Shpresa Fundo Gjergji: Ka një mori autorësh që duket sikur të bëjnë konfuz
- Feb 1
- 10 min read

"Fjala e Lirë“ në Londër dhe revista "Albanian Post“ që botohen në print në Mbretëri të Bashkuar nën drejtimin e Fatmir Terziut, ju ftojnë në këtë përfshirje:
Të njohësh dikë kërkon kohë dhe shpesh shumë përpjekje. Dhe nëse nuk janë shumë fjalë shumë, ndoshta do t'ju duhet të bëni disa pyetje për ta njohur atë në një nivel më të thellë. Mbani mend se shumë nga këto pyetje nuk janë pyetjet tuaja standarde "të njohësh dikë". Unë mendoj se pyetjet më të papritura kanë më shumë gjasa të marrin përgjigje të papritura dhe të vërteta. Le të fillojmë me disa pyetje që janë perfekte kur po njiheni për herë të parë me dikë. Ky seksion përmban më shumë pyetje sepse kur po njiheni për herë të parë me dikë, zakonisht nuk doni të bëheni shumë personalë, por kjo ndihmon brezat, ndihmon ata që na rrethojnë, dhe më së shumti kur këto përgjigje vijnë nga emra të njohur si Ju.
• Nëse nuk do të duhej të flinit, çfarë do të bënit me kohën shtesë?
Koha është shumë e çmuar për mua, dhe ajo që unë do të doja të nënvijëzoja në një kohë shtesë, do të ishte të vazhdoja të lija gjurmë me krijimtarinë time, me gëzimet e jetës, me dëshirën për të ndihmuar të tjerët, për të krijuar sa më shumë bashkëpunime të frytshme në ndihmë të shoqërisë dhe humanizmit. Do të doja që të beja diçka të mirë e me vlerë afatgjatë.
Kam një parim: "jetoj kur s'më zë gjumi". E konsideroj gjumin (e tepërt) si humbje kohe në këtë jetë. Mendoj do të vijë koha e do të fle gjatë... (e di mirë që gjumi është i rëndësishëm për të rikuperuar jetën, qetësuar trurin, për të rimarr energjinë e duhur), por mundohem të shfrytëzoj sa më shumë atë pjesë të jetës që më duhet të rri zgjuar.
• Në çfarë pune do të ishit të rëndësishëm?
Mendoj në arsimin parauniversitar dhe universitar. Kam një lidhje magjike në komunikim, mbart gjithmonë mirëkuptimin, krijoj hapsira të të menduarit kritik në situata të ndryshme, nxit kreativitetin, jam e qetë, ndërsa brezi i ri është i vrullshëm, por me botë që duhet nxitur. Unë e kam deshirën dhe durimin.
Por duke qënë në një etapë tjetër të jetës, mendoj se krijimtaria për fëmijë, më shkon për shtat. Kjo i bashkangjitet qëllimit tim, që të bëjë diçka që ja vlen. Dhe kjo vlerë i shtohet edukimit moral e kulturor te tyre. Mendoj që kjo që bëj tani, ka vlerën e saj për kohën, të cilën e realizoj. Ndoshta do të ketë vlerë edhe më gjatë. Them ndoshta sepse kohët e fundit jeta ecën me megabite, një shpejtësi amorfe e ftohtë, shumë e vrullshme dhe po sjell ndryshime të shpejta në rang globi. Megjithatë, pjesa që unë gjej veten dhe që e ndjej edhe detyrë, është mision. Dëshiroj shumë që të mos humbasin vlerat humane, të ruajmë kulturën tonë, dëshiroj të jap kontributin tim modest në edukimin e fëmijëve, si pjesa më e brishtë e shoqërise, nga ku fillon edukimi. Për sot, pra kjo do të ishte puna ime më e mirë dhe që në fakt është.
• Nëse do të mund të shndërronit ndonjë aktivitet në një sport olimpik, në çfarë do të kishit një shans të mirë për të fituar një medalje?
Ndoshta jo për të fituar medalje, nuk kam aq shumë ambicje, por aty ku do ta pëlqeja sfidën me sportet olimpike, do të zgjidhja notin. Kjo për faktin e thjeshtë se jam rritur me detin dhe e dua shumë. Kam qënë notare e mirë, madje sot imshoq, kur notoj më thotë: do ishe bërë një notare e mirë në stilin bretkosë se ke një shtrirje të mirë në notim.
• Cilin libër, shkrimtar shqiptar, grup muzikor, ose artist do të zgjidhnit kur nuk mund të zgjidhnit diçka për të dëgjuar?
Shpesh edhe vetë jam në mëdyshje, kjo për faktin se shijet kanë filluar dhe edukohen ndryshe sot. Madje imponohen nga media, TV, transformohen shijet, vetë koha sjell ndryshime të mëdha të vazhdueshme në mendësi dhe duket se autorë të shumtë shpesh dalin nga moda. Dhe ti vrapon të lexosh diçka të kohës, që e ke kurreshtjen të zhbirosh, ndërsa koha ta servir dhe e sheh si diçka ndryshe nga tradita. Dikur u rritëm me autorët e rilindjes e me pas të realizmit socialist, të cilet u rrënjosen në mendësinë e brezit tim me krijimtarinë e tyre. Nënvijëzoj këtu Kadarenë e Dritero Agollin, e veçoj krijimtarinë poetike ( më pranë shijeve të mia), por kohët e fundit ka një shumëllojshmëri shkrimtarësh me krijimtarinë e tyre, që padyshim edhe le për të dëshiruar (sidomos shumë prezantime në rrjetet sociale). Ka një mori autorësh që duket sikur të bëjnë konfuz. Kjo më bën të mos rri e ngulur pas një autori të caktuar.
Të paktën për mua sepse preferoj më shumë të fokusohem në letërsinë për femijë dhe në atë që unë e kam në drejtimin tim akademik gjuhësor. Këtu do të veçoja librat gjuhësorë të profesor Valter Memishaj: "Studime për fjalën shqipe“ e të tjerë të të njëjtit autor, me të cilat unë punoj në drejtimin tim akademik. Ose nëse do të sillja në vëmendje autorë të huaj me literaturë që për mua herë, herë më ka gjallur interesin e një formati të një mendësie, të cilën do ta konsideroja se duhet ta lexoj, mund të përmend këtu "The gratest secret“ e Rhonda Byrne e përkthyer nga Adrian Beshaj, si diçka që me zgjon një mendësi përtej materiales, të kuptoj veten, jetën, të tjerët dhe e shoh si fenomen global për ta parë jetën më të gëzueshme.
Sa për grup muzikor, spara kam një të veçante, sepse koha ka sjellë muzikë që jo kaq thjesht, brezi im mund ta përqafojë. Me pëlqen serenata, balada, muzika rrock etj. Kohët e fundit dëgjoj më shumë Bruko Broadcast Radio, ku unë kam bashkëpunimet e mia. Për ndonjë artist, nuk do ta veçoja dot, edhe spara i ndjek, të them të vërtetën, për ndonjë këngëtar shqiptar, ndoshta do të shprehja pëlqim për Rozana Radin, Anxhela Peristerin, por do të thosha se kohët kanë sjellë që muzika po përparon me AI dhe duket se ka një përsosmëri ndryshe, në zëra, në këndim, në vetë muzikën e realizuar që të habit. Kohë të çuditëshme po jetojmë...
• Për cilën pyetje do të dëshironit më shumë të dinit përgjigjen?
Ku po shkohet me AI? Duket se gjithçka po gjeneron me shpejtësi të madhe. Sa herë, herë marrëdhënia e krijuar mes AI dhe njeriut po më duket edhe e frikshme.
• Çfarë ju intereson që shumica e njerëzve nuk kanë dëgjuar?
Të them të drejtën, më intereson veç të bëj pjesën time në këtë jetë, që e quaj si një mision. Mendoj se gjithsecili prej nesh, që ka ardhur në këtë botë, e ka një mision. Sot ka aq shumë informacion sa trembesh të besosh çdo gjë. Duke e vlerësuar atë mundësi që na ështē dhënë, duke qenë pjesë e kësaj jete, do ta konsideroja që gjithkush nga ne, ka lindur me "këmishë të bardhë“. Kjo për faktin se miliona qeliza riprodhuese, nuk janë shndërruar në qënie njerëzore. Nga miliarda e miliarda prej tyre kanë lindur njerëzit e kësaj bote, në një raport që lë të dyshosh e të mendosh se jemi me fat dhe se kemi një mision për të kryer. Secili prej nesh është i ndryshëm që të bëj diçka të veçantë në jetë. Dija ska fund, jeta të mëson shumë...
• Për çfarë mund të bënit një prezantim 40-minutësh pa asnjë përgatitje?
Ndoshta për shumë gjëra, për tema që lidhen me analiza letrare e gjuhësore, për tema që lidhen me trashëgiminë shpirtërore pjesë e kultures sonë, por do të veçoja letërsinë për fëmijë, për botën e tyre, për librat që kam shkruar për ta, për tematikat e ndryshme që ndihmojnë komunikimin dhe ajo që më intrigon është aspekti digital, me të cilin librat e mi flasin e këndojnë me gjuhën e vogëlushëve. si edhe për vlerat muzikore e kulturore të Bruko Broadcast Radio, për magjinë e përrallave të "Gjyshe Shpresës" si pjesë e moderimit në emisionin për fëmijë në B.B.R.
• Çfarë prisni më shumë në 10 vitet e ardhshme?
Ndryshime të medha me pranimin e AI. Ndryshime në kulturën e traditën e njerëzve. Ndryshime në art dhe krijimtari. Madje kane nisur që tani ndryshime të dukshme nga njëri vit në tjetrin. Në vetë shoqeritë njerëzore, në vetformimin e njerëzve, në mjedisin ku jetojmë, në shfrytëzimin ndaj natyrës dhe e mendoj edhe më përgjigjen që natyra do të na e kthejë në mënyrë të njëjtë në një kohë që do të sjellë mdryshime.
• Çfarë argëtimi do të dëshironit të fshinit nga mendja juaj në mënyrë që ta përjetonit për herë të parë përsëri?
Do të dëshiroja edhe njëherë të gjendesha në moshën e adoleshencës, të përjetoja kampin e rinisë dikur në Golem. Të ndjeja bukurinë e moshës në kohën sot, që ka rendur e ka ndryshuar kaq shpejt e kaq shumë.
• Cili titull libri, filmi e përshkruan më së miri jetën tuaj?
Personazhi i Hirushes është padyshim më pranë portretit e përkujtimeve të mia në jetë.
• Ku është vendi më i qetë ku keni qenë?
Përmeti, një qytet i vogël, i qetë pranë gurgullimit të Vjosës, me gjelbërim, lule, paqe.
• Cilat janë disa gjëra nga të cilat ju është dashur të hiqni dorë?
Emigracioni, mësimdhenia.
Të parin e dëshiroja dorëheqjen, s'ka si veni yt. Të gërryen dashuria për vendlindjen, miqtë e të dashurit.
Për mësimdhënien më ka dhëmbur dorëheqja. Isha e detyruar nga kushtet. Sistemi edukimit këtu në Shqipëri, nuk pyet nëse ke apo jo meritë, nuk do të dijë njeri se mbeten përgjysëm projekte të rëndësishme të lidhura ngushtë me punën dhe se sa shumë ke investuar për to. Një sistem mediokër që të flak edhe atëhere kur i duhesh. Këtu është paradoksi shqiptar. Nuk ti merr energjitë për interesat e veta, por të nxjerr në mes të rrugës.
• Për çfarë doni të dini më shumë?
Mbi teknologjine, mbi AI, sepse eshte bere e domosdoshme. Kjo është risia e shekullit, dhe jam jo fort e ditur në këtë aspekt. Por ndjej që diçka e madhe po vjen nga AI, se si e sa, nuk e di. Ndikimi dhe përhapja e saj duket se po rend...
• Cila ishte aventura e fundit që bëtë?
Zbritja dhe ngjitja ne "Gjipe“ të Qeparoit (Gjiri i Gjipesë në detin Jon) me makinë Jeep 4x4 nëpër shkëmbinjë që mu duk vërtetë aventurë dhe madje e rrezikshme.
Pyetje disi personale për të njohur dikë. Këto pyetje janë të shkëlqyera nëse vërtet shkoni mirë me dikë që sapo keni takuar, ose nëse e keni njohur personin për një kohë dhe doni ta njihni më mirë.
• Kur ishte hera e fundit që ndryshuat mendje/besim për diçka të rëndësishme?
Kur hoqa dorë nga mësimdhënia e detyruar, me keqardhje. Tanime unë jam e angazhuar me punë të tjera, krijimtaria me mbush shpirtin ndryshe dhe është kthyer në diçka të rëndësishme, një mision që duhet të jap kontributin tim.
• Kur u ndjetë vërtet "gjallë"?
Kjo pyetje besoj i referohet momenteve të bukura në jetë dhe kur mendon që jeta më ka dhënë sadisfaksione të bukura. Kjo ka ndodhur shumë herë, por tashmë që krijimet e mia mishërohen në muzikë ndjehem vërtet mirë.
Kush është/ishte shoku/shoqja juaj më interesante?
Varet ta shohesh nga këndvështrimi im, një mik interesant është kur e gjen veten në biseda, në marrëdhënien e krijuar, me njohuri dhe talente të veçanta dhe do të veçoja shoqen e ngushte që jeton në Washington, shoqja e bangës së gjimnazit. Një shoqe e vjetër dhe me virtyte.
• Çfarë rreziqesh ia vlen të merren kur shkruani?
Përballia me lexuesin që s'më kupton, me keqkupton, ose është thjesht keqdashës. Jo cdo gjë që shkruajmë, ose krijojmë në letërsi është personale, jo çdo gjë më përket individualisht, drejtpërdrejtë me mua. Krijimtaria ime është e ndjerë, por kryesisht është e lidhur me ngjarjen ku spikat koncepti që unë kam mbi diçka që shkruaj. Më pëlqen që poetika ime të flasë me gjuhën e kontekstit. Por kjo nuk më përket mua, jetës sime...padyshim që aty ka nga shpirti, mendja, dija, dashuria ime. Por absolutisht nuk dua ta identifikojë atë me individualitetin tim.
• Cila është këshilla më e mirë dhe më e keqe që keni marrë ndonjëherë?
Më e mira inkurajimi dhe mbështetja në krijimtari për të vazhduar me letërsine për fëmijë
nga shtëpia botuese dhe nga miq të tjere. Dhe me e keqe lidhet me kohen kur une nisa universitetin... Si pasojë e dënimit nga totalitarizmi komunist, mu mohua e drejta e shkollës si edhe shumë kufizime të tjera për shkak të mbiemrit FUNDO. Në moshën 40 vjeçare mora guximin për tu shkolluar. Nënë me tre fëmijë dhe kishte nga ato pedagoge që më thoshin ç'e do këtë shkollë në këtë moshë, ti ke "gjithçka". Por për mua veçse ëndërr ishte sfidë e jetës që duhej ta provoja.
• Çfarë e bën një jetë të jetuar mirë?
Mendoj e para dhe e pamohueshmja është dashuria, pastaj do të theksoja mirëqënia dhe ajo që i jep lumturinë është qetësia shpirtërore, e cila arrihet mes sfidash e kërkesash. Kohët moderne të bëjnë që gjithmonë të kërkosh nga vetja. Të sfidosh, të luftosh, të arrish, të mbërrish diku që të ndihesh e realizuar dhe si e tillë e qetë. Pra do të veçoja: DASHURIA, MIRËQENIA, Q0ETËSIA SHPIRTËRORE.
• Cilat janë disa gjëra në të cilat jeni vërtet të mirë, por ndiheni disi të turpëruar që jeni të mirë në to?
Komunikimi i hapur dhe i drejtpërdrejt me njerëzit (që jo të gjithë të kuptojnë, jo të gjithë duan të të vlerësojnë) dhe mënyra ime e drejtpërdrejt më bën pak të ashpër ose të prerë, pa kompromise. Por jo të turpëruar, lidhet me karakterin.
• Cilat janë disa nga "rregullat" tuaja personale që nuk i shkelni kurrë gjatë shkrimit dhe krijimit?
Morali, nuk dua ti banalizojë gjërat. S'më pëlqejnë që krijimet e mia të bien në banalizime, gjë që e cila në kohët e sotme ka nisur të vlerësohet rëndom.
Pyetje shumë personale për të njohur dikë: Këto pyetje janë më shumë për njerëz që tashmë i njihni mirë, por doni t'i njihni në një nivel më të thellë. Zgjodha vetëm disa për këtë kategori sepse shumica e pyetjeve që do të përdorni për të njohur dikë do të jenë në kategoritë e mëparshme.
• Cila është vetërealizimi juaj më i habitshëm?
Do të veçoja dy – në të cilat jam ndjerë e realizuar, por që as vet nuk e di si arrita deri aty. Nuk i kam patur qëllim në vetvete, por më pas u bën përgjegjësi dhe detyrë e rëndësishme. Studimet e nivelit të tretë, marrja e titullit Doktor i shkencave në 2016, fakt ky që lidhet me moshën time, 56 vjeçe që do të më vinte para sfidave e vështirësive të mëdha.
Dhe e dyta, marrja e patentës së makinës në moshën 48 vjeçe, që e dëshiroja, por ishte pak vonë. Këto dy raste lidhen me realizimet e mia, por unë as i kisha menduar më parë të ndërmerrja hapa të tillë dhe sot habitem edhe vetë, si të vjen vet situata e jeta të udhëzon në momente të veçanta të saj?!
• Çfarë i jep kuptim jetës suaj?
Veçoj këtu me bindje – familja, fëmijet, veprimtaria.
• Cila gënjeshtër thoni më shpesh?
Me sinqeritet nuk jam tip që gënjej në asnjë rast, mundohem të jem e vërtetë, ndoshta ka patur momente të sikletshme kur do të doja të justifikohesha, por jo me gënjeshtra.
Iu përgjigj pyetjeve: Dr. Shpresa Fundo Gjergji







Comments