Si një sistem neonësh që ndriçojnë shumëçka në kulturën shqiptare
Shënime për librin me studime folk-aestelike “Eh, “Floku i Behijes”, eh...” të shkruar nga Prof. Dr. Fatmir Terziu.
Prof. Dr. Zyhdi Dervishi
Në këtë vëllim përmblidhen 48 artikuj dhe etyde studimore, refleksione teoriko-analitike dhe studime sintetike që trajtojnë një spektër të gjerë të problemeve më të mprehta në fushë të arteve e sidomos të letërsisë dhe të traditave kulturore të shqiptarëve, të epidemive sociale në marrëdhëniet profesionale e njerëzore ndërmjet krijuesve në fushë të arteve e të dijeve shkencore, të bashkëkomunikimeve komplekse gjuhë shqipe-poezi shqipe, të modifikimit të dukurive kulturore të shoqërisë shqiptare nën trysninë në rritje të difuzimit të elementeve të shumëllojtë nga sisteme kulturore të tjera, të Perëndimit e të Lindjes, të rivlerësimit mbi baza shkencore moderne të një tërësie faktesh historike, etnografike e shoqërore, të huazimeve përvetësuese ndër kulturat ballkanike e të teknikave të vargjeve poetike etj.
1.
Prej më se dy dhjetëvjeçarësh Prof. Dr. Fatmir Terziu, si të thuash, funksionon me kapacitete në rritje si poet, prozator e studiues i arteve dhe i mekanizmave të komunikimit ndërmjet kulturës shqiptare dhe kulturave perëndimore, veçanërisht të asaj britanike. Në Londër ai i ka ngjitur me dinjitet shkallët e kualifikimit shkencor mbiuniversitar deri në nivelin Profesor Doktor. Duke përdorur “skaner” teorikë më të avancuar, të konstruktuar në vendet perëndimore, Terziu qartëson diagnozën e plagëve të ndryshme që përjetojnë segmente të caktuar të veprimtarive të shoqërisë shqiptare. Ai analizon me përparësi tipare të procesit letrar ndër shqiptarë pas vitit 1990, veçanërisht dukuri të tilla si “fryma klanore”, “burokracia letrare”, “mafia e padukshme dhe më e rrezikshme e letrave shqipe”, “fryma e cinizmit që mohon vlerat” dhe “atë të inflacionit të lëvdatave për vepra e letrarë të ndryshëm” etj.. Prof. Terziu argumenton përfundimin se edhe mjaft dukuri nga realiteti letrar i shoqërisë shqiptare, pavarësisht dukjeve modernizuese dhe pretendimeve të mjaft letrarëve se kanë sjellë risi në botën e artit të fjalës shqipe, vërtetojnë përfundimin e G. K. Chesterton se “... kur ata flasin se kanë bërë rrugë të reja, ata në fakt janë vetëm duke treguar në shkrimet e tyre se kanë bërë vajtje-ardhje të reja në rrugë të njëjta”.
Pas vitit 1990 ndër letrarë dhe kritikë të letrave ka pasur zell të afishuar dukshëm e deri të tepruar për t’u paraqitur si disidentë të heshtur kundër sistemit socialist totalitar, për të kritikuar një sistem të tillë. Por mjaft prej krijuesve të tillë, ka argumentuar studiuesi Terziu kanë përforcuar prirjet dhe anët negative të së kaluarës së afërt (1945-1990) në shumëçka dhe sidomos për vlerësimin e arritjeve në fushë të artit të fjalës.
Ndër to mjaft problematike është prirja për të fabrikuar letrarë me status të njëshit, letrarë që vetëmburren se janë themelvënës të prirjeve letrare (në fakt funksionuese në letrat shqipe shumë kohë para se të vinin ata në jetë), zbatues të dukurisë së hujit, domethënë të ekskomunikimit të veprave letraro-artistike të autorëve të ndryshëm, duke u nisur nga keqorientime ideopolitike ose dobësi të karakterit të tyre në letrat shqipe etj. Duke tejkaluar dukuri të tilla, lipset rivlerësuar krijimtaria letrare në gjuhën shqipe para dhe pas vitit 1990. “Është koha, - shkruan Terziu – që ne duhet të mbajmë mjaft afër letërsinë që është shkruar pas 1990-ës, jo thjeshtë si nocion kohor, por si kulturë letrare, krijimtari dhe qartësi e një rruge të ndriçuar e të çliruar nga absurdi i kontradiktave të ngurtësuara”. Vlerësime të tilla ndihmojnë për të tejkaluar edhe frymën e anarkisë, të kaosit dhe të cinizmit në strukturimin e hierarkisë së vlerave në letrat shqipe.
2.
Ky libër funksionon si mozaik trajtimi të një spektri të gjerë dukurish, të cilat të befasojnë nga ndriçime teorike origjinale të markës mjaft të afirmuar “Profesor Doktor Fatmir Terziu”. Një frymë e tillë mishërohet jo vetëm në analizën e prirjeve e të dukurive me shtrirje të gjerë e mjaft ndikuese në kulturën shqiptare, por edhe në analizën e tekstit të një poezie ose të një kënge me pak vargje. Duke u bazuar edhe në ndërtimet me struktura simbolike të krijimtarisë folklorike të shqiptarëve, veçanërisht të “segmenteve” të saj kushtuar marrëdhënieve intime të të rejave dhe të rinjve, studiuesi Terziu argumenton shkencërisht se përfytyrimi i shqiptarëve për të kaluarën është shumë kompleks, pra kurrsesi sipërfaqësor. Përmes shqyrtimit të tekstit të folk-këngës “Floku i Behijes”, ai thekson se “bukuria është një shprehje organike, qytetare e forcave morale dhe bukurive fizike”. Për shqiptarët e shoqërisë tradicionale kënga ka pasur edhe funksione luftarake. Ajo i mobilizonte burrat dhe gratë e Shqipërisë në luftë kundër pushtuesve të ndryshëm. Edhe për këtë funksion të veçantë të këngëve profesor Terziu ka zbuluar dokumente në arkivat britanike. Sipas dokumenteve të tillë Lord Cowley ka shkruar se “kënga i hidhte në sulm njerëzit më shumë se pushka”. Që nga arkivat britanike pohime të tilla ndihmojnë në shumë për të afirmuar vlerat kulturore të popullit shqiptar në familjen e kulturave europiane e më gjerë.
3.
Me mallin e pashuar të mërgimtarit intelektual e fisnik Prof. Terziu përpiqet pareshtur si etnolog të qëmtojë çdo vlerë të ngjizur e funksionuese në shoqërinë shqiptare. Në tekstet e shkruara në hapësirat shqiptare është trajtuar në mënyrë anemike çështja e mjekësisë popullore, përvojat e vyera të mjekimeve popullore. Prof. Terziu e trajton këtë problematikë edhe me pikësynimin për të nxitur studiuesit e fushës përkatëse për ta studiuar e vënë në efiçencë përvojën e mjekësisë popullore në qarkun e Elbasanit, si një “mekanizëm” që i shërben shërimit të sëmundjeve në gjithë hapësirën shqiptare, si përvojë që e ka shndërruar Elbasanin, si të thuash, një Mekë ku të sëmurët me patologji të ndryshme gjenin dhe ende mund të gjejnë “derman”, domethënë shërim. Ai parashtron ide me vizion të gjerë aktivizues e përgjithësues: “... mjaft nga metodat popullore që kanë pasur bazë bimët mjekësore janë argumentuar shkencërisht se përmbajnë lëndë aktive me vlera të mëdha kuruese”. Dhe këta lëndë lipset të riaktivizohen me të gjithë kapacitetet e tyre shëruese në dobi të popullit shqiptar e më gjerë.
Në këtë libër portretizohen në disa rrafshe mjaft personazhe të botës shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore si mjekët popullor Iftimi Buda dhe Avdi Doçi, farmacisti i botës bimorë Xhavit Bahja, gjuhëtari pasionant Ibrahimi Beqir Alla, ministri brilant i arsimit që e dënuan politikisht të punonte si çoban Thoma Deliana e mjaft e mjaft të tjerë. Këto gjallojnë në faqet e këtij libri si specialistë të ballit të parë e si qytetarë me shkallën më të epërme të fismërisë.
4.
Në këtë vëllim me studime vend të veçantë zënë vëzhgimet dhe argumentimet për komunikimet e shqiptarëve me poezinë, për funksionet e poezisë në shoqërizimin dhe fisnikërimin e njerëzve, veçanërisht të fëmijëve dhe të të rinjve, për pasurimin e botës shpirtërore dhe të fjalorit në proceset komunikuese etj. Për këtë problematikë Prof. Terziu, ndër të tjera, nënvizon: “... poezia ka rëndësi më të madhe, sepse kur e lexojmë kuptojmë se për çfarë është e aftë gjuha. Dhe anasjelltas: kur nuk lexojmë poezi, ne humbasim një ndjenjë të fuqisë së fjalëve. Kjo është arsyeja pse forca e poezisë, merr si pikënisje të vërtetën e trishtuar se ka miliona të rritur të përkryer, të arsimuar, profesionistë, madje edhe blerës librash, për të cilët poezia mbetet pothuajse anatemë. Ata janë metrofobë të vërtetë dhe, sepse janë, ata nuk do ta dinë se është poezia nga e cila kanë frikë, jo alibitë e tjera, qofshin dhe ato me Covid... Kam takuar shumë në karrierën time si autor dhe edukator, të cilët mbi një pije pas pune në lokalin e zhurmshëm, mund të bisedojnë me besim për filmin, politikën, madje edhe trillimin, por faqet e tyre zbehen në referimin më të vogël të një poeti ose poezie..., ose në jo pak raste mbesin vetëm tek ato poezitë e diktuara e të sforcuara “përmendësh” në kohë e pakohë shkollore. Disi, arsimimi i tyre ka dështuar plotësisht për të çuar në shtëpi të vërtetën për poezinë: se është i vetmi laborator i vërtetë i gjuhës, vendi ku fjalët mund të ndryshojnë jetën”.
Argumente të tillë funksionojnë si kambanë alarmi për strukturat arsimore e artistike të shoqërisë shqiptare, që lipset të modifikojnë rrënjësisht programet shkollore e jashtëshkollore të komunikimit të nxënësve të shkollave shqiptare me poezitë më të arrira, të shkruara nga poetët më të shquar shqiptarë dhe të vendeve të tjera. Për afrimin e natyrshëm të nxënësve shqiptarë, madje edhe të shqiptarëve të moshave më të mëdha me poezitë e arrira lipset që strukturat përkatëse të bazohen edhe në përvojat më të përparuara të vendeve të tjera, sidomos të atyre perëndimore, si dhe në studime shkencore sociologjike e psikopedagogjike.
Tashmë në hapësirat shqiptare ka sociologë e psikologë të kualifikuar që mund të realizojnë edhe studime të tilla të ndërlikuara, por mjaft të dobishme për të tanishmen dhe të ardhmen.
Comments