Shpresa Fundo Gjergji: Sintetizimi poetik dhe poezia sintezë e A. Gjatës
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 13, 2024
- 5 min read

Në poezi, sintetizimi i referohet procesit të bashkimit të ideve, ndjenjave, imazheve, perceptimit të tyre nga këdveshtrimi kulturor i formimit të poetit. Poezia vjen me një strukturë të tillë vargu, që e lejon poetin të krijojë poezinë, ku elemente si ritmi, stili unik i të shkruarit, simbolika, metaforizmi, boshti filozofik, sjellin një pasqyrim të realitetit më të gjerë, duke i integruar këto elemente në një tërësi harmonike. Përmes sintetizimit, poeti arrin të shprehë kompleksitetin e përvojave njerëzore të lidhura ngushtë me të tijat, në një formë të përmbledhur dhe të thellë, shpesh të përjetuara nga ai vetë.
Poezia sintetike vjen si një përgjithësim i mendimit të pjekur poetikisht duke zbuluar peshën e brendshme të poetit, në dukje një poezi pa bujë, por që flet së brendëshmi. Ajo mund të zberthehet duke iu referuar nëntekstit dhe këtu nis e bukura e saj, sepse është lexuesi ai që nis interpretimin, e shijon dhe e vështron leximin e saj me metrin e syve të tij. Ai arrin të përthithë nëntekstin me kutin e mendjes dhe sjell tablonë sipas konceptimit të tij kulturor. Konstrukti i vargut nuk merr rëndësi parësore. Ajo që i jep vlerë materialit të një poezie sintetike, është kuptimi semantik, të cilin "produkti përfundimtar" e lë të nënkuptohet, ku ritmi i vargut e bën atë të dashur e tërheqës për lexuesin.Poezia sintetike shpesh i jep rëndësi heshtjes dhe hapësirës mes fjalëve, duke krijuar një ndjenjë ose ide që ekziston jashtë asaj që është artikuluar.
Ai ajër u bë i imi[1]
“Të gjitha stinët më çojnë te qyteti im...
Pasi ia mora shëmbëlltyrën,
ai ajër u bë i imi.
I zhveshur nga ëndrrat,
qetësohem dhe duartrokas vetveten.
Si ujë rrëshqas drejt tij.”
Vetëm në gjashtë rreshta, një befasi që të shpie në një botë të madhe.
Përse vallë?!
Si lexues shoh shumë brenda rreshtave, ndoshta aty zbuloj një realitet që flet me mua. Zbuloj nënvargun e padukshëm, shprehje e mendimit filizofik, një kontekst poetik që tek Gjata vjen si rrjedhojë e sintetizimit poetik, veçori kjo që e bën poezinë e tij të fuqishme për të shprehur thellësisht përvojat dhe emocionet njerëzore.
Përdorimi i vargjeve me gjatësi, krijon një fluks ritmik dhe i shkon kuptimit të poezisë.
Por edhe vargu i shkurtër mund të përdoret për të shprehur mendime të fuqishme, ndërsa i kombinuar me vargun e gjatë mund të zhvillojnë ide më komplekse e me brumë poetik të veçantë.
Le ta shohim konkretisht vargun e Gjatës:
"Të gjitha stinët më çojnë te qyteti im..."
Një metaforë e cila nënvijëzon një dashuri të madhe për vendlindjen.
Me një vështrim poetik, tregon se në çdo stinë poeti i mërguar ka dëshirë ta shohë vendlindjen,
qyteti i tij ka gjithë mirësitë, ai është në çdo stinë pikpritës... Kudo që të shkojë, poeti do të gjejë atë ngrohtësi si në vendlindjen e tij. Ai ka mall që s'shuhet kurrë!
Ky varg më ngjan me shprehjen e famshme: "Të gjitha rrugët të çojnë në Romë!"
Mund të kuptohet si nje nëntekst që lidhet me dashurinë e poetit, krahasimi dhe metafora sjellin imazhe, të cilat poeti di si ti përcjellë indirekt... vendlindja e tij është e çmuar!
Nëse do të flisnim për elementet poetikë do të theksoja se ato janë përbërësit thelbësorë që i japin poezisë formën, përmbajtjen dhe bukurinë e saj, ku disa nga elementet më të rëndësishme janë padyshim figurat stilistike si metafora, alegoria, personifikimi, krahasimi etj., pa lënë pas dore atë që e bën vargun të këndojë me një harmoni coloriti rezatues, Ritmin dhe metrikën.
Rima te vargu i Gjatës, jo gjithmonë ndjek rregulla dhe korniza, për shkak se poezia e tij është me varg të lirë dhe tejet shprehëse, por ritmi i vargut rrjedh si kenge.
Ai ka një imagjinata poetike dhe ndërton imazhe që ngacmojnë ndjenjat dhe mendimet e lexuesit. Gjuha shprehëse është e pasur dhe e ngjeshur, përdor fjalë të zgjedhura me kujdes për të shprehur më shumë me më pak fjalë. Emocioni dhe ndjenjat e përcjella, bëjnë që poezia të përqendrohet në shprehjen e emocioneve universale, si dashuria, dhimbja, gëzimi apo trishtimi.
Rrëfimi i tij dhe temat e përdorura bejnë që çdo poezi e tij të përmbajë një mesazh, ide, situatë, ai zgjedh karaktere interesante që i japin kuptim tekstit dhe nëntekstit. Stili dhe toni i Gjatës vjen i lakuar, herë me zik-zake, herë i shtruar, herë si “dallgë deti të thinjura”, me “det të trazuar”, si “lotë jetimi”, si “zëra bosh” e herë me “lutje e ndezje qirinjsh”, me “buzëqeshje”, me “këngë malli”, apo duke “qeshur mbremjeve si picture”...
Kjo qasje emocionale dhe estetike, që poeti Gjata zgjedh, e bën poezinë e tij të komunikojë lehtësisht me lexuesin. Këto elemente, kur sintetizohen me kujdes, krijojnë një poezi të pasur dhe shumëdimensionale, duke dhënë një përvojë estetike dhe intelektuale të veçantë.
Në vargjet:
"Pasi ia mora shëmbëlltyrën,
ai ajër u bë i imi."
Zbulojmë jo vetëm poetikën e tyre, pra vargu vjen i kuptueshëm e i thjesht, por ai mbart me vete dëshirat, siguritë, dashuritë dhe gjithçka të çmuar të tijën e parë si "shëmbëlltyrë" e qytetit të tij, kërkon domosdoshmërisht ti ngjaj...
"Ai ajër u bë imi" - poeti jeton me ajrin e qytetit të tij. Është për të jeta vetë!
Zbulojmë se malli i mërgimtarit është i madh, zemra i reh e fryma merr jetë vetëm nga ajri i qytetit të tij. Madje këtu është edhe paksa “egoist”, është "i imi" - thotë, jo më kot, kërkon në shkallën sipërore të shpreh lidhjet e forta të shpirtit me vendlindjen.
Poezia sintetike shpesh përmban elemente filozofik, sepse në thelbin e saj ajo përpiqet të përmbledhë ide të thella, ndjenja universale dhe reflektime mbi jetën në mënyrë të shkurtër, por të fuqishme. Përmes sintetizimit, poeti mund të trajtojë çështje ekzistenciale, etike, metafizike ose shoqërore duke përdorur një gjuhë të ngjeshur dhe të pasur.
Poezia sintetike me thelb filozofik, lidhet edhe me reflektimi mbi qenien, eksploron ekzistencën, të vërtetën dhe qëllimin e jetës.
Në vargjet: "I zhveshur nga ëndrrat,
qetësohem dhe duartrokas vetveten."
Jo se poeti s’ka ëndrra, por ëndrra e vetme e madhe për të është Vlora, vendlindja e tij, fryma dhe dashuria e madhe e poetit. Pikërisht këtu qëndron edhe konteksti, i cili e nxit lexuesin të meditojë mbi këto mendime.
Pse duartroket vetveten?! Një moment sa dramatik aq edhe domethënës... Kush mund ta kuptojë poetin? Kush mund ta deshifrojë kodifikimin e vargut?
Aty qasja metaforike vjen e fortë, me hamendësime, me reflektime poetike, me kompleksitete që vetë poeti i servir me thjeshtësinë unike të vargut që e karakterizon.
Përmes interpretimit mund të gjejmë përgjigje të ndryshme ku ndikimi emocional dhe intelektual e bën të vërtetën një “mister”. Filozofia në poezinë sintetike nuk është gjithmonë eksplicite. Ajo ngjall mendime dhe ndjenja që lexuesi duhet t'i interpretojë dhe përjetojë vetë.
Në vargjet e kësaj poezie, ndoshta e duartroket vetveten" sepse eshte i dashuruar me qytetin e tij; ndoshta është i lumtur që di ta vlerësoje e ta përcjellë këtë dashuri në vargje; ndoshta ia ka arritur qëllimit në jetë; ndoshta merita e tij ka marrë përmasat e dëshiruara prej tij; ndoshta i lumtur nga vlerësimet e miqve të tij poetë... e sa shumë "ndoshta.." do të doja të radhisja vetëm ta gjeja të vërtetën e fshehur mes rreshtave të tij.
“Si ujë rrëshqas drejt tij.” - poeti e krahason vetveten me ujin, i cili ka vlera jetësore (simbolikë)…por duke marrë vetitë e tij që kurrë nuk ndalet, ai kërkon të tregojë se s’do të ndalet drejt qytetit të tij, është i ndërgjegjshëm që një ditë aty do të prehet në paqe.
Poezia bëhet intelektuale kur arrin të ngjallë mendime të thella, ide komplekse dhe reflektime që kërkojnë analizë dhe interpretim nga lexuesi. E tillë mbetet poezia e A. Gjatës në thellësinë e përmbajtjes dhe sintezës së saj.
Dr Shpresa Gjergji
Dhjetor 2024
[1] A. Gjata, poezia Ai ajër u be I imi, nga vëllimi poetik “Gratë e poetëve”, 2009, Shtëpia botuese “Ada”, Tiranë









Comments