top of page

Shefqet Meko: PANAIRI I LIBRIT 2025: SI MUND TË ISHTE MË I MIRË?

ree

PANAIRI I LIBRIT 2025: SI MUND TË ISHTE MË I   MIRË?

 

Nga Shefqet Meko


-Një reflektim si autor dhe si lexues i  largët

 

Një muaj më parë pata fatin të vija nga Amerika në Tiranë për Panairin e Librit 2025. Erdha si  lexues  dhe si autor. Erdha edhe falë “cytjes poetike” të shkrimtarit shqiptar Marash Mirashi, i cili duke u shfaqur me “Brirët” panairin e shkuar, më tha se  Panairi  2025, do jetë “Vula” e vërtetë për librin tim të dhjetë “Nishani”. Ai më tha plot sinqeritet se vitin e kaluar, kishte përjetuar një nga momentet më të bukura të  përvojës së tij si autor.

Lezhjani krijues , pati të drejtë si fillim. Dita e parë e Panairit 2025, ishte një “dasmë” e bukur që fillonte me plot vizitorë. Por, duhet shënuar që në fillim, që në vend që këtë lloj “joshje” ta kisha marrë nga  organizatorët  e Panairit 2025, ajo ishte thjesht një “pëshpëritje në vesh” nga një mik. Më duhej të  bëja disa përpjekje paraprake për të mësuar saktësisht datën e panairit. Këtu fillon edhe “dështimi ynë”. Ne jemi e vetmja shoqëri që nuk “mban shënime”. Ne jemi të vetmit në botë që themi “Çdo gjë fillon tani”. Nuk mora asnjë informacion apo detaj paraprak nga organizatorët, edhe pse isha përpjekur t’i kontaktoja. E kuptoj se ata ishin “shumë të zënë”, por pse nuk krijuan një “libër” ku të kishin shënuar gjithë të interesuarit dhe t’i mbanin “në listë”, apo të kishin një faqe interneti të posaçëm? Sot shoqëritë moderne shpenzojnë miliona për të krijuar “data base”, ne shqiptarët ofrohemi  falas dhe “nuk na begenis kush”.(!!!) …

Le t’i përgëzojmë për këtë aktivitet kombëtar. Veçmas le t’i themi  zotit Petrit Ymeri, se kjo lloj veprimtarie  meriton duartrokitje. Nuk është punë e lehtë, kur  vetë qeveria “nuk çan kokë” për librin si dritë e dobishme. Këto që dua të shënoj, nuk janë thjesht kritika, por mendime se si mund të bëjmë gjëra më të mira, më të bukura, më të planifikuara dhe  nga vit në vit të përsosemi duke synuar perfektshmërinë e paarritshme.

Për fat të keq, Panairi 2025 në Tiranë, nuk kishte asnjë program të detajuar. (Mbase nuk e mora unë). Organizatorët seriozë, kudo në botë, bëjnë kujdes që të informojnë për çdo detaj e veprimtari pjesëmarrësit. Kjo është ABC-ja e çdo lloj veprimtarie kulturore. Unë nuk pashë diçka të tillë. Çdo gjë ishte spontane ose  informim i autorëve përmes medias shoqërore. Çfarë do t’u kushtonte organizatorëve që të kishin një axhendë të detajuar dhe tua përcillnin pjesëmarrësve? Sa mirë do ishte të ishte një site i posaçëm në internet me të gjitha detajet. Që në  ditën e parë të këtij aktiviteti kulturor, shihje një dyndje spontane, ku  çdo botues i binte “fyellit të vet” në një kakofoni allashqiptarçe. A mund të ishte më bukur? Pse nuk  mora një njoftim se kur fillon aktiviteti, nëse ka një ceremoni hapëse zyrtare, nëse vjen një figurë e shquar, apo aktivitet më të spikatura të ditës së parë? Asgjë e tillë, ose mbase nuk dita unë t’i mësoja. Madje as  stendat e shtëpive botuese nuk kishin një axhendë profesionale, por thjesht një  “rastësi klienteliste” ku nuk e merrte vesh i pari të dytin ose  një lloj “futje bërrylash” nga një autor tek tjetri se kush do të ishte para kamerave. Sa keq. Secili ka diçka për të thënë, por  duhej “miku i madh”…Sidoqoftë botuesi im MediaPrint kishte bërë diçka  interesante përmes një reklame digjitale në sfond ku shfaqeshin ritmikisht librat e autorëve. Kjo ishte për t’i përgëzuar.

Ardhja ime në Panairin 2025, më kushto së paku $5,000.00 kjo për faktin që unë ishte edhe me bashkëshorten time. Pra, kjo kosto qëndrimi në fakt ngeli 75% në Tiranë. Është një investim nga i cili unë nuk pres ndonjë kthim apo përfitim, por nëse edhe dikush që vjen nga larg dhe paguan një kosto, por gjen një  “kaos ballkanik” a mendoni se do vijë përsëri?...

Sipas mendimit tim Panairi  i Librit 2025, ishte një nga kulmet  kombëtare për ata që shkruajnë dhe  ata që besojnë tek leximi si një promotor zhvillimi. Por këtij aktiviteti kombëtar i mungonte një strukturë e saktë organizative. Nuk e kam fjalën për stendat dhe metrat e okupuar nga botuesit, por për atë që i shërben lexuesit dhe autorëve. Ne fakt  çdo gjë ishte një “zgjidhje nga kaosi”. Nuk  kishte një fletëpalosje, një “hartë” që të të  tregonte detaje, vendndodhje, ngjarjet e ditës, shkrimtarët që promovonin etj. Personalisht jam orientuar për të ndjekur disa aktivitete  nga ato që shfaqeshin në  FB, por nuk mora asnjë shënim elektronik për atë që  kishin në mendje organizatorët si “truri” i këtij panairi. Hiç fare. Ky ishte zhgënjimi i parë që nuk harrohet.

Pra, panairi kishte vetëm një platformë të thjeshtë: Kush vjen dhe kush paguan. Kaq. Asnjë vizion se si do të shpalosej para  publikut dhe autorëve njëra nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore kombëtare.  Nga ajo që kam parë në Amerikë, veprimtari të tilla sjellin së bashku autorë, botues, kritikë dhe lexues që përfshihen në platforma diskutimi. Panairi nuk është thjesht një “pazar” ku shitet libri, mbi të gjitha është një skenë debatesh, diskutimi, përplasje mendimesh. Diçka e tillë është shumë e rëndësishme për autorët sidomos.  A nuk do ishte me interes, që autorët të ndiqnin një debat mbi Autorin dhe të Drejtën e tij?  Apo një simpozium mbi fatin e librit në kohën e  Inteligjencës Artificiale? Autori dhe vet censura? Lexuesi dhe ekonomia? Autori dhe pushteti? Pse nuk pashë gjëkundi ministrin e kulturës të jepte një konferencë shtypi?... Pra në ditët e Panairit 2025, mund të ishin sa e sa aktivitete që do të  galvanizonin debatin. Unë  ose humba, ose nuk pashë asgjë të tillë. Pashë së shumti autorë të preokupuar që kujdeseshin për pjesëmarrjen në stendat e tyre, ndërsa shfaqeshin me librat e tyre të rinj, por asgjë nga “zyra qendrore”. Kjo dëshmon se Panairi 2025, ishte thjesht një “sebep i radhës” pa asnjë synim më të përtejmë dhe aq më keq pa asnjë input tjetër nga ministria përkatëse apo nga Akademia e Shkencave. E çfarë akademi është  ajo që nuk di se ç ‘ndodh me librin  shqip?...

Këto janë thjesht mendime. Nuk besoj se kjo  venit atë që mund të shënohet si arritje e panairit siç ishte pjesëmarrja e gjerë, interesi i publikut, diversiteti, kamerat e  medias (edhe pse e paguar),përballjet e lexuesve me autorët e plot të tjera. Nuk dua të nxi asgjë të mirë, por mangësitë duhen thënë. Besoj se panairi tjetër mund të jetë edhe më i mirë. Ky ishte edhe qëllimi i këtij shënimi, që  e ndjeva për ta shkruar. Nuk dua aspak të shpërfill se panairi në fjalë më takoi më shumë miq, shkrimtarë dhe lexues të çmuar të librave të mi. Pra ishte ky aktivitet ku unë  ndoqa promovime se ato të shkrimtarëve të njohur Namik Dokle, Besnik Mustafaj, Rudolf Marku me të cilët edhe shtrëngova duart miqësisht. Aty, në ato ditë intensive pata fatin të takoja miqtë e mi të hershëm si Stefan Ҁipa, poetin Agim Pipa, mikun Vesel Braho, Pedagogen Flutura Kalemi, botuesin dhe librarin Rexhep Ҁullhaj, publicistin Spasse Thanasi, Selman Mëziun ardhur nga Italia, Ramiz Gjinin nga Amerika, përkthyesin dhe eruditin Edmond Tupe, të shumë njohurin Preç Zogaj, botuesit Petrit Ymeri, Bujar Karoshi, Naim Zoto, autorët  Ylljet Alliçkaj, Alfred Duka, Flutura Açka, Ahmet Prençi, Arben Ҁejku, Uk Buçpapaj, Sherif Bundo, Bislim Ahmetaj, Mujo  Buçpapaj, Halil Rama apo kafja me “kampionin e panairit” Ben Blushi etj. Në këtë plan Panairi 2025 ishte një festë e bukur për takime me miq dhe dashamirës të librit. Edhe pse rastësorë, këto për mua ishin takime të dobishme dhe që mbeten në kujtesë.

Gjithsesi, duhet pranuar: organizimet e kësaj shkalle, nuk janë të lehtë. Mbase gjëja më e lehtë është të kritikosh. Le të theksoj se disa autorë suksesshëm kishin ngritur stendat e tyre gjë që tregon edhe “fuqinë e librit”, nëse di ta menaxhosh. Unë pata fat të kaloja disa herë tek stendat e  të njohurit Bujar Kapexhiu dhe Sazan Guri, dhe përballë tyre ëndërroja që një ditë edhe unë të kisha “kubenë time” të përballjes me lexuesin.

 

PS: Fyerja më e madhe e këtij panairi, besoj për këdo, lexues, autorë e botues ishin “Çmimet e Panairit” që u shpallën ngutshëm ende pa u mbyllur. Një farsë neveritëse e pashembullt. Ndahen çmime kur nuk njoftohet asnjë autor për pjesëmarrje dhe kritere. Ndahen çmime kur nuk lexohen librat. Ky ishte poshtërimi kombëtar i çdo  autori, ndërsa lexuesi thotë “Siç kemi partitë, po na bëhet edhe letërsia”. Turp që të bën të largohesh me vrap.

 

Shefqet Meko

Minneapolis, 12 Dhjetor 2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page