top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: 28 NËNTORI DITA E SHENJTË

ree

28 NËNTORI DITA E SHENJTË E NGRITJES SË FLAMURIT TONË  KOMBËTAR NGA SKËNDERBEU

Me rastin e 582 vjetorit

   Nuk besoj se ka shqiptar që të mos ketë njohuritë e duhura për veprën e pavdekshme të heroit tonë legjendar Gjergj Kastrioti, Skënderbeut. Gati 25 vjet rezistencë dhe fitore ndaj fuqisë më të madhe të kohës, Perandorisë turke, jo vetëm që i dhanë lavdi historisë tonë kombëtare, por i bënë një shërbim të madh edhe vetë qytetërimit dhe krishterimit evropian, aq sa mendja më e fuqishme, Voltaire ta quante heroin më të madh të kohës. Por janë edhe disa ngjarje të tjera që e bëjnë Skënderbeun si figurën më të ndritur të të gjitha kohrave, si 28 Nëntori i vitit 1443 dhe 2 Marsi i vitit 1444, ku repsektivisht, ai ngriti flamurin tonë në Krujë dhe bashkoi princat shqiptarë në Kuvendin e Lezhës. Babai i tij, Gjon Kastrioti, i mbetur pa përkrahje, si nga jashtë, ashtu dhe nga brenda për shkak të përçarjes, u detyrua të bëjë një marrëveshje me turqit dhe në këtë kuadër, dërgoi te sulltan Mahmeti I - rë, katër djemtë e tij, Reposhin, Stanishin, Kostandinin dhe më të voglin, Gjergjin. Ishte viti 1413 dhe duke qenë peng në Adrianopojë, nën kujdesin e Selimesë dhe interesimin e vetë sulltanit, u rrit dhe u edukua heroi ynë i ardhshëm. Ai u kulturua nga mësues të shquar shqiptarë dhe turq, mësoi gjashtë gjuhë të huaja, mori njohuritë e nevojshme për historinë, gjeografinë, matematikën, oratorinë dhe sidomos për artin e luftimit. Vetë i kushtoi një rëndësi të veçantë kalitjes së tij fizike dhe u dallua në të gjitha demonstrimet dhe luftimet që zhvilloi qysh nga mosha 16 vjeçare në Azinë e Vogël. I mençur, i thjeshtë, i dashur dhe i drejtë, ai fitoi zemrat e të gjithë atyre që i qenë besuar për t`i komanduar. Qenë cilësitë e tij të rralla, ku spikaste trimëria, guximi dhe inisiativa, si dhe fitoret e një pas njëshme, arsyet përse sulltan Murati e mbiquajti Skënderbe. Kur Gjon Kastrioti vdiq më 1432, sulltani dërgoi në Krujë Sevali Pashën dhe jo një nga Kastriotët, sikurse kishte premtuar. Duke parë këtë, egërsinë dhe plaçkitjen që ky po u bënte shqiptarëve, pakënaqësinë që ata kishin ndaj pushtuesve, por edhe qëndrimin kriminal ndaj tre vëllezërve të tij, te Skënderbeu u zgjua shpirti i revoltës dhe atdhedashurisë, prandaj ai la ndeshjen me Janosh Huniadin dhe në krye të një grushti shqiptarësh, pasi ndaloi në Dibër, ku shpalli se tani e tutje kishte si qëllim të shpëtonte vendin e tij të lindjes, e mbajti vrapin në Krujë, ku ju paraqit Pashait turk me fermanin e sulltanit, shkruar nga myhyrdari Reis efendi, që qyteti t`i dorëzohej atij. Ishte 28 Nëntori i vitit 1443 kur ai, në moshën 37 vjeçare, ngriti për t`u valëvitur në përjetësi madhështor e plot dinjitet, flamurin tonë kombëtar, çka gëzoi e frymëzoi të madh e të vogël. Me atë Flamur në krye, “Mbreti i Epirit dhe Arbërisë” sikurse njihej dhe kishte zgjedhur të quhej, edhe ushtria shqiptare e komanduar prej tij, shkroi faqe të tëra lavdie, duke korrur fitore ndaj ushtrive prej 150 mijë ushtarësh të Muratit të II - të dhe asaj prej 200.000 ushtarësh të Mehmetit të II - të, pa folur për fitoret e Italisë, çka bënë që vetë Papa Piu II - të, ta priste me nderimet më të mëdha dhe mbarë bota, ta vlerësonte si një nga kapedanët më të mëdhenj të historisë, duke e quajtur heroin më të madh të kohës tonë. Për Skënderbeun janë shkruar pa fund libra, janë bërë piktura, janë gdhendur skulptura dhe u është dhënë emri shesheve të qyteteve të ndryshme këtu dhe nëpër botë. Ka gjithashtu edhe krijime muzikore kushtuar madhështisë së tij, ku ajo më e rëndësishmja është opera me tri akte “Scanderbeg” në italisht nga kompozitori virtuoz Antonio Lucio Vivaldi, me libret të Antonio Salvit e cila u dha si premierë në 22 qershor 1718 në Teatro della Pergola në Firenze. Por ai ka hyrë thellë në mendjet dhe zemrat tona, dhe vepra e tij e ngritjes së Flamurit kombëtar në Krujë, do të kujtohet në jetë të jetëve, qysh kurse atë ditë të shenjtë, e zgjodhi Plaku i Vlorës Ismail Qemali, për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912.  

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page