top of page

Shpendi Topollaj: Rreth librit të Prof. Dr. Irakli Koçollarit “Operacione sekrete”

ree

SHQIPËRIA NË VORBULLËN E LUFTËS SË FTOHTË

 

„Spiunazhi është art i vështirë, vërtet i vështirë: nuk ka situatë në të cilën ky art nuk përdoret.“ (Sun Tzu)

 

   Koha e gjatë që ka kaluar qysh kurse u artikulua dhe nisi të vihet në zbatim termi “Lufta e Ftohtë”, ka bërë që për ne shqiptarët, kuptimi i saj të reduktohet dhe të ndalet te togfjalëshat “Gara e armatimeve”, “Mbushjet bërthamore” dhe “Lufta e Yjeve”. Thuajse u harrua ajo ndeshja e rreptë e organeve tona të sigurimit me planet dhe veprimtarinë e pareshtur agjenturore të shërbimeve të huaja të fshehta. Ndofta, këtu ka ndikuar edhe mospasja e një përshkrimi të hollësishëm dhe plotësisht e shkencërisht të dokumentuar, pasi kanë munguar hulumtimet nëpër arkivat e vendeve të tjera, të cilat ruajnë sekretin me ligje të posaçme, dhe që  kërkojnë një kohë të tejzgjatur për t`i njohur. Kështu, që jemi mjaftuar me kujtimet e ndonjë protagonisti të atyre ngjarjeve apo të ndonjë filmi të bërë për këtë qëllim. Shto pastaj, që të gjitha përpjekjet, mundi e sakrificat e bëra me aq durim e mençuri u çvleftësuan, kur Enver Hoxha me megallomani dhe keqdashje deklaroi se të gjitha grupet armiqësore i ka zbuluar Partia, dhe për pasojë ministrat përkatës u shkuan në plumb. Por ja ku, pas një pune të jashtëzakonshme studimore, profesor Irakli Koçollari vjen për ta mbushur këtë boshllëk me librin e tij dy volumësh “Operacione sekrete” (Shqipëria në Luftën e Ftohtë). Ky autor, pas një përvoje vetjake dhe shkruarjes së një sërë librash të kësaj natyre, ku dallojnë “Spiunazhi në shekuj” dhe “Policia sekrete e Ali Pashës”, libra që janë pritur me një interes të veçantë, por edhe me nivelin e kulturës dhe erudicionit të tij, pa folur për vullnetin titanik, ndoshta është pena më e saktë dhe më e besueshme për të trajtuar një tematikë të tillë e cila bëhet edhe delikate po të kemi parasysh kohën që jetojmë.


ree

Është e çuditshme po ta mendosh, përse u zgjodh pikërisht Shqipëria e vogël, e varfër dhe e shkatërruar, si për të nisur, në një farë kuptimi, Luftën e Dytë Botërore, atë 7 Prill të vitit 1939, edhe si objektivi kryesor dhe i pari për të nisur goditjen ndaj Bllokut të ashtuquajtur Komunist. Mbi vendin tonë aso kohe u kryqëzuan disa lloj interesash, ku perëndimorët, e kryesisht SHBA dhe Britania kishin si synim rrëzimin e qeverisë pro sovjetike dhe shkëputjen e Shqipërisë nga influenca e Stalinit, kurse fqinjët kërkonin të realizonin ëndrrat e vjetra shoveniste. Por për hir të së vërtetës, autori i librit, me fakte dhe pohime të pakundërshtueshme, na tregon se veçanërisht SHBA, asnjëherë nuk kanë mbështetur kërkesat e tyre për copëtimin e trojeve tona, duke dashur edhe stabilitetin e Ballkanit. Ashtu sikurse në kohën e Presidentit Vilson, ata, edhe në Planin e tyre “BGFIEND” dhe në të gjitha takimet agjenturore dhe diplomatike, kanë qenë të palëkundur përsa i takon ruajtjes së tërësisë tokësore të vendit tonë. Veç duhet vënë në dukje se CIA, nga ana e saj, nuk kishte njohjet e duhura për realitetet e pasluftës në Shqipëri dhe nuk dihet pse ajo nuk përfshiu në realizimin e synimeve të saj, ata oficerë që kishin qenë këtu gjatë luftës, gjë që e ata të Secret Inteligent Service britanik e bënë, sidomos për përgatitjen e emigracionit dhe ndjekjen e operacioneve të tyre sipas Planit “VALUABLE” nga ana e MI6. Mirëpo, në ato vite, Shqipëria kalonte edhe vështirësi të mëdha politike, pasi pas letrave të Informbyrosë, kishte ndodhur prishja me PKJ të Titos, të cilit vetë Enveri i lutej ta përfshinte Shqipërinë si republikë të shtatë. Irakliu qysh në fillim na jep një panoramë të qartë, jo vetëm përsa ngjet te ne, por edhe mes dy sistemeve, atij kapitalist dhe atij komunist. Ja si shkruan ai: “Kështu vazhdoi kjo “Luftë”…për dekada me radhë duke mbajtur familje, individë, popuj të tërë, të njohur apo anonimë, nën tensione, ankth, pritmëni, armiqësi, lot e dhimbje. Të gjithë ata mbetën larg njëri - tjetrit, madje në dy kampe, përballë një çarku të ngehur dhe kërcënues, ku një shkrepje e mundshme mund të vinte palët kundërshtare, Lindjen me Perëndimin, në një katrahurë apo kasaphanë të paimagjinueshme”. Dhe në funksion të këtij qëllimi, perëndimorët e at`hershëm, zgjodhën taktikën e goditjes në pikën më të dobët, pra, për ta bërë Shqipërinë nëpërmjet revoltave të brendshme dhe sulmit gjoja të përligjur, si ndihmë nga jashtë, shembullin për ta shpënë deri në fund atë që dëshironin. Dhe për këtë, u angazhuan edhe udhëheqësit kryesorë të këtyre shteteve, ashtu sikurse për vendin tonë u ngarkuan me këtë detyrë, mendjet më të sofistikuara, pra specialistët më të shquar, si fjala vjen Ciceroni (Borton Yost Berry), e Horaci (Robert G. Miner). Dhe patjetër që ata do të mbështeteshin te kontigjenti i të ikurve, kur vendi po çlirohej: anëtarë dhe krerët kryesorë të organizatave nacionaliste si Balli Kombëtar, Mbretërorët e Legaliteti, kundërshtare me forcat që drejtonte PKSH, tek ish pushtetarët e periudhës së okupacionit, te bashkëpunëtorët me okupatorin (kolaboracionistët), tek oficerët e rangjeve të larta të ushtrisë të vjetër e të arratisurit si kriminelë që kërkonin t`u shmangeshin ndëshkimeve të sistemit të ri, të pakënaqur nga Nacional - Çlirimtarja etj. Këta, mes mosdakordësirave, pikëpamjeve të ndryshme, doktrinave të kundërta, luftës për parësi, inateve të vjetra, sherreve të mbartura, dëshpërimit e deri meskiniteteve, u grumbulluan nëpër kampe të ndryshme, kryesisht në Itali, Maltë e Greqi fillimisht, e më pas në Jugosllavi, deri edhe në Gjermani, siç ishte rasti i Kompanisë “Albanian Labor Army Service 4000” (ishin 93 Qendra agjenturore), dhe nisën përgatitjet intensive nën drejtimin e instruktorëve të sprovuar. Ishin kryesisht disa grupime; “Lëvizja e Legalitetit”, “Balli Kombëtar”, “Blloku Kombëtar Indipendent”, “Partia Agrare”, “Lidhje e Prizrenit” dhe QEVA (Qindriqi Epitropi Vorioepiritikon Agona), që vështirë t`i vije në emërues të përbashkët. Pa tjetër që kishte mes tyre dhe idealistë dhe intelektualë të vërtetë.


ree

Të gjitha këto, Autori, Prof. Koçollari na i paraqet me saktësinë më të madhe, duke na dhënë edhe imtësira të karakterit doktrinar, psikologjik, kulturor, e deri konsideratat e të huajve rreth kësaj përçarjeje tipike shqiptare. Nuk ishte e lehtë të punoje me këtë ramasis (grumbull pa formë), por instruktorët me eksperiencë ia dolën që më së shumti, jo vetëm t`i stërvisin me sukses ata në ato drejtime që kërkon veprimtaria klandestine e spiunazhit, por edhe t`i bindin që t`i hynin rrezikut, me besimin se së shpejti objektivat do të arriheshin dhe do të mjaftonte shkëndija që do të ndiznin ata, dhe këtu flaka e revoltës do të kthente gjithçka përmbys. Mirëpo, duhet pranuar se rreziku që vinte prej tyre, qoftë edhe si rrjedhojë e mos njohjes së realitetit nga ata që i drejtonin, që më së shumti qe edhe një farë naiviteti, ishte jo i vogël për atë që Shqipëria e re po ndërtonte. Qeveria e komuniste, për hir të së vërtetës, gëzonte autoritetin e nevojshëm, besimin dhe përkrahjen e gjerë të popullit. Kështu, që kjo ia lehtësonte veprimtarinë kundërgoditëse sigurimit të shtetit, i cili në sekretin më të madh, angazhoi një grup oficerësh mjaft të kualifikuar, ku u përfshinë kuadro si Kadri Hazbiu, Pilo Shanto, Asim Aliko, Hekuran Pobrati, Mark Dodani, Fejzo Kasimati,  Gjon Banushi e Miti Teneqexhiu me shokë. Është folur gjatë, se përfundimi me sukses të plotë i aksionit të tyre, të infiltruar brenda Organizatës Fronti i Rezistencës, që çoi në asgjësimin, kapjen apo dorëzimin e dhjetra e dhjetra bandave, ka qenë rezultat i informacioneve të agjentit britanik që kaloi te shërbimi i fshehtë sovjetik, Kim Filbit. Por këtë legjendë, me fakte, pohime dhe dokumente të pakontestueshme, Irakli Koçollari e hedh poshtë, duke vërtetuar se e gjithë kjo histori është vepër e vetë shqiptarëve. Ai edhe kronologjikisht na bind se nuk kishte sesi të çonte në këtë sukses kundër shërbimeve të fshehta të disa vendeve armike, që thuajse përherë i kishin bashkërenduar veprimet diversioniste, që nga ato fletushkat propagandistike, emisionet radiofonike e deri te hedhja nga toka, ajri e deti i bandave diversioniste, një raport i vetëm i Kim Filbit i datës 23 shtator 1949. Madje, ai i referohet edhe vetë Filbit që te libri i tij “My silent war”, pra “Lufta ime e heshtur”, e pranon se nuk ka pasur mundësi të luajë ndonjë rol, as ai dhe as vetë shërbimi i fshehtë sovjetik, KGB - ja. Dhe më mirë se çdo argument, kjo kuptohet qartazi nga deklarimet në librat e shkruar të sa e sa zbuluesve amerikanë, britanikë etj. që ky autor citon. Dhe si për ta mbyllur këtë kapitull, në libër janë trajtuar me korrektesën dhe vërtetësinë më të madhe, dy operacionet, ku shërbimi ynë sekret shkëlqeu me plot kuptimin e fjalës, ai i quajturi “Buza e Bredhit” dhe “Liqeni i Vajkalit”. Nuk ishin pak, por plot gjashtëmbëdhjetë muaj, pra nga maji i vitit 1952 deri në dhjetor të vitit 1953, kur faqeza, sigurimi i shtetit i vuri në lojë shërbimet e fshehta të huaja, me anën e radiogrameve, ku u përfshinë diversantët e kapur dhe të vënë në shërbim, si Et`hem Çako, Zenel Shehu, Halil Branica, Tahir Preçi etj. radiolojë që me të drejtë u quajt “një betejë mes Davidit e Goliathit”. Ishte zgjuarsia, trimëria, sakrificat e panumërta të oficerëve shqiptarë që çuan në kapjen e kriminelëve të rrezikshëm si Hamit Matjani etj. i cili në gjyqin e datës 15 prill 1954 e vazhdim, te Kinemaja e Brigadave, do t`i rendiste me gojën e tij vrasjet e panumërta të të pafajshmëve, vetëm e vetëm për të ngjallur panik e pasiguri në popull. Humbjet janë pranuar nga vetë organizatorët e këtyre operacioneve që kishin shkelur haptazi ligjet e të drejtës ndërkombëtare. Kështu fjala vjen shefi i agjenturistëve amerikanë Ricardson do të pohonte se “Duhet pranuar se viktimat dhe zhgënjimet tona për këtë sezon operacionesh kanë qenë të konsiderueshme… Ne jemi përpjekur t`u kundërvihemi masave në rritje të ndërmarra nga forcat e Sigurimit shqiptar, përmes infiltrimeve të agjentëve të një kalibri të lartë dhe trajnimeve cilësore të agjentëve tanë… Por, ne duhet të pranojmë se çmimi i asaj që ne gatuajmë në Shqipëri, është shumë i lartë”. Nga ana tjetër, autori i këtij libri të rrallë, jep plot fakte, se kjo veprimtari nuk përfundoi këtu; as grekët, as italianët, as perëndimorët e sidomos jugosllavët me UDB - në e tyre, nuk i ndërprenë aktivitetet subversive kundër vendit tonë. Po ashtu, të gjithë kuadrot e caktuar për t`u marrë me aksionet kundër rendit në Shqipëri, pra me inicimin, (se këtu, siç e theksova më lart, kishte dhe politikanë shumë të lartë), me përgatitjen, planizimin, ndjekjen, furnizimin, grumbullimin e të dhënave të agjentëve që dërgoheshin në territorin shqiptar, në libër dalin me emrat e tyre. Prof. Irakliu na jep edhe statistikat e humbjeve në njerëz nga agjentët e ardhur ilegalisht, por nuk le pa përmendur edhe atë që një numër jo i vogël oficerësh shqiptarë të sigurimit dhanë jetën e tyre në këto ndeshje, pjesë e asaj klime që ndërkombëtarisht quhej “Lufta e Ftohtë”. Dua të theksoj se historianit - autor i këtij libri, ashtu sikurse edhe në të gjithë krijimtarinë e tij përveç kompetencës profesionale dhe dashurisë për atdheun e tij, nuk i mungon edhe talenti artistik, çka bën që e gjithë krijimatria e tij të përpihet nga lexuesit. Aq e vërtetë është kjo, sa duke lexuar kapitujt “Buza e Bredhit” dhe sidomos “Liqeni i Vajkalit”, mendoj se duhen botuar në një libër më vete, pasi do të ishin dëshmi kokëforta mbi zgjuarsinë tipike shqiptare, pavarësisht sesi vajti fati i pjesës më të madhe të atyre që burrërisht triumfuan mbi zbulimet e bashkuara të vendeve të huaja, kur vija e demarkacionit mes dy sistemeve ishte e cararuar në kulm edhe pse zhvillohej si një film pa zë. Ne e njohim edhe anën tjetër të sigurimit komunist të shtetit shqiptar, atë të egrën e të pamëshirshmen me popullin e vet, që na solli dëme të pallogaritshme, por qëllimi i shkruarjes së këtij libri nga ana e Prof. Koçollarit, ka qenë i drejtuar vetëm tek ajo çka derivoj nga furtuna që solli ajo reja e zezë që kaloi mbi Shqipëri, kur e gjithë bota ishte përfshirë në atë që ai e quan “luftë e çuditshme, e dyshimtë, si një makth tronditës, me të tjera imazhe dhe skena, me të tjerë aktorë e sinjale, krejt ndyshe nga ato luftra që kishte parë njerëzimi gjer atëherë!” Dhe më tej, autori vijon: “Ajo luftë do të ishte një lloj paqeje, në xhepat e së cilës fshihej lufta. Ajo ishte një luftë që ecte mes udhëve të paqes, pra një luftë pa zhurma lufte. Në fakt ajo ndihej si e tillë dhe ishte pranuar si e tillë nga të gjitha palët ndërluftuese, veçse pas emrit të frikshëm “luftë” ajo kishte marrë një cilësor nga mbrapa: “e ftohtë”.  

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page