Shpresa Fundo Gjergji: Tashmë jam këtu
- Jan 18
- 2 min read

E dashur poete, natyrisht poezia jote ka një ngritje të fuqishme. Por, poezia “Tashmë jam këtu” e nderuar Shpresa Fundo Gjergji, dua të theksoj se ndërtohet mbi motivin e vetvetes si akt vetëdijeje dhe qëndrimi moral. Subjekti lirik shpallet sovran mbi ekzistencën e vet, duke e përkthyer rënien dhe ngritjen si procese të barabarta të rritjes shpirtërore. Gjuha është deklarative, herë-herë sfiduese, me një retorikë pohuese që e kthen poezinë në një manifest besimi dhe identiteti. Metaforat e pengesave, zërave, dyerve dhe syve përbuzës krijojnë një botë rezistence, ndërsa dimensioni hyjnor i besimit i jep tekstit një qendër etike dhe shpirtërore. Vetvetja këtu nuk është izolim, por rilindje: një unë i pajtuar me tokën, me kohën dhe me shpresën që nuk ndalet. Urime! (F. T.)
Qëndroj mbi këmbët e mia!
Jam rob i vetvetes mbi tokën time,
Edhe kur bie
Edhe kur ngrihem!
Ç'ka s'ishte për mua e lashë,
E hodha, e grisa, shkela mbi fat...
E harrova fare atë të shkuar,
litarë të gjatë!
E pranoj e dua fort të sotmen,
forcë për nesër, veç dashuri!
Jam këtu...
Ç'ka do të vijë,
dua ta shoh në sy,
Lutem ta shoh me sytë e Tu!
E çfarë më ndal, të eci me këmbët e mia?!
Pengesa nuk e ka vlerën e besimit,
Dhe pyes: A ndalet shpresa?!
Sot, arsyen dhe shpirtin i bëra një...
As duart që shtyjnë,
As dyer që mbyllen,
As zëra që besdisin si zzzz e mizave,
As sy që përbuzin si shpirtrat e shtrigave,
S'ma marrin dot frymën!
Eh, as "miqtë" që të lënë në baltë,
Zoti më faltë!
Asnjë s'mund të më shkelë...
S'kam kujt i trembem,
jam vetja...edhe hënë, edhe diell!
Jam aty ku besimi vjen,
Jam me ty që kurrë nuk gënjen.
Me shpirtin plot shpresë,
Këtu çdo mëngjes,
Gjëndem brenda oazit tënd,
Ku gjithësia më fal frymën!
Me ty që s'më braktis, me gjen,
Që kurrë s'ma kthen shpinën!
Aty drejt qëndroj,
Mbi këmbët e mia qëndroj drejt,
Mbi tokën time,
ku rinis dhe rilind vërtetë!









Comments