top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: VILHELME VRANARI GRUAJA QË I SHNDËRROI VUAJTJET NË ART

  • 6 minutes ago
  • 6 min read

(Mbështetur te libri “Kush jam unë?!”)

   Kur zemra e zjarrtë dhe e lodhur e shkrimtares emërmadhe Vilhelme Vranari Haxhiraj (Vivra), pushoi së rrahuri, dhe ne një grup miqsh të saj nga Durrësi, shkuam në Vlorë për t`i dhënë lamtumirën e fundit, na bëri përshtypje fakti që asnjë nderim nuk i ishte rezervuar asaj nga ana e përfaqësuesve të pushtetit vendor. Kishim menduar, se ashtu sikurse e meritonte, arkëmorti me trupin e kësaj gruaje të rrallë dhe me kontribute jashtëzakonisht të mëdha në përpjekjet për liri e demokraci, do të vendosej në sallën e Pallatit të Kulturës a diku tjetër, ku do të organizohej ceremonia për kryerjen e homazheve nga ana e qytetarëve vlonjatë. Ishte një varrim i thjeshtë, me pjesëmarrje masive, ku ndër të tjerë, përveç hoxhës mjaft elokuent, foli edhe deputeti i mirënjohur Bujar Leskaj i cili vuri në dukje vlerat intelektuale dhe atdhetare të kësaj zonje fisnike që pa asnjë mëdyshje, me krijimtarinë dhe veprimtarinë e saj, rreshtohet jo vetëm te gratë më të shquara të asaj treve, por edhe të gjithë Shqipërisë e Kombit mbarë. E trishtueshme shpërfillja zyrtare ndaj asaj që kishte ngritur në piedestal “Elitat e mohuara…” dhe kishte thënë për ta se: “…janë krenari e kombit mbarë! Lum shtetet që kanë ditur t`i vlerësojnë se, kanë pasuruar ndërgjegjen kombëtare dhe kanë madhuar emrin e atdheut të tyre… Ata janë “Truri” që udhëheq njerëzimin në rrugën e vërtetë të dijes, të mirësisë e të drejtësisë, të jetës së bukur…”

Por fatkeqësisht, në vendin tonë edhe pas 35 vjetësh nga koha kur u shemb komunizmi, lufta e klasave, në forma të ndryshme, vijon. Vilhelmja ishte lindur në Kaninë, për të cilën Sami Frashëri shprehej se “…është vendi ku lindi aristokracia feudale në Evropën Juglindore”, kurse Ernest Koliqi do të vargëzonte: “Për Kaninën Perëndia, / Kur e pa si diell mbi det, / tha: / - Jo, nuk është nga veprat e mia. / Këtë mrekulli mbi tokë, / dikush tjetër e ka bërë, / do ketë qenë një tjetër Zot!” Dhe Vilhelmja ishte pinjolle e njërës prej familjeve aristokrate, por që pushteti i vetëquajtur popullor, e shihte me sy të shtrembër. Ajo vetë kujton se kur ishte fëmijë, skuqej kur dikush i thosh: “Vogëlushe e di që je një Komnene?! Sepse stërgjyshja jote e herëshme, ishte bija e perandorit bizantin Aleks Komnenit”. I kishin arrestuar dhe burgosur babanë, me pretekstin se nuk kishte paguar taksat dhe pasi u kishin marrë gjithçka, deri edhe shtëpinë dhe bibliotekën e pasur, i kishin degdisur në një kasolle, andej nga një fshat i Fierit. Ku te halla e ku te tezja, pasi kreu shkollën fillore, kreu edhe të mesmen dhe pavarësisht varfërisë, ushqyerjes me lakra pa vaj, dhe ndjenjës së fajit pa faj, duke shkëlqyer në mësime, nisi punë si mësuese në Armen, por u kujtuan se e bija e kujt “armiku” ishte dhe e larguan shpejt nga mësuesia. Njërin xhaxha, Mynyrin e kishin futur në burg, pasi nuk kishte ngritur dolli për mustaqet e Stalinit. Edhe xhaxhanë tjetër që kishte qenë partizan dhe tani oficer, e liruan nga ushtria me arsyetimin banal se kishte kunatin në burg. Fati e solli që ajo ta lidhë jetën me njeriun e kulturës, artistin Fitim Haxhiraj, që edhe ai, paradoksalisht vinte nga një familje e lidhur me luftën, por të shpallur kulak. Ishte harruar gjithçka kishte bërë familja e saj, duke strehuar partizanët, duke u dhuruar atyre kope të tëra bagëtish dhe kishte xhaxha Skënderin që kishte kryer studimet universitare pas “Harri Fullcit”, në Itali dhe kishte përfunduar në krematorët e nazistëve në Aushvic. Vetëm mirë kishin bërë dhe ja mosmirënjohja komuniste. Nuk kishte sesi të harronte se i kishin internuan përsëri, dhe i kishin futur në një kasolle tjetër në Sherisht pa asnjë arsye, dhe kishte përjetuar fyerjet ndaj babait që u lirua pas 13 viteve burgim, kur edhe fëmijët i thërrisnin “Kulaku i qenit”. Vilhelmja, pasi vuajti përbuzjen, varfërinë, punën e rëndë për të rritur fëmijët, pas shumë vitesh i dhanë të drejtën për të vazhduar studimet në fakultetin Histori - Gjeografi të cilin e mbaroi me rezultate shumë të mira. Por asnjëherë nuk iu fashit urrejtja për regjimin gjakatar të Enver Hoxhës, ndaj e priti me entuziazëm ardhjen e demokracisë, madje u bë një nga flamurtaret e triumfit të saj, duke punuar pa iu dridhur qerpiku për ndryshimin e mezipritur. Në librin me intervistat e saj me Gëzim Markun, Vilhelmja rrëfen edhe zhgënjimin që përjetoi, pasi për të, e djathta nuk e gjeti veten edhe tani në periudhën e tranzicionit. Ajo vetë shprehet se: “U rrëzua statuja e Përbindëshit Enver Hoxha, por jo “Ai” dhe as ndikimi i tij si “udhëheqës i lavdishëm” nuk u rrëzua”. Madje, puna arriti deri atje sa në ngjarjet e 97 - ës, atë familjarisht e dënuan bandat, me vdekje. Por tani, ajo e kishte vrarë frikën, dhe vetëm shtron pyetjen: “A nuk është e turpshme që vazhdon Lufta e Klasave në 5 breza edhe sot në shekullin e XXI?” Mos vallë këtu qëndron edhe përgjigjja e asaj pyetjes se përse shkrimtares Vilhelme Vranari, autores së rreth 70 librave, nga të cilat mbi 20 janë romane, e përkthyer në disa gjuhë të huaja, fitueses së shumë e shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, kritikes sypatrembur të mangësive tona dhe zërit buçitës për Kosovën, që sipas saj, për t`u ndarë me Serbinë, duhet të ndërrojë emrin nga Kosovo në Dardani, iu mohuan nderimet e duhura nga zyrtarët e Vlorës? Dhe pavarësisht rrugëtimit plot peripeci të fatit të saj, Vilhelmja në intervistat që ka dhënë, nuk lë pa analizuar atë që ndodhi me të gjithë popullin shqiptar gjatë viteve të gjata të diktaturës, sikurse nuk lë jashtë vëmendjes ngjarjet e Kosovës, apo padrejtësinë që i është bërë dhe po i bëhet popullsisë çame. Për më tepër, ajo analizon krimet në Kosovë, si nga ana e serbëve titistë ashtu edhe nga komunistët shqiptarë. Dhe për këtë, ajo ndalet tek e ashtuquajtura Masakra e Tivarit e 1 Prillit të vitit 1945, ku u vranë pa asnjë shkak rreth 4000 djem të Kosovës që u hodhën në një gropë. Dhe shqetësimi i saj është se këto krime nuk u dënuan asnjëherë. Vetë ajo u angazhua si drejtuese e Lidhjes Demokratike të Gruas në Vlorë, ku u shqua për gjithë sa bëri për emancipimin e femrës në kushtet e reja politiko - shoqërore. Ajo e ka quajtur gruan embrion i njerëzimit dhe jep plot raste sesi disa gra shqiptare janë bërë shembull qysh nga mbretërsha Teutë e cila udhëhoqi Luftën e Dytë Iliro - romake, deri te Shote Galica. Në të gjithë shtrirjen e intervistave të saj, Vivra nuk lë pa përmendur plagën e sotme të kurbetit, për të cilin shkruan: “Eh, kurbeti… / I rëndë si vreri! / I huaj në dhe mbeti. / Atje… atje larg, / në vetmi mallin e treti”. Në këtë libër, intervistuesi Gëzim Marku e pyet Vilhelmen edhe për krijimtarinë e saj të pasur letrare. Dhe këtu ka shumë për të thënë ajo, jo vetëm pse ka shkruar e botuar në shumë zhanre, por edhe se ka bindjen se “Arti që lë gjurmë buron katërcipërisht nga dhembja”. Duke e studiuar seriozisht krijimtarinë artistike të Vivrës, Prof. dr. Mujë Buçpapaj e ka përshkruar atë kështu: “Vilhelme Vrana është një penë e fuqishme dhe e veçantë e letërsisë shqipe. Ajo ka hedhur themelet e një profili të qartë autentik si prozatore moderne, duke shëruar shpirtrat e humbur njerëzorë dhe kombin e saj nëpërmjet personazheve, të cilët mbajnë mbi vete fatet e shoqërisë sonë dje dhe sot”. Po ashtu, shumë drejtë e përshkruan atë edhe zoti Fatmir Terziu që thotë se: “Kur shoqet e saj ngjisnin shkallët e politikës në Parlament, në Qeveri apo në institucione me ajër të kondicionuar, Vilhelmja zgjodhi rrugën e ëndrrës, krijimtarinë letrare. Dhe kjo i dha mundësi që duke punuar me ngulm deri në çastet e fundit, të gjejë vetveten e humbur, sikurse pohon vetë, në honet e pluhurosura të kohës. Shkrimtarja Vilhelme Vranari, pikërisht në këto hone të ferrit nga kaloi, në “Fundrrugëtimin” e saj, e qetësoi shpirtin me besimin se brezat do ta vazhdojnë rrugën e të bukurës që ajo më së fundi e gjeti, prandaj do të pushojë e qetë në varrezat publike, atje ku deshi vetë, pra: “Në këtë qytet, ku deti s`fle kurrë, këtu dua të prehem”. Por dua të besoj se brezat që do të vinë, do të jenë edhe ata që do të dinë ta nderojnë atë ashtu sikurse e meriton, duke i ngritur në një shesh të Vlorës tonë heroike, bustin e saj të bronztë.           

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page