top of page

Namik Dokle shkrimtari i narrativit diskursiv

  • 2 hours ago
  • 3 min read

 

Në letërsinë shqiptare Namik Dokle i përket narrativit dhe vlerave që krijojnë botë. Ai shkruan me një zë që rrjedh si kujtesë. Me fjali që ndalen pak, por thonë shumë. Me një narrativë diskursive që e kthen jetën në përjetim. Teksti i tij nuk është vetëm tregim. Është një udhëtim brenda vetes. Ai nis shpesh nga një ndjenjë e thjeshtë. Nga dëshira për të qenë pranë atyre që do. Të kalosh kohë së bashku, në universin e tij letrar, bëhet një çast i rrallë. Një çast kur e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja humbin peshën e tyre. Trupi çlirohet nga dimri i gjatë i kujtimeve. Dielli prek butë mendimin. Dhe bota nis të çelë si një rrënjë që troket në tokë.

Në këtë hapësirë intime shfaqen njerëzit e dashur. Ata vijnë nga të katër anët e botës. Rreth e rrotull formohet një unazë energjie. Një rreth i brendshëm që mbron kujtesën. Aty gjithçka ndodh dhe nuk ndodh njëkohësisht. Shkrimtari vendos kur të largohet dhe kur të kthehet. Mbi këtë hapësirë të brendshme qëndron figura e të atit. Sytë e tij buzëqeshin nga lart, me dritë të butë. Një vështrim i heshtur, i mbushur me dashuri kërkuese. Si një portret i përhershëm në dritaren e kujtesës. Dhe ndërkohë djali ujit vreshtin përpara shtëpisë në vendlindje. Dy kova me ujë të ftohtë për etjen e tokës. Dy të tjera me ujë të vakët, si një dhuratë e vogël për rrushin që rritet. Ky është universi i Dokles, një çast i thjeshtë që bëhet poezi e jetës. Nga kjo ndjesi lind edhe emocioni i thellë. Njeriu mbushet me lot. Shndërrohet në një gotë kristali që mund të shpërthejë nga brenda. Kjo është forca e narrativës së tij, një gjuhë e butë që bart një dramë të heshtur. Në këtë mënyrë shkrimi i Dokles lëviz mes kujtesës dhe mitit. Mes tokës dhe qiellit.

Në 11 mars 2026, në 80-vjetorin e lindjes së tij, kjo botë letrare u nderua në një takim të veçantë të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Botimet TOENA. Në këtë përvjetor u prezantua vepra e tij madhore “Atje ku dielli lind dy herë - Saga e Gorës”. Takimi u moderua nga Majlinda Toçi, ndërsa fjalën e hapjes e mbajti studiuesi i njohur Vasil Tole. Për veçantitë e krijimtarisë së autorit foli studiuesi i letërsisë Behar Gjoka, ndërsa kritiku Agim Baçi e vlerësoi veprën me fjalët më të mira. Miq, lexues dhe dashamirës të letërsisë krijuan një atmosferë të ngrohtë për autorin. Në ditën kur mbushi tetëdhjetë vjet, Dokle prezantoi librin që e quan librin e jetës së tij, Saga e Gorës. Një vepër që bashkon tre romane në një trup të vetëm.

Në rrënjë të saj qëndron një legjendë. Një rrëfim që ai e ka dëgjuar që fëmijë. Se në Gorë është një vend ku dielli lind dy herë. Ku vajzat ulin hënën në lëmë dhe vallëzojnë me të. Ku yjet bien në prehërin e nuseve dhe u pëshpërisin ëndrra të çuditshme. Me pak fjalë, aty ku Toka flet me Qiellin. Kjo sagë është përkthyer dhe botuar edhe jashtë Shqipërisë, në Madrid, Londër, Sarajevë, Athinë, Sofje, Izmir. Ajo mbart historinë, mitin dhe shpirtin e një treve që flet përmes gjuhës së letërsisë. Dhe pikërisht këtu qëndron veçantia e Namik Dokle. Ai nuk shkruan vetëm për vendin. Ai shkruan për kujtesën e njeriut. Për atë vend të brendshëm ku dielli lind dy herë: një herë në qiell dhe një herë në shpirt.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page