top of page

SHPELLA E PLATONIT


SHPELLA E PLATONIT


Tregim nga Kozma Gjergji



Miqësia me Peron, telekronistin, erdhi krejt natyrshëm. Kishim të njëjtat pëlqime estetike e shoqërore, dhe mbi të gjitha një pasion zjarri për letërsinë.

Shkëmbenim fshehur libra të ndaluar dhe shpreheshim pa çensurë. Dëshironim ethshëm të njihnim e shijonim vlerat e jashtëzakonshme të artit Perëndimor dhe ballafaqoheshim.

Peron e çmoja dhe simpatizoja, veç talentit e kulturës, edhe për shpirtin rebel, që asokohe totalitarizmi e godiste egërsisht sa herë të shfaqej. Krahas punës me profesionalizëm në TV, zuri vend të respektuar dhe në mjedisin letrar qysh me botimin e disa cikleve e të vëllimit poetik.

Poezitë e tij plot gufime e tallaze lirike, figuracion të vetëtimshëm e imazhe piktorike tejet të freskëta përpiheshin nga lexuesit e çdo shtrese. Të muzikuarat nga kompozitorët më në zë këndoheshin gjithandej. Kështu vetvetiu u bë ndër artistët më të preferuar, sidomos të rinisë.

Pushteti, që në dukje i përkrahte talentet origjinal, me kushtin që të krijonin veç për të, vigjilonte e merrte masa t'i mbante vazhdimisht nën kontroll e në fre. Dhe për këtë përdorte lloj-lloj forma, që nga joshja, paralajmërimi, qortimi, dënimi me punë të rëndë e gjer tek burgosja.

Pikërisht për t'ia ulur e zbehur famën në rritje Peros, doli papritur në shtyp artikulli rreth disa dukurive të huaja në krijimtarinë poetike të të rinjëve, në të cilin ai shënjestrohej enkas gjerësisht.

Ndër të tjera kritikohej fortë për koncepte të gabuara artistike e ideologjike që e patën çuar në pasqyrimin e deformuar të realitetit socialist, trajtimin e femrës thjeshtë në aspektin e bukurisë e të kënaqësive erotike, dhe jo si bashkëluftëtare me të drejta të barabarta me burrin në shoqëri.

M'u dukën si shkarkesa në kaltërsi të ndonjë rrufeje të rastësishme, pasi poeti qe i mirëvlerësuar me kohë dhe vijonte të ishte i dëshiruar. Megjithatë duke patur parasysh shëmbujt tragjik, u interesuam të dinim mos goditja vinte vërtetë nga hapësira olimpike e Zeusit.

Shqetësimi kaloi kur pamë se nuk iu kushtua vëmendje dhe u konsiderua një opinion vetjakë i artikullshkruesit. Mbase qe një paralajmërim e kujtesë për autorin e opinionin, që të mos ekzaltoheshin aq tepër, se kishte dhe zëra kundër.

Habitërisht, pas kritikave, Peros iu shtuan edhe më admiruesit. E tregonte rubrika: "Mendime të lexuesve", ku ai kryesonte ndër të pëlqyerit.

Ndërkohë, gjithfarë vargëzues blegëritës, cicëritës, pëllitës dhe të cylave, daulleve e borive revolucionare nisën fare paturpësisht t'i vidhnin vargje, strofa, figura, shprehje, ide, dhe e imitonin në mënyrë banale.

Nuk i rezistoi dot tundimit dhe një nga kolegët, i njohur për maninë dhe vesin e çvatjes të gjësë së tjetrit, ngjajshëm me fëmijën tmerrësisht ziliqarë që ia rrëmben kujtdo lodrën më të bukur për ta pasur veç ai.

Përgatiti tufën me vjersha dhe e paraqiti në konkursin e gazetës kryesore. Na surprizojë vlerësimi me çmimin e parë. Tek i lexonim të botuara, vërejtëm të çuditur që ishin tërësisht kopje e atyre të Peros, përjashto ndryshimin e ndonjë fjale. Për shëmbull, titulli i poezisë: "Kavakët" qe bërë: "Plepat", apo "Këngë për dashurinë" në "Vargje për lumturinë" e kështu dhe të tjerat.

Si mik i ngushtë që shtirej, erdhi me gazetën në dorë të ndante me ne gëzimin e suksesit dhe të merte urime e komplimente.

-Hë, - tha gjithë entuziazëm, -a i lexuat? Ç'mendoni?

Ç't'i thoshe! Meritonte një dajak! Telekronisti rrinte indiferent, mospërfillës. Shtrëngova dhëmbët e iu përgjigja.

-Janë ëmbëlsira që i kemi shijuar prej kohe.

-Si kështu?! Kanë fituar çmimin e parë!…

-E di, e di, por… Ka shkruar dhe Perua tekstualisht… Ekzistojnë dhe soziet… Sidoqoftë të tuat qëndrojn shumë më lartë…

Aktroi sikur nuk e kuptoi ironin. Midis buzëve, ku njëra i shikonte majtas e tjetra djathtas, i çeli një e qeshur mburravece që shpejt iu përhap e stampua në krejt fytyrën. Na ftoi në bar të festonim. Refuzuam.

Në fakt vjedhjet e plagjiaturat e krijimeve ne i merrnim për dashuri e vlerësime të larta përsa i dëshironin dhe t'i pronësonin. Autorët e tyre na përgjasoheshin me mushkonjat e fabulës, të cilat pasi pickonin luanët, krekoseshin e i stërkrenoshin tërë pyllit se kishin gjak luani e qenë luanë.

Mirë këto, po si t'i shpjegonim disa sajesa të poshtra për poetin në dy-tre letra anonime. Nga smira? Konkurrenca? Inferioriteti? Për t'i zënë vendin e punës?…

Teksa hamendësonim të gjenim shkakun e arsyen, na ndihmojë Telua, një demoniak, hipokrit e intrigant, i cili i përdorte mjeshtërisht letrat anonime për të goditur cilindo që nuk e pëlqente.

Së fundmi ai qe fiksuar të kurbanizonte një kuadër të rëndësishmë. Alarmoi gati të gjithë politbyroistët se gjoja vidhte pronën e përbashkët, merrte rushfete në këmbim të favoreve dhe zyrën e shtetit e pati kthyer në harem.

Ndryshe nga ç'veprohej me praktikën e verifikimit, erdhi shpejt urdhëri që letërshkruesi të zbulohej menjëherë dhe të arrestohej e dënohej rëndë.

Ashtu u veprua. Në gjyq, kur iu rrëzua çdo pretendim, gjyqtari i kërkojë të shpjegonte arsyet për shpifjet. Kishte pësuar ndonjë vuajtje a padrejtësi prej atij kuadri? Qe i shtyrë nga dikush? Përse i duhej të hakmerrej?… I pandehuri u përgjigj qetësisht.

-Me personin s'kam patur kurrë të bëj. Asnjë pësim dhe vuajtje prej tij si unë dhe familja e farefisi. Kërkush nuk më ka nxitur. Thjesht e urreja për bukurinë mashkullore dhe zotësin në punë. Më thernin sytë kur e shikoja të kapardisej në qytet dhe të na shiste dëngla me pamjen, kostumin e ri, syzet e shtrenjta, postin me servilët, dashnoret, ryshfetet… Dhe kështu në emër të vetes e gjithë meshkujve që ndiheshin të tallur e poshtëruar nga ai, vendosa të hakmerresha, por që fatkeqësisht më shkoi huq…

Ndërsa rikujtonim këtë, gjykonim se dhe prapa shpifjeve për poetin me siguri duhej të qëndronte ndonjë Telo.

Me thellimin e krizës shumëfishoheshin e rriteshin me shpejtësi dhe ligësitë, si ato gjallesat pa emër në ujërat e pista. Më i leverdishëm shikohej spiunimi. Një pjesë e kryente për pasion, kënaqësi, besnikëri, patriotizëm; të tjerë nga halli, për një rrogë më tepër apo për t'i shtuar vetes rëndësinë e privilegjet.

Diktaturës i interesonin dhe i nxiste për t'i mbajtur njerëzit vazhdimisht në survejim, kontroll, ankth. Për të justifikuar dështimet, mjerimin, izolimin, vetminë, ngrinte hera-herë në detin popullor stuhi terrori. Shkatërronte të piketuarit e stërpërdorur dhe si i shndërronte në mbeturina i flakte në breg.

Qe krijuar e atillë situate ku gjithkush ishte i kapur në kurthin e fajit dhe nëse duhej shpallej në çdo moment armik i rrezikshëm. Ky kodosh armiku, gjithmonë i kamufluar me maskën e ëngjëllit të dritës, depërtonte e vepronte vazhdimisht brenda secilit. Dhe si? Fillimisht kapte trurin, e hipnotizonte me teoritë çoroditëse borgjeze që ta shikonte gjithçka ashtu siç donte ai. Pastaj futej në zemër, të cilës i injektonte drogat e shthurjes, artit të shëmtive e veseve dhe muzikës së britmave e epshit shtazor. Më tej i vërsulej barkut dhe e ngopte me gënjeshtrat e bollëkut të përfituar nga vjedhja e shfrytëzimi mizor i popullit.

Leximet e librave të ndaluar na çuan tek Miti e Alegoria e Shpellës së kolosit të filozofisë Platonit. Qe një zbulim tronditës. Brenda saj njerëz të burgosur që në lindje me fytyrat nga muri, që t'u mësoheshin sytë me errësirën e rrënjosej bindja se drita ishte veç iluzion, që të mernin për të vërteta imazhet e hijeve të objekteve reflektuar nga ajo. Edhe vetë ata qenë kopje hijesh të mbyllur në Shpellë me iluzionet e tyre.

Hiqnim paralele me Kështjellën tonë Socialiste dhe ndiheshim ashtu. Njëlloj si të Shpellës edhe ne kishim lindur po aty, dhe i patëm gjetur gati simbolet dhe të vërtetat e përjetshme. Njëjtë, si në Shpellë dhe në Kështjellën tonë s'pranohej asnjë simbol dhe e vërtetë tjetër, veç atyre komuniste. Rrjedhimisht kishim dhe të njëjtat përjetime.

Si Shpella dhe Kështjella ishin korniza e përcaktuar, që nuk e lejonte individin të jetonte i lirë, të shfaqte personalitetin e dëshirat e brendshme. Që fëmijë brezat kopjonin gabimet e paraardhësve, i riciklonin e rizgjidhnin hajvanët t'i drejtonin.

Njësoj, si në Shpellë dhe në Kështjellë s'lejohej të dilte jashtë kërkush nga frika se duke parë dritën e zhvillimit (për ne Perëndimit) a do të rikthehej më në robërinë e mëparëshme? Prandaj iu kërkohehej bindje e verbër, e cila është armiku më i keq i së vërtetës, dhe që s'e lë mendjen të hapet e shikojë realisht.

Mirëpo në kundërshtim me të burgosurit, guxoi njëri e doli jashtë nga Shpella, dhe pa me sytë e tij qiellin, diellin, malet, fushat, lumenjtë, detet, pyjet e gjithë bukuritë. I mahnitur u kthye dhe i ftoi njerëzit e Shpellës të dilnin e shikonin vetë që ekzistonte një realitet tjetër i drejtuar nga Mençuria, ku jeta e vdekja kishin dinjitet e punohej për ta mbajtur larg urrejtjen dhe e shpëtuar botën nga shkatërrimi. Duhej të dilnin të shikonin e kuptonin me qëllimin që të lindnin për herë të dytë.

Të mbyllurit në Shpellë, ashtu si dhe ne në Kështjellë, e kundërshtuan, sepse ndiheshin të lumtur me iluzionet e tyre, dhe vendosmërisht do e ndëshkonin me inkuzicion cilindo që dilte nga aty.

Mesazhi i Platonit të madhërishëm ishte që njerëzit s'mund të rrinin të burgosur dhe jetonin me iluzione. Ka e do të ketë njerëz që duan të jetojnë në Shpella e Kështjella të errësirës, injorancës, dhunës, regresit dhe të ndihen të kënaqur, ashtu siç ka e do të ketë kurdoherë guximtarë, vizionarë, sfidonjës prometeanë. Na duhet vazhdimisht shumë përpjekje të çlirohemi prej tyre dhe t'i nxjerrim nga vetja jonë.

Një ferr emocional përjetuam atëhere nga veprat për absurdin. Mrekullira, si të qenë shkruar posaçërisht për ne. Ja, ndër to e famshmja: "Në pritje të Godosë" e Samuel Beketit. Tamam ashtu. Tërë jeta jonë ishte pritja e një Godoje, e një Shpëtimtari, e Mirëqenies, që nuk erdhi kurrë. Dhe shpresa budallaqe që besonte idiotësisht se do të vinte patjetër së shpejti. Pra, pakuptimësia dhe kënaqësia e të jetuarit në absurd.

Zgjati tepër koha e miratimit për botimin e librit me tregime e një novelë të Peros. Shtonin gjithnjë kërkesa të reja, vërejte, sugjerime, si për tematikën në favor të aktuales, korrigjimin dhe heqjen e disa përshkrimeve e skenave erotike të papranueshme. Fjala vjen, s'mund të botohej kursesi novela nëse personazhes kryesore autori nuk ia mbërthente të gjitha pullet e këmishës që linin të dukej tërë gjoksi, si dhe t'i qepte të çarën e fundit që ia zbulonte asaj krejt shalën. Nuk mund të justifikohej kjo se vajza qe borgjeze e pasur dhe si e degjeneruar nuk e kish për gjë të pozonte ashtu për të futur në ngasje nëpunësin osman.

Të afërm e të njohur, duke e mësuar këtë kërkesë të çensurës, kur donin të dinin për librin e pyesnin qëllimisht shkrimtarin kësisoj: "Hë, a ia mbërtheve lartë e qepe poshtë asaj? "

Me plotësimin e gjithçka kërkohej më në fund libri u miratua e kaloi në shtyp. Për dreq prapë s'deshi fati. Një nga gjerarkët partiak kishte zbuluar gabime të rënda, e për rrjedhojë krejt tirazhi u kthye në karton. Peros iu ndalua botimi i krijimtarisë në një afat të pacaktuar. Fatmirësisht u mjaftuan me këtë dhe një autokritikë të thellë të tij, e më kryesorja nuk e larguan nga puna.

Më vinte keq për të e dëshiroja të bëja diçka për t'ia lehtësuar gjendjen e rënduar. E ftova tek njerëzit e mi në fshat ku kaluam bukur. Po më tej? Mrekullisht si ta kishte dërguar vetë Hyjnia, atij iu afrua një vajzë mjaft simpatike dhe e zgjuar. Quhej Liliana e punonte aktore në teatrin e qytetit. E përpin njëri-tjetrin dhe i mbushën ditët e netët me magjinë e dashurisë. Thuhej se për shkak të bukurisë dhe inteligjencës asaj s'i kishte prir fati. Dy ish të dashurit patën përfunduar në burg.

Lidhja e Peros me të s'di pse më sillte në mend Lili Brikun e Majakovskit. Çuditërisht për koiçidencë kishin të njëjtin emër, profesion dhe qenë të bukura e të zgjuara, veçse Briku kryente dhe informatoren. Mos po përsëritej e njëjta mënyrë si e Sigurimit sovjetikë për të kontrolluar çdo artist, e nëse nevojitej edhe eleminimi?

Ngurroja t'ia shprehja dyshimin tim, sepse mund të fyehej e trishtohej keqas. Mjerisht do të mësoja vite më vonë që dhe Liliana, ashtu si Lili Brik bënte informatoren duke luajtur dashnoren.

Me avancimin e krizës shtohej presioni dhe mbi ne gazetarët për ta zbukuruar realitetin me sa më tepër suksese, sidomos në ekonomi. Brengoseshim se si mund të ktheheshim në gënjeshtar, sharlatan, gaztor?!

Perua për ta shmangur e përqëndroi kamerën në kulturë. Ndoqi nga afër dhe pasqyroi gjerësisht gërmimet arkeologjike në qytetin antik, që sollën zbulimin e një mozaiku të rrallë dhe qeramike tejet të pasur.

Ndërkohë kolegu i rrethit fqinj përcillte gati çdo mbrëmje në revistën televizive kronika të arritjeve në ekonomi. Me mbështetjen e shefit të informacionit të TV-së, të cilin e kishte korruptuar, shpërfaqte përvojën e përparuar të sa e sa brigadave, sektorëve e individëve të dalluar, duke i maskuar djallëzisht mosrealizimet në shkallë ndërmarrje e kooperativave.

Kjo i xhelozoi pa masë partiakët e pushtetarët e lartë dhe i zemëroi jashtzakonisht me Peron, paaftësinë e të cilit e shihnin si kërcënim për postet e tyre. Më i paduruar u tregua sekretari i parë. E thirri menjëherë ta qortonte e i komunikonte shkarkimin.

-Ç'je duke katranosur ashtu more punëzi?! Mbete duke dhënë ato poçet e mykura të para dy-tre mijë vjetëve dhe hiçgjë nga punët heroike të klasës punëtore e fshatarësisë kooperativiste…

Perua duke menduar që e vërteta ishte në anën e tij ia ktheu kurajoz.

-Janë me mosrealizime shoku Unitet…

-Ç'mosrealizime o tu mbyllt! Pse s'vepron dhe ti si kolegu fqinj? Kemi kaq e kaq shëmbuj frymëzues, po s'ke sy t'i shikosh. Fli, fli… Si nuk paske dëgjuar fare o lumëmadh për dosat e fermës tonë, dosa heroina, që me pjelljet deri katërmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë gica, e kanë vënë plotësisht në jetë parrullën e partisë: "Derri çan bllokadën." Një përvojë shkencore me supervlera. Duhej t'i paraprije e bëje të njohur. T'i ngrije në këmbë të gjithë dhe këtu të vinin nga tërë Shqipëria për të mësuar…

Nuk je për këtë punë ti jo, prandaj do të të dërgojmë një djalë revolucionarë që ta përgatitësh të zëvëndësojë. Ta kemi gjetur dhe vendin në muze. Merru atje sa të duash me poçet e mumjet, se për to të qan zemra…

Ndëshkimi i papritur për ta larguar nga puna, libri i kthyer në karton, ndalimi i botimit të krijimtarisë letrare, ishin goditje në të dy krahët. Gjendej në pozitën e atij demit të xhunglës që s'di nga t'ia mbaj për të shmangur rreziqet. Të futet në ujë e presin krokodilët, të vijojë në tokë luanët i qëndrojn gati.

Përpiqej të mos jepej. Frekuentonte mbledhjet e takimet e ndryshme dhe diskutonte gjallërisht e jepte mendime të vlefshme. Ndryshe nga më parë, iu kundërvunë: Rri ti, rri!… Dëgjo ti, dëgjo!… Hesht ti, hesht!… Në vazhdim kur qëndroi si i thanë, i tundën gishtin kërcënueshëm: Përse hesht ti?... Përse ti rri indiferentë?… Ty s'të pëlqejnë?…

Nisi të mbyllej në vetvete dhe zhytej në depresion. Nuk bënin efekt gotat që rrëkëllenim dhe fjalët optimiste se çdo gjë kalonte e viti tjetër do ishte më i mirë…

Në një nga pasditet tronditshëm u përhap lajmi i zi që kishte ndërruar jetë nën rrotat e një kamioni teksa kthehej me motoçikletën. Ekspertiza dhe personi që udhëtonte bashkë me të, e jetoi edhe nënt ditë pohuan se kishte qenë vetëvrasje

Njerëz të shumtë erdhën ta nderonin. Në pritje të orës së përcjelljes tërhoqi vëmendje ardhja e një mesoburri. Me fytyrën e dëshpëruar ngushëlloi familiarët duke iu dorëzuar dhe një sasi lekësh. Zuri vend në karrige, ndezi cigaren, e thithi tymin thellë dhe pas një heshtje befas shpërtheu në ngashërime e lotë. Gjestet, lotët e psherëtimat e tij kishin diçka të veçant që i preku të gjithë. Ai në krah i ndërhyri dhëmbshurisht.

-Përmbahu or mik! Bëhu i fortë! Janë gjëra që ndodhin! Ç'ke të bësh me të ndjerin? Çfarë e ke?…

Mesoburri e mblodhi veten dhe duke fshirë lotët me pëllëmbën iu përgjigj.

-Unë jam kamionisti. S'kam asnjë njohje me të, por ma ka coptuar zemrën për humbjen e jetës ashtu dhe me pengun e madh që s'munda dot të bëja asgjë…

2 comentarios


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
31 ago 2023

I dashur Kozma,

Ja kjo është magjia e artit, e fjalës artistike: me një tregim të shkurtër, por me domethënie të thellë, ju i keni bërë “rezonancën magnetike” thelbit të sistemit të përbindshëm komunist - vrasësit të individit të talentuar dhe me dinjitet të lartë përsonal.

Urime nga zemra.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 31 gusht 2023

Me gusta
Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
01 sept 2023
Contestando a

Ndihem i nderuar e i përkëdhelur me këto vlerësime që më vijnë nga një personalitet i sërës së lartë të fushës së dijes dhe krijimtarisë si Profesor Doktor Eshref Ymeri. E quaj fat kalimin e krijimeve nëpër filtra të përsosur, pasi siç dihet, vetë krijuesi herë në dilemën e ankthit e herë të narcistit, nuk është gjithnjë realist. Në këtë drejtim Profesor Eshrefi mbetet një kontribues tejet i çmuar me analizat, studimet, shënimet kritike e komentet e shumta, të cilat i ka përmbledhur e publikuar në veprën voluminoze: "Shtigjeve të fjalës artistike".

Me këtë rast unë dhe Natasha i urojmë Profesor Eshrefit dhe të shtrenjtës së tij, Zonjës Hava shëndet e jetë të gjatë me plotë gëzime! Na pë…

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page