top of page

Fatmir Terziu: Kur vitet flasin me respekt

  • 2 hours ago
  • 3 min read

 

Kjo fotografi nuk flet thjesht për kujtime të ngrira në kohë. Kjo fotografi tregon modelet që mbajnë brenda tyre histori, rrugë jete, miqësi të vjetra dhe një respekt të heshtur që vetëm vitet dinë ta ndërtojnë. Fotografia e disa intelektualëve dibranë të fushës së arsimit, të cilët sot jetojnë në gjeografi të ndryshme, por që vazhdojnë të mbeten të bashkuar nga kujtimet, nga puna e përbashkët dhe nga respekti i ndërsjellë qas respekt. Takimi, i cili u kthye në një çast të ngrohtë miqësie, u përshkrua bukur nga Elmaz Lala. Ai shkruan se “miku ynë i mirë Mehmet Hasani na mblodhi në këtë takim të lezetshëm me ‘hidh e prit’ mes shokësh, në bar-kafenë ‘Portokalli’ të Met Tironës”. Një vend i thjeshtë, por i mbushur me atmosferë miqësore, që për disa prej tyre ishte edhe një “dobësi” e hershme, një strehë e vogël nostalgjie ku kujtimet rikthehen me lehtësi. Në atë tavolinë nuk u ulën thjesht disa miq. U ulën disa jetë të tëra të lidhura me arsimin, me nxënësit, me librin dhe me përpjekjen për të lënë gjurmë të mira në shoqëri. Secili prej tyre kishte ardhur nga një rrugë e gjatë përvoje, nga klasa mësimore, nga drejtimi i shkollave, nga angazhimet në komunitet, duke mbartur në heshtje peshën e viteve dhe të përgjegjësive. Në qendër të këtij takimi ishte Mehmet Hasani, një figurë e njohur e arsimit dhe kulturës nga Golloborda, një intelektual që ka ndërtuar respektin e tij hap pas hapi, me punë dhe me dinjitet. Për ata që e njohin, ai mbetet një burrë i qetë, i matur dhe fjalëpakë, një njeri që rrezaton kulturë dhe mirësjellje, ashtu siç kujtohet edhe nga miqtë e tij që prej takimit të parë. Historia e tij është historia e një njeriu që i është përkushtuar arsimit dhe komunitetit. I lindur më 18 shtator 1951 në Trebisht-Bala, në një familje me traditë arsimdashëse dhe patriotike, Mehmeti u rrit në një mjedis ku fjala “arsim” kishte peshë dhe ku shërbimi ndaj shoqërisë ishte një detyrim moral. Babai i tij ishte arsimtar, ndërsa familja e tij kishte dhënë kontribute edhe në periudha të rëndësishme historike të vendit.

Rruga e tij profesionale nisi herët, menjëherë pas përfundimit të shkollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan. Ai shërbeu si mësues, drejtues shkolle dhe më pas si drejtues në institucione arsimore në zona të ndryshme, nga Stebleva e Studna, deri në Baldushk, Kamëz dhe Kërrabë. Në çdo vend ku punoi, ai u njoh si një drejtues korrekt dhe si një njeri që nuk i ndante njerëzit, por përpiqej t’i bashkonte në punë dhe në respekt. Ajo që miqtë e tij vënë re më shpesh është korrektesa e tij. Korrekt në punë, korrekt në marrëdhënie njerëzore, korrekt në bashkëpunim. Kjo korrektesë nuk është vetëm sjellje, por kulturë e brendshme. Librin e ka pasur gjithmonë shok të përhershëm dhe pikërisht nga kjo lidhje me librin kanë lindur edhe kontributet e tij në fushën e studimit dhe të shkrimit. Mehmet Hasani nuk është vetëm një mësues apo drejtues shkolle. Ai është edhe një studiues i përkushtuar i historisë dhe traditave të Gollobordës. Përmes librave të tij, “Vështrim në vite”, “Mesazhe jete” dhe “Visare të Gollobordës”, ai ka mbledhur me kujdes fakte, histori dhe dëshmi që ndriçojnë jetën kulturore dhe historike të krahinës së tij. Në këto faqe gjenden njerëz, zakone, polemika, por mbi të gjitha dashuria për vendlindjen. Kontributi i tij shtrihet edhe në jetën kulturore të komunitetit, ku ka qenë aktiv si nënkryetar i Unionit të Krijuesve Dibranë, duke marrë pjesë në veprimtari letrare, duke redaktuar libra dhe duke bërë analiza kritike për botime të ndryshme.

Por në atë tavolinë kafeje, në bar “Portokalli”, të gjitha këto tituj dhe përvoja sikur u bënë më të thjeshta. Aty mbetën vetëm miqësia dhe kujtimet. Bisedat kalonin nga e shkuara në të tashmen, nga vitet e punës në shkollë tek jeta e sotme në vende të ndryshme. Ishte një takim ku nostalgjia nuk kishte hidhërim, por vetëm ngrohtësi. Në një kënd të tavolinës, Elmaz Lala, i njohur si një nga intelektualët e respektuar të Dibrës, shpesh i përmendur si “krenaria e Reçit dhe nderi i Dibrës”,  sillte me fjalët e tij peshën e urtësisë dhe të përvojës. Ai është një nga ata njerëz që në komunitet njihen për burrërinë dhe për fjalën e matur, një njeri që mbetet referencë respekti për shumëkënd. Fotografia e atij takimi është më shumë se një kujtim. Ajo është një dëshmi e asaj se si vitet, në vend që të largojnë njerëzit, mund t’i afrojnë më shumë përmes kujtimeve dhe respektit. Në të shihen fytyra që kanë kaluar dekada pune, sakrifica dhe përkushtimi për arsimin dhe për njerëzit. Dhe pikërisht aty qëndron bukuria e këtij takimi, vitet nuk flasin me zhurmë, por me respekt. Në heshtjen e një fotografie, në buzëqeshjen e disa miqve të vjetër dhe në një kafe të ndarë mes kujtimesh, ato tregojnë se jeta e jetuar me dinjitet mbetet gjithmonë një histori që ia vlen të rrëfehet.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page