top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: HYSEN DIZDARI, KOLEKSIONISTI QË VURI GJITHÇKA NË INTERES TË KOMBIT

ree


HYSEN DIZDARI është lindur në Tropojë në 28 korrik 1958. Pasi kreu arsimin tetëvjeçar, shkon në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, të cilën e përfundon në vitin 1978 dhe më pas vazhdon shkollën e lartë të Oficerëve në degën e Artilerisë Tokësore. Nga viti 1982, shërben në reartet e ushtrisë si komandues, por njëkohësisht, si shumë nga ata që kanë dalë nga bangat e shkollës “Skënderbej” që kanë shfaqur talente të mirëfillta në letërsi, arte dhe sporte, e ka pasur pasion të madh koleksionimin e Pullave të Postës, veçanërisht të atyre me përmbajtje atdhetare. Me kohë, ky pasion, krahas dashurisë për librin dhe kryesisht atë historik, jo vetëm e pajisi me kulturën e nevojshme, por dhe e ktheu në një studiues të thelluar dhe nga më seriozët, të rrugëtimit të pullave tona dhe të huaja. Me koleksionimin e shumtë dhe mjaft të çmuar të këtyre vlerave të rralla, me shkrimet e tij dhe sidomos me ekspozitat që çeli me shumë sukses brenda dhe jashtë Shqipërisë, si në Itali, Kinë, Gjermani, Angli, Brazil, Suedi etj. ku paraqiti veçanërisht figurat tona përfaqsuese si Gjergj Kastriotin apo shenjtoren Nënë Tereza, jo vetëm u bë i njohur ngado, por edhe është fitues i shumë çmimeve të rëndësishtme ndërkombëtare. Me një punë prej dekadash të tëra, ai i përmblodhi dijet dhe rezultatet e arritura në disa libra dhe albume si “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare, 1913 - 2023”, “Nënë Tereza në pullat shqiptare”, “Flora dhe fauna në pullat shqiptare”, “Arkeologjia në pullat shqiptare”, “Shpendët në pullat shqiptare” dhe në vitin 2023, ka botuar librin mjaft domethënës “Bibliografi - Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorëve shqiptarë (1480 - 2023), i cili përfshin plot autorë shqiptarë, qysh nga Dhimitër Frangu, dhe ku ai që e mbyll atë, pra i 507 - ti, për hir të rendit alfabetik, është shkrimtatri - historian i Durrësit tonë, i ndjeri Zeqo Moikom. Me këto libra, do të thoja pa mëdyshje, akademikë, Hyseni është paraqitur para lexuesve, shkrimtarëve, historianëve, arkeologëve e deri nxënësve dhe studentëve, në ekspozita dhe takime të ndryshme në disa qytete të vendit, siç po bën edhe sot në qytetin tonë Durrës. Kudo që ka qenë është nderuar dhe vlerësuar për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë dhe vazhdon të japë, kryesisht si një atdhetar i respektuar dhe i palëkundur, dhe kjo duhet theksuar sot, kur shfaqja dhe krenaria për gjithçka të mirë kemi trashëguar, qoftë dhe në rrafshin historik, duken si të tejkaluara, për të mos thënë, folklorike. Është një fjalë goje përgatitja e kësaj bibliografie, por shihni sesi shprehet vetë ai për gjithë sa i është dashur ta përpilojë atë: “ Gjatë punës për përgatitjen e kësaj bibliografie jam mbështetur në të gjithë skedarët elektronikë të bibliotekave shqiptare dhe të huaja dhe bibliografitë e librit shqip të botuara nga Biblioteka Kombëtar Tiranë, nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës në Prishtinë, Biblioteka Kombëtare e Maqedonisë së Veriut në Shkup, por dhe në hulumtime konkrete nëpër bibliotekat e universiteteve shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Kalabri etj.”


ree

Dhe pikërisht pse është një punë aspak e kollajtë, edhe në dy gjuhë, prof. Neritan Ceka për librin e Hysenit “Arkeologjia në pullat shqiptare” shkruan: “Publiku artdashës do t`i jetë mirënjohës z. Hysen Dizdari për këtë histori të bukur të arkeologjisë shqiptare të treguar përmes figurave të pullave të shtetit Shqiptar, që nga koha e kryeministrit legjendar Ismail Qemail, që gjente kohë për të vlerësuar monumentet në muajt e parë të Pavarësisë, e deri te koha e materializmit, ku interesi për trashëgiminë kulturore është preokupimi i fundit i qeveritarëve, pavarësisht nga ngjyrat politike e niveli intelektual”. Por Hyseni, ashtu sikurse e thotë në persisht mbiemri i tij, qëndron ende si komandant i rojeve të kështjellave skënderbejane, (edhe pse ky titull u shfuqizuar nga sulltani në vitin 1835), pasi vjen nga një familje e shquar për atdhedashuri. Do shtoja një kuriozitet. Rreth 20 vjet më parë, teksa pija një kafe me vëllanë e tij, avokatin Shefqet Dizdari, me ne ishte edhe një dirigjent, i cili sapo mësoi se ai përfaqësonte një biznesmen, i kërkoi si pa të keq, që të ndërmjetësonte për nja 200.000 dollarë, për një shfaqje që do të jepte orkestra e tij e improvizuar në Vatikan, me rastin e lumturimit të Madre Terezës. Nuk vonoi dhe shuma e kërkuar, iu dha menjëherë, falë dashamirësisë që tregoi i miri Shefqet Dizdari. Është e çuditshme, por vepra e Hysenit nuk ndalon këtu: ai ka shkruar e botuar librin me përmbajtje mjekësore “Vitaminat dhe mineralet në fruta dhe perime” si udhërrëfyes i domosdoshëm për çdo familje, që është pritur mjaft mirë. Ajo që dua të vë në dukje është fakti se të gjithë librat e tij Hyseni i ka botuar me shpenzimet e veta, gjë shumë domethënëse për të kuptuar deri në fund, anën e tij humane, pra si bir i denjë i familjes prej nga ka ardhur, por edhe si nder i shkollës së lavdishme “Skënderbej”.     

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page