top of page

Arben Iliazi: Parabola e Lidhjes së Shkrimtarëve

  • 7 hours ago
  • 2 min read

Zhbërja, në mënyrë paranojake, e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, duke e mbyllur në lëvozhga ezoterike, u duk sikur e “arkivoi” atë përfundimisht, duke ia humbur rrugën. Por, më në fund, me iniciativën e një grupi poetësh, shkrimtarësh dhe artistësh, më datë 19 Maj  në “Hotel Internacional Tirana”, do të mblidhet Kuvendi riorganizues i Lidhjes.

Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit populizmi dhe politikat mediokre i kanë nxjerrë jashtë loje shkrimtarët dhe artistët, duke e bërë të pamundur që ata të organizoheshin, të dilnin mbi partitë, dhe të vepronin së toku.

Fati i Lidhjes së Shkrimtarëve në këto 30 vjet të kujton parabolën e Uilliam Samerset Mom, të quajtur “Takim në Samara”, ku tregohet se si një njeri nga Bagdati takohet në treg me vdekjen dhe vendos t’i fshihet në Samara asaj. Por vdekja e gjen edhe atje.

Një Lidhje e reformuar dhe bashkëkohore do të ushtronte një ndikim të sinkronizuar mbi politikat aktuale ndaj krijuesve dhe librit, për të parandaluar marrëzitë dhe fobitë, që i shohin shkrimtarët si nihilistë, të satanizuar, destruktivë dhe “armiq” të sistemit.

Shkrimtarët janë përherë një qënie opozitare me pushtetin dhe me vetveten. Shkrimtari nuk i shërben sistemeve. Homeri nuk i shërbeu bazileusve akeas, por njerëzimit. Është absurde dhe turp të thuhet për shkrimtarin se i shërbeu “sistemit të kapitalizmit”, sepse shkrimtari është ideator dhe mbrojtës i humanizmit, i arsyes dhe emanacipimit njerëzor, kundër tjetërsimit ekzistencial dhe përtej sistemit të kohës së vet, duke bërë apel për vlerat e mirëfillta morale dhe njerëzore.

Për shkrimtarin e ardhjmja e Njeriut është vetëm Njeriu, ajo që Emanuel Kanti e quante “moralitet”.

Kur bisedoja këto ditë me mikun tim të hershëm të fakultetit, poetin dhe studiuesin e njohur dr.Mujë Buçpapaj, iniciatori kryesor i riorganizimit të Lidhjes, më foli me entusiazëm për projektin e riorganizimit. Në fillim m’u duk si utopi, por Muji nuk është euforik, nga ata të “qilimave fluturues”. I gjithë arti është një utopi e ndritur, nga më të mrekulleshmet, më tha. -Por funksionimi i Lidhjes është krejtësisht i domosdoshëm, si formula e ajrit, për ne shkrimtarët. Është  e drejta jonë morale për dinjitet, ku të gjithë shkrimtarët dhe artistët të ndihen të barabartë, me legjitimitet dhe të vlerësuar, në bazë të vlerave reale që mbartin, mbi bazën e një filtri të kritikës profesionale, pasi sot nuk ka shqiptar që nuk mendon se është shkrimtar.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page