Ruzhdi Gole: BILARDO ... NË QIELL

BILARDO ... NË QIELL (tregim)
Një punishte xixash, një bilardo gopash, një pijetore tymi rrinin afër e afër pa e parë asnjëherë njera - tjetrën. Poshtë, në gjysm' terr, mbi themele.
Punishtja tym-tym i ngjante pijetores, por kurrë nuk i këmbente shtëllungat e saj me ato të furrikut pijetar, furrik, i cili nga ana e vet mbushej e zbrazej nga frymorët, herë-herë me një gop në dorë ose edhe me stekën e bilardos.
Tri hyrje ndërtesa. Secila më vete. Nuk puqeshin as mbi themele. Ndoshta edhe puqeshin ose të paktën dëgjonin mbytas zërat e tyre. Njerëzit njiheshin, përshëndeteshin kalimthi, tinëz, nuk e njihnin fare njëri-tjetrin. Secili në hyrjen e vet. Rrallë, shumë rrallë ndonjë nga të pallatit ose ndonjë i ardhur për porosi zbriste poshtë, nën dy harqet afër e afër. Harku i tretë dukej mënjanë si i penduar e herë si i krekosur që rrinte veçmas. Hapësirat poshtë kujt i ngjanin më shumë ? Bodrumeve ? Tri puseve të mëdhenj ? Por nëse i ngjanin bodrumeve aty duhet të rrokulliseshin gjthfarë rrangullash. Nëse i ngjanin puseve veç grykës aty s'kishte pellgje uji e ndonjë kovë me litar.
... Rr'fenjëz nga bodrumi i parë :
(Flisni me zë të ulët ! Asnjë nuk di ç'bëjmë ne këtu, por zëri ikën. Mos e këmbeni asgjë lirë.! Mos më sillni këtu njerëz të panjohur, të dyshimtë!
- Pa merak. Ata të kënetës i sollën thërrimet e arit. Sollën dhe ca zbukurime të vjetra. I kishin blerë tek kujunxhinjtë. Nesër them t'i shkrijmë. T'i derdhim në kallëpe.
-Na u shtofshin porositë! U martoftë e u shkërdheftë dynjaja !
- Bëj sytë katër kur ta ndezësh nesër furrën se na merr në qafë e na fluturon përpjetë.
- Siurdhëron zotrote, siurdhëron! Nën urdhërat e tua vdeksha!
- Pastroj mirë daltat, thikat!
-Zonja me kone do që t'i gdhendim shkronja mbi unazë.
- U shtofshin zonjat, u shtofshin shkronjat!
- Ata të kënetës mos i paguaj menjëherë ! Dëgjove, o shushaq?
- Dëgjova. E fshehta në fshehtësi.
- Nesër unë do shkoj,...ti e di se ku, kështu që bëj kujdes me furrën. Kallëpet pastroj mirë. Mos ma shkrij floririn në atë byth tigani. Nesër do blej një tigan të ri qeramike. Floriri është nazeli.
-Siurdhëron, zotrote, siurdhëron! Nën urdhërat e tua! Nën urdhërat e tua vdeksha.!
- Shushaq, u ngrys, mblidhi të gjitha, mos numëro asgjë. Kyçi në kasafortë ! Dhe dëgjomë vesh më vesh : fol me sa më pak njerëz rreth e rrotull. Mos fol me asnjë.! Bela janë të gjithë. Spiunë, hajdutë, vjedhës, kopukë.
-Kam tridhjetë vjet që jetoj tek ky pallat. I njoh mirë të gjithë. Di ç'sjell këtu poshtë. Veç atë qe ka porosi. Erdha i martuar dhe me vajzën dy vjeçe këtu. Ngjitur me pallatin ishte rajoni i policisë. Çfarë nuk shihja e dëgjoja? Sirena, shkelma, të qara e të bërtitura, kurvarë e kurva. Për fat, jetoj në katin e shtatë. Gjysma- gjysma ngjitej gjithçka përpjetë. Ballkoni i katit të dytë binte mbi oborrin e rajonit. Dukej jo si ballkon, por si hundë e stërmadhe e shqyer.
-Përherë me fluturime e lajthitje e rrëfen gjithçka ti.
- I numërove paratë, o ujk ?A fituam sot ?
-Fituam. Po s'fituam plasim!)
Kjo është punishtja e xixave? Kjo duhet të jetë përderisa këtu shkruhet, këmbehet, shitet floriri. Punishtja xixa-tym, tym-xixa...
... Rr'fenjëz nga bodrumi i dytë :
(-Na u thefshin gopët kokës po s'fituam sot !
-Gurët, thuaj, gurët. Se fjala gop asnjëherë s'më ngop.
-Eee, një kurvar si ty, o doktor, aty e ka mëndjen.
-Gopi është kripë e sheqer bashkë. Piper e uthull.
-Hudhër e majdanos, doktor.
-Lëri shakatë, zotnia jote, lëri. Gopi nuk krahasohet me asgjë. Unë kam parë shumë dhe asnjëherë s'më është ngopur syri.
-O doktor! Je i prerë ti për gjinekolog. Të lëvdojnë e të shajnë.
-Më marrshin gjynahet, më marrshin! Gratë, që kanë lindur me mua, më lëvdojnë. Ndonjera më lendon. Burrat e tyre, ca prej tyre, më shajnë.
-A do vij sot ai ?- pyeti pas pak mjeku.
Fjalia përgjysmë e tij drithëroi si çast i ngjethur në sallën e operacionit. Për kë pyeti ? Për bashkëshortin e...
-Patjetër do të vij. Ka për të shlyer gjysmë kantine ai.. Pi, pi, pi, epo nuk është lum vera, për të gjithë, përhera. Vera është gjak, ndonjëherë në vend që ta pish (pije, të bëftë mirë!) ta pi ajo gjakun. E vogël këtu poshtë kantina jonë, por lekët i do një më një. Është e shtrenjtë qiraja.
-Te paktën s'paguajmë asnjë taksë.
-Ai, krutani kokërrodhe, kokëkobure, ka marr pa paguar pesëdhjetë shishe verë për hotel me pesë yje.
-Ia fus, me nder e pa nder, në bythë koburen po nuk erdhi t'i paguaj sonte.
-Më i qetë, më i qetë, o bandill!. Dëgjo mua ti. Jam i rrahur me vaj e uthull unë.
-Të bëftë mirë piperi, o doktor! Hudhra e majdanozi- qesëndisi gjinekologun njeriu tjetër.
-U bëmë një vit këtu. Asnjë e papritur.
-Asnjë, për be, asnjë. Pa taksa.
-S'paguajmë, thuaj.
-Këtu luajnë bilardo vetëm të besuarit tanë. Bilardo në bodrum.. Askush nuk dyshon.
-Na rrofsh, o doktor! Kush dyshon do haj kokën e vet. Asnjë për asgjë nuk dyshon.
Veç ca burra-qesëndisi tani gjinekologu. Sikur ua kam rruar unë leshin grave të tyre.
... Rr'fenjëz nga bodrumi i tretë :
(-Këtu u qelb?. Kush pordhi?
-Pordhë e fenda gjithë dynjaja sipër. E l'shova një unë ... u helmove ti ?
-Po qelbet peshku, po qelbet. Këtu vinë plot makina-frigorifer. Në mëngjes po e po, por edhe në mes të ditës. Ku ta shesim gjithë atë peshk?
-Ndonjëherë makina edhe vonohet. Në port, rrjetat janë plot me peshk. Por duan të hanë të gjithë. Doganieri i pari, polici, roja.
-Ua hëngërt zia mëlçinë, ua hëngërt! Tanët jashtë rroptohen me kokën në strajcë nëpër det, nëpër peshkarexha, në kalatat...
-nëpër rrugica gjithë gropa sa vijnë gjer këtu poshtë. Llupësit mballiçen pa paguar asnjë qindarkë.
-Bythqirët!
-Shiko bythën tënde mullar, o hajvan! Mos ma shaj policin se është im vella. Mos m'i tund ashtu bythët sikur je homo.
-Si ngjalat je ti. Homo! Ti ma mësove si u hiqet lëkura ngjalave. Pjata me vaj e uthull Në do shton edhe erëza. Fut dorën në pjatë, e ngjyen mirë e mirë. Mban ngjalën kokëposhte me dorën tjetër dhe me gishtat e njollosur fërkon ngjalën nga koka tek këmbët.
-O të fërkoftë ngjala shalëve ty, të fërkoftë! Po ku ka këmbë ngjala, o humbaqyp! Ngjala ka bisht. Je dëng me ngjala në bark. Hiqmu tutje se të qelbet goja si tas turshie.!
-Po qelbet peshkuuuu... Ç'do bëjmë?
-Kur do na shitet? Më duket se na gjurmojnë?
-Kemi ngrënë e nxënë gjithë atë peshk, të rezervatit e kemi shitur si për të detit. Rrofshin rezervatet, rroftë Saranda, rroftë Durrësi!
-Dhe Vlora, Shëngjini dhe ... mos rrofshin se na e hëngrën kokën!
-Mbylle atë wc. Shko zbrazu me të vjellat e te përmjerat e gojës, hajvan!!
-Do na hajë të gjallë ky peshk.
-ky peshk?
-ky peshk jo, do na hajë peshkaqeni!
-E shplaftë mortja peshkaqenin, e shplaftë!
-I rëntë rrufeja, i rëntë!
-Ç'ke? Sikur u skuqe? T'u morën mendttë? S'po t'i shoh kokërdhokët e syve. Ulu, ulu në karrike Po dal për doktor. Dola.
-Doktor, o doktor, eja shpejt, eja. një i sëmurë....
-U rrëzua ... rrëshqiti?- pyeti fare ftohtë një zë nga përtej.
Kur ç'të shohësh? Doktori s'po vinte që s'po vinte, të vilanosurin s'po e shihte kush. Por edhe i nxituari nuk vraponte dot. As vraponte, as ecte më. Ngriu ? Mos e thuaj, mos ! Dy të vilanosur tani. Kush do e thërrasë doktorin?
-O urgjenca, urgjenca...
Kujt po i fliste ecajaku e vrapuesi as vrapues e ecajak?
Kur ç'të shohësh?
Peshqit po dilnin nga parkingu -bilardo, nga bilardoja-kantinë dhe rrëshqanthi nxitonin mes këmbëve të njeriut të ftohtë. Vdekja nuk ka ardhur ende këtu. Ajo është edhe esëll, edhe e dehun. S'ka mbaruar ceremonitë mbi tokën e gjallë a gjysma të gjallë. Vdekja luan domino, peshqit luajnë lojë me kercime.
Ashtu rrokopjerrthi njeriu gjysma frymësh doli nga nëntoka tek oborri i rrënuar i pallatit në lagjen (mos më pyet), në rrugën ende pa tabelë emri e trafiku, në orën (s'paska akrepa ky lajmëtar ?)
A luhet edhe në qiell bilardo? A këmbehen aty florinjtë me verërat ? Qielli me cohë të kaltër është fusha e bilardos ? Gope janë yjet? Po stekë cila është? Kjo fushë është më e madhja gjer me sot për të luajtur. Përderisa besojmë se jetohet edhe në ndonjë planet tjetër atëhere besojmë se edhe atje pihet vera. Ledhatohet, më falni, vëra. Gjithçka luhet edhe në një planet tjetër.?!








Comments