Si na sheh bota dhe si jemi?


Ndue Ukaj

Si na sheh bota dhe si jemi?


Ndue Ukaj


Sot- në ditën e ditë të Vitit të Ri- duke i parë shqiptarët e çakërdisur dhe të zemëruar në gjithçka e në gjithkënd, duke i parë marritë televizive e dokrrat e quajtura mendime, duke e parë sesi shqiptarët vuajnë për gjëra krejt të zakonshme, mu kujtua Faik Konica dhe një varg patriotësh të kultivuar, që përpiqeshin të bënin dritë në errësirën e pafund ku i ishte katandisur kombi shqiptar për shkak të aksidentit të tmerrshëm historik.

Dhe nëse duam vërtet ta dimë si na sheh bota, duhet t’i kthehemi Konicës- i cili i ditur dhe i rreptë me veset kombëtare- teksa e shihte popullin e trallisur e plot vese, para njëqind vjetëve shkruante:

"Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit.”

Pra, një i ditur dhe i rryer si Konica, ishte i vetëdijshëm se për të hyrë në vallen e qytetërimit nuk mjaftonin lavdimet boshe, dokrrat dhe historitë e stisura, prandaj ai i ashpër, bashkëkombëseve dhe lexuesve të tij u thoshte: Mjaft lavdime.

Sot- të paktë janë ata shqiptarë të ndërgjegjshëm që nuk mërziten e nuk ofshajnë, siç mërzitej e ofshante Konica. Sepse, kombi shqiptar, në sytë e tjerëve vazhdon të shihet ashtu siç e përshkruan Konica. Dhe krejt kjo ndodh për fajin tonë dhe për shkak të pazotësisë për të ecur kah progresi, pra pazotësisë për ta lartësuar kombin e për ta prezantuar me dinjitet përpara të tjerëve.

...

Sa herë udhëtoj nëpër Europë dhe shoh kudo shkëlqim, njerëz të ditur në punët e tyre, por që nuk çajnë kokën për punët e të tjerëve, më kujtohet shprehja e pikëllueshme e Konicës: “E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot”.

Sa herë udhëtoj në Europë shoh tempuj bukurie që të magjepsin, një arkitekturë madhështore, plot jetë, gjallëri e estetikë, dhe njerëz që kujdesën për të mirën publike, duke e trajtuar si të vetën. Dhe pastaj mendoj për vendin tim të katandisur në mjerim, ku mbretëron një arkitekturë e shëmtuar, e ku askush s'e këqyrë punën e vet, por secili të secilit, rrjedhimisht të askujt. E ku secili është kompetent dhe gjykon për gjithçka e për secilin. Ku pak kush vepron me ndërgjegje e përgjegjësi. Ku njerëzit gërvallën përditë, e paçavuret quhen opinione, ku nëpër media e rrjete sociale defilojnë zhurmaxhinj që më shumë besojnë të urrejtja sesa te dashuria, dhe plot të tillë që kurrë s’i ulin shigjetat e helmatisura prej duarve të tyre.

...

Asnjë komb në Europë nuk ka pësuar më shumë se ne shqipta