top of page

SI IKIN BURRAT E DIBRËS KUR PEMA E TYRE RËNDON NGA FRYTET?


SI IKIN BURRAT E DIBRËS KUR PEMA E TYRE RËNDON NGA FRYTET?

Elegji...

Për dy BURRA që ikën duke lënë dhembje e mall pas...

Vërtet si ikin burrat e mëdhenj të Dibrës kur pemën e tyre e kanë mbushë me fryte?

Si iku Qerim Sula, dy metër burrë që mbushte skenën me hijeshinë e maleve të Dibrës tek këndonte trimëritë shekullore të dibranëve...

Oh, medet Qerim për ty!

Si iku Përparim Tomçini, nota më e lartë në pentagramin e këngës dibrane?

Oh, medet Përparim për ty!

Herën e fundit që u takuam, 1 nëntor 2015, u bëmë bashkë, në një fotografi, në Bulevardin e Blinjve, në atë bulevard që bashkë me bilbilat e majit kënduat edhe ju, hodhët në pentagram shpirtin tuaj...

Oh, medet Qerim për ty!

Oh, medet Përparim për ty!

Ikët për të na lënë këngën, atë këngën studentore Përparim që aq shumë e kemi dashur, aq shumë e ka dashur rinia: “Na bashkoi kënga popullore”!...

Oh sa mall kam, oh sa bukur këndonit!


Desha të të imitoj Përparim ndaj një ditë bashkova këtu në mërgim valën e këngës labe me furinë e çiftelisë në një ansambël jetëshkurtër “Na bashkoi isoja dhe çiftelia”...

Eh, vështirë ti bashkosh, si vështirë të bashkosh kombin...

Por jo vetëm kur ishe i ri...

Edhe kur u rrite, kur u poqe, kur u fute në meloditë e papërsëritshme të një treve që thoshit se “sapo i është hapur thesi”...

Oh sa melodi e këngë nxorët nga ky “thes”!

Sa i mblodhët dhe paraqitet në festivalet folklorike që nga fshati më i largët i Dibrës e deri në festivale kombëtare!

Sa shumë dhatë vëllezër për Dibrën, sa shumë!

Ikët të rinj, ikët atëherë kur kënga dibrane u donte më pranë se kurrë, kur malet e Dibrës kishin nevojë për male shpirtërore që lart ti ngrenë e bukur ta ndërtojnë folenë...

Ikët njeri pas tjetrit, njeri në fund të majit e tjetri në fillim të qershorit. Ikët në pranverë kur piqet qershia e molla rrit frytet, kur bjeshkët mbushen me lule e kur malet mbledhin e përcjellin teposhtës drejt Drinit të Zi lotët e dëborës.

Nuk e di, nuk kam fjalë dhimbjen ta shpreh e ngushëllimin ta përcjell...

Nuk kam...

Dhe as do të kem ndonjëherë...

Dhimbjen dhe mallin as fjalë, as fjali, as këngë, as poemë, as roman nuk e mban, nuk e shpreh dot deri në fund.

Por Dibra një fjalë e ka gjete...

Dhimbja...

I ra pemës dhe e thau...

I ra gurit dhe e çau...

I ra njeriut dhe e ...

O zot si do ta mbajë kënga, melodia e jetës suaj...

Aq e madhe sa mbetet përgjithmonë...

Ju ikët...

Unë ju kam me vete...

Në një fotografi...

Në një kujtim të bukur...

Do të desha që në Bulevardin e Blinjve dy statuja të shihja për ju, BURRA TË DIBRËS, rënduar nga frytet e këngës dhe muzikës dibrane...

Abdurahim Ashiku

Athinë, 5 qershor 2020

KUSH ISHTE PËRPARIM TOMÇINI ?

Sipas një prezantimi kosovar


Përparim TOMÇINI, është lindur në vitin 1955, në Peshkopi. Ka mbaruar Akademinë e Arteve, Dega Kompozicion me rezultate të shkëlqyera (1975-1979)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi tre këngëtarë të muzikës popullore( Arif Vladin, Nikollë Nikprelajn dhe Përparim Tomçinin)

Që nga vitit 1979 e në vazhdim, ishte përgjegjës i Muzikës në Shtëpinë e Kulturës (Qendrën Kulturore) “Haki Stërmilli” në Peshkopi dhe pastaj në bashkinë e Kamzës.

Ndërkohë, ka punuar edhe në profesion të lirë si kompozitor talent dhe ka patur sukses.

Krijimtarinë muzikore e ka filluar që kur ishte student.

Në vitin 1979, në konkursin me krijimtarinë e studentëve të Akademisë së Arteve, fitoi çmimin e parë me rapsodinë vokale për Isa Buletinin, me të cilën mori çmimin e dytë edhe në Koncertet e Majit të atij viti, ndërsa në vitin 1984, fitoi Çmimin e Parë në konkursin kombëtar të krijimtarisë artistike për gjinitë e mëdha me rapsodinë vokale “Rrënjët në gjak i ka liria”.

Në vitin 1989, në konkursin e krijimtarisë artistike, mori Çmim të Dytë me një poemë simfonike. Është autor i përpunimeve muzikore në mënyrë mjeshtërore të “Këngës së Rexhës”, “Pjergullo, moj pjergullo”, “”Po vjen zogu për rreth livadhit”, “Po këndojnë pushkët nëpër kulla”, “Sefë Kosharja i pari i fisit”, “O, prite Azem Galicën” etj., këngë të cilat janë interpretuar me nivel të lartë artistik nga Liri Rasha, Sajhe Poleshi, Qerim Sula, Arif Vladi etj.

Ka një krijimtari shumë të suksesshme muzikore dhe është autor i mbi 400 kompozimeve dhe përpunimeve të këngëve e melodive.


Për shumë vite ka qenë udhëheqës artistik i ansambleve të Dibrës në dy festivale folklorike të Gjirokastrës, në turnet e vitit 1992 e 1995, në Turqi, në Festivalin e Klasës Punëtore në Durrës në vitin 1984 e në Tiranë më 1989, në Festivalin Folklorik të Beratit më 1995.

Ka drejtuar tri ansamble artistike dhe një ansambël folklorik në Dibër të Madhe me Shoqërinë Kulturore Artistike “Haki Stërmilli”, dy ansamble artistike në Strugë me SHKA “Shpresa e Veleshtës”, një ansambël artistik në Tetovë të SHKA “Xheladin Zeqiri”.

Ka realizuar 6-7 premiera ansamblesh në Televizionin Shqiptar me ansamblin “Dibra” e dhjetëra festivale të këngës dibrane.

Është ndër organizatorët kryesorë dhe udhëheqës artistik i të gjithë festivaleve të “Odës Dibrane”, në periudhën 1994-2005, në qytetin e Peshkopisë, veprimtari kjo që ka marrë pamjen e përmasat e veprimtarive të mëdha kulturore kombëtare.

Ka nxjerrë shumë kaseta muzikore të disa këngëtarëve.

Nga Bashkia e Dibrës (Peshkopi) është shpallur “Nderi i Kulturës Dibrane”, ndërsa nga presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi është dekoruar me motivacionin: ”Për kontribut të madh për lirinë, për kontributin e madh në muzikë dhe art barazinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këngët e tij kanë qenë frymëzim dhe motivim për shumë gjenerata, që u angazhuan për liri, barazi dhe pavarësi”.

Solli A. Ashiku

54 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page