SHQIPËRIA VEND I HERONJVE DHE I NJERËZVE TË BUKUR


Prof Dr Thanas Gjika

(Mbi veprën “Pena të arta franceze për shqiptarët - 1332-2007” të antologjistit Fotaq Andrea)


Pas ndërrimit të regjimit diktatorial, në Shqipëri u krijua një klasë politike e përbërë kryesisht prej ish-komunistësh, ish-sigurimsash besnikë të PKSh / PPSh-së. Këta njerëz duke punuar për interesat e xhepit dhe për të përjetësuar enverizmin, kanë krijuar me sjelljet e tyre dhe me median një imazh të keq për Shqipërinë dhe shqiptarët. Të tillë pushtetarë gjatë këtyre 30 vjetëve nuk reaguan kur u hodh baltë mbi figurat më madhore të kombit tonë si Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shenjtores Nënë Tereza, shkrimtarit me vlera botërore Ismail Kadare, etj. U nënvleftësuan krijues të shquar si At' Gjergj Fishta, Arshi Pipa, Martin Camaj, etj. Nuk iu dha vendi dhe vlera që ka letërsia e burgjeve, u fyen dhe iu kërcënua jeta e personaliteve të shquar që kanë dalë në mbrojtje të vlerave të të përndjekurve të ndërgjegjes si Visar Zhiti, Agron Tufa, Çelo Hoxha, Kastriot Dervishi, etj.

Studiuesi dhe përkthyesi i talentuar Fotaq Andrea i doli ndesh kësaj politike zhvlerësuese të popullit shqiptar. Duke e ndjerë si mision, vënien në dukje të vlerësimeve pozitive që kanë bërë gjatë shekujve e deri në ditët tona njerëz të shquar të botës frënge për popullin shqiptar, ai zgjodhi, përktheu, përgatiti dhe botoi në shqip antologjinë “Pena të arta franceze për shqiptarët (1332-2007)” GENT GRAFIK, Tiranë 2009, 762 faqe në format të madh, pajisur me ilustrime të shumta veprash artistike, me foto e faksimile dorëshkrimesh.

Vepra hapet me një përkushtim të bukur “Në nderim të kujtimit të Mjeshtrit të madh të përkthimeve në frëngjisht dhe Përçuesit të vlerave shqiptare në botë, Jusuf Vrionit”, dhe mbyllet me shkrime rreth jetës dhe veprës së këtij personaliteti të shquar të frankofonisë dhe mentor i Fotaq Andreas. Gjest ky që shpalos karakterin mirënjohës të këtij studiuesi.

Kjo antologji mund të quhet pa hezitim “vepër monumentale”, që ngërthen pas një pune shumëvjeçare një pasuri të madhe përzgjedhur nga dyqind libra e dhjetra artikuj, gjetur nëpër biblioteka e arkiva të ndryshëm. Shkrimet janë hartuar prej 140 autorësh të shquar francezë mbi historinë, artin, kulturën, etninë dhe letrërsinë shqiptare.

E themi që në fillim se kjo vepër vlen të merret si model prej studiuesve të tjerë që të mbledhin, përzgjedhin, përkthejnë e të botojnë në shqip antologji me vlerësime të shkruar prej personalitetesh anglezë, amerikanë, gjermanë, italianë, etj. Kështu do të ndihmohen lexuesit kuriozë e sidomos studiuesit tanë të shkencave albanologjike për të shfrytëzuar sa më mirë materiale burimore të shumllojshme të dhëna prej udhëtarësh, historianësh, etnografësh, arkeologësh, shkrimtarësh, kritikësh të letërsisë dhe zyrtarësh të huaj, të cilët kanë dhënë vëzhgime të holla, mendime, përshtypje, gravura, piktura, foto dhe vlerësime për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi, si dhe për personalitete të shquar të artit dhe të kulturës së popullit tonë gjatë shekujve.

Ajo që të bën shumë përshtypje në pëmbledhjen e frankofonit dhe antologjistit Andrea, nuk është përshkrimi i gjendjes së varfër në të cilën jetonte populli ynë gjatë pushtimit osman, por dëshmia e këtyre autorëve për virtytet, dinjitetin, dashurinë për armët, krenarinë, pamjet trupore elegante të burrave dhe grave, për veshjet e bukura, si dhe për fisnikërinë, besën e mikëpritjen shqiptare. Shumë prej këtyre autorëve kanë theksuar se këto veti të çmuara njerëzore i dallonin shqiptarët midis popujve të gadishullit Ballkanik.

Libri paraprihet nga një parathënie e thukët, hartuar prej vetë studiuesit Andrea, ku përmenden aspektet kryesorë të shkrimeve dhe emrat e penave më të rëndësishme të botës frënge që kanë shkruar me dashuri për popullin shqiptar dhe për njerëzit tanë të shquar si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Marko Boçari e luftëtarët arbërorë (arvanitët), Faik Konica, Nënë Tereza, Ismail Kadareja, etj. Duke përfundur parathënien, autori thekson: “Eshtë e vërtetë që historia e çdo populli është në radhë të parë e mbi të gjitha histori lufte dhe qëndrese, aksiomë kjo e përgjithëshme së cilës nuk i ka shpëtuar kush, domosdo as shqiptarët, të njohur madje si zanatllinj të armëve apo për kultin e armëve. E megjithatë duhet thënë se po aq sa luftohej e vajtohej për rënien në luftë apo degdisjen në dhe të huaj, po aq edhe punohej e i këndohej dashurisë për vatrën e vatanin, dashurisë për jetën, gjithmonë në ngadhënjim me vdekjen” (Parathënie f. V).

Fotaq Andrea është ndër ata studiues që e rithekson dëshminë e hershme të shekullit XIV sipas së cilës populli ynë e shkruante gjuhën e vet me shkronja latine. Antologjia hapet pikërisht me relacionin me të cilin kryepeshkopi katolik i Tivartit, Gijom Adam, që më 1332, njoftonte Papatin për gjendjen e popullsisë së dhjetë qyteteve që vareshin nga Kryepeshkopata e Tivarit.

Kryepeshkopi Adam sqaron së pari për përbërjen demokrafike të krahinës e të qyteteve që vareshin prej tij. Ai shkruan se brenda kështjellave të gjashtë qyteteve Antibari (Tivari) Katari (Kotori), Dulcedine (Ulqini), Suacinense (Shasi), Scutari (Shkodra) dhe Drivaste (Drishti) mbizotëronte popullsia latine (veneciane), të cilët kishin gjashtë peshkopë. Kurse jashtë mureve jetonin albanienët (shqiptarët). Latinët, pra venecianët, nuk jetonin nëpër fshatra dhe nuk kishin prona tokësore. Kurse shqiptarët zotëronin katër qytete Polatin e Madh (Pultin e Madh), Polatin e Vogël (Pultin e Vogël), Sabbatën (Sapën) dhe Albanian (Albanin / Albanopolin e lashtë). Pas këtyre të dhënave kryepeshkopi jep sqarimin: “Dhe sado që Albanienët (shqiptarët) kanë një gjuhë tjetër, fare të ndryshme nga ajo e Latinëve (Venecianëve), megjithatë, ata kanë në përdorim, si dhe në të gjitha librat e tyre shkronjën latine” (f. 1). Kjo dëshmi tregon qartë se kryepeshkopi Adam kishte parë me sytë e tij jo një e dy, por shumë letra e libra të shkruar shqip me alfabetin latin, kuptohet në dorëshkrim sepse shtypshkronja ende nuk ishte krijuar. Pra, populli shqiptar, të paktën pjesa veri-perëndimore që jetonte në këto dhjetë qytete, nën ndikimin e italishtes së shkruar që përdornin venecianët, e kishte shkruar dhe ai gjuhën e vet me alfabet latin si në letërkëmbime familjare dhe në libra. E thënë ndryshe, kjo dëshmi duhet të nxisë institucionet shtetërore të shkencës dhe arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që të nxjerrin fonde për kërkime në Bibliotekën e Vatikanit dhe në Arkivin e Venedikut, si dhe të qyteteve të tjerë të Italisë së Veriut, sepse mund të gjendet të paktën një ose disa libra dhe letra të shkruara shqip me alfabetin latin gjatë shekullit XIV, pra një shekull para librit të Gjon Buzukut.

Pas këtij relacioni, materialet e mbledhur në këtë antologji ndahen në tre pjesë: 1-“Skënderbejada”, ku janë vendosur shkrime të gjinive të ndryshme të shkruar në kohë të ndryshme për vlerat e Heroit tonë Kombëtar.

2-“Për shqiptarët dhe vendndodhjet e tyre”, ku janë riprodhuar në linjë kronologjike shkrime me tematikë të larmishme mbi tipare tipikë të botës shqiptare, vlera e virtyte historike të shqiptarit. Po aty janë renditur dhe shkrime për shqiptarë e shqiptare të talentuar si për shkrimtaren Dora D' Istria, balerinin Angjelin Prelocaj, për shkrimtarë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, për Nënë Terezën, për arritjet e pelazgologut Mathieu Aref, i cili me studimet e tij ka vërtetuar origjinën pellazgjike të popullit shqiptar dhe se gadishujt që quhen sot Ballkan dhe Azia e Vogël kanë qenë banuar prej fiseve pellazgjike shumë kohë para se të vinin aty fiset greke. Qytetërimi pellazg edhe pse u asimilua prej qytetërimit grek, ka luajtur rol dhënës gjatë bashkëjetesës me këtë qytetërim në disa fusha. Këtë rol Prof. Aref e argumenton me të dhëna arkeologjike, me shkrime të vetë autorëve antikë grekë e romakë dhe me shpjegimin e kuptimit të shumë fjalëve të greqishtes me anën e gjuhës shqipe, pasardhëses së pellazgjishtes.

3-“Shkrime rreth veprës së Isamail Kadaresë dhe për Jusuf Vrionin”, ku janë shkrime vlerësuese për veprën e shkrimtarit tonë botëror I. Kadare dhe për përkthyesin e tij, fisnikun J. Vrioni, frankofoni më i shquar shqiptar.

Vlerësimi i figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut bëhet në disa shkrime në prozë (esse, novelë, romane, etj) dhe në poezi (sonet, poema, tragjedi e luajtur si opera, monografi shkencore, etj). Këta autorë janë mbështetur në librin “Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut...” të Marin Barletit, duke bërë shumë shtesa nga fantazia e tyre.

Midis këtyre veprave tërheq vëmendjen thënia e Fransua Marie A. Volter (1694-1778), shkrimtar e mendimtar i famshëm, i quajtur “njeriu universal i shekullit të vet”. Në veprën e tij mbi historinë e njerëzimit vlerësohet lart Gjergj Kastrioti, kur shkruhet për Perandorinë e Bizantit:: “Po të kishin qenë Skënderbej perandorët grekë, Perandoria e Orientit do të ishte ruajtur”.

Tërheqëse është dhe thënia e historianit Kamij Paganel (1797-1859) autor i monografisë “Historia e Skënderbeut, ose turqit dhe të krishterët në shek. XV”. Ky autor e quan Skënderbeun “Ushtar i Jezu Krishtit, mbrojtës i Pavarësisë Europiane”.

Me pak fjalë, materialet e kësaj pjese theksojnë ndihmesën e popullit tonë nën drejtimin e Gjergj Kastriotit për mbrojtjen e lirisë së Europës, pra të qytetërimit europian. Të tilla thënie, si dhe të tjera qv do t'i riprodhoj më poshtë, mendoj se duhen shfrytëzuar prej zyrtarëve tanë në takimeve ndërkombëtare për të ngjallur ndjenjën e mirënjohjes ndaj popullit tonë, i cili dikur sakrifikoi shumë për mbrojtjen e qytetërimit europian, për të na ndihmuar që të hyjmë në Bashkimin Europian dhe të realizojmë bashkimin kombëtar, krijimin e shtetit kombëtar që na është mohuar pa të drejtë.

Pjesa e dytë “Për Shqiptarët dhe vendndodhjet e tyre” zë pjesën kryesore të librit në f. 46-691, një letërsi e tërë me përshkrime ambjentesh, njerëzish, krahinash, zakonesh, rrëfim ngjarjesh, analiza, portrete, gravura, vizatime e fotografi të shumta, që të mbushin me krenari për bëmat trimërore, virtytet shpirtërore, pamjen trupore dhe veshjet e bukura të burrave dhe grave, për jetën dinjitoze, kryengritjet e shpeshta, e mbi të gjitha shtrirjen e tij në një sipërfaqe prej mbi 80.000 km katrorë, etj...

Fransua Pukëvil (1770-1838), si vëzhgues i hollë që ishte, ndalet dhe në përshkrimin e tipareve trupore të shqiptarëve: “Gegët shihen si banorët më të ashpër të Shqipërisë. Fëmijë luftarakë... me një strukturë atletike, sy të zinj, hundë të rregullt, dhëmbë të fortë e të shkurtër, mjekër të dendur, një shkëlqim fuqie dhe shëndeti tregojnë se janë nga raca e lashtë e njerëzve...

Mirditasit dhe fiset e krishtera latine (katolike) përhapur në luginat dhe mes maleve... kanë në tipare diçka të ashpër e melankolike. Të nënshtruar por pa qenë skllevër, kanë në ballë gjurmët e lavdisë së ushtarëve të Skënderbeut; dhe po aq sa janë besnikë, janë dhe luftëtarë sypatrembur, e nuk durojnë as përbuzje, as të shkelen me këmbë dhe as të poshtërohen nga tirania” (f. 57)

Sa i ndryshëm është ky përshkrim i tipareve burrnore të malësorëve tanë dhënë prej Pukëvilit gjatë sundimit turk krahasuar me përshkrimin që u ka bërë Migjeni në vitet e regjimit monarkist, dhe me nënshtrimin që kemi parë vetë gjatë regjimit diktatorial komunist. Kjo, për mendimin tim, tregon se malësori shqiptar, ashtu si gjithë populli ynë, i rezistoi sundimit e tiranisë së huaj duke ruajtur tiparet e krenarisë dhe mosnënshtrimin e plotë, por iu nënshtrua plotësisht pushtetit të shtetit të vet dhe i humbi tiparet e krenarisë si asnjëherë. Atë që ta bën pushteti yt totalitar ose diktatorial, nuk ta bën as pushtuesi i huaj më i egër.

Pukëvili është ndalur të tregojë edhe tiparet e grave shqiptare. Në anët e Drinit, gruaja shqiptare ishte armëmbajtëse si burrat, gëzonte të drejta krejt të ndryshme nga gratë e Orientit. “...vështrimi i tyre krenar, ecja kryelartë, shton ai, tregonë se ato janë bashkëshortet e nënat e atyre burrave kalitur në sfilitje, mësuar në rreziqet, që po aq sa s' njohin kënaqësitë e jetës, po aq shpërfillin edhe vdekjen si të mos ishte gjë” (f. 59). Kurse gratë e Myzeqesë dhe të Labërisë ai i mëshiron, sepse bukuria e tyre është për pak vite: “Ashtu si trëndafilat me vetmitë e tyre, madhështia që ato kanë nuk zgjat shumë. Të martuara dymbëdhjetë vjeçe, nëna parakohe, rrudhat e pleqërisë nisin të lënë shenjë në ballin e një gruaje njëzete pesë vjeçare... As që shpreson më t'u hyjë në sy të tjerëve. I nënshtrohet hidhërimit, duke e parë veten të lënë pas dore”. (f. 61) Edhe më e rëndë ishte gjendja e grave myslimane, burrat e të cilave ishin sundimtarë absolutë dhe i vlerësonin vetëm si qenie pjellorie dhe, kur e humbnin këtë aftësi, ato zhvlerësoheshin krejt.

Përshkrime gati të njëjta për karaktrin e burrave shqiptarë japin edhe udhëtarë të ndryshëm francezë kur kanë shkuar në Epir dhe më në jug të Ballkanit, ku kanë njohur nga afër shqiptarët e Çamërisë dhe arbërorët, të cilët grekët i quanin arvanitë, veshja e të cilëve shquhej për fustanellën e bardhë deri te gjuri, armët e praruara, elegancën trupore, ecjen krenare, etj.

Gratë arbërore në More, Atikë dhe në ishullin Evia (Eubea) përshkruhen me nota shumë të larta simpatie për bukurinë trupore, krenarinë, veshjet, punët bujqësore, amvisërinë, etj. Këtu hyjnë shkrimet e piktorit e arkitektit A. L. Kastelan (1773-1838), shkrimtarit të famshëm F. R. Shatobrian (1768-1848) dhe të dhjetra autorëve të tjerë.

Shumë udhëtarë i ka tërhequr jeta e Ali Pashë Tepelenës në sarajet e Janinës, dhe e ushtarëve të tij shqiptarë, masakrimi i zonave të lira me popullsi shqiptare të krishtere, si Suli, Himara, Kardhiqi, etj. Këta autorë, ndonëse e pëlqejnë pashain e Janinës për ngritjen e pashallëkut të tij në rang gati të një shteti autonom brenda Perandorisë Turke, e kritikojnë për karakterin e tij dredharak, kriminal dhe despotik.

Ajo që tërheq më shumë është shpalosja e ndihmës së madhe që dhanë shqiptarët arbërorë dhe bijtë e Çamërisë dhe ata të Sulit për lirinë e Greqisë. Të prekin faqet e romanit “Bubulina” / “La Bouboulina” shkruar si rrëfim të jetës prej vetë haroinës në vetën e parë. Autori bashkëkohor Mishel dë Gres është francez me origjinë nga familja mbretërore greke. Pëveç talentit si narrator, atë e shquan dhe objektiviteti në shpalosjen e karakterit trimëror të Bubulinës, babait të saj, nënës së saj dhe të luftëtarëve të tjerë arbrërorë (arvanitë). Ai nuk nguron të thotë se sunduesit turq “kishin ngado spiunë dhe skuqem nga turpi kur pohoj se shumica ishin grekë” (f.112). Me gojën e heroinës, ky autor jep sqarimin më të goditur për etninë arbërore: “... në Speci flitej arvanitika, domethënë shqip, gjuha jonë. Ime më, im atë, unë vetë, ne të tërë, ishim grekë, po në fakt pa qenë të tillë. Grekë me zemër, me mendje, me fe, me ideal, domosdo, grekë të sakrificës, meqenëqë jepnim jetën tonë për Greqinë, por jo grekë për nga gjaku, sipas historianëve puristë. Unë në të vërtetë jam një arvanite, një shqiptare. Raca jonë, që në kohë të lashta që ekziston, ka pasur emra të ndryshëm. A jemi pellazgë, ilirë? Gjuha jonë a është vallë drejtpërdrejt e prejardhur nga sanskritishtja, siç thonë specialistët? Unë vetëm di që ne kemi mbërritur në Ballkan para mijëvjeçarësh dhe që u shpërndamë nëpër koloni kudo në Greqi. Hidra është shqiptare. Speci është shqiptar” (f. 116-117).

Vend të veçantë u ka dhënë hartuesi i antologjisë edhe këngëve popullore shqiptare historike që kishin mbledhur disa vëzhgues francezë si Klod Foriel (1772-1844) për disa bëma gjakatare të Ali Pashës, si dhe këngëve heroike mbledhur nga Luis Jan Nepomysen Lëmersie (1771-1840). Përshkrimet mbi jetën lluksoze dhe krimet e Ali Pashës janë të shumta, por ajo që më tërhoqi ishte vlerësimi i Alfons Dë Boshamp (1767-1832) se deri ku shkonte kriminaliteti i këtij sundimtari: “Megjithatë, cilado qoftë jeta e tij (dhe mund të gjykojmë për të), cilatdo qofshin krimet me të cilat është veshur, asnjëherë Aliu, nën shembullin e tërë atyre përbindshave të Orientit, nuk ka kryer mizorira thjesht për t'u larë me gjakun e njerëzve të tij. Egërsia natyrore që kish, duket sikur ndalet në çast kur është fjala për të afërmit dhe miqtë e tij... Ai ruajti gjer në çastin e fundit atë rini të mendimit, atë shqetësim të zhurmshëm që i jep krejt jetës së tij një ngjyrë të veçantë troshitjeje furtuneske dhe romaneske” (f. 152-153).

Kjo thënie mendoj se i trondit nostalgjikët e diktatorit Hoxha, i cili u la në gjakun e njerëzve të farefisit të vet dhe të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, si Koçi Xoxe, Beqir Balluku, Hito Çako, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Nevzat Haznedari e shumë të tjerë, të cilët pasi i futi në rrugën e krimit dhe i shfrytëzoi mirë, i bëri therror për të mbajtur pushtetin dhe për t'ia lënë trashëgim bashkëshortes dhe Ramiz Alisë, njeriut të bindur të saj.

Duke folur për marrëdhëniet e Ali Pashës me Napoleon Bonapartin, shkrimtari i shquar Viktor Hygo ka theksuar se Aliu “është për Napoleonin çka është tigri për luanin, skifteri për shqiponjën” (f. 159)

Të dhëna me interes për etnografinë dhe demografinë e popullit shqiptar jep Siprien Rober, profesor i slavistikës në Kolegjin e Francës, i cili sqaron se emri Alban / Albanez do të thotë “Popull i bardhë”, dhe se ky popull dikur shtrihej në pjesën më të madhe të gadishullit Ballkanik, gjë që kuptohet nga toponimi shqip që kanë shumë qytete dhe qyteza në të cilat banojnë sot sllavët dhe grekët. Madje në kohën e tij rreth vitit 1860, ai kishte parë ekzistencën e shqiptarëve në shumë fshatra në thellësi të Bosnjës, Bullgarisë dhe Maqedonisë. Sipas tij, shqiptarët po përjetonin një tkurrje: “Megjithëse të shpërndarë në një territor kaq të gjerë, raca shqiptare po pakësohet dukshëm, dhe sot nuk mund të numërohen më shumë nga një milion e gjysëm shqiptarë të vërtetë në këtë tokë ku para dyzet vjetësh, nën Aliun e Janinës ushqeheshin ende dy milion vetë...” (f. 216)

Pas formimit të shtetit grek të pavarur, vëzhguesit francezë vijuan të vinin në dukje jo vetëm kontributin e shqiptarëve dhe të arbërorëve (arvanitëve, që shpesh herë i quanin dhe këta shqiptarë) për çlirimin e Greqisë, por edhe për sasinë e arbërorëve që përbënin një të katërtën e popullsisë së shtetit të ri grek, dhe për karakterin e drejtimin e tyre në jetë: “Është një racë e fortë dhe e durueshme, po aq e aftë në bujqësi sa ç' janë helenët në tregti. Shqiptarët, popull i ngulur dhe vllehët (arumunët), popull nomad e blegtor, punojnë për të ushqyer helenët. Nuk kërkojnë ofiqe dhe nuk kanë aspak ambicie për të hyrë në zyra” (f. 211), shkruan midis tjerash anëtari i Akademisë Franceze, Edmond Abu (1828-1885) në librin e tij “Greqia bashkëkohore”. Duke shkruar për fiset mirditase, ai vë në dukje se shqiptarët e asaj krahine ruajnë më mirë zakonet e lashta: “e shpallin çiltërsisht si urrejtjen, ashtu dhe miqësinë e tyre; shumë të butë në marrëdhëniet e zakonshme, ndonëse të zymtë dhe të heshtur, ata kanë të metën që s' dijnë të falin. Hakmarrjet e tyre janë të pamëshirshme; por në të gjitha rastet e tjerë, mëshira e tyre është e tillë sa që një familje mirditore nuk bie kurrë në skamje, ngaqë menjëherë i jepet dora dhe mëkëmbet nga fqinjët e vet” (f. 218-219).

Tërheqëse janë përshkrimet e poetit Alfons dë Lamartin (1790-1869) nxjerrë prej veprës së tij “Histori e Turqisë”, libri II-të, krerët XI-XII: “E vetmja gjë e pandryshueshme tek shqiptarët është pasioni i tyre për liri dhe lavdi (F. 298) ... Sikundër thyhet, Homeri gjeti aty Akilin, Greqia Aleksandrin, turqit Skënderbeun, njerëz të së njëjtës racë, të së njëjtit gjak, të të njëjtit gjenialitet (f. 299) … Shpirti i tyre është poetik sikurse zakonet që kanë; këngët popullore, sidomos ato të periudhës heroike nën drejtimin e bashkatdhetarit Skanderbeg, të kujtojnë këngët homerike, më shumë nga këngët plogështuese të Greqisë moderne. Mpleksin, sikurse Akili, poezinë, muzikën dhe vallen me luftën” (f. 300).

Pas shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur, vëzhgues francezë vijuan të vizitonin vendin tonë, dhe antologjisti Andrea zgjedh prej shkrimeve të tyre ato pjesë ku këta autorë dalin kundër propagandave antishqiptare: “Thuhet se shqiptari nuk e njihte dashurinë, por vetëm dëshirën. Pa dashur të përzihem në këtë çështje delikate”, shkruan Frederik Zhibert në librin e tij “Viset e Shqipërisë dhe historia e tyre” botuar më 1914, “do të japim më poshtë disa vjersha që përgënjeshtrojnë një mendim të tillë” (f. 453) dhe riprodhon një seri këngësh dashurie, dasme e vaje të krahinave të ndryshme, pra në dialekte të ndryshme të shqipes dhe në të folmen e arbëreshëve të Italisë.

Më tej, Andrea, i mirënjohur si përkthyes, ka sjellë shumë faqe nga poeti kryesor francez i dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XX Gijom Apoliner (pseudonim i Wilhelm Albert Vladimir Apollinaris 1880-1918). Ky europian me shije të lartë artistike, mik i intelektualëve më të shquar europianë të kohës, u pushtua prej shqiptarit të ditur Faik Konica. Apolineri thekson disa tipare të Faik Konicës si katolicizmin e tij, jetën familjare, erudicionin, njohjen e gjuhëve kryesore europiane dhe aziatike, zotërimin e disa veglave muzikore (f.479), e mbi të gjitha vlerëson studimin e Konicës “Esse sur le langues Naturelles et les langues artificielles” / “Ese për gjuhët natyrale dhe artificiale”, ku Pyrrhus Bardhyli (pseudonim i F. Konicës) jep dhjetë argumente kundër gjuhës artificiale ndërkombëtare pse ajo nuk mund të zëvendësonte gjuhët natyrale (f. 489), etj.

Të tilla vlerësime dhe sidomos epitetet që Apolineri i veshi Konicës “Enciklopedi e vërtetë lëvizëse” dhe “Ky Volter i Ballkanit” e intriguan studiuesin Andrea që t'i kushtonte disa vjet studimit të jetës së Faik Konicës dhe revistës së tij “Albania”, punë e cila u kurorëzua me botimin e studimit të thellë e dinjitoz “Faik Konica – Përlindësi Modern” ZENIT 2016, me 448 faqe.

Plaga që iu shkaktua Shqipërisë nga vendimet e Konferencës së Londrës më 1913, kur iu shkëput më shumë se gjysma e territoreve të saj shqipfolëse, e ka shtyrë studiuesin Andrea që edhe kur gjen një mendim sado të përmbledhur për korrigjimin e këtij krimi, ai e riprodhon: “Më në fund, Shqipëria u njoh nga Fuqitë. E di fare mirë që ka dy coptime në Veri dhe në Jug, por jam e bindur që pak nga pak shqiptarët do t'i marrin të gjitha tokat e tyre” (f. 504). Këtë pjesë dhe disa të tjera, përmbledhësi i ka riprodhuar nga korrespondenca e zonjës Eliz Obri drejtuar Luigj Gurakuqit në vitet 1920-1921.

Edhe pas L2B, francezët nuk hoqën dorë nga vizitat në Shqipëri. Disa prej tyre gjetën rrugën e hyrjeve në Shqipërinë e mbyllur komuniste si marksistë-leninistë. Si të tillë, partia shtet e Shqipërisë i ftonte për vizita falas. Përmendim mes tyre politikanin Gaston Monmuso (1883-1960) ish-luftëtar i rezistencës franceze kundër nazizmit, anëtar i byrosë politike të Partisë Komuniste Franceze dhe drejtues i gazetës “La vie ouvriere”. Prej tij Andrea ka zgjedhur përshkrimin e qytetit të Gjirokastrës, një përshkrim plot ndjenja simpatie për këtë qytet të veçantë që e tërhoqi vizitorin francez (f. 566-568).

Jo të pakta janë edhe shkrimet e përzgjedhura të antologjisë nga studiues bashkëkohorë francezë që merren me lashtësinë e popullit shqiptar, si Zahari Majani, Doktor i Shkencave në Universitetin e Parisit, autor i dy librave studimorë “Etruskët filluan të flasin” dhe “Fundi i misterit etrusk”; po ashtu, Mathieu Aref agrumentuesi më i mirë i tezës se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve, etj.

Veçojmë po ashtu historianin e shquar Alen Dyselie (Alain Ducellier), Doktor i Shkencave Historike për Mesjetën, specialist i Perandorisë Bizantine, prej të cilit Andrea ka zgjedhur disa faqe nga historia e Durrësit dhe Vlorës. E gjej me vend të theksoj këtu se në veprën e tij “Gjurmime shqiptare në Letrat franceze”, vëll.1, EDFA, Tiranë 2016, Fotaq Andrea ka dhënë të përkthyera dy studime të plota madhore të prof. Ducellier dhe konkretisht “Shqipëria midis Lindjes dhe Perëndimit në shekujt XI-XII” dhe “Shqipëria, shprehje e kombit të madh e të lashtë ilir”, ku shfaqet dukshëm kontributi i rëndësishëm i këtij autori për historinë e Shqipërisë mesjatare.

Prej studiuesit francez me origjinë shqiptare Profesor Aleksandër Zotos, i shquar për shkrime, përkthime dhe hartim përmbledhjesh në frëngjisht nga proza e poezia shqipe, si dhe ajo ballkanike, Andrea ka përkthyer studimin hyrës të librit të tij “Antologji e prozës shqiptare”. Ky studiues pasi shpall, ashtu si I. Kadareja te libri “Eposi i Kreshnikëve”, se origjina e ciklit të kreshnikëve “është plot