Shqipe Bytyqi: Një fundjavë përtej aktivitetit: “Margaritarët e Fjalës” si dëshmi vazhdimësie
- 2 hours ago
- 2 min read

Elbasan, 3 maj 2026 – Qyteti i Elbasanit u kthye këtë fundjavë ne një hapësirë të gjallë të kulturës dhe kujtesës, ku arti, fjala dhe identiteti u ndërthurën natyrshëm ne veprimtarinë “Margaritarët e Fjalës”, të zhvilluar në ambientet e Teatri Skampa. Në këtë fundjavë morën pjesë dhjetëra të ftuar nga Shqipëria, trevat shqiptare dhe mergata.
Aktiviteti u organizua në kuadër te misionit “Kujtesë për Vazhdimësi” nga Shoqata Ress-Egnatia, me mbështetjen e Këshilli i Qarkut Elbasan dhe Bashkia Elbasan. Në thelb, kjo nismë synon të rikthejë në vëmendje rolin e gjuhës, letërsisë dhe artit si shtylla te identitetit kombëtar.

Programi u hap me ekspozitën e piktorit Gazmend Xhaferri, i cili solli nje përzgjedhje veprash të lidhura ngushtë me qytetin dhe rrënjët e tij kulturore. Paralelisht, “Vitrina e Librit” krijoi një hapësirë takimi mes lexuesve dhe botuesve, ku u prezantuan botimet më të fundit nga shtëpitë botuese M&B dhe Jozef.
Një nga momentet qendrore ishte shfaqja e dokumentarit “Margaritarët e Fjalës”, një homazh për krijuesit qe kanë lënë gjurmë në historinë letrare dhe artistike, jo vetëm të Elbasanit. Dokumentari solli gjithashtu një pasqyrë të rrugëtimit tetëvjeçar te misionit “Kujtesë për Vazhdimësi”, me theks të veçantë te figura e poetes dhe misionares Iliriana Sulkuqi.
Për kontributin e saj të gjatë në kulturën shqiptare, edhe pse larg atdheut, Iliriana Sulkuqi u nderua me dy nga titujt më te lartë vendorë: “Nderi i Qytetit të Elbasanit” dhe “Nderi i Qarkut të Elbasanit”. Vlerësimi i saj nuk ishte formal por rikthim i nje borxhi kulturor.
Mbrëmja vijoi në një atmosferë më të afërt njerëzore, me një darkë miqësore dhe me simbolikën e tetëvjetorit të misionit “Kujtesë për Vazhdimësi”, ku qiriu i ditëlindjes u shua nga dy personalitete nga Kosova, një gjest që nuk ishte rastësi, por mesazh bashkimi.
Dita e dytë u zhvendos nga skena te kujtesa konkrete e qytetit: me një vizitë në qendrën historike të Elbasan dhe në muzeun e tij, për të vazhduar me promovimin e dy librave. I pari, “Margarita Xhepa – mikja dhe zëri i poetëve”, përgatitur nga vetë Sulkuqi, i kushtohet Margarita Xhepa, Artiste e Popullit dhe Nder i Kombit, duke mbledhur dëshmi dhe kujtime nga poetë e artistë. I dyti, “Iliriana Sulkuqi dhe lirika e saj” nga Emrije Krosi, qe sjell një analizë të përqendruar dhe te thellë mbi krijimtarinë e saj letrare.
Një momentet tjeter domethënës u zhvillua në shtëpinë e Lefter Hodaj, ku u vendos një pllakë përkujtimore. Mbishkrimi e shpall këtë derë si “Konaku ‘Hodaj’, vatër e poetëve dhe artistëve”, duke formalizuar një realitet që kishte ekzistuar prej dekadash: një shtëpi e hapur për artin dhe njerëzit.
Në këtë ceremoni, poetja Shqipe Bytyqi, në emër të komunitetit artistik, i dorëzoi mirënjohjen familjes Hodaj për mikpritjen dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm ndër vite.
Në fund, ajo që mbeti nuk ishte vetëm një aktivitet kulturor, por nje dëshmi konkrete se kujtesa nuk ruhet vetë. Ajo mbahet gjallë nga njerëz që punojnë, lidhin, rikthejnë dhe nuk e lënë të bjerë në harresë. “Margaritarët e Fjalës” ishte pikërisht një përpjekje për ta mbajtur kujtesen të pandërprerë.








Comments