top of page

Shpresa Fundo Gjergji: Një vështrim mbi kulturën, identitetin kombëtar dhe shqipen në tekstet muzikore të BBR-ës

 

Një vështrim mbi kulturën, identitetin kombëtar dhe shqipen në tekstet muzikore të BBR-ës[1]

 

(Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji)


Hyrje

 

Këngët e publikuara në kanalin për shqiptarët dhe jo vetëm, BBR (Bruko Broadcast Radio) në SHBA, përbëjnë një korpus të konsiderueshëm, me brum poetik e muzikor, i cili mbart edhe vlera të trashëgimisë kulturore të lidhura ngusht me identitetin kombëtar shqiptar. Të ndërthurura me elemente të traditës dhe shqipes, këto krijime përçojnë mesazhe patriotike, nostalgjike, kulturore dhe historike. Tekstet muzikore të prezantuara në Bruko Broadcast Radio dhe Youtube, mjeshtërisht nga z. Vaskë Bruko, tregojnë qartë se BBR, si një kanal kryesisht muzikor, luan një rol të veçantë në ruajtjen e kujtimeve kolektive mbi promovimin e kulturës shqiptare dhe forcimin e lidhjes emocionale të audiencës me atdheun.

  

Artikulli nënvijëzon gjithashtu gjuhën e teksteve të këngëve të dëgjuara, duke i parë ato sipas elementeve gjuhësore, kulturore, historike dhe identitare, duke sjellë shembuj konkretë prej tyre. Kjo thekson rëndësinë e një kanali serioz[2], me vlera artistike por edhe tejet patriotike, e lidhur kjo me emigracionin dhe mallin për Shqiperinë e jo vetëm. Duke sjellë tekste të tilla, kontributi i BBR-ës ndihmon dukshëm në ruajtjen e vlerave gjuhësore, të trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar.  

 

BBR – Zëri i muzikës shqiptare që mban gjallë dashurinë për atdheun

 

Në një kohë kur ritmet e shpejta dhe prirjet moderne shpesh largojnë vëmendjen nga rrënjët dhe identiteti ynë, kanali BBR në YouTube e Radio, vjen si një dritare me frymë shqiptarie. Një pjesë e mirë e këngëve të publikuara në këtë kanal[3] mbartin në tekstet e tyre karakter të theksuar kombëtar, duke rikujtuar vlerat e përjetshme të atdhedashurisë, historisë sonë në shekuj, thesarin tonë më të çmuar, gjuhës shqipe etj. Të ndërthurura me traditën dhe zakonet tona autoktone, me mallin për nënën, të afërmit, shtëpitë e lëna, natyrën, jetën tonë që rrjedh anembanë botës…ato mbeten në vargjet e këtyre këngëve si pasuri shpirtërore e trashëgimisë sonë kulturore.   

 

BBR (Bruko Broadcast Radio) nuk është vetëm një kanal muzikor. Ai është një mision i qartë kulturor dhe patriotik. Çdo këngë e re nuk është thjesht melodi, është një mesazh identiteti, një thirrje për të kujtuar se kush jemi dhe nga vijmë. Përmes vargjeve të zgjedhura me dashuri për vendlindjen, dashurinë për natyrën shqiptare, mallin që djeg kur je emigrant, përmes këngëve portretizon kryesisht vende si Dardha me traditat e saj. Në tekstet shfaqet qartë fryma e rrënjëve të Dardhës, krahinë me simbolikë të thellë patriotike, (prejardhja e përfaqësuesit të BBR, zotërisë Vaskë Bruko), Tirana e sotme dhe e djeshme, Kruja si simbol i qëndresës shqiptare etj. BBR sjell në çdo shtëpi një copëz Shqipërie të gjallë e të ndjerë, një pjesë dashurie për gjithçka emigrantëve u mungon, mallin që të djeg për atdheun, vlera njerëzore, të cilat prezantohen thjesht nëpërmjet lirikave apo këngëve epiko-patriotike, që ai i ka realizuar vetë dhe me bashkëpunime të ndryshme. Muzika e tij ngre lart figura, vende dhe kujtime që janë pjesë e ADN-së sonë historike. Ky kontribut i çmuar e patriotik qëndron pikërisht në përkushtimin, shpirtin e emigrantit dhe talentit të përfaqësuesit të BBR-ës, për të promovuar e mbrojtur vlerat kombëtare shqiptare me një dashuri të rallë.

 

Në hapësirën globale sot, ku përmbajtjet ndërkombëtare dominojnë, ky kanal qëndron si shprehje e identitetit tonë kulturor. Kjo krenari për origjinën, risjell emocione të harruara për një kohë të paharruar të brezave të mëparshëm, por të shprehur mjeshtërisht nga vetë autori. Kur e pyes, më thotë se ndihet krenar t’i vazhdoj e t’i lartësoj ato vlera që paraardhësit e tij ia lanë trashëgim, të cilat duhen ruajtur në fondin e artë të trashëgimisë kulturore. Kjo aromë shqiptare e zakoneve dhe traditës së qyteteve e fshatrave tona, historitë që vende të ndryshme mbartin, bukuritë e shqipes në shprehjet e jetës zakonore shqiptare, vjen natyrshëm e pasqyrohet realisht me foto[4] të çmuara që shoqërojnë tekstet e këngëve të BBR-ës si edhe me ngjarje, emra dhe fakte të derdhura në vargje.

 

Nuk mund të rri pa përmendur “Kroi i Zengos”, “Dardharkë e bukur”, “Atje në Dardhën tonë”, “Verimi në Dardhë”, “Një këngë malli”, “Te Selvia”, “Te Pazari i Ri”, “Tironce”, “Kruja e Kastriotëve”, “Lagjja ime e vjetër”, “Bijë Pylli”, “Mu në bashtën tënde” etj., ku, të sjella poetikisht e me muzikalitet, ne dëgjojmë këngët dhe marrim informacionin aq të çmuar mbi traditat dhe zakonet tona të herëshme. Pjesë kjo, që do të mbetet padyshim, në fondit kulturor kombëtar, si edhe informacionin mbi vende të ndryshme shqiptare (ndoshta sot të mbetura në zbehje hera-herës), si edhe materiale që sjellin të gjalla momente të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore.

 

Elementet kulturore dhe identitare ku natyra prezantohet si identitet shpirtëror, mishërohen bukur në këngët e BBR-ës dhe e paraqesin natyrën tonë si pjesë të bukurisë së viseve shqiptare, ku psh:

Guri i Dardhës përshkruhet si guri i vjeshtës; mal i lartë, fron Perëndie; sfinks i gurtë; apostull lirie, krijojnë një imazh solemn të natyrës dhe historisë. Madje edhe erën e sjell të vërtet si erë pylli të çmuar; burime nga shkëmbë-argjëndi; Peizazhet malore kthehen në metafora për dinjitetin, mikpritjen dhe lirinë “gjithë katundi krahëhapur me gëzim si mik të pret”, ushqimet tradicionale (lakrori); jetesa tradicionale malore (postafi, ahishtja, burimet).

 

Serenatat, si pjesa më romantike e traditës korçare me instrumentet tipike të saj, krijojnë një tablo kulturore të gjallë. Kënga qytetare korçare dhe veçanërisht serenata korçare, është një traditë e artë e kulturës muzikore shqiptare dhe fakti që BBR (Bruko Broadcast Radio) e sjell në YouTube, ka ndihmuar që kjo trashëgimi të rikthehet me një frymë të re dhe të pasuruar. Kjo dukuri karakterizohet nga eleganca, melodia e butë, tekstet poetike shpesh me temë dashurie, malli, kujtimesh, atmosferë mbrëmjesh, udhëtimesh, por edhe me humor të hollë.

 

Falë kontributit të BBR-ës, ajo ruan karakterin tradicional pa ndërhyrje moderne të panevojshme, por e sjell atë me një finesë të re, me risi bashkëkohore, të cilat i japin serenatës një shtrirje të re, “një shtëpi të qëndrueshme digjitale”. Ky kontribut ruan dhe pasuron kështu, një pjesë të çmuar të identitetit kulturor korçar. Kjo ka rëndësi jo vetëm se këto këngë të bukura dëgjohen dhe kanë fituar një audiencë të konsiderueshme[5], por mbi të gjitha, ky kontribut[6] i rikthen vlerat dhe i bën ato të aksesueshme për një publik, që ndoshta nuk do t’i kërkonte vetë. Kjo sjell një rilindje të interesit sidomos te të rinjtë që zbulojnë kulturën korçare nëpërmjet YouTube. Gjithashtu duke e trajtuar serenatën profesionalisht, kujdeset për imazhin artistik dhe poetik, i jep serenatës statusin e “artit të çmuar shqiptar”, pra luan rol në identitetin kombëtar. Kjo sjell ringjallje emocionale dhe promovim të kulturës korçare në botë.

 

Tekstet e këngëve janë gjithashtu të pasura me fjalë të trashëguara, me terma poetikë, fjalë dialektore, dhe njësi leksikore identitare. Për shembull: “Gur i Vjeshtës”, “sfinks i gurtë”, “aplastull lirie”; “ahishte, humus, postaf, sopata”, të cilat sjellin fjalë të vjetra shqipe që lidhen me jetën malore e traditën e vendeve. Fjalë si “derëbardhë”, “darëdharkë”, “buzkat”, “syçkat”, “lakror”, “xibuni” etj., vijnë si pasuri e leksikut dialektor të zonës së Dardhës.

 

Leksiku poetik dhe konteksti shprehës në tekstet e kanalit muzikor BBR

 

Konteksti në një tekst poetik përbën një element themelor në ndërtimin e vlerës cilësore të diskursit artistik, pasi ai orienton interpretimin, rregullon funksionin semantik të fjalëve dhe garanton koherencën e strukturës poetike. Në një tekst poetik, leksiku nuk funksionon si një bashkësi e thjeshtë fjalësh, por si pjesë e një sistemi ku secila njësi leksikore fiton domethënie në ndërveprim me situatën komunikative, tonin emocional dhe rrjetin e figurave stilistike.

 

Si rrjedhojë konteksti i krijimtarisë në tekstet e këngëve të BBR-ës, krijon një marrëdhënie organike midis imazheve poetike dhe mesazhit të përgjithshëm, duke e bërë vargun të perceptohet jo vetëm në nivel gjuhësor, por edhe estetik dhe simbolik. Kjo ndërthurje e ndërton thellësinë kuptimore, shmang klishetë dhe gjeneron origjinalitetin letrar, duke e pozicionuar tekstin poetik si një formë diskursi me qëndrueshmëri, peshë emocionale dhe aftësi për të krijuar rezonancë te dëgjuesi. Do të përmendja këtu tekstet e këngëve të gjeneruara në kanalin Youtube, të cilat sjellin një larmishmëri temash, ku konteksti i tyre sjell situata dhe perceptime vitale, të ndjeshme dhe tërheqëse duke realizuar komunikim të drejtpërdrejtë me zë, tinguj muzikor dhe kontekst të pasur që përçon mesazhe të shumta.

 

 Përmes kontekstit, poezia fiton jo vetëm strukturë dhe kuptim, por edhe kapacitet interpretues më të gjerë, duke u shndërruar kështu në një njësi artistike që tejkalon kufijtë e komunikimit të thjeshtë dhe kthehet në përvojë estetike të plotë. Si i tillë e shndërron tekstin poetik nga një bashkim fjalësh në një vepër me vlerë artistike dhe emocionale. Duke realizuar kuptueshmërinë, koherencën, thellësinë e perceptimit, formën estetike, komunikimi vjen i drejtpërdrejtë me dëgjuesin.

 

Nëse do t’i dëgjosh këngët e Brukos, në të gjitha tekstet vërehen përdorime të dendura të figurave letrare. Metafora që mund të duken të thjeshta, por që marrin dimension emocional, kur futen në narrativën e këngës, janë të shumta dhe shumë domethënëse: Metafora si: “je melodia që s’mbaron kurrë”,”një fjalë që s’thash më djeg në gji””do ndizja dritën në sytë e botës”, “sa herë të shoh, koha ndalet”, “zemërdridhur të pres”, “era e parfumit tënd më dehu”, “në qetësin time pa gjumë”,”” çdo frym më mbështjell”,”Brunet me flakë në sy”, “hëna e bardhë mbi ne ëndëronte”,”rrotat ndjejnë asfaltin”, “kujtime të vjetra si stacione të shkreta””le të vrapojë era”, “në çdo frymë më mbështjell si kitarë në natë”, “në pasqyrën e kohës sime, fytyra jote s’ka ikur kurrë”,”ti ma vodhe zemrën dhe s’dua të ma kthesh”, “si vetull malli më rri mbi sy”; Personifikimi: “Qielli ulet të merr në gji”, “dritë nga sytë e tu më ndjek”; Epiteti poetik: “gjelbërim lule-shtruar”, “erë lozonjare”, “aromë trëndafili të këputur”, figura këto që i japin këngëve forcë emocionale dhe e ndërlidhin gjuhën e teksteve të BBR, me ndjesi të forta atdhedashurie, sjellin një shqipe të rrjedhshme, të pasur, të qartë, një ndjeshmri të hollë, si një kontribut i çmuar në mbrojtjen e identitetit kulturor.

 

Nëpërmjet gjuhës tekstet komunikojnë dhe krijojnë idenë e përjetimit të ngjarjeve dhe të perceptimit të situatave nga dëgjuesit. “O shqipja jonë e bukur si dritë!”; “Gjuhë e fëmijëve që të ardhmen përkund!”

Këto vargje krijojnë një motiv të përsëritur emocional, të ngulitur në kujtesën e dëgjuesit dhe e sjellin ate si amanet i brezave.  E gjith kjo bën që këngët të pëlqehen dhe të dëgjohen gjatë. Ky fenomen që po ndodh te Bruko Broadcast Radio, BBR, ka rritur dimensionin gjuhësor, duke e pasuruar këngën tonë qytetare të muzikës së lehtë dhe serenatave, dhe e ka kthyer atë në një kanal nga më të besueshmit për muzikën shqiptare.[7] Si e tillë kënga ka kapur audiencë të gjerë dhe madje është përhapur në mënyrë të konsiderueshme. Kjo ka sjellë edhe përhapjen e informacionit të drejtpërdrejtë e jo vetëm.

 

Ajo që më mbush me krenari dhe më bën shpresëplotë është mesazhi, vlerësimi, dëshira për t’i dëgjuar, gjë që reflekton mirësi, dashuri, kulture krahinore dhe më tej, njohje të vendeve të ndryshme, mallin për atdheun, për nënën, për emigrantin, për jetën vetë. Kjo nuk vjen ashtu thjesht, por nëpërmjet gjuhës të bukur, artistike, të zgjedhur, të kuruar estetikisht, që BBR e bën si një radio me zë patriotik. Nuk mund të lë pa përmendur këtu, këngët për atdheun dhe gjuhën shqipe: “Hymni i Flamurit”, “Kruja e Kastriotëve”, “Verimi në Dardhë”, “Shqipëri Nëna ime”, “Gjuhë, mjalti, gjuhë shpirti”, “Gjuhë zemre”, “Vallja e shkronjave”, “Në valixhen time”, “Shqiponjat dykrenare”, “Shpell’ e Dragobisë”, “Baresha”, etj. Ajo që ndikon që këto vargje këngësh të krijojnë komunikimin e duhur, janë edhe vlerësimet ndaj autorëve të çmuar që Bruko ka përfshirë në repertorin e tij si: poezi nga Fan Noli, Asdreni, Çajupi, Dr. Shpresa Gjergji, Dr. Jani Kurumi, poetja Lida Lazaj etj. Kjo jo vetëm e ka rritur cilësisht fondin gjuhësor, por duke arritur komunikimin e duhur, ka rritur ndjeshëm audiencën.[8]  

 

Dhe së fundmi do të shotja bindshëm se vetë krijuesi i radios, zoti Vaskë Bruko, ka njohuri të thella jo vetëm në fushën e radios që ai zotëron, por njohuri e aftësi artistike e muzikore, i cili ka sjellë brenda këtij korpusi, materiale me vlerë të çmuar kulturore e kombëtare. Bashkëpunimet si: me arkiva familjare dhe koleksione private për fotografinë, me autorë tekstesh, poetë etj., e ka kthyer këtë kanal në një ambasador të muzikës, fjalës e kulturës kombëtare në përgjithësi. Ai e shikon mision gjithçka që bën me radion e tij.

 

Si përfundim:

 

Këngët e kanalit BBR nuk janë thjesht produkte muzikore; ato përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe transmetimin e gjuhës dhe identitetit kulturor shqiptar. Nëpërmjet gjuhës poetike, elementeve të trashëgimisë kulturore dhe forcës së kujtimeve, ky kanal unik, luan një rol patriotik të pakontestueshëm, duke ushqyer dashurinë për atdheun, gjuhën dhe rrënjët tona.

BBR është një shembull i vyer se si arti mund të shërbejë si urë lidhëse midis brezave dhe si një instrument i fuqishëm në edukimin patriotik. Përmes muzikës, ky kanal rikujton se dashuria për atdheun nuk është thjesht ndjenjë, por trashëgimi që duhet ruajtur me krenari.

Faleminderit z. Vaskë Bruko për këtë kontribut të çmuar!

 

Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji


[1] Bruko Broadcast Radio është një radio online, pra një “internet-radio”, e cila transmeton përmes internetit; mund ta dëgjosh nga kompjuteri, telefoni ose pajisje të tjera të lidhura me rrjetin. Si karakteristika kryesore: Ka faqe interneti me programin e transmetimeve, skedarin e emisioneve, video, galeri dhe mundësi për kërkesë këngësh e mesazhe nga dëgjuesit. E quajtur si “The best online radio”., përdor si infrastrukturë teknologjike platformën BRLOGIC, kompani ndërkombëtare që ofron shërbime streaming, hosting, aplikacione, “Auto-DJ”, web-player, etj., për radio online. Pra, BBR nuk është një radio tradicionale FM/AM, por radio online, e aksesueshme përmes internetit. 

[2] Kjo vërehet nga konteksti i gjithë mesazheve evidente nga audienca.

[3] Me shikueshmëri të madhe janë këngë si “Në syt e tu” - mbi 87.000, “Lulaja e manjolës”- mbi 36.000, ”“Këmishë e mëndafshtë”- mbi 35.000, “O moj korcare’ - mbi 32.000, “Aromë e dashurisë”-  mbi 27.000, ‘Me fustankën ngjyrë blu” - mbi 22.000, “Ma vodhe zemrën” -mbi 13.000, “Ezmerkë” - mbi 11.000, “Shi fundvjeshte” - mbi 10.000, etj.

[4] Fotot vijne nga arkivi i çmuar i gjyshit te Vaskë Brukos, të nderuarit Thimi Raci, një nga pionierët e fotografisë shqiptare, si edhe nga arkivi i cmuar i fotografëve të tjerë dardharë, Pero Kacauni, Niko Stefani, Leon Cika, Adriana Stefani etj.

[5] Vetëm kënga “Në sytë e tu” për rreth dy muaj, arriti një shikueshmëri prej mbi 80.000 shikuesish, e cila vazhdon dhe rritet…

[6] Prej një harku kohor dy mujor, serenatat si “O moj Korcare”, “Këmishë e mëndafshtë”, “Në sytë e tu”, “Vallëzimi i parë”, ‘Me fustankën ngjyrë blu”, “Lulja e manjolës”, Lagjja ime e vjetër”, “Ah sikur zemra”, “Sytë e gjelbër”, “Aromë dashurie”, “Mela”, “Mariana”, “U dashurova fort”, “Shi fundvjeshte”, “Ezmerkë”, “Shtojzavalle”, “Ma vodhe zemrën”, “Dashuria ime e strukur”, Lirikë dashurie”,”Vallëzim me erën”, “Zanë”, “Nikoleta”, “Jam erëmirë”, “Bie shi”, “Nëse kthehesh”, “Dhëndurri”, “Tre në tango”, “Katerina”, “Pak dritë”, “Gjimnazistja”, “Në përqafimin tënd”, “Ajo është… etj. – kanë kapur një audiencë të konsiderueshme prej më tepër se gjysma e gjithë publikimeve.

[7] Degjohet nga 531. 853 views

[8] Aktualisht numeron 1300 subcribers; 139 video

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page