në ‚demokraci‘ dikush më tha me qesëndi se ‚sidoqoftë poezinë Udhëheqësit ia bëre të mirë‘! Ia ktheva që ‚të vdekurit i hidhet livando e zgjedhur…Pastaj nuk mund të të lija ty vetëm kur votoje 100% për Të‘). Koha kalonte duke bërë të vetën në zbulimin e fytyrës së vërtetë. Për Partinë e Udhëheqjen disa rrinin besnikë gjer në qelizë. Disa nisën zikzaket e zgjuara – hiq e mos këput sa mos të të këputej koka. Aty shkruhej për të bërë karierë. Aty shkruhej për vetëmbrojtje…Kisha shokë të ngushtë, krijues të shquar që në bisedat intime thoshte tmerrësisht urrejtshëm e krejt të kundërtën me lavdërimin që i bënte diku sistemit. E tha bukur e saktë një studjues i huaj se Shqipëria dëmtimin më të madh se nga Perandoria osmane e pati nga komunizmi. Shqiptari që duroi prerjet e shtypjen nga jashtë, po prishej nga brënda. Po vërtetohej gjykimi i Kamysë: „Në nazizëm xhelati duartroket xhelatin. Në komunizëm viktima duartroket xhelatin“. Shteti komunist qe sa i tmerrshëm po aq dhe i zgjuar, ndryshe s’do rronte aq gjatë.

A. P. - Më saktë, si ndodhi zikzakja juaj, shkelja në dërrasë të kalbur.

A. Sh. - Një histori më vete dhe kjo ku rrënjët janë trazuar me degët në kohë e ngjarje.. Meqë nuk pranova të dilja në gjyq kundër një nxënësi tim që u arrestua, e s’pranova të bëhesha „vegël Sigurimi“, m’u dha kërcënimi se aty do tretesha! Ndodhi që pas 10 vitesh Udhëheqësi më lavdëroi baladën e Selam Musait. Sekretari i Komitetit për ideologjinë, S. V., dashamirës i përhershëm i talenteve në Gjinokastër, më thotë se duhej të hyja në Parti, edhe kundër rregullave të statutit për intelektualët e moshuar. Hyra. D. Mamaqi gjeri rastin e më mori redaktor kulture në Zërin e Popullit. Shërbeva me të mira e të këqia në gazetë. Shkrova reportazhe të bukura për socializmin. Dhogët e kalbura po më afroheshin te këmbët që t’i shkelja. U bëra redaktor përgjegjës i Festivali 11, shkrova ‚Kafe Florën‘ etj. Bëra krushqi familjarisht me njerëz burgjesh. Botoja krijues të deklasuar…Dhe kulmi, ku dërrasa u thye e rashë bashkë me të në gropë, te një „shok“ fola shumë keq për dobësi të Udhëheqësit…

A. P. - Pastaj…

A. Sh. - „Shoku“, mesa u pa më pas, spiun i vënë me kohë, bëri Letër-Akuzë për zbulimin e një armiku. Mbledhje urgjente. Salla ngjau me një pyll egërsirash, kush të më shante e të më hante më shumë. Tronditja që ndjeva qe e papërballueshme, doja vetëm të ikja i lirë, të shpëtoja nga ‚shokët‘-ujqër: pa u marrë vendimi, u hodha teserën e Partisë përpara me spjegimin ‚nuk dua të jem më në Parti“. U hutuan të gjithë. Pastaj u gëzuan e më përjashtuan. Dola vetëm jashtë…

A. P. - Mesa u tha, shefi (Xh…) të goditi tepër ashpër…

A. Sh. - Nuk ka faj ai. As i mbaj mëri atij. Një tjetër do sillej edhe më keq. Letra qe shkruar me mjeshtëri mafjeje ku më bashkonte me puçistët, e për kohën Udhëheqja aleatët e puçistëve (unë isha skicuar si ideolog i fshehtë arti) i priste me rrënjë e degë. U kërkua burg nga dikush, por atë e lanë përkohësisht. Si dënim, më larguan nga gazeta dhe nga Tirana, më dënuan me punë kazme për dy vjet…Pas dy vitesh nuk më kthyen në shtëpi, por më më lanë të vazhdoja dënim pa kufi, që të shpërtheja diku e të vetëvritesha. Mesa duket, udha për në Metalurgji qe « Udha për te Vdekja ».

A. P. - Kam kureshtje, si ju erdhi kërkesa për ‚vegël Sigurimi“, me joshje apo me kërcënim?

A. Sh. - Flas për vete më saktë, mesa po gjykoja në atë zyrë të frikëshme, qenë mpleksur të dyja. Rasti qe ky: një nxënësi im minoritar, Th. M. shau rëndë gjuhën shqipe. E kundërshtova me sa dija ahere (isha djalë i ri, sapo kisha vajtur mësues). Të nesërmen më thërret shefi i Degës Gj. Sh., më përsërit ngjarjen sikur e kish dëgjuar pas dere e më kërkoi që të dilja dëshmitar në gjyq. Nuk pranova që t’i dilja nxënësit, kur ç’dija, ia thashë në klasë. Më tej më tha që t’i ndihmoja si punonjës i fshehur i tyre pasi do kisha fitime, Aq më tepër që më qe ndaluar studimi në Moskë pasi isha fejuar me vajzë borgjeze…etj. Si e dëgjova me vëmëndje të hutuar, e kundërshtova përsëri…

A. P. - Si qenë 10 vitet e dënimit në Metalurgji? Çfarë të bluante mëndja?! Ndoshta hakmarrje…

A. Sh. - Se si qenë, lexohen te libri për to. Gjëndja shpirtërore lëvizte dallgë-dallgë sa vështirë ta tregosh saktë. Miku im më besnik qe vetmia. Duhej të mbaje gojën mbyllur që dera e burgut të mos rrinte hapur…Mëndja më rrinte vetëm në një gjë – t’u shpëtoja kthetrave të atij përbindëshi e të kthehesha në shtëpi, kryesisht për hir të familjes. Për hakmarje as më shkonte mëndja. Në atë diktaturë hakmarrja nga poshtë lart i ngjante hidrës me shumë kokë – i pret njerën e i mbijnë dy të tjera. Për më tepër, hakmarrja është gjëja që riprodhon më shumë vetveten. Qëndroja te gjykimi «lumtëria tregon shpirtin e njeriut. Vuajtja rrëfen karakterin». 

A. P. - Erdhi demokracia. Si e gjykoni sot ndërimin e sistemit? Ç’ju ka bërë përshtypje!?

A. Sh. - E djeshmja komuniste ka ndryshuar në tërësi formën, jo përmbajtjen. ‚Demokracia‘ tek ne është një lojë shahu. Diktatori i fundit komunist, R. Alia bëri skemën e lojës, vuri ‚gurët‘ e shahut në vëndin e vet secili…dhe loja nisi…Ende pas një çerek shekulli, vetëm Shqipëria tranzicion. Kuadrot e tij po plaken kurse, për ironi, ‚demokracia‘ e tyre mbetet si me përkëdhelje, ende ‚e brishtë‘! Fytyrat e zeza nën ‚kapardina të bardha‘ e kryen mirë detyrën e kryemësuesit komunist. Konica ka dhënë paralajmërimin profetik prej gjeniu: „Nëse Shqipëria një ditë do varroset, si epitaf t’i shkruhet: ‚E bënë idealistët, e mbrojti rastësia, e varrosën intelektualët‘. Kjo profeci tragjike po bën udhën e saj. Gjëndja e intelektualëve është fytyra e vërtetë e një vëndi. Më e rënda e më e rrezikshmja mendoj unë, është greqizimi i Jugut të Shqipërisë, siç ia kanë lejuar hapur të dy Partitë Athinës shovene. Dihet gjithashtu se shqiptari lejon të rrezikohet në fushë të hapur, Por kur shkon te gremina kujtohet, dhe aty kthehet të lajë gjithë llogaritë me ata që e mashtruan. Pas 45 vjet diktature të egër e të mbyllur, demokracia i erdhi si një dritë magjie sa i verboi sytë me sa duket, dhe nuk diti si ta administronte lirinë. Por kjo është temë tjetër…

A. P. - Me kë u përplasët që ju goditën për vdekje sa ju dhanë mërgimin nga Atdheu ?

A. Sh. - Me politikën antishqiptare që përmënda më lart. Një politikë tradhtie e ndërgjegjëshme kaq e zgjatur, mendoj unë, e ushqyer nga fqinjët shovenë. Pas disa kërcënimesh, pastaj goditjesh, erdhi e fundit që më çoi afër vdekjes. Miq të afërm më ftuan në Zvicër. Mjekët i panë të rënda plagët, më operuan përsëri, dhe shteti më dha Azilin Politik.

A. P. - Kush janë e ku janë vrasësit tuaj ?

A. Sh. - Si i fshehën në drejtim të panjohur, kanë dalë e po vrasin të tjerë. Unë tani i njoh. I dërgova një Letër sqaruese Kryeprokurorit, Presidentit Topi etj…(jo për mua, për vete të tyre. Unë s’dua e s’pres asgjë andej). Heshtën të gjithë.

A. P. - Është mendimi se në Zvicër keni krijimtarinë tuaj më të madhe e më të mirë. Si ndodh kjo ?

A. Sh. - Ashtu qoftë ! Qetsia e vetmisë ka dhe të mirën e saj, qoftë dhe duke qenë te oborri i vdekjes nga Zoti. Ulet fuqia e punës e shtohet saktësia me bukuri e fjalës.

A. P. - Si e gjykoni letërsinë shkruar në shtetin komunist? A duhet mospërfillur?

A. Sh. - Gjyqin meskin ia bëjnë meskinët, ‚zanatçinjtë‘ e rritjes relative: ata të cilët meqë s’ngrihen dot vetë lart, duan të ulin të tjerët poshtë. Krijimtaria në diktaturë ka kulme vlere e bukurie që mbeten ende kulme të pakalueshme. Kanë diçka prej Prometheu në arte ata që i krijuan këto vlera. Meritojnë së pari nderim historik ata që i shkruan ato duke guxuar të përballen me një strukturë të tërë sistemi çnjerëzor. Shpesh lulet më të bukura janë ato që mbijnë buzë vullkaneve. Mbijetesa ka sigurisht pjesën e vet. Tigrit për t’i larguar dhëmbët do t’i lëmosh lëkurën. Çfarë të shtoj më tej !?

A. P. – Ju keni ndjeshmëri të veçantë për Kosovën, e kjo duket në botimin e fundit të veprës madhore „KOSOVA - MADHËSHTIA E NJË MBILEGJENDE“. Si e gjykoni ngjarjen në Kumanovë?

A. Sh. – Një dramë zjarri rrethuar ende me mistere, mendoj e prodhuar nga e njëjta fabrikë shovene antishqiptare të natyrës sllave si të kaluarat. Me ‚flakët‘ e saj së pari nxijnë fytyrën e Kosovës si një e keqe që prodhon vetëm fatkeqësi, e për këtë nuk duhet ndihmuar! Jo rastësisht menjëherë me këtë zë u bashkuan në histeri Moska e Beogradi. Për më tej, mbi Ballkanin me barot ende të pandezur po lëviz nga dremitja aleanca ortodokse sllavo-greke, armiq të betuar veçanërisht të Kosovës. Për fat të keq, përballë kësaj gjëndjeje të përndezur ku armëve u prin intriga e shpifjet, shqiptarëve u mungojnë vizionarët e vërtetë kombëtarë me dinjitetin largpamës të rilindasve.

A. P. – Kur e mendoni bashkimin Kombëtar të shqiptarëve?

A. Sh. – Kur shqiptarët të bashkohen së pari me njeri tjetrin.

A. P. - Si e kalon kohën në Gjenevë ?

A. Sh. - Me veten time, me time shoqe e me mbesën e vogël.

A. P. – Çfarë gjelle ju pëlqen më shumë ?

A. Sh. – Atë që më vë përpara gruaja.

A. P. – Duke njohur jetën dhe veprën tuaj, të lind pyetja se si është formuar natyra juaj ?

A. Sh. – Mendoj, nga im atë kam karakterin; nga nëna ime – dhëmshurinë. Nga Labëria, flijimin për Atdheun dhe për dinjitetin.

A. P. – Kuptohet, ndjeheni krenar që jeni lab?!

A. Sh. – Sigurisht (siç do ndjehesha krenar dhe po të kisha lindur korçar, shkodran, kosovar, myzeqar…). Studjuesi grekoman anglez Hummond gjykon se kombi shqiptar do quhej i çdukur nëse do çdukej ajo krahinë që quhet „Labëri“. Studjuesi grek plotson se Shqipëria le të qe dhe 8 milionë veç të mos kishte Labërinë…

A. P. – Cili është vesi më i keq për njerinë?

A. Sh. – Mosmirënjohja dhe pabesia (kurse tërësinë e veseve gjer në tradhëti kombëtare e gjen së shumti sallën e Kuvëndit dhe në zyrat e partive)

A. P. – Kë gjykoni si veprën tuaj më të mirë ?

A. Sh. – Atë që nuk do arrij dot ta shkruaj.

A. P. – Si e mendoni vdekjen ?

A. Sh. – Si një bisedë paqësore, të përjetëshme me pavdekësinë.

A. P. - Ndoshta nga meditimet e vetmisë me ngjarje kaq të trazuara e dramatike ka buruar dhe kreu i fundit i romanit, tërë ajo filozofi përgjithësuese për jetën, për botën, për vdekjen si pjesë e pavdekësisë…

A. Sh. - Këtë e gjykoni më saktë ju. Unë jam autor i veprës. Pronar i saj tani është lexuesi.


#admirina #shehu

14 views

Shkrimet e fundit