top of page

Fatmir Terziu: Hysen S. Dizdari, vlera e një hulumtuesi serioz në pullat shqiptare

  • 2 hours ago
  • 5 min read

Fatmir Terziu: Hysen S. Dizdari, vlera e një hulumtuesi serioz në pullat shqiptare

 

Në kulturën e kombit, filatelia, arti dhe shkenca e pullës postare kanw dhe njw emwr adekuat. Pikërisht në këtë fushë shquhet studiuesi dhe koleksionisti i përkushtuar Hysen S. Dizdari, i cili me librin e tij dygjuhësh “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” ka realizuar një punë të rrallë studimore dhe dokumentuese. Ky libër më ka ardhur si dhuratë nga vetë autori, kohë më parë, me një mbishkrim emocional që e bën edhe më të çmuar për mua si lexues dhe studiues. Që në shfletimin e parë kupton se nuk kemi të bëjmë thjesht me një album pullash, por me një dokument të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare. Libri është një ndër botimet më të veçanta për figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pasi përmbledh dhe analizon të gjithë koleksionin e pullave shqiptare kushtuar Heroit Kombëtar gjatë një periudhe prej 105 vitesh, që nga emetimi i parë në vitin 1913 deri në vitin 2017.

Ky fakt e bën librin unik në llojin e vet. Ai lidhet edhe me momentin themelor të historisë së shtetit shqiptar, kur qeveria e patriotit Ismail Qemali emetoi pullën e parë shqiptare. Që prej asaj kohe, pulla postare nuk ka qenë vetëm një instrument administrativ për qarkullimin e letrave, por edhe një formë e dokumentimit të historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar. Libri i Dizdarit është ndërtuar si një album, por përmbajtja e tij është thellësisht studimore. Në faqet hyrëse gjejmë një zgjedhje mjaft domethënëse: poezinë “Porosi e Skënderbeut për shqiptarët” të poetit kombëtar Naim Frashëri, shkëputur nga vepra e tij për historinë e Skënderbeut. Ky vendosje simbolike nuk është rastësi. Ajo i jep librit një dimension kulturor dhe ideor, duke e lidhur filatelinë me traditën letrare dhe me mesazhin e bashkimit kombëtar, që ka qenë gjithmonë një shqetësim i intelektualëve shqiptarë.

Në vijim, studiuesi Dizdari paraqet me përpikëri çdo emision filatelik që lidhet me figurën e Skënderbeut. Ai nuk mjaftohet vetëm me paraqitjen e pullave, por jep informacion të detajuar për kohën e shtypjes, vlerën monetare, ngjyrat, tirazhin, përdorimin dhe vulat zyrtare që shoqëruan qarkullimin e tyre. Në këtë mënyrë, pulla shndërrohet në një dokument të vërtetë historik,  një dëshmi që mban njëkohësisht vulën e shtetit dhe vulën e kohës.

Në disa raste, pullat tregojnë edhe tensionet historike të periudhës. Për shembull, gjatë viteve të trazuara të Luftës së Parë Botërore dhe kryengritjeve të brendshme, shfaqen pulla ku vlera monetare shkruhet në turqisht me termat “Grosh” dhe “Para”. Këto detaje nuk janë thjesht kuriozitete filatelike; ato dëshmojnë për konfliktet politike dhe për përpjekjet e disa lëvizjeve për të penguar shkëputjen përfundimtare nga Perandoria Osmane. Në këtë kuptim, libri i Dizdarit është një laborator i vogël historik, ku çdo pullë flet për një moment të caktuar të historisë shqiptare.

Një nga aspektet më interesante të studimit është evolucioni i paraqitjes artistike të figurës së Skënderbeut në pullat shqiptare. Në disa raste shfaqet portreti i tij klasik, në të tjera armët simbolike, shpata dhe përkrenarja, ose elemente të tjera të identitetit kombëtar, si shqiponja, kalaja, apo monumentet historike.

Edhe periudha e sistemit komunist solli variacione interesante në paraqitjen ikonografike të heroit kombëtar: portreti i tij, monumenti i Krujës, monumenti në qendër të Tiranës, piktura muzeale dhe madje edhe vepra të piktorëve të huaj si Eugène Delacroix. Këto ndërthurje artistike tregojnë se figura e Skënderbeut ka qenë gjithmonë një pikë referimi e identitetit shqiptar, pavarësisht sistemeve politike. Një element i bukur në libër është edhe vëzhgimi i autorit mbi pullat që lidhen indirekt me figurën e Skënderbeut. Për shembull, emisioni filatelik i vitit 2014 kushtuar vizitës së Papa Françesku në Shqipëri, ku në sfond të portretit të Papës shfaqet monumenti i Skënderbeut në sheshin qendror të Tiranës. Kjo është një dëshmi simbolike se figura e heroit kombëtar vazhdon të mbetet një pikë referimi identitare edhe në ngjarje bashkëkohore.


 

Po aq interesant është edhe emisioni filatelik i vitit 2017, ku disa pulla të bashkuara krijojnë një kompozim të plotë të pikturës “Përballimi”, e ekspozuar në Muzeun e Skënderbeut në Krujë, vepër e piktorit Naxhi Bakalli. Ky detaj dëshmon për një ndërthurje të bukur mes filatelisë dhe arteve pamore.

Një tjetër vlerë e rëndësishme e librit janë kapitujt për literaturën filatelike dhe literaturën shkencore, të cilët përmbledhin burime të shumta studimore. Vetë ky katalogim i literaturës kërkon një punë të gjatë dhe të lodhshme kërkimi, që shpesh është rezultat i viteve të tëra përkushtimi. Kjo tregon seriozitetin dhe këmbënguljen e autorit, i cili për më shumë se një dekadë ka mbledhur, studiuar dhe analizuar çdo dëshmi që lidhet me filatelinë shqiptare për Skënderbeun.

Libri shoqërohet edhe me një parathënie të studiuesit të njohur të filatelisë, Thimi Nika, autor i veprës “Historia e Filatelisë Shqiptare”, i cili që në hyrje thekson se Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, zë një vend të merituar në filatelinë shqiptare. Duke iu referuar rreth 150 pamjeve të pullave që dokumentohen në këtë botim, ai nënvizon seriozitetin dhe përkushtimin institucional që i është kushtuar kësaj figure madhore historike. Sipas tij, autori Hysen S. Dizdari e ndjek kronologjikisht përfaqësimin filatelik të Skënderbeut, duke e paraqitur atë në të gjithë dimensionin e veprës së tij, si strateg, burrë shteti, politikan dhe diplomat. Vëmendje e veçantë i kushtohet emisionit të parë të 1 dhjetorit 1913, një seri prej gjashtë pullash me portretin e Skënderbeut, të realizuara nga piktori çek Heinrich Kautsch, me një tirazh prej 2,875,500 copësh, pjesë e të cilave u mbishtypën në vitet pasuese duke krijuar emisione të reja. Parathënia ndalet gjithashtu te emisionet e mëvonshme, si ai i vitit 1951 me tri pulla, seria e pasur e vitit përkujtimor të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut me tetë pulla dhe blloqe filatelike, si dhe te temat që lidhen me armët e Heroit, përkrenaren dhe shpatën e ruajtura në muze në Vjenë. Në analizën e tij përmenden edhe emisioni i vitit 1983 “Epoka e Skënderbeut në artet figurative”, seria e vitit 1997 me qasje artistike bashkëkohore dhe kulmi i trajtimit filatelik me emisionin e 28 nëntorit 2005, të bazuar në kryeveprën “Përballimi” të piktorit Naxhi Bakalli, e ekspozuar në muzeun e Skënderbeut në Krujë. Në përmbyllje, Nika vlerëson se fondi i pullave kushtuar Skënderbeut është i pasur, por mbetet ende hapësirë për emisione të reja që do ta pasuronin më tej këtë traditë filatelike shqiptare.

Në thelb, puna e Hysen Dizdarit është shumë më tepër sesa një pasion koleksionisti. Ajo është një kontribut i mirëfilltë në studimet historike dhe kulturore shqiptare. Përmes një objekti të vogël si pulla postare, ai arrin të rindërtojë një histori të gjatë të kujtesës kombëtare. Mesazhi i autorit është i qartë, historia e Skënderbeut duhet studiuar dhe njohur mirë nga brezi i ri, sepse ajo mbetet një burim frymëzimi për të ruajtur idealet atdhetare. Ky është një apel që shkon përtej filatelisë dhe që i drejtohet institucioneve shkencore, shkollave dhe gjithë shoqërisë shqiptare. Prandaj, libra si ky nuk janë thjesht botime të bukura për koleksionistët. Ato janë vlera kombëtare, dëshmi të kujtesës historike dhe të përkushtimit të studiuesve që me durim dhe pasion ruajnë fragmentet e identitetit tonë kulturor. Në këtë kuptim, emri i Hysen S. Dizdarit mbetet një shembull i hulumtuesit serioz, që e shndërron filatelinë në histori të gjallë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page