top of page

Fatmir Terziu: Mos e vidh këtë libër

  • 1 hour ago
  • 2 min read

 

Ndodhi në stendat e mëdha të Panairit të Librit në Londër. Ndodhi pwr tre ditw meradhw në vitin 2026. e po tw doni mos e besoni. Librat rrinin në rafte si njerëz. Frymorw, gati tw gojwqepur, që presin të dëgjohen, pa e hapur gojwn. Disa flisnin me kopertinat e tyre të ndritshme. Disa me tituj të gjatë e të rëndë. Ndërsa disa të tjerë rrinin në heshtje. Kapakhapeshin  sikur kishin vendosur të mos shpjegonin asgjë për veten. Mes tyre ishte edhe një libër i çuditshëm. Titulli i tij ishte i prerë: “Mos e vidh këtë libër.”

Kur e hapje, nuk gjeje asnjë fjali. Asnjë paragraf. Asnjë histori. Vetëm heshtje. Vetëm emra. Shumë emra. Emra që qëndronin në faqet e bardha, gati-gati dëshmitarë të një procesi të padukshëm. Vizitorët e panairit e hapnin librin me një kureshtje të vogël dhe e mbyllnin me një hutim më të madh. Disa qeshnin. Disa mendonin se ishte një shaka. Të tjerë, më të duruar, qëndronin pak më gjatë mbi faqet e zbrazëta, sikur kërkonin një tekst që nuk ishte aty, por që megjithatë ndihej. Dhe në të vërtetë, libri ishte plot. Ai ishte i mbushur me atë që mungonte.

Rreth 10,000 autorë kishin vendosur emrin e tyre në atë vëllim të pazakontë. Ata nuk kishin shkruar tregime, romane apo ese. Ata kishin lënë vetëm një gjurmë të thjeshtë, ekzistencën e tyre si shkrimtarë.

Sepse në një botë që po mësonte gjithnjë e më shumë të shkruante pa pyetur autorin, fjala po bëhej e dyshimtë. Thuhej se shumë kompani të inteligjencës artificiale po merrnin libra, poezi, tregime, artikuj, gjithçka që ishte shkruar, dhe po i përdornin për të mësuar makinat të shkruanin. Pa trokitur në derën e autorit. Pa kërkuar leje. Pa lënë një falënderim. Ishte si të hyje në një bibliotekë natën dhe të dilje prej saj me gjithë librat në kujtesë, por pa i thënë askujt se nga i more. Kështu që shkrimtarët vendosën të bëjnë diçka që dukej paradoksale, të botojnë një libër pa fjalë.

Libri u organizua nga kompozitori dhe aktivisti për të drejtat e autorit Ed Newton-Rex, por ai në të vërtetë nuk kishte një autor të vetëm. Ai ishte një kor heshtjeje. Një mur me faqe të bardha. Një protestë që nuk bërtiste, por që të shikonte drejt në sy. Sepse mesazhi i tij ishte i thjeshtë. Nëse krijimtaria trajtohet si një burim falas për makinat, nëse librat mund të përdoren pa leje dhe pa pagesë, atëherë një ditë raftet e librarive mund të mbushen me libra që duken si ky. Të bukur nga jashtë. Por brenda bosh. Dhe ndërsa njerëzit e mbyllnin librin dhe e vendosnin përsëri në tavolinë, ndodhte diçka e çuditshme. Ata largoheshin me ndjesinë se kishin lexuar diçka shumë të gjatë. Ndoshta sepse, ndonjëherë, faqet më të zhurmshme të letërsisë janë pikërisht ato që nuk janë shkruar ende.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page