top of page

SHTËPIA PËRRALLË


                                        SHTËPIA PËRRALLË

Tregim

    Unë them gjithmonë se shtëpia ime e vjetër që kam patur në fshat është një përrallë. Madje një përrallë shumë e bukur. Dhe më të bukur akoma e bën plugu i traktorit që kalon vrik mbi truallin e saj për çdo stinë mbjelljesh dhe blerimi i harlisur i bimëve që kultivojnë fshatarët e mi të sotëm. Sa herë që vete atje, filloj t’i rrëfehem. Ose më saktë, është shtëpia që më rrëfehet mua. Kjo nuk ndodh shpesh, por gjithsesi ndodh më shpesh se ç’mund të ndodhte. Unë ulem në qoshen pranë oxhakut, gërvisht murin me majënn e thoit dhe shkëpus prej tij një copëz gëlqereje nga ajo që përdorte nëna sapo ia behte pranvera. Shtëpia ime në fshat nuk i njihte bojrat, madje nuk i pranonte se i dukeshin si makijazh zonjash qyteti. Atëherë do ishte një vilë apo një apartament i zakonshëm, por jo një shtëpi përrallë. Ndërsa gëlqerja është bijë guri dhe sherbeti i saj e zbukuronte shtëpinë si një nuse të vërtetë

    Sakaq fillon rrëfimi. Nën  shtresën e hequr të gëlqeres shfaqet nënshtresa, ajo e mëparshmja, veshur e tëra me tym dimri. Tymi fillon e ngrihet ashtu i turbullt e i zi, si gjithë tymrat që nxjerrin kallamishtet e ugareve ende të pathara dhe bashkë me të shfaqet edhe merimanga e zezë. Është merimangë tymi, por mua më ka dashur aq shumë sa nuk më ndahej asnjë dimër. Ajo më vështron ngultaz me sytë e saj gri të errët, bash si dy thëngjij të shuar zjarri dhe fillon të kolovitet  mbi rrjetën e endur nëpër vite. Kolovitet gjithë qejf. Në fakt nuk është rrjeta e thurur prej saj, por shpargu i djepit tim dhe ajo sikur e di këtë e fillon të buzëqesh. Pastaj nga goja e vogël lëshon një pikëz helmi me ngjyrë jeshile që ngjyros gjithë vështrimin tim. Tashmë unë jam viktima e shtëpisë sime. Merimanga është fati im ndëshkimor, fati që dergjet i pagjumë nën atë shtresën e hollë të gëlqeres, mbushur me tymra të pafundmë vetëm për ta bërë atë shtëpizë, thjesht  një përrallë.

Me majën e thoit, heq një copëz tjetër gëlqereje dhe, nëpër mjegullën e dendur të tymit, këlthet një çajkëz ugari. Bashkë me të vjen edhe nata. Nëpër natë ngrihen leqet, çajkëza përplas krahët furishëm dhe, kur nuk gjen shpëtim nga kthetrat e tyre, vjen në dritaren time e troket me sqep. U bëftë ditë, them unë! Por nata mbetet natë. E unë i rrëfehem shtëpisë sime. Ose më saktë shtëpia ime  më rrëfehet mua.

    Ndërkohë, heq një tjetër copëz gëlqereje nga muri. Tashmë shfaqet gjeli shqerak dhe këndon sabahun e parë. Gjelat janë zgjimet e vërteta të netëve. Unë e mar dhe e bëj orë muri. Më duhet të udhëtoj herët në mëngjes. Por dua të  takoj edhe kukullën e motrës. Ajo është zonja e vërtetë e kësaj shtëpie dhe, si të gjitha zonjat, ajo e mbush shtëpinë me dritë. Kukulla, sikur ta dijë që kam ardhur, shtyn drejt meje karrocën me kushineta. Pastaj zbret nga kamarja e tymit me një kandil balte në dorë dhe më buzëqesh tëpkë si merimanga. Qëndron para meje, fut dorën në gji, merr prush xixëllonje dhe ndez kandilin. Drita bëhet pjesë e përrallës. Pastaj hipim të dy në karrocë dhe bëjmë disa xhiro nëpër shtëpi. Tani duken më qartë merimanga, çajkëza, gjeli, karroca. Edhe vetë kukulla duket më  qartë. Askush nuk mund ta ndes këtë kandil veç saj, sepse ai ndizet vetëm me prush xixëllonje dhe  prushin e mban në gji vetëm kukulla e motrës. Ndërsa unë e mbush me vaj. Kështu bëj sa herë që vij këtu. Hap kapakun e tij, nxjerr fitilin e pambuktë dhe afroj qerpikët. Pikë, pikë, pikon vaji nga maja e qerpikëve të mi. Dhe kandili prej balte mbushet dhe drita mbahet ndezur. Kështu bën dritë ky kandil, vetëm me vaj qerpikësh. Sakaq kukulla gëzohet, përshëndetet me mua, merr karrocën,  merimangën, çajkëzën, gjelin dhe ikën. Ato futen përsëri në mjegullën e dendur të tymit që fshihet mbrapa shtresës së hollë të gëlqeres, ndërsa unë marr udhën e kthimit. Është mëngjes në të gdhirë. Kam udhëtuar gjithë natën për të mbushur kandilin me vaj dhe kam përshkuar 50 vjet për të ardhur deri këtu. Dhe sërish do vij. A nuk është shtëpia ime e vjetër një përrallë e vërtetë?

Nuri Plaku

29 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page