top of page

Shpresa Fundo Gjergji: Libri “Nënë Terezës në pullat postare të botës

  • 2 hours ago
  • 4 min read

 

 

Libri “Nënë Terezës në pullat postare të botës (118 shtete), vepra më e madhe dhe me e plotë e filatelisë shqiptare, e përpiluar deri më tani

 

Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji

 

Në kuadrin e botimeve serioze dhe të plota, me një nivel të lartë si shkencor e konceptual, ashtu edhe artistik për sa i përket pamjes vizuale, ky libër studimor filatelik i rallë, vjen për lexuesin shqiptar dhe të huaj, pasi botimi është dygjuhësh (Shqip - Anglisht). Libri i autorit Gjon Marku, “Nënë Tereza në pullat postare të botës” (118 shtete), i realizuar në formën e një albumi me ngjyra dhe me leter të zgjedhur, përfaqëson një sipërmarrje të rëndësishme në fushën e studimeve ndërdisiplinore, duke e trajtuar filatelinë jo thjesht si praktikë koleksionuese, por si burim dokumentar dhe si tekst kulturor me vlerë interpretative. Përmes inventarizimit dhe analizës së pullave postare të emetuara nga 118 shtete me figurën e Nënë Terezës, autori ndërton një korpus të gjerë materialesh që dëshmojnë për përmasën universale të kësaj figure.

Ky botim përfaqëson një arritje të veçantë në fushën e filatelisë, duke e shndërruar pullën postare në një mjet dokumentimi historik dhe kulturor. Vepra analizohet si një kontribut unik në filatelinë shqiptare dhe ndërkombëtare, dhe po ashtu edhe si një formë e veçantë e ruajtjes dhe e promovimit të figurës së Nënë Terezës përmes emetimeve postare botërore. Studimi synon të evidentojë jo vetëm përhapjen globale të figurës së Nënë Terezës, por edhe mënyrat se si shtete dhe kultura të ndryshme e kanë përfaqësuar dhe integruar atë në diskursin e tyre zyrtar simbolik.

Autori ka zgjedhur që këtë vepër të nivelit të lartë dhe të papërsëritshme ta shoqërojë me një studim të gjerë, ndër më të plotët dhe më të sistemuarit e botuar deri më sot në këtë fushë. Në këtë studim paraqiten të dhëna shkencore, akademike, studimore dhe estetike mbi filatelinë botërore. Pikënisja e botimeve dhe e emetimeve të pullave postare, themelimi i shoqatave filatelike dhe fillimi i studimeve filatelike në botë paraqiten të sistemuara me rigorozitet shkencor. Gjon Marku na njeh me filatelistët e parë, me ideatorin e pullës së parë postare dhe me zhvillimin historik të filatelisë, duke ndërtuar një panoramë të gjerë dhe të argumentuar shkencërisht.

Një vend të veçantë në këtë vepër zë trajtimi i filatelisë shqiptare dhe rrugëtimi i saj historik. Autori ndalet në emetimet postare që nga periudha osmane dhe austro-hungareze, pullat italiane dhe të vendeve të tjera, deri te themelimi i Postës Shqiptare dhe emetimi i pullës së parë postare në Shqipëri. Në këtë kontekst, evidentohen vlerat, momentet kyçe, ngjarjet dhe emetimet filatelike në periudha të ndryshme kohore, duke nxjerrë në pah identitetin dhe pasurinë e filatelisë sonë kombëtare si pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Edhe pse vepra ka një shtrirje të gjerë studimore, qëllimi kryesor i autorit mbetet figura e Nënë Terezës. Gjon Marku arrin të realizojë një risjellje të thellë në kujtesë të kësaj figure universale, duke e parë atë përmes prizmit të filatelisë botërore. Autori gjithashtu, paraqet çmimet dhe medaljet ndërkombëtare me të cilat është vlerësuar Nënë Tereza, si dhe vlerësimet e personaliteteve më të larta ndërkombëtare për figurën dhe veprën e saj. Studimi i emetimeve postare është i ndarë në rubrika tematike: Nënë Tereza dhe Papët; Nënë Tereza me personalitete të botës arabe; Nënë Tereza me Princeshën Diana; me presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me gra të shquara të botës etj.

Albumi voluminoz prej rreth 500 faqesh paraqet të gjitha pullat postare të emetuara në 118 shtete, të sjella në mënyrë të paprecedentë, me ngjyra dhe të sistemuara në rubrika të qarta. Në të përfshihen të gjitha elementet filatelike të pullave postare, si pullat postare, kartat maksimum dhe zarfat filatelikë, duke e bërë botimin një burim referencial të pazëvendësueshëm për studiuesit.

Profesor Doktor Tef Topalli, në librin e tij “Duke shfletuar librat e shkrimtarit Gjon Marku” (fq. 338), shkruan: “Vepra më e madhe e filatelisë shqiptare, e përpiluar deri më tani, është përmbledhja e shkrimtarit Gjon Marku me pulla kushtuar Nënë Terezës, të botuara në 118 shtete të botës. Ky botim akademik, me një strukturë madhore dhe me letër luksi, i përgatitur në shqip dhe anglisht, nis me një hyrje të gjatë, ku vihet në dukje përdorimi për herë të parë i pullës postare në vitin 1840, në revistën franceze Collectionneur de Timbres-Poste, një vit pas formimit të Shoqatës Londineze të Filatelistëve (1865), si dhe ekspozita e parë filatelike, e mbajtur në Londër më 1912. Ndërkohë, manuali Bazat e koleksionimit të pullave, me autor Fred Melville, shënon fillimin e literaturës së mirëfilltë filatelike në botë…”

Gjon Marku është i njohur që herët për kontributin e tij në studimet filatelike, si autor i shumë studimeve dhe kumtesave shkencore, të mbajtura brenda dhe jashtë vendit. Ai është gjithashtu autor i librit “Mirdita në vizionin filatelik” (2004, ribotuar më 2016), i vlerësuar pozitivisht nga studiuesi Thimi Nika. Për këtë botim, Thimi Nika, në veprën “Historia e Filatelisë Shqiptare” (2013, fq. 175), shkruan: “Në kuadrin e botimeve tejet të pakta për emetimet postare në vendin tonë, me të drejtë u konsiderua i mirëpritur libri Mirdita në vizionin filatelik, me autor koleksionistin dhe studiuesin e filatelisë shqiptare Gjon Marku, i botuar pak kohë më parë në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Duke qenë njohës i mirë i trevës së Mirditës dhe i historisë së saj, si dhe i figurave të lidhura ngushtë me të, autori Gjon Marku trajton me profesionalizëm ngjarjet dhe datat historike, të parë përmes vizionit filatelik.”

Në përfundim, albumi “Nënë Tereza në pullat postare të botës” përfaqëson një arritje të veçantë në filatelinë shqiptare dhe ndërkombëtare është një vepër që tejkalon kufijtë e një albumi filatelik. Kjo vepër bashkon kërkimin shkencor me përkushtimin kulturor dhe estetik, duke dokumentuar një pasuri filatelike unike dhe duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e figurës së Nënë Terezës si simbol universal i humanizmit, paqes dhe solidaritetit njerëzor.

Urime autorit Gjon Marku për këtë punë voluminoze me vlera të ralla, ku objektet e vogla materiale tejet të çmuara, interpretohen si dëshmi të proceseve të mëdha kulturore dhe historike. Ky studim, për rrjedhojë, nuk është vetëm një katalog ilustrativ, por një dëshmi e institucionalizimit global të një figure që ka kapërcyer kufijtë kombëtarë dhe fetarë, duke u bërë pjesë e ndërgjegjes morale të njerëzimit.

Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji, (Studiuese në gjuhësi kërkimore), Shkurt 2026

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page