top of page

SHKOLLA KU LINDIN ELITAT USHTARAKE


SHKOLLA KU LINDIN ELITAT USHTARAKE

Kolonel Dilaver Goxhaj

Në një prej intervistave, dhënë nga z.Sali Berisha, kur i është bërë pyetja: “Pse e mbyllët shkollën e mesme të përgjithshme ushtarake “Skënderbej?”, Ai dha afërsishtë këtë përgjigje: “Është anti humane t’i edukosh fëmijët në moshën e adoleshencës me një disiplinë të tillë spartane.”

Për fat të keq tonin, shumë intelektualë, politikanë të majtë e të djathtë, midis tyre dhe ushtarakë, e quajnë të drejtë këtë përgjigje të z.Berisha, duke harruar edhe vetë z.Berisha, se qeveria e tij, kur ai ishte edhe president, dërgoi një sasi të konsiderueshme adoleshentë të vendit tonë në shkollat e mesme ushtarake në Turqi. Mirëpo, z.Berisha, si dhe të gjithë presidentët e kryeministrat pas tij, që kanë këtë mendim për shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, nuk e dinë që këtë lloj shkolle e kanë pothuajse të gjithë shtetet seriozë, të mëdhenj e të vegjël, si, p.sh: SHBA ka 22 shkolla të tilla; Rusia – 9; Franca -6; Italia e Turqia nga 4; Anglia -3; Kanada e Portugali nga 1, e kështu me radhë. A mund të pranojmë se të gjithë këta shtete janë antihumanë, sikundër mendojnë e shprehen këta politikanët tanë të gjithëdijshëm?!

Domosdoshmëria e shkollave të mesme ushtarake është e lidhur organikisht me edukimin dhe elitat e ushtarakkëve

Ndoshta, me pranimin e Shqipërisë dhe të Ushtrisë së saj në NATO, është rast i rëndësishëm historik që të rrisim në opinionin publik ndërgjegjen e institucioneve tona të larta shtetërore, që kanë të drejtë vendim-marrëse, në interes të riaktivizimit të një institucioni të madh formues, sikundër është Shkolla e Mesme e Arsimit të Pëgjithshëm Ushtarake, e cila nuk është thjesht edukim ushtarak, por që, përmes metodologjisë, aktiviteteve dhe programeve moderne të mësimit, që ajo përdor, bëhet e mundur arritja e formimit të hierarkive të reja ushtarake, si dhe protagonistë të rinj të profesioneve jashtë fushës ushtarake, sikundër do ta sqarojmë më poshtë. Kuptohet se, sa herë flitet për formimin ushtarak, mendja të shkon menjëherë te Akademitë Ushtarake, dhe të paktë janë ata politikanë, për mos të thënë se në këto tre dekada nuk kemi parë apo dëgjuar politikanë që të dinë rëndësinë që ka shkolla e mesme ushtarake, funksionin e saj jo vetëm në pranimin e kadetëve në akademitë e ndryshme ushtarake të vendit dhe të shteteve të tjera antare të NATO-s, por edhe në kërkesat specifike të profesionalizmit që vinë direkt nga bota civile e punës.

Parë nën një këndvështrim të veçantë në pjesën më të madhe të shteteve antare të NATO-s, por edhe në ato të Lindjes, mund të themi se shkollat e mesme ushtarake kanë qenë prej shekujsh dhe vijojnë të jenë forma e parë e institucionit publik të mesëm për t’iu përgjigjur faktikisht nevojave gjithnjë në rritje për njerëz të kualifiuar për Forcat e Armatosura që shtetet si Franca, Spanja, Italia, Anglia, Portugalia, Austria, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, Rusia, Turqia etj., kanë ngritur shkolla të tilla ushtarake që janë njohur përgjithësishtë me emrin: “shkollat e kadetëve”.

Po t’i hedhim një shikim historisë së këtyre shkollave, shohim se fillesat e tyre, të strukturuara posaçërisht për ushtrinë, nisin qysh nga viti 1600, ndaj të cilave gjithnjë është rezervuar një vëmendje e madhe, më shumë se ndaj shkollave të tjera të mesme që krijonin profesionistë të ndryshëm. Regjistrimi në këto lloj shkolla, në shtetet e lartpërmendura, prej para 400 vjetësh dhe deri në ditët e sotme, ka qenë dhe është privilegj i madh për familjet e nxënësve që pranoheshin në to. Mjafton të kujtojmë sforcon e madhe të Karl Bonopartit, i cili me shumë vështirësi morri nga marshalli i Korsikës një rekomandim që zyra e heraldikës t’u dorzonte Bonopartëve dëshminë e fisnikësrisë, se vetëm në këtë mënyrë mbreti Luigj kish të drejtën ta lejonte ta bënte një nga djemtë e familjes officer, Emil Ludvig, (“Napoleoni”, Shtëpia botuese “Globus-R”, Tiranë, 1999, f.11), dhe “pas shumë ndërhyrjesh, në vitin 1779 arriti ta regjistronte Napoleonin, atëherë dhjetë vjeç, me bursë të shtetit, në shkollën e Brienit, në lindje të Francës”.(Tarle, “Napoleoni”, Shtypshkronja “Mihal Duri”, Tiranë, 1960, f.11).

Por historia tregon se përgatitja për komandantë lufte qysh në moshën fëminore është trashëguar të paktën 4 shekuj para Krishtit, ku historiani gjerman Artur Vajgal sqaron se, “Në atë kohë kur Aleksandri ishte gati 12 vjeç (viti 367 p.e.r, DG), duket se Filipit iu ngjall interesi për djalin…Filipit i interesonte shumë ta shkëpuste Aleksandrin prej ndikimit të mbretëreshës, Olimpiadës, prandaj, ai tok me Aristotelin vendosën që shkollën e re ta ndërtonin pak larg nga kryeqyteti. Për këtë zgjodhën qytetin e vogël të Miezas… Godinat e shkollës i ndërtuan në një pyll të lashtë nimfash”.(Artur Vajgal, “Aleksandri i Madh”, ShB Bargjini, Tiranë, 2002, f. 58, 66). Edhe “Skëndërbeu q’i ka dhënë edhe do t’i apë gjithë jetënë nder Shqipërisë, ky burr i pashoktë ish foshnjë, kur ra ndër duart të Tyrqet, e u rit në plasët të Sulltanit; që pa mbirë qime në faqet e tij tregonte trimërira e bënte punëra n’ushtëri të Tyrqet, që çuditësh gjithë bota; kudo që vinte, muntte e njeri s’i qëndronte dot kundrejt.”(Sami Frashëri.(“Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”, Prishtinë, 1978, f. 30)

Po ashtu edhe Suvorovi, qysh 15 vjeç regjistrohet në shkollën ushtarake, ndërsa Kutuzovi në vitin 1757, kur ishte 12 vjeç.(Kalendari Ushtarak, Botim i Degës së Historisë Ushtarake, MMP, Tiranë, 1950, f. 109, 127).

Kjo traditë jo vetëm që ekziston ende në Evropë, por është përhapur pothuajse në shumicën e shteteve antare të NATO-s dhe në të gjithë kontinentet. P.sh., Kolin Pauell regjistrohet në kolegjin ushtarak kur ishte 17 vjeç: “Kolegjet si ai që studjova unë qenë Harvardi dhe Princetoni i të varfërve”,(Kolin Pauell, “Udhëtimi im amerikan”, SHBU, 1999, Tiranë, f. 37), shkruan ai në kujtimet e tij. Edhe udhëheqësi i revolucionit të Amerkës Spanjolle (Venezuela, Peru, Panama, Kolumbi, Ekuador dhe Bolivi), gjenerali Simon Bolivar (1783-1830, lindur në Karakas), hyri në shkollën e mesme ushtarake në Aragua në moshën 14 vjeçare dhe emërin e tij e mban sot Bolivia.(G.Markez “Gjenerali në labirintin e vet”, Tiranë,2000).

Por edhe Karl Fon Klauzeviç (178-1831) qysh në moshën 12 vjeçare iu bashkua ushtrisë prusiane dhe në vitet 1793-1794 merr pjesë në fushatëne Rinit kundër ushtrisë franceze dhe në moshën 14 vjeç titullohet officer, (K. fon Klauzeviç ”Mbi luftën”,SHBU,Tiranë 1994,v.1, f. 3-4), gjë që vërteton se në këtë moshë shpalosen virtytet, aftësitë dhe prirjet për profesionin e ushtarakut.

Duke u qëndruar besnikë traditave kulturore të trashëguara, vijimisht këto shkolla janë konsideruar dhe konsiderohen pararoja e ushtrive përkatëse si dhe në të njëjtën lidhje me proceset që karakterizojnë shoqërinë e sotme moderne. Këto shkolla kanë qenë dhe janë pararoja e korpusit të ushtarakëve, por edhe në drejtime të tjera, sepse në këto shkolla janë të rrënjosura tepër thellë vlerat themelore dhe parimet e besnikërisë si dhe shpirti i kolektivitetit, të vlerësuara sëbashku me respektin. Ja si shprehet ish-kryetari i dhomës së deputetëve të parlamentit Italian, Xhan Frako Fini: “Në ato shkolla nuk mësohet vetëm regulli dhe bindja ndaj regullave, por kërkohet që të maturohet tek ta bindja që vetëm ai që di të bindet sot, brenda një kornize korrekte të të drejtave dhe detyrave, do të dijë nesër të komandojë sisteme komplekse”.(www.esercito.difesa.it).

Vëshrtim historik i ndërsjelltë

për shkollat e mesme ushtarake në planin kombëtar dhe ndërkombëtar

“Ushtria e kaprojve, e udhëhequr nga luani, është më e fuqishme se ushtria e luanëve e udhëhequr nga kaprolli.”

Fjalë e Urtë Ushtarake Angleze e vitit 1644

Po e nisim me fqinjën tonë më të afërt, Italinë. Ajo ka aktualisht 4 shkolla të mesme ushtarake, si ajo “Nunziatella” në Napoli, themeluar qysh më 18 Nëntor 1787 nga Mbretëria e Napolit; shkolla e mesme ushtarake navale “Françesko” në Venecia, e themeluar prej vitit 1937; shkolla e mesme ushtarake “Teueli” në Milano, themeluar prej vitit 1839; shkolla e mesme ushtarake e aviacionit “Giulio Douhet” në Firence, themeluar në 15 Maj 2006. Pranimi në këto shkolla bëhet me konkurs. Në fund të çdo viti shkollor studentët frekuentojnë edhe një kamp ushtarak pranë një reparti të Forcave të Armatosura për të përfituar elementë praktikë të përgatitjes për luftim, ku përfshihen dëndur edhe qitjet me armë në poligon, përgatitje sanitare, luftim trup me trup etj. Në këto shkolla pranohen prej moshës 15 vjeç, por edhe nxënës që mund të kenë kryer një apo dy vite shkollë të mesme civile, por këtu nuk u merret parasysh, e fillojnë prej vitit të parë. E veçanta e Italisë është se 20% e vendeve në Akademinë Diplomatike Shtetërore rezervohen për maturantët e këtyre shkollave ushtarake. (www.wikipedia.org, 20. 07.200).

Franca ka 6 shkolla të mesme ushtarake, për të tre llojet e forcave të armatosura, të cilat thirren Lice Ushtarak, ku studjojnë rreth 4000 nxënës. Pranohen kryesishtë nxënës të familjeve franceze që jetojnë në Francë dhe jashtë saj, por, përparësi kanë fëmijët jetimë të ish-ushtarakëve, dhe familjet e ushtarakëve. Në një prej këtyre shkollave ka kryer studimet edhe “Ariu i Luftës”, Norman Shvarckof, deri sa shkoi në Uest Point.(M.E. Morris, “Stuhia e Shkretëtirës”, SHBU 1992, Tiranë, f. 26-27). Në shenjë respekti pse Shvarckof pat kryer shkollën e mesme ushtarake në Francë, ndaj dhe Legjioni i Huaj Frances, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Gjirit kundër Irakut e ftoi atë në një ceremoni të jashtëzakonshme, duke i dorëzuar titullin e nderit “Kapural”, i pari dhe i vetmi amerikan deri sot i nderuar me një titull të tillë nga Legjioni Frances.(en.academic.ry/academic dictonaria encyclopedias). Është vendi ta theksojmë se Liceu Ushtarak në Sarthe mban sot e gjithë ditën emrin që i pat vënë Napoleoni qysh në 24 mars1808, pavarësisht se është krijuar prej vitit 1604: “Prytane Natonal Militaire”, duke iu referuar liceut klasik grek Prytaine, një institucion ekskluziv që përbënte zemrën politike dhe fetare të qyteteve-shtet të Greqisë antike, ku pat filluar mësimet Aleksandri i Madh në vitin 367 p.e.r, e cila ishte shkolla e filozofit të madh, Platonit.(Artur Vajgal, “Aleksandri i Madh”, ShB Bargjini, Tiranë, 2002, f.63). Studentët që bëjnë pjesë në këta lice thirren “brutions”, si referim klasik i rajonit Brutium, në Romën e Lashtë, banorët e të cilit dalloheshin për ashpërsinë dhe shpirtin e tyre luftarak.(www.wikipedia.org). Në këto shkolla kadetët francezë pranohen qysh në moshën 10 vjeçare.

Anglia ka një veçori, këto shkolla i ka në dy varjante. Një varjant është ai që i merr në moshën 16 deri 18 vjeç, i cili quhet kolegji “Welbeck”, dhe ka dy të tillë, themeluar prej vitit 1953. Për të dy vitet çdo kolegj ka 150 studentë, duke pranuar çdo vit 50 studentë në shtator dhe 25 studentë në janar. Në këto shkolla bëjnë përgjithësisht përgatitje ushtarake dhe përgatiten si oficerë teknikë. Këtë lloj kolegji e kanë edhe në SHBA. Ndërsa shkolla tjetër e mesme quhet “Duke of Yorks Royal Military School”, themeluar në vitin 1803. Këtu nxënësit i pranojnë prej moshës 11 vjeç deri 18 vjeç.(www.wikipedia.org)

Portogalia shkollën e mesme ushtarake e quan “Kolegjio Militare” dhe ndodhet në Lisbonë, e themeluar prej vitit 1803. Në këtë shkollë hyjnë fëmijë prej moshës 10 vjeç deri në 18 vjeç, ku bëhen gati për Akademi Ushtarake dhe Universitet. Nga kjo shkollë kanë dalë 5 presidentë të Portogalisë.(www.wikipedia.org).

Austria, si dhe Portogalia, ka vetëm një shkollë të mesme ushtarake, themeluar qysh në kohën e të qenit perandori.

Kanadaja, edhe kjo ka vetëm një shkollë të mesme ushtarake, me emrin “Robert Land Academy”, në Ontario, themeluar në vitin 1917. Në këtë shkollë nxënësit merren prej klasës së 7-të deri në të 12-ën.( www.wikipedia.org).

Turqia ka 4 shkolla të mesme ushtarake, ajo “Denis Lisesi”, në Stamboll, themeluar në vitin 1773, e cila është katër vjeçare; vitin e parë mësojnë anglisht, ndërsa tre vitet e tjera mësimi zhvillohet turqisht. Sholla tjetër është “Bursa Ipyklar Askeri Lisesi”, në Bursa, e cila e ka fillesën prej vitit 1844. Shkolla “Kuleli Militare High School”, edhe kjo në Stamboll, themeluar prej vitit 1845; ndërsa shkolla tjetër “Izmir Maltepe Askeri Lisesi”, në Izmir, është themeluar në vitin 1928.

Rusia disponon 8 shkolla të mesme ushtarake “Suvorov” dhe një për marinën “Nakhimov”. Nxënësit i marrin prej moshës 14 vjeç. (Po aty).

Gjermania fillesën e shkollës së mesme ushtarake e ka në vitin 1813 kur mbreti Frederik Vilhelm III formoi tri shkolla lufte për kadetët.(Kolonel Kristian Millotat “Oficeri i SHP”, SHBU, Tiranë 1993, f.49). Sistemi i përzgjedhjes së kadetëve ishte sipas klasës dhe origjinës. Kjo shkollë u konsiderua si guri i rëndësishëm themeltar historik për të ardhmen e oficerit të Bundesverit.(Po aty, f.52)

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përsa i përket shkollave të mesme ushtarake kanë një veçori nga të gjithë shtetet e lartpërmndura, si në sasinë ashtu edhe në larminë e tyre. Jo vetëm që SHBA kanë 22 shkolla të tilla, në 17 shtete të ShBA, por shkojnë në shumicë edhe vajza. Nxënësit merren prej moshës 10 vjeç deri në 17 vjeç. Kur kanë kryer një prej këtyre shkollave, ata shkojnë në Uest Point. Në këto shkolla kanë filluar karjerën ushtarake Xh. Xh. Pershing, D. D. Ajzenhauer.(M. E. Morris, vepër e cituar, f. 22), i cili arriti deri President i SHBA, si dhe shumë personalitete të tjera të shquara ushtarake dhe politike. Veçori tjetër është se në këto shkolla të mesme, sikundër u shprehëm më lart, pranohen edhe vajza, me të njëjtat kritere si dhe për djemtë, dhe që mësojnë në klasa të përbashkëta, stërviten po në klasa të përbashkëta dhe, e veçanta për vajzat është, se nuk ua presin flokët deri në maturë, por, në hyrjet e fjetinave të tyre shkruhet me gërma të mëdha: “Bukuria e juaj nuk qëndron tek flokët, por tek sjellja juaj.”( www.military-school.org )

Në Amerikë, në pragun e konkurimit për në këto shkolla, familjarët që dërgojnë fëmijët prezantohen me njoftimin: “Djali ose vajza e juaj që do të pranohet kadet, jeta e tyre do të ndryshojë për mirë. Ata nuk do të mësojnë vetëm disiplinën, regullin dhe punën e strukturuar, ata do të mësojnë të jenë të pavarur dhe të mendojnë për veten e tyre në çfardo rrethane, larg të qenit robot, por do të bëhen individë të ndjeshëm, të cilët do të kujdesen për veten e tyre, për familjet e tyre dhe për kombin amerikan”( Po aty ).

Fillesat e shkollave të mesme ushtarake në SHBA nisin prej vitit 1842, ndërsa ajo më e reja është hapur në vitin 1916. Njëzetedy shkollat e mesme ushtarake ndodhen si më poshtë: Dymbëdhjetë shkollat e mesme ushtarake, që pranojnë vetëm djem prej klasës së 7-të deri në të 12-ën, një tjetër i merr prej klasës së 5-të, ndërsa një tjetër prej klasës së 4-t, ndodhen në: Carlsbad, CA; Camden, SC; Në Bloomfield, PA; Waynesboro, VA; Fork Union, VA; Chatham, VA; Mexico, MO; Gainesville, GA; Anaheim, CA; Salina, KS; Delafield, ËI; Ëayne, PA.(http://www.military-school.org/Military_Boarding_Schools/Girl.asp).

Ndërsa 10 shkollat e tjera të mesme ushtarake, që pranojnë djem dhe vajza, prej klasës së 7-të, të 8 dhe të 9-të deri tek e 12-ta, ndodhen në: St. Petersburg, FL; Culver, IN; Melbourne, FL; Howe, IN; Woodstock, VA; Roswell, NM; Oak Ridge, NC; Front Royal, VA; San Antonio, TX; Lexington, MO.

Përsa i përket Kinës, gjurmët e shkollës së junorëve për përgatitje ushtarake fillojnë qysh në epokën feudale. Shkolla e parë e mesme ushtarake bashkë me akademinë e oficerave u hap zyrtarisht më 1 maj 1924, nga presidenti i saj Sun Yat-sen, por mësimet e para filluan më 16 qershor 1924, duke u emërtuar shkolla Huangpu në Guangzhou, me komandant Chang Kai Shi-në dhe komisar Çu En-lai. Gjatë ceremonisë inauguruese Sun Yat-sen mbajti një fjalim, i cili u bë më vonë teksti i himnit kombëtar i Republikës së Kinës.

Po t’i referohesh objektivave të të gjitha shkollave të mesme ushtarake në të gjithëtetet që përmendëm më lart, rezulton se objektivat i kanë të njëjtë dhe përmblidhen në këto shtatë pika:

a) Të bëhen qytetarë të mirë, me dije të thella dhe patriotë.

b) Të zhvillojnë vetëbesimin, vullnetin në punë, lidërshipin dhe përgjegjshmërinë.

c) Të zhvillojnë aftësi të mira në komunikim dhe në të shkruar.

d) Të zhvillojnë dhe t’i japin rëndësi përgatitjes fizike.

e) Të rrisin respektin për rolin e ushtrisë në mbështetje të objektivave kombëtare.

f) Për të zhvilluar karaktere të mira përmes formimit të ndjenjës së kolektitetit.

g) Të zhvillojnë aftësitë për të punuar në grup dhe në drejtim të teknikave ushtarake.(www.military-school.org ).

Po Shqipëria a ka një traditë të tillë?

“Kur e kaluara pushon së hedhuri dritën e saj mbi të ardhmen, mendja e njeriut endet në errësisrë.”

Tokëvili

Edhe në Shqipëri ekziston tradita e funksionimit të shkollës së mesme ushtarake e tipit klasik-shkencor, e njohur me emërin “Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake – Skënderbej”, në Tiranë, e themeluar më 28 Marsit 1945 dhe e mbyllur pas 47 vitesh, në Nëntor 1992.(Fiqiri Shtëpani.“Shkolla Skëndëbej”, Globus R, Tiranë, 2010, f. 7). Fillimisht ajo u quajt “Shkolla e pionerëve ushtarakë”, dhe në vitin 1947 morri emërin e mësipërm. Themeluesi i saj Enver Hoxha e cilesoi “Fidanishtja bazë për pëgatitjen e oficerave tanë të ardhshëm, të cilë duhet të pajisen me shkencë, me kulturë dhe me arsim, të brumosen me ndërgjegje të lartë patriotike”(Enver Hoxha vepra, vëll..23, f.278).

Në vitin 1963 ajo u shndërrua në shkollë e mesme e tipit klasik-shkencor-teknik-arte, (thënë ndryshe: shkollë ushtarake e tipit klasik-shkencor-politeknik), pasi, prej shtatorit të këtij viti filloi të dërgojë nxënësit e saj në të gjitha shkollat e mesme profesionale të Tiranës, përfshi edhe në Liceun Artistik “Jordan Misia”, përjashtuar vetëm shkollën e mesme mjekësore. Skënderbegasit shkonin në këto shkolla në ora 08.00, të organizuar, veshur me uniformë ushtarake, dhe ktheheshin pas mësimit, duke iu nënshktruar orarit të veprimeve të Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skëndetrbej”. Këtë veçori të shkollës së mesme ushtarake shqiptare nuk e ka asnjë vend tjetër.

Bashkëkohësit civilë të këtyre kadetëve, në shkollat e të cilëve në Tiranë shkonin Skëndërbegasit e vegjël me uniformën e bukur ushtarake, flasin me respekt dhe nostalgji, duke u shprehur: “Skëndërbegasit ne i kishim si pikë orientimi për gjithçka pozitive dhe, veçanërisht për ecurinë në mësime dhe gjallërinë fizike”. Për një shkollë të tillë dhe me këtë emër ëndërronin dikur Rilindasit tanë, e shprehur kjo edhe nga eruditi dhe staticieni Sami Frashëri tek libri “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, i cili thotë “Në kryeqytet të Shqipërisë, të cilënë mundimë ta quajmë Skënderbegas... Përveç shkollave të dyta e të treta do të jetë një shkollë ushtërije me këtë emër, më pastaj duhet të hapenë: një në Shqipëri të Sipërme, (kuptohet në Kosovë, D.G), e një në të Poshtërmet. Shkoll’ e aniërisë duhet të jetë mb’anë detit, tek të jen’ edhe aniat’ e luftësë, në Durrës a në Ujët-të-Ftohtë, afër Vlorësë.”(Sami Frashëri, vepër e cituar, f.85 & 91)

Deri në vitin 1950 në këtë shkollë pranoheshin prej moshës 10 deri 18 vjeç; pas këtij viti filluan të pranoheshin prej moshës 14 deri 18 vjeç. Nga dyert e kësaj shkolle kanë dalë një president i Shqipërisë, 9 shefa të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë sonë dhe dhjetra ministra të të gjitha lëmive, pa folur për mjekë të shquar, shkrimtarë dhe poetë me emër, pilotë, oficerë marine, inxhinjerë, arkitektë, mjeshtra sporti të të gjitha drejtimeve nga më të shquarit në vend, si dhe piktorë e artistë me famë, si Mentor Xhemali me plejadën e tij; janë mbi 200 personalitete shkencore të të gjitha fushave etj. Nga që në këtë shkollë kultivohej sensi i drejtësisë dhe sinqeriteti, ndaj dhe ka patur 112 të dënuar politikë, midis tyre edhe të pushkatuar, si oficeri poet Trifon Xhagjika etj,( Kujtim Halili: “Fjalor biografik ushtarak”, v1,2. Sh.B. „Email“, Tiranë, 2006), si në asnjë shkollë tjetër të vendit tonë! Dhe kjo ndodhi sepse skënderbegasit udhëhiqeshin nga parimi: Po e di të vërtetën, thuaje haptas, ndryshe mbetesh gjithmonë një shkurtabiq i mjerueshëm.

Njeriu që mbaronte shkollën Skënderbej dilte i formuar për të shkuar në kursant, (kështu thirreshin dëgjuesit e Shkollë së Bashkuar të Oficerave. Quhej shkollë e bashkuar, pasi në atë shkollë përfshiheshin të gjithë fakultetet e të gjitha llojeve të armëve dhe shërbimeve). Një pjesë prej maturantëve të Shkollës “Skënderbej” dërgoheshin në fakultete të ndryshme të Univesitetit Shtetëror, sipas nevojave të Ushtrisë, si dhe në shkollën e inteligjencës. Njohja e bazave të shkencës e të artit të luftës nuk e bënin atë të përçmonte çdo lloj arti tjetër, prandaj skënderbegasi në të njëjtën kohë ishte edhe edukator, edhe ushtarak. Me pak fjalë, skënderbegasi, kur mbaronte Shkollën e Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha”, (sot Akademia Ushtarake), e më pastaj, pas një periudhe si komandant reparti, kryente Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm “Mehmet Shehu”, (sot Kolegji i Mbrojtjes), ishte një njeri i denjë për të zënë një post të lartë shtetëror, ngaqë kishte fituar aftësitë e nevojshme për të udhëhequr e komanduar me përgjegjshmëri të lartë, përpikmëri dhe gjithë autoritet, të cilin ia jepnin dijet e gjithanshme.

Thuajse gjithë gjeneralët që ka sot ushtria shqiptare kanë dalë nga bankat e asaj shkolle. Niveli i përgatitjes së nxënësve të saj ishte i tillë, sa në konkurset kombëtare të shkollave të mesme, kjo shkollë merrte pjesë jashtë klasifikimit, pasi mund të zinte pa diskutim vendin e parë me çdo ekip të saj, për mos të folur se gjithë ekipet e të rinjve të Klubit Sportiv “Partizani” (futboll, basketboll, veleiboll, not, mundje, boks, atletikë etj) dilnin nga kjo shkollë.

Nuk mund të quhet rastësi që nga pesë oficerët e Ushtrisë Shqiptare, që shkuan vullnetarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me funksione të larta, brenda në territorin e Kosovës, para se të angazhohej NATO në atë luftë, katër prej tyre ishin Skëndërbegas! Kjo përbën provën më të pakontestueshme se oficerat e dalë nga Shkolla e mesme Ushtarake Skënderbej ishin kuadrot më të sprovuara, më idealiste dhe besnikët më të pakrahasueshëm ndaj atdheut dhe popullit shqiptar. Ky fakt si dhe ai i shkuarjes në Luftën e Vietnamit një grup oficerash dalë nga kjo shkollë, për të marrë përvojën e asaj lufte, si dhe ato të lartpëmendura më lart pë cilësitë e nxënësve të kësaj shkolle ushtarake shqiptare, flasin për punën e kujdesshme përzgjedhëse që ka bërë kjo shkollë, njohja e së cilës përbën një thesar me vlerë, si në sferën kulturore ashtu edhe në veprimtarinë praktike të oficerit të dalë nga Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”. Fakti i fundit flet edhe më qart për vlerat e larta të kësaj shkolle, si dhe njëherësh argumenton se ndryshimet strukturore të shkollimit të oficerave tanë duhet të marrin për bazë argumentin dhe jo dëshirat apo bindjet politike. Ky fakt hap te lexuesi një këndvështrim kurajoz e të rallë për t’u futur në të “fshehtat” dhe “sekretet” e ndërtimit, funksionimit dhe të përsosjes së shkollimit të oficerit shqiptar, pasi oficerët e dalë prej kësaj “fidanishteje” të Ushtrisë Shqiptare janë specialistë në një fushë të caktuar e prioritare, siç është ajo e drejtimit.

Të gjithë të dhënat që sollëm për shkollat e mesme ushtarake të vendeve të lartpërmendura dhe ato për Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” shpjegojnë, se pse SHBA, Francë, Itali, Angli, Rusi, Turqi, Gjermani e shumë vende të tjera e mbajnë dhe e zhvillojnë me shekuj këtë lloj shkollave ushtarake, e cila është shndërruar në traditë kombëtare të secilit shtet, gjë që të len të kuptosh, se ato shtete ekzistencën e ushtrisë nuk mund ta kuptojnë pa ekzistencën e shkollës së mesme ushtarake, shkollën e kadetëve. Sikundër e pamë, në vend që kjo traditë të vinte duke u reduktuar qoftë edhe në një nga ato shtete, ka ndodhur dhe po ndodh e kundërta, ndryshe nga Shqipëria. Madje Italia prej vitit 2009 ka filluar që në shkollat e mesme ushtarake të pranojë edhe vajza.

Parë në këtë retrospektivë, do të ishte më shumë se marrëzi që, riaktivizimin e shkollës sonë të mesme ushtarake, dikush ta quaj nostalgji për sistemin shoqëror për kohën që ajo shkollë funksionoi.

95 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page