Shkrimi elitar i Gjinit
Prof Dr Fatmir Terziu
Mes pikave të shiut
Errësira nuk këmbëngul të çapitet, as të vendoset shpejt pas perëndimit të diellit. Shkon tutje në bregun e saj të mëkatit të turbulluar, sikurse ndodh në një ditë me shi e me re të dendura, në rrugëtimin drejt e në kthim nga Hygh Whycombe. E tillë është errësira. E lexueshme ndoshta në ngjyresën e saj me kapakët e rrëfimeve nga ferri të Miho Gjinit, “Mjeshtër i Madh”, ku “Arratisja e Kujtesës” shkon shkitazi në mbi njëqind e pesëdhjetë faqet e saj brenda një bote tjetër.
Në leximin mendjengulës, teksa pjesa metalike e vendosur mbi goma të ndjeshme, shket në asfaltin e lagur, e dritat bëjnë tutjerendjen e errësirës, kjo mëdyshje botërash e bën botën brenda këtij libri ndryshe, … ndryshe nga sa e ndjen edhe nën shiun tipik anglez, i cili mes leximit të kaftis dhe të bëhet një rrebesh më i ftohtë, por që mbetet i dromcët, me qëllim që shpirtrat e lodhur të pushojnë.
Dhe sikurse ndodh e kthen nga fillimi në fund, para se sytë të bëhen palë me moslargimin e leximit. Aty ndjen pjesë të trazuara e të ngulitura bukur mes shkrimit, ku natyrshëm ndodh rallë të lexohet, veçse kur has me emrin e Visar Zhitit. Dhe pastaj…, pastaj sytë ngulen dhe pasojnë shkrimin si në një transportier elegant në memorje.
Emrat pos pikave … piklat simbolike të memorjes
Në këtë hapje-mbyllje të menjëhershme, sigurisht kureshtare, dhimbëse në qasjen kronologjike, me simetrinë dhe dalldisjen e kohërave, duket sikur errësira shtyn me forcë në përfundimin e një cikli tjetër, ku përkushtimi shkon për shokë bashkëvuajtjesh: Halil Laze, shkrimtar, Viktor Stratobërdha, kinoregjisor, Teki Biçoku, akademik, Eqerem Biba, përkthyes, Edision Gjergo, piktor, Enver Likmetaj, aktor, Kasem Trbeshina, shkrimtar, Mihallaq Luarasi, regjisor, Minush Jero, Dramaturg, Maks Velo, poet, shkrimtar, Frederik Rreshpja, poet, shkrimtar, Visar Zhiti, poet, Zyhdi Morava, shkrimtar, Milto Vako, dirigjent, Mehdi Prodani, muzikant, Zef Lekaj, kompozitor, Dhimitër Furzhi, aktor, e dhjetra, qindramijëra të tjerëve që përjetuan tragjikisht rrathët e ferrit nën diktaturë.
Por sot, në një truall tjetër, është vetëm leximi dhe ngutja dromcake e shiut që bashkohet në risi-sinfoninë e errësirës, që pret një natë, që sipas gjasave të mot-treguesve, gjoja të mbuluar në yje, të cilët lahen në galaktikë me madhështinë dhe dritën e tyre, që nuk lexohet shkitazi dhe duket se ato nuk ndodhen, e nuk janë askund brenda faqeve të rrëfimeve nga ferri.
Mbi të gjitha, përveç rrëmujës që dashur e pa dashur shkon në cifla të ujëta mbi xhama, ajo që bashkon në lexim e në udhë të tillë, ulërin erën në trishtim, duke zbuluar mes letërkëmbimit me Bekim Fehmiun, një dimër të fortë, të trishtuar, që ngjashmërinë e ka me shirrat e trishtuar, por jo me tetorin anglez të kësaj vjeshte, 2019-të.
Fjala e fillesës në lexim dhe zhurma e ngasjes shirrranake, e të zhurmshme në këtë ndryshim, forcon bindjen se autori duke mos dashur të humbasë shkëlqimin e fjalëve të parathënies dhe shkëlqimin e atyre që i sjell me intuitë, i ka qëmtuar në formën më të mirë të mundshme për të formësuar pasionin dhe energjinë, me një shkrim tejet të qartë, gjuhë të bukur, rrjedhë të ndjeshme leximi, arsye që lidhen me vetë arsyet: “I dashur Bekim! Më lejo të të thërras kaq thjesht e të të quaj “i dashur”. E ndjej veten të vetmuar, të harruar nga bota, por kur përmend emrin tënd sikur bëhem më i fortë e sikur gjendem më pranë dashurisë njerëzore.”
E shkuara e dromcuar
Një stilolaps i lodhur duke regjistruar këto ngjarje “rrëmbehet” me rendin e tij, dhe errësira shkon “e zhytur afro dy metra nën tokë” ku autori i këtij libri thotë “shoh fare pak qiell, edhe atë të copëtuar nga hekurat e dritares së qelisë, e cila ndodhet shumë pranë tavanit”. E kështu autori i e di më së miri, se fjalët janë kryefjala e rrëfimit nga ferri, janë magneti që tërheq tek leximi në pasnajën e errësirës, sepse, hedhja e fjalëve të mangëta në letër që prishet nuk do të bënte drejtësi, kujtimet e hidhura, edhe pse të tilla, e bëjnë të pavdekshme vetë arsyen nën këto faqe, nuk humben në asnjë mënyrë, edhe pas nisjes së tyre në aradhën e madhe të shkrimeve, sepse Gjini, me forcën e tij të brendshme e të ndjeshme është duke shpresuar të ndezë një dritë për ata që kërkojnë t’i lexojnë ato.
Është i bindur se deri në fund të këtij leximi, fillon një cikël krejt i ri, dhe agimi sjell dritën, për këtë arsye në fakt e bën të pavlefshme humnerën. Humnera, si një palë me errësirën nuk bën formë tjetër, përveç asaj që tërheq leximin tek “Njeriu që qante për mëzin”, as tek “Kufoma”, as tek “Kaçamaku dhe komplotisti”.
Nga thirrja e emrit tek ndjesia, dhimbja dhe tortura
Në tërësinë e këtyre faqeve autori, Miho Gjini, nuk bën të thotë se është një zhurmë për librat e mi të çmuar, as dhe një perde për të mbrojtur lëkurën time të dobët nga bota e tillë e pistë, por një arsye e fortë për të na afruar diskursin e mirëkuptimit tek arti i shkrimit, ku ndjejmë të na parathotë se më dhemb të shoh dritën e ditës, të marr frymë me ajër të pastër të jetës, kështu që qëndroj “brenda” memorjes të shkruaj edhe të lexoj pa fund.
Dhe ne si lexues të përhumbur tek “Një natë e ndyrë”, kuptojmë kështu që mendja e autorit mund të vishet në një sferë të dijes dhe mund të mbijetojë brenda një fantazie, “kur nga autoporlanti i burgut, që lëshonte herë pas here një zë si të çjerrë, dhe duhej edhe ca kohë për t’u kthjelluar deri sa i burgosri të mësonte se kujt i thërritej emri…”, natyrisht një flakë e ngrirë fluturon qetësisht brenda gjoksit të tij, në pritje të ardhjes së natës më në fund.
Kështu që thirrja e emrit dhe ndjesia, dhimbja dhe tortura do të mund të endeshin nën hënën e ndritshme, duke mos pasur frikë nga ndonjë dhimbje, në këtë rrugë të vetmuar, që pasohej me faturën e humbjes, nga dëmi në jetën dhe lirinë e njeriut. Dëëmi?
Memorja e pikturuar në çelikun e qelisë së autorit
Dëmi është pikturuar në çelikun e qelisë së autorit, dhe përgjithmonë do të mbetej një kujtesë e asaj nate fatale, një qiell pa aromë qielli, errësirë e përsosur, ku ajo mbetej në sypamje ishte vetëm “Goja e shqyer e Spaçit”. Aty në këtë gojë, Miho Gjini forconte memorjen, se ai e dinte dhe endjente të paktën, historia e regjistruar, sado e dhimbshme dhe antinjerëzore, do të sigurojë vetë arsyen e memorjes, që të mos harrohet, pikërisht me një kontekst mjaft domethënës, këtu në burgun e tij të lagur, këto mendime nuk do të veniten kurrë. Kati i mendimit është një varr i ashpër, i pafalshëm … Dhe leximi lexohet si fundosje, fundosje që vjen nga “Agjenti”, “Thesari” apo edhe nga “Burgosja e Hamletit”.
Brenda një errësire të paqartë, ndodh edhe “Burgosja e Hamletit”. Kjo është ajo ku njeriu nuk do të gjej pushim, një qiell i mjerë dhe i pafund që çon rrugën në natën e përhershme, duke premtuar një ëndërr të harruar, madje ngushëlluese, rrokje e hidhur e vetmisë. Duke qeshur pafund me obskurin, duke tronditur këtë faktor dhelpërak dhe agresiv në errësirë, kjo figurë e urrejtjes tani e mërzitur nga vetë jeta e rrënuar nën dritën e humbur të hënës së humnerës, shkon vetëm tek llojet e paqena, tërbimi i pastër dhe urrejtja, janë ato që e kanë shtyrë tek kjo pamje që pikturohet tek memorja nga Goja e shqyer e Spaçit, sepse një zjarr mëkat po e ndez brenda, megjithatë, kjo vrimë në gjoksin e tij, kjo mpirje, çdo dhimbje që konsumon nuk do të lërë të shkoj më tutje. Më tutje se leximi i mrekullueshëm i rrëfimeve të ferrit.
Jo thjesht si konkluzion
Jo thjesht si konkluzion… Jo, sepse edhe kështu hezitimi nga zemra, që bie në një dashuri të konsumuar nga agonia dhe nga urrejtja, vdes. Memorja, ashtu sikurse e tëra e rëfimit nga ferri është ajo që sillet e qashtër rreth kësaj errësire, tashmë të pastër në këtë lexim ku diskursi është metues, tipologjik i Mjeshtrit Gjni. Humnera tashmë në këtë ferr është një mërgim qetësues. Shkrimi është elitar!
Faruk Myrtaj
I ndodhi te shoh shumë, Miho Gjinit, I duhet edhe t'i rrefej... dhe e ben kete ne ate menyre qe ne, lexuesit, jemi gati t'i kerkojme ndjese qe eshte munduar aq shume. Miho Gjini nga ana e vet, vazhdon rrefimin sikur te na kujtoj qe, secili ka bere e ben te veten!
Miho Gjini
I nderuar Fatmir, që na kujton atë kohë të errët, të cilën e lashë nëpër faqet e atij libri që ra ne duart e tua e të turbulloi shpirtin,-nuk gjejë dot fjalë falenderuese, plotë dhimbje njëherësh, për ti'u thënë......!Se pas modestise tuaj dhe asaj paraqitjeje forte të thjeshte,-fshihet njeriu eruditë, shkrimtari, artisti e essteti i hollë e i ndjeshm i shpirtit njerezor.....Ne shkrimin tuaj une gjeta vetveten , si atehere , kur nuk e shihnjja driten e diellit e nuk ngopesha me ajër.......Te falenderoje se tepermi!
Timo Merkuri
Nje shkrim ku shkelen mjeshteria, njohurite dhe inteligjenca e autorit me me teper se subjekti qe i dedikohet. Koplimenta.
Klejda Plangarica
Të lumtë Fatmir! Një shkrim interesant, një prekje e butë si një ledhatim i kujdesshëm, mbi rrëfimet e Mjeshtrit Gjini, ndërthurur me përshkrimin e ndjesive të përjetuara gjatë leximit të tyre. Gati-gati një skicë poetike më vete, ky shkrim!
Drita Ademi
Nje shkrim brilant ! Urime per ju!