Albert HABAZAJ: 3 TREGIME TË ELMA RAMËS SI TRONDITJE CVAJKIANE
- 1 hour ago
- 5 min read

Albert HABAZAJ
Nuk e kam në natyrë e as më pëlqen që të bëj krahasimin e stilit të një autori me një tjetër, sepse sekush ka natyrën e vet dhe shpërfaq me profilin krijues ndjenjat, dëshirat, botën e brendshme, atë të jashtme, realitetin jetësor, universin e mendimit filozofik e letraro-kulturor.
Mund të kem mbi 35 vjet që e njoh nga afër penën e përmbajtur e të matur të Elma Ramës, një firmë e dinjitetshme dhe gjurmëlënëse, që nderon letërsinë femërore në veçanti dhe letërsinë shqipe patjetër.
Elma Rama është poete dhe tregimtare moderne. Ka shkruar katër vëllime me poezi: “Trishtimi i ullirit”, “Sytë e kanë fajin”, “Kontrast” dhe “Ku është njeriu”, - ku libri i fundit shënon një tjetër nivel të lartë artistik në përdorimin e teknikave poetike, ndjeshmëri dhe perceptim të thellë të realitetit.
Po ashtu, është autore e vëllimit me tregime “Parfum i burgosur”.
Elma Rama ka qenë dhe drejtoreshë e Bibliotekës publike “Shefqet Musaraj” të qytetit tw Vlorës.
Poezia e Elma Ramës është shprehja lirike e hollë e qenies qytetare, me të drejtat dhe detyrimet që lindin, për të cilat autorja ka zërin e saj serioz e të respektuar
Nuk dua të përhapem tutje, por dy fjalë do të shpreh për tre tregime të saj. Në fakt janë dy skica llahtarisht të mrekullishme e shumë të shkurtra: “Muret” dhe “Parfumi i burgosur”, për të cilët kam shkruar më parë e nuk mund të përsëris veten, veçse, fatmirësisht ndjej se janë në lartësinë e skicave të Migjenit e Nonda Bulkës, patjetër në formë dhe përmbajtje të përditësuara. I veçantë është tregimi “Jetimja”, i cili më ka tronditur gjer në drithërimë të frymës, saqë dhe kockat më therin nga dhembja që më ka shkaktuar përshkrimi artistik i ngjarjeve aq të hidhura, veçmas gdhendja aq mjeshtërore e personazheve, sidomos atyre negative. Më pruri në tru “Amokun” e Stefan Cvajgut (Stephan Zweig) me një subjekt tronditës, një realitet të ndjeshëm, drithërues e sugjestionues. Elma Rama bën letërsi modern, është futur në labirinthet e subkoshiencës, ka hyrë në çdo qelizë dhe në çdo skutë të psikologjisë njerëzore, të mentalitetit të egër e barbar, të natyrës tejshtazarake të dy grave të pashpirta, që i ka qëndisur si ajo me ngjyrat më të zeza të mundshme. Ajo na ka dhuruar tipologjinë e gruas së ligë, asaj që ndoshta ka munguar në letërsinë tonë, se ndoshta jemi mësuar të lexojmë vetëm letërsi “pozitive”, ku gruaja është e mirë, e dashur, e dhembshur, e kujdesshme, e sakrificës … Dhe kaq. Por jo. Ky është realiteti. Ka ndodhur ndoshta. Kurrë mos ndodhtë. Por është e besueshme ngjarja, janë të besueshëm personazhet, falë artit të fjalës së shkruar që zotëron shkrimtarja Elma Rama, që është dhe një ndër poetet më të mira që ka Vlora, të paktën.
Tek “Jetimja” rrëfen në vetë të parë. Njihemi me një ansambël të trishtë femëror, që na gufos e na zë frymën. Një mjedis ode me shirit të zi sa i frikshëm! Katër vjeçares i kishte vdekur nëna. Gratë e vajtonin. E ku kuptonte gjë e gjorta vajzë. Kishte uri e vogla dhe dridhej. Kush nuk i jepte. Eee… Bonjakja e shkretë. Pa nënë, kur thonë… E lemeritshme.
Sakrifikonte babai me vëllain për të qenë plot shtëpia, por sa bukur e përshkruan autorja me fjalë të kursyera, të ngjyera thellë në dhembje: “...diçka më e ëmbël se buka na mungonte… Nëna!”… “Oh, nënë moj! Ku je?.”. Dhe pas dy vjetësh ndodhi gjëma. Iku dhe babai… Tani motra dhe vëllai do të rriten si mos më keq nëpër dyert e botës. Nëpër xhaxhallarë, xhanëm… Jetimë dhe fukarenj. Kapitali i babait vajti për lumë. Aha!
Më duket sikur i kam parë ngjarjet që tregon autorja, sikur i kam jetuar dhe unë. Sa shumë trishtohem. Ajo na paraqet të vërtetën gri, të vërtetën e murme, të vërtetën e zezë, të jetuarën, që nuk mund të mohohet, kurrsesi të harrohet Më duket sikur i njoh personazhet e saj dhe më vjen të pëlcas, që nuk u ndodha atje që t`i dilja në krahë jetimes e t`u thyeja dhëmbët atyre katileve xhaxhesha Sabire e Hava, që mos qofshin. Ato nuk ishin femra, nuk ishin gra, nuk ishin nëna, nga ato të mirat, që mbajnë botën në duar. Ato ishin shtriga, kuçedra me fytyrë njeriu. Këtë ndjesi ma jep pena e artë e lakonikes serioze Elma Rama, që shkruan kaq mirë e meriton vëmendje, se të mbush me letërsi.
E lexoj dhe e rilexoj prozën e shkurtër dhe realiste të Elma Ramës dhe kuptoj ndërgjegjen artistike dhe ndjenjën e thellë të përgjegjësisë shkrimore të autores. Në fraksion të sekondës, nuk e di përse më parakalojnë në ekranin e kujtesës me fuqinë e imazhit “I urituri” i Odise Paskalit të paarritshëm, më vijnë ca piktura të ndërkombëtarit tonë Agim Sulaj apo Ndrek Luca i madhërishëm, që i realizonte aq mjeshtërisht sidomos rolet negativë, saqë njerëzit “e urrenin” sikur të ishte ai i vërteti Jago, Dom Pali, Ndrio, Pjetër Mustakuqi apo Ramiu… Aktor kalibri, artist i madh ky Ndrek Luca, që na dha mbi 30 figura të veçanta në llojin e tyre, sikur të ishin të vërtetë, realë. Dhe vetvetiu kthehem tek “Jetimja”. Pa pikën e mëdyshjes dhe me krenari letrare shprehem: shkrimtare e madhe kjo Elma Rama që ka gdhendur si me daltë skulptori personazhe me mimikë tepër ekspresive, edhe pse kalojnë shpejt e duken fragmentarë, por mbresat e plagës na i kanë lënë, sikurse janë nëna me imazhin e saj, turma e grarive, vogëlushja 4 vjeçare, vëllai dhe ai i vogël, babai, tezja, xhaxhallarët, xhaxheshat. Autorja operon deri në imtësi në piezazhin njerëzor, natyror, familjar e social, duke përdorur me mençuri fjalën e figurshme, plastikën, planet tragjikë, gjuhën shprehëse dhe mjetet e tjera të njëmendësimit shkrimor të personazheve dramatikë që na paraqet. Në këto tregime të saj ndjejmë kënaqësisht reminishenca të ekzistencializmit human nga Sartri (Jean - Paule Sartre), por me origjinalitetin krijues të autores sonë, sepse Elma Rama është një shkrimtare e identitetit qytetar që përfaqëson. Dëshiroj që autorja ta vijojë më tej rrëfimin , se është tërheqës, ka temporitëm, ka nerv, situata, dramacitet, ka psikologji letrare të gjallë.
Elma, unë kam qarë me dënesë kur kam lexuar tregimin tënd “Jetimja”, ç’ka dua të shpreh se kam të bëj me një nga tregimet më të mira që kam lexuar deri më sot. Ki parasysh që, tej modestisë, edhe për faktin që kam një jetë të tërë mes librave, unë jam një lexues i vëmendshëm, por selektiv, që nuk mund të lexoj çdo gjë që del e shtypur në furrat botuese, ndërkohë krahasimet që bëra, të cilat më erdhën vetë në kokë, i kam bërë posaçrisht se ti meriton vlerësim dhe mirënjohje qytetar për këtë letërsi të mirë që i dhuron lexuesit shqiptar. Daltë ndonjë përkthyes i zoti që ta ndërkombëtarizojë letërsinë e Elma Ramës!







Comments