Shtegtimi i Bajronit ...


233 vjet nga lindja e Meteorit BAJRON në qiellin e poezisë

Shtegtimi i Bajronit në mendimin intelektual shqiptar

Nga Dorian Koçi

I

Udhëtimi

The East is a career- Lindja është një karrierë

Benjamin Disraeli, Tancred[1]

Fundi i shekullit të XVIII do të përmbante një ngjarje të madhe në aspektin kulturor, për afrimet midis Perëndimit dhe Lindjes. Ekspedita e Egjiptit, e ndërmarrë nga gjenerali i ri ambicioz Napoelon Bonaparti më 1798, përveç ekspansionit ushtarako-ekonomik, do të zgjonte dhe interesimin e madh për Lindjen dhe kulturat e saj.

Në të njëjtën kohë në Evropë si rezultat i ndikimit të shkëlqyer të Rilindjes dhe Iluminizmit u shtua interesi për trashëgiminë greko-romake, dhe influencat e saj në kulturën evropiane. Këta dy faktorë do të kontribuonin në lindjen e Filohelenizmit dhe Orientalizmit dy rrymave të fuqishme në mendimin evropian të shekujve në vazhdim.

Në fillim të shekullit të XIX udhëtimi tradicional i “Grand Tour-it pësoi një ndryshim themelor. Turi i Francës dhe i Italisë u braktis dhe udhëtimet në Greqi, Shqipëri dhe Turqi, të cilat ishin pjesë të perandorisë Otomane u bënë të modës. Ky ndryshim erdhi si rezultat i arsyeve ushtarake, politike dhe kulturore.[2] Një mori udhëtarësh dhe studiuesish, herë si qytetarë të thjeshtë, herë si eksploratorë e herë si të dërguar të qeverive të tyre do përshkonin territorin e Epirit dhe Greqisë për të njohur nga afër territoret ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur. Zhgënjimi nga gjendja kulturore e grekëve të asaj kohe, i cili përshkruhet shumë herë në veprat e udhëtarëve anglezë është i përkohshëm dhe bashkëjeton me besimin që çlirimi i kombit grek është i mundur dhe është një ndërmarrje e nevojshme që të shkëlqejë prapë qytetërimi.[3] Orientalizmi në Evropë shkon deri në kohën e kryqëzatave dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime të ndryshme ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë Romanticismit sepse Orienti ishte formë sublime e tij[4]. Bajroni si një i ri aristokrat anglez dhe poet romantik në formim e sipër,i gjendur në Maltë në fillimet e Grand Tour-it të vet, do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir për ta njohur nga afër pashain karizmatik.

Kjo pleksje e veçantë e dëshirës për të eksploruar të shkuarën antike greke me orientalizmin e atëhershëm të Ballkanit do jepte një impuls të ri jo vetëm në jetën e Bajronit por do të kontribuonte fuqishëm dhe në krijimtarinë e tij të mëvonshme letrare duke e shndërruar veprën e tij në një nga kryeveprat e Romantizmit që posa kish lindur.

Emocionet, mbresat dhe përshtypjet e kësaj vizite, tashmë janë të njohura botërisht nëpërmjet poemës “Child Harold”-një nga kryeveprat e letërsisë angleze. Si mund të vihet re me një vështrim të parë, në poemë përveçse motiveve romantike, ndjen dhe afinitetin e veçantë të poetit me Ballkanin. Mund të themi pa hezitim se ky udhëtim pati një efekt të dyfishtë, jo vetëm në krijimtarinë e Bajronit që pas botimit të poemës do të shkruante “u zgjova në mëngjes dhe e gjeta veten të famshëm”[5]por dhe në mjediset intelektuale në Greqi dhe Shqipëri.

II

Krijimi i mitit shqiptar të Bajronit

Vepra e Bajronit dhe në veçanti “Child Harold”-i do të vinte te shqiptarët jo në gjallje të poetit , por në vitet kur ata do të përpiqeshin të realizonin zgjimin e tyre nacionalist. Bajroni është një nga udhëtarët më të hershëm angleze që vizituan Shqipërinë. Pas botimit të veprave të Bajronit numri i udhëtarëve, me apo pa misione të caktuara, si dhe i autorëve që shkruan për Shqipërinë dhe shqiptarët u shtua shumë,veçanërisht ai i udhëtarëve anglezë.[6]Ky aspekt i njohjes së veprës së Bajronit do të kushtëzonte dhe studimin dhe propagandimin e veprës së tij, e cila do t’u prezantohej shqiptarëve nga mesi i shekullit të XIX. Më tepër sesa një kënaqësi estetike, ajo do të shërbente dhe si një dëshmi për virtytet dhe karakteristikat e tyre.


Njohja e Bajronit në Shqipëri kaloi disa etapa. Në fillim ai u popullarizua tek Arbëreshët e Italisë, të cilët përmendin dendur emrin e Bajronit. Pastaj nga gjysma e shekullit të XIX Bajroni hyri dhe në Shqipëri. Faza e tretë mund të quajmë fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit të XX, kur Bajroni vërshon në Shqipëri me tërë vrullin e vlerave të veta si mik i shqiptarëve dhe i lirisë, si poet e luftëtar hero”[7] Si fazë të katërt mund të quajmë mesin e viteve 50 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona kur përkthimet profesionale të veprës së tij dhe studimet e mirëfillta shkencore marrin jetë.

Secila nga këto etapa të njohjes së veprës së Bajronit në Shqipëri ka karakteristikat e veta. Kështu në periudhën e parë, atë të popullarizimit të Bajronit tek Arbëreshët e Italisë, mbizotërojnë influencat estetike të veprës së poetit. Është i njohur afiniteti i De Radës për Bajronin, të cilin ai e vlerësonte së tepërmi.[8]Ai e shkroi poemën e vet “Odise’ me subjekt nga jeta arbëreshe, trajtuar sipas “Korsarit” të Bajronit.[9] Nga gjiri i mërgatës arbëreshe do të ishte dhe përkthyesi i parë i Bajronit në shqip, Luigji Petrasi,i cili do të përkthente Këngën e parë të poemës “Child Harold” të Bajronit në shqip më 1843.[10]

Edhe periudha e dytë vazhdon të përmbajë këtë karakteristikë, ndonëse në të fillon të mbizotërojë aspekti ilustrues i veprës së Bajronit për të nxjerrë në pah cilësitë dhe virtytet e shqiptarëve. Është shumë i rëndësishëm të nënvizohet ky fakt, pasi në një farë mënyre formon dhe tendencën e studimeve bajroniane në mendimin intel