top of page

Si një Fllad


Elbasan, 1989

Fatmir Terziu


Përsëri një vit zbehet në kujtime të holla. E ëmbël, sheqeroset memorja, por ndjesia „krypet“, kryposet në djersë, nuk dëshiron ta besojë. Buzët kafshojnë tinës. E mendja i ankohet kërrusjes së shpinës. Eh, vitet, bashkë me to rritet si një fllad e shkuara e mbin diku në ugare të tjera, të reja, thinjash, ashtu sikurse ndodh ngahera. Ne priremi të shikojmë prapa në atë që kemi arritur, atë që kemi dëshirë për të seleksionuar si arritje, ose kur kemi ardhur më afër për të përmbushur një qëllim të caktuar.

Por jo unë. Sa për mua, ky muaj kaloi si një ditë e vetme, kishte mbaruar para se të filloja të kuptoja se çfarë po ndodhte rreth meje. Është shkurt, është i shkurtër, është dhe i trazueshëm. Më ka trazuar mjaft, me nënën time në shtrat, me mendjen të ndarë copash afër dhe larg.

E megjithatë në këtë sfond si një pikturë e pazëvendësueshme qëndron Njeriu. Butësisht, butësisht, me vendosmëri, ditët kaluan së bashku me gjithë lavdinë e tyre. Së pari erdhi ëndrra e Pranverës, 1 Marsi tani po hap fletët e kalendarit të tij. Lulet delikate që lulëzojnë, ngrohtësia qetësuese e diellit, zgjuan tokën e fjetur nga dremitja e saj e ftohtë.

Pastaj pritet muaji tjetër, nxehtësia në rritje, afshi dhe zagushia përvëluese e shoqëruar me fllad të ftohtë herë pas here të ëmbël për çdo fushë dhe livadh, atje ku mendja shkon me mall, atje përsëri larg, atje…ku s'ka të zëvendësuar me asgjë, aspak.

Ngjyrat e ndryshme, era e paqme që gudulis dhe harlis gjethet e pemëve që qeshin, duke mbajtur radhën për shi dhe nganjëherë një të ftohtë së bashku me të. Dhe tani mendja nuk e di pse shkon përsëri diku në brendësi të muajve, në të padukshmen e tyre, në atë që po mbërrin më në fund, duke i dhënë të gjithave një rrjesht argjendi. Dalja nga bllokimi po fillon të japë shpresë dhe një herë. Dhe një herë Njeriu do të ketë vlerë.

Dhe me siguri, prania e lirisë, e domosdoshmja e Njeriut të lirë, do të kalojë gjithashtu në sy të lodhur e të harruar nga ajo që ka kaluar në një vit. Njeriu është qenie që kujton por harron më shumë përditë. Është Njeriu, kjo qenie e thjeshtë, e ndërtuar të jetë i tillë, i drunjtë? Jo. Është një përgjigje e prerë. Jo. Kjo është një gjë kalimtare. Si një erë e butë. Dhe në këtë rast si një Fllad! Aty është vetëm dashuria që keni jetuar, dashuria që jetoni, vetëm Dashuria!

20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page