top of page

SHKRIMTARI MAGJIK


SHPENDI TOPOLLAJ


MARKESI, SHKRIMTARI MAGJIK AQ I DASHUR PËR NJERËZINË


Pas zbulimit nga Alonso de Ojeda dhe Amerigo Vespuçi në vitin 1499 dhe pushtimit nga spanjollët nga vitet 1536 deri në 1538, historia e Kolumbisë ka qenë e ngarkuar me luftra, të cilat dëmtuan jo vetëm popullsinë autoktone, por edhe evropianët e ardhur, të cilët shpesh u përfshinë edhe në përleshje mes tyre, deri te ajo që mori emrim Lufta Civile. Dhe kur pas Luftës së Dytë Botërore, dhe më saktë, në vitet 1948 - 1952, “La violenca” mori jetën e 280.000 njerëzve, djali Gabriel Garsia Markez, i lindur Arakataka, në 6 mars 1928, qysh i vogël kishte dëgjuar për mizoritë që kishte shkaktuar dhuna. Ndaj dhe kur ai u bë shkrimtar, e gjithë vepra e tij, që është nga më të mirat që është shkruar në shekullin e XX - të, nuk kish sesi të mos e pasqyronte në gjithë gjerësinë e thellësinë e saj këtë dhunë dhe vetminë që rridhte prej saj. Si kudo, edhe në familjen e babait të tij Gabriel Eligio Garcia (nëna quhej Luisa Santiaga Iguaran), u ndie fort kriza që shkaktoi falimentimi i shoqërisë së bananeve, gjë që e detyroi atë, të merrte grua e fëmijë dhe të vendosej në Riohacha ku jetonin prindët e tij. Këtu e kaloi fëmijërinë Gabrieli, që gjithë sy e veshë dëgjonte ato që i tregonte gjyshja e tij Tranquilina Iguaran. Edhe gjyshi Nicolas herë pas here i rrëfente “Gabos” histori të ndryshme, deri edhe me varre masive. Por gjyshi që ai e deshi shumë e la kur ai ishte dymbëdhjetë vjeç, dhe nipi e vuajti shumë shpirtërisht vdekjen e tij. Në këtë kohë atë e çojnë në shkollën San Hose të Barrankijas. Gjimnazin e përfundoi në Zipaquira dhe më pas në Bogota për të vazhduar Universitetin në Degën e Drejtësisë. Ka shpjeguar se dëshira e tij ishte që të merrej me muzikë, por teksa e diskutonte këtë temën se ç`do të bëhesh, i qe përgjigjur së ëmës: “Thonë se nëse i përkushtohesh me gjithë shpirt, mund të bëhesh një shkrimtar i mirë”. Por më shumë sesa librat e shkollës, atë e tërhiqte letërsia, ndaj lexon me etje shumë nga veprat e shkrimtarëve të shquar. Gjithashtu fillon të shkruaj edhe vetë. I la mbresa të thella treditëshi i dhunës, ku u vra udhëheqësi liberal, dhe i bastisën edhe atij dhomën ku banonte, ndaj e gjeti të udhës të shkonte në Kartagjenë, ku hyri si gazetar e redaktor i gazetës “El Universal”. Pas nja një viti shkon sërish në Barrankija dhe këtu përfshihet në një grup me disa të rinj që ishin dashamirës të letërsisë dhe pas pak boton tregimin e parë. Duke marrë zemër nga kjo, shkruan “Izabela sheh shiun në Makondo” dhe i hyn dhe e mbaron romanin “Gjethurinat” (1955), por që çuditërisht, kur e dërgoi si dorëshkrim në Argjentinë, jo vetëm nuk ja miratuan, por dhe e këshilluan që të mos humbte kohë me këto gjëra. Por ai vazhdon, dhe me tregimin “”Dita pas të shtunës”, po në vitin 1955 fiton çmimin e parë. Si gazetar u bë i dëgjuar, dhe shkrimet e tij u botuan në një libër. Fitoi lexues të shumtë, pasi në ato shkrime merrej me problemet e mprehta të kohësdhe kryesisht me drogën dhe të këqiat që vinë prej saj. Drejtori i gazetës “El Espectador”, duke dashur të mos bënte kundërshtarë e pushoi nga puna dhe nga që e ja dinte vlerat e dërgon në Zvicër, si korrespondent. Gjen rastin të vizitojë qytete e shtete dhe pasi shkoi dhe në SH.B.A. vendoset në Venezuelë. Martohet me Mercedes Barca, me të cilën pati dy djem; Rodrigon dhe Gonzalon. Prap si gazetar shkon në New York, por këtu klima nuk ishte në favor të tij, pasi e përndiqte shërbimi i fshehtë, i cili aso kohe qe i mbushur me dyshime, sidomos për arsye të zhvillimeve të politikës ndërkombëtare. Ishte koha e Luftës së Ftohtë. Del në dritë novela aq e njohur “Kolonelit nuk ka kush t`i shkruaj” (1958), “Një histori me paskuinë” dhe “Varrimi i Nënë Madhes”. Në vitin 1967 shkruan romanin “Njëqind vjet vetmi” që e kanë vlerësuar si majën e realizmit magjik, që gjeti përhapje, kryesisht në vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore. Më pas boton dy romane ku trajton temën e vuajtjes nga vetmia, e cila është e pashmangshme kur jetën e ka ndjekur dhuna, ku dallon “Vjeshta e patriarkut” (1974). Pas vitit 1975, jeton sa në Meksikë e sa në Kartagjenë, Havanë e Paris, ku tani ka fituar një popullaritet të madh, dhe nxjerr “Kronikë e një vdekje të paralajmëruar”. Në vitin 1982 i akordohet çmimi “Nobel”. Ishte një vlerësim më se i merituar. Pasojnë krijimet letrare që priten ngado me kënaqësi si “Erendira”, “Dashuri në kohrat e kolerës”, “Historia e Miguel Litinit”, “Gjenerali në labirintin e tij”, “Për dashurinë dhe demonë të tjerë”, “Historia e një rrëmbimi”. Në vitin 2002 del libri “Të jetosh për të treguar” dhe romani: “Kurva të trishta”. Vitet iknin, por ai kishte mendimin se “Mosha nuk është ajo që ke, por ajo që ndjen”. Në shumicën e veprave të Markesit, ajo që vihet re më shumë është vendi Makondo dhe fenomeni vetmi. Ai vetë është shprehur se “Asnjë vend në jetë, nuk është më i trishtuar se një shtrat i zbrazët”. Dhe ai, këtë zbrazësi e sheh përtej shtratit. Atë na e jep te shiu që bije si litar dhe të kall trishtim, që të huton e të mpin. Është trishtimi i vemtisë që e ndjek njeriun si një mallkim dhe që vështirë të kalojë. Nuk e gjen tjetërkund këtë, sesa te personazhi i Kolonelit që i janë harruar meritat e luftës, dhe askush nuk kujtohet që t`i japë atij të paktën pensionin që i takon prej njëzet vjetësh. Edhe kur kujtohen t`ia japin, atij përsësi nuk i ndahen fatkeqsitë; djalin, duke vendosur një trakt kundër qeverisë, e qëllojnë dhe e vrasin. Kështu që kolonelit nuk i duhet më pensioni i vonuar, se tani pikëllimi nuk e lë të kapërcejë vetminë munduese. Dhe sipas autorit, e gjithë kjo, pasojë e dhunës që vetë ai kishte ushtruar dikur në ato luftra ku kishte treguar trimëritë e tij. Kjo është e thjeshtë në dukje, por sa art gjen në të nga një dorë mjeshtri të paarritshëm. Në qytetin provincial Makondo, janë vendosur edhe ngjarjet e “Njëqind vjet vetmi”, vepra më e bujshme e këtij shkrimtari. E pranojnë të gjithë se është romani më i mirë i tij dhe më përgjithsuesi. Saga e familjes Buendia mbetet universale. Edhe këtu e keqja e brezave të kësaj familje vjen po nga dhuna. Duke zgjedhur humbjen e kujtesës si figurë letrare, autori na shpjegon sesi ata humbasin identitetin. Por ai nuk e ka fjalën vetëm tek ajo që u ndodh Buendiave. Ai don të thotë se nga çfarëdo lloj dhune, e pëson mbarë njerëzimi e mbarë qytetërimi. Por ka dhe një detaj që autori nuk e ka lënë pa e vënë në dukje; figurës së Aurelinos që lë zanatin dhe shkon në luftë, prej nga mburret me dhunën që ka ushtruar, ai i kundërvë nënën dinjitoze, Ursulën e cila mbetet gjithmonë a gatshme të shpëtojë diçka nga vlerat e kësaj familjeje. Markezi edhe këtë raportin e dhunës me vetminë e çon më tej; ai lë të kuptohet, sesa e rrezikshme është dhuna e diktatorit ndaj popullit të tij, pra dhuna që ngrihet në sistem. Dhe kjo na jepet mjaft e gjallë te “Vjeshta e patriarkut”, ku ai pasi është matufepsur pa lëshuar pushtetin, vdes, dhe kur i shkojnë të afërmit që nuk i vinin më parë, habiten sesi jetonte. Kjo duket si pa kuptim për lexuesin, por pikërisht këtu qëndron sekreti i gjithë pranisë së tyre. Ata nuk u besojnë syve nga ajo çka shohin. Ai i forti, nga i cili dridheshin të gjithë, aqsa dyshonin se mos kishte vdekur sozia i tij, jetonte si mos më keq. Po ja që i tillë ishte ai; i gëzohej frikës që të tjerë kishin nga ai dhe asqë donte t`ja dinte për të tjerat. Dhuna ishte lumturia e tij e vetme, për të tjerat, ai asqë merakosej. Se edhe po të donte, sipas shkrimtarit, nuk mundte. Nuk mundte, pasi tek i dhunshmi nuk gjen asgjë njerëzore, asgjë që ka lidhje me kulturën. Në vendin tonë janë përkthyer veprat kryesore të G.G. Markesit. Dhe ata janë bërë nga përkthyesit më të mirë, mes tyre dhe simpatikja dhe e zgjuara Mira Meksi, e cila e ka takuar vetë shkrimtarin gjenial dhe na e ka dhënë atë, plot gjenialitet edhe në thjeshtësinë e tij si njeri. Po të marrim vetëm librin e botuar para tridhjetë vjetësh, “Dashuri në kohën e kolerës” do shohim sesa njerëzor dhe sa i mbushur me ndjenja është ai. Kushdo e kujton Formina Dasën dhe bashkë me të, admiruesin e saj, sesi u iku ajo kohë pa kthim, dhe sesi edhe në moshë të thyer, zemra u ka mbetur e paprekur. Të vjen keq kur mendon se ky gjigant i letrave ndërroi jetë në 17 prill 2014, duke lënë atë letrën - testament ku thosh: “Nëse Zoti do më jepte një copëz jetë, do vishesha thjeshtë, do shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar jo vetëm trupin, por edhe shpirtin tim”. Jo, ishte i vetmi gabim i tij, se shpirtin e tij të bukur, ne ja kemi parë në faqet e atyre librave që të shkruar sipas parimeve të realizmit magjik, dhe që ishin edhe vetë magjike. Dhe vazhdon: “Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë, nëse do mundesha, do shkruaja urrejtjen time mbi akull, dhe do prisja të dilte dielli. Nuk do të lejoja të kalonte as edhe një ditë pa i thënë njerëzve që i dashuroja. Do të bëja çdo burrë dhe grua të besojnë se janë njerëzit që dua dhe do të dashurohesha me dashurinë”. Edhe këtu e kishte gabim, se ne e dimë sesa na ka dashur ai, aq sa edhe ne e kemi dashur dhe do ta duam përjetë atë.

44 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page