top of page

Shatëmbëdhjetë


Resmi Osmani Roman-vazhdimi

ME SYTË E FËMIJËS

Shatëmbëdhjetë

Ishte muaji i tretë i shkollësnë klas të pestë.Bëja rrugën vajtje-ardhje përditë. Në klasë, bëhëeshim tridhjet nxënës. Fillimisht, ishim të huaj për njerjatrin, e të pashoqërueshëm. Ishte një gjëndje e paspjegueshme: e parehatshme, vërtet nuk urrehesim, dhe s’kishte përse, por edhe nuk duheshim. Kaluan javë. U mësuam me njeri-tjetrin dhe u krijuan ,sipas pëlqimeve , me ata që u hahej muhabeti , grupet dhe shoqëritë. Siç e kam vënë re edhe në vitet pasardhës, nëpër klasa, ka edhe nga ata që u duket vetja më të mirë, më të mençur e pse jo edhe mujsharë e më të fortë. Ata, e ,mbajnë brezin lëshuar për sherr, kërkojnë dikë, që si thoshte Fan Baçova, më i rrituri i klasës, “Të tallin bythën, apo të nxjerin kunjin”, ndonjë idiot(në dukje si i tillë) që ta tallnin e ta bënin lolo. Po ta donte puna, jashtë shkolle në ndonjë zgëq, edhe t’ia thyenin hundët! Sefte mu vardisën mua. Fshatar hesapi,nga koka te këmbët! Një ditë, kur u kthyem nga pushimi midis orëve, mbi bangë te vendi im gjeta një mi të ngordhur. Ata, të fortët, mi kishin ngulur sytë me tallje dhe shihnin se ç’do të bëja. Prisnin që të shaja, të sokëllia dhe të bërtisja, që të bënin gallatë. Qetësisht, mora një copë letër, e kapa miun nga bishti dhe e hodha në koshin e të fshirave. U ula në bangë. Bëra sikur s’kish ndodhur gjë. Melania më tha ti kallzoja mësuesit. Jo, i thashë, s’kam kujt t’ia bëj përsipër dhe atyre do tu hapet më shumë oreksi. Ditët e tjera më hidhnin romuze e ngisnin me fjalë. Ata: mor’Idriz djali, ku e ke blerë atë “Kostum” të bukur, na e rrëfe dyqanin që t’i blejmë edhe ne.(ironi me rrobet e mia të shajakta) Unë: Jeni të vonuar, u shitën të gjitha, prisni për vitin tjetër! Ose: ”Nga ç’gomar është rjepur ajo lëkura e opingave të tua?” I dëgjoja me qetësi dhe u ktheja përgjigje shpotive, por pa i fyer.Në një rast, kur zonja Ariste lexoi hartimin tim ,si më të mirin, para klasës, ata nuk më kursyen. “Ç’kemi, çam i djegur?”Mos e mbaj hundën përpjetë, se me atë hartimin tënd, e di ç’bëjmë ne?Fshijmë menderen! Apo kot nasikoti: “E, more, çam’i pabesë me thikë në brez! ”Ma ngulnin tehun e fjalës te ajo plagë e pambyllur që më dhimbte. Pse vallë, të ishe çam, shqiptar i çamërisë

i goditur nga fatkeqësitë,vrasjet dhe shpërngulja e dhunshme, duhet të mbaje mbi vete, mëkate mallkime përbuzëse që si kishe? E kjo të bëhej shkak që të dukeshe ndryshe nga të tjerët?

Si e panë që nuk merrja zjarr, nuk mërzitesha, nuk ankohesha e as i shaja, dhe u kërkova me mirësjellje të mos më binin qafës, e ca më tepër që në mësime isha më i mirë se ata, hoqën dorë.

Por ata nuk e dinin se sytë më mbusheshin me lot dhe më mbyste gulçi kur gëlltisja helmin e poshtërimit. Pyesja veten: Pse, pse? Ngaqë vija nga një krahinë e panjohur për ta apo se isha i varfër e pa baba e s’kishte kush të më delte krah?

Isha i rritur për të kuptuar dhe ndjerë gjer në dhimbje ngacmimet dhe poshtërimet dashakeqe. Ç’i thonë kësaj: të kënaqesh kur fyen, të ndjesh kënaqësi nga poshtërimi i tjetrit, që nuk të le shkak, përse të mos priresh ndaj së mirës,fjalës së ëmbël dhe bujare? Pse ligësi, poshtërsi, dashakeqësi? Por ende i vogël për të kuptuar shkaqet apo ngasjet e shpirtrave njerëzore, që çuditërisht pa shkaqe e motive, prireshin ndaj të keqes e jo ndaj së mirës.

Për këta lloj njerëzish , gjysh Avduli thoshte se kanë maçokun që i grryen në bark!

Gjetën dhe i hodhën grepin Luçit, një moshatari ynë nga fshati ngjitur, që nuk para mbushte. Bënin hoka me të dhe e tallnin duke e vënë në lojë. Më vinte keq për Luçin, por grupi i Fanit e kishte në vënd të lolos. Grupi i tyre ishte si foleja e grerzave, me thumbin gati për të pickuar.

Mua më mjaftonte shoqëria e Melanisë.

***

Ra zilja. Në klasë hyri mësues Islami. Vari kapelen republikë prapa derës, shtroi me dorë flokët si gjemb iriqi, qethur kare, fërkoi duart që t’i ngroheshin se moti qe ftohur e soba nuk qe ndezur, e rroku klasën me një vështrim dhe na bëri shenjë të uleshim. Dukesh në formë. Si gjithmonë.

-E, si e keni synë e pushkës? U pëlqen historia? Pa historinë, se dimë as kush jemi as ku vemi. Dhe historia jonë na thotë se kombi ynë, pellazgo-iliro-arbëror, rrugën e tij e ka çarë me shpatë në dorë dhe me grykën e pushkës!- Kjo ishte parathënia e parathënieve!

Atë orë kishim nga historia e Shqipërisë, rrethimin e Krujës. Mësuesi, thirri emrat, ne dolëm nga bangat dhe u rreshtuam anash murit nga të dy krahët: Arbërorët dhe turqit.Si në teëatër. U ndanë rolet. Skënderbeun do ta bënte Fani, që ishte trupmadh. Ai mori një vizore druri të gjatë dhe e ngjeshi në brez si shpatë. Mua më takoi të jem Vrana Konti. Përballë ishte sulltan Murati II dhe pashallarët turq.

Mësues Islami, e nxori karrigen para tryezës dhe zuri vend, u rehatua në të që të na kishte mirë parasysh dhe , nisi nga pyetjet:

- Mos harroni, jemi në maj të vitit 1450. Turqit me sulltan Muratin e dytë e kanë rrethuar Krujën me 160 mijë asqerë dhe dhjetë topa të mëdhenj. Pas kësaj kujtese erdhi pyetja:

-Përse i lufton dhe si i lufton turqit o i madhi Skënderbe?

Fani fryu gjoksin i dha fytyrës pamje të rëndë dhe trashi zërin:

-Luftoj për lirinë, nderin e Arbërisë dhe pasurinë e popullit tim, kundër tiranisë së turkut të urryer, ardhur nga fundi I Azisë, që do të na vërë nën zgjedhën e skllavërisë, të na lidhë me zinxhirë dhe të na degdisë në Anadoll, të na mbrehë në parmendë në vend të qeve. Që do të rrëmbejë e t’i çnderojë vajzat, motrat dhe nuset tona, e t’i mbyllë në haremet e pashallarëve dhe zuzarëve. Ti kallij në flakë shtëpitë tona dhe ta kthejë në shkretëtirë arbërinë tonë të bukur.Të ulet këmbëkryq e të sundojë. Jam betuar që tokën e arbërisë do t’ia kthej në varr!-Fani nxori nga brezi vizoren shpatë dhe e vringëlliu në erë.

-Bravo Baçova, po si do ta luftosh dhe mundësh, atë mizëri asqerësh me një grusht trima që ke ti? Gjithë e gjithë tetë mijë, gjashtë mijë kalorës e dy mijë këmbësorë?

-Vetë, me gardën dhe kalorësinë, kam qëndruar jashtë kështjellës, i sulmoj turqit atje ku se pandehin, grykave të ngushta të maleve dhe përditë ua firoj asqerët, i lodh e i telikos që të mos kenë kohë as të marrin frymë dhe të shporren nga sytë këmbët, andej nga kanë ardhur! Brenda në garnizonin e kështjellës kam lënë Vrana Kontin, të mençur e trim me besë.

Mësuesi m’i hodhi sytë, ishte radha ime.

-Vrana Kont, mor Kont Uran, si do të mbrosh kështjellën nga sulmi i Sulltanit?

Thashë se ishim betuar që do ta mbronim kështjellën me jetë, se turqit mund të kalonin vetëm mbi trupat tanë. Kisha siguruar ushqim dhe ujë të mjaftueshëm për garnizonin dhe familjet krutane. Kisha forcuar bedenat me ushtarë harkëtarë, të armatosur edhe me mburoja, ushta, e topuzë, që rrinin roje dit-natë. Kisha edhe tridhjet topa të lehtë dhe disa arkebuza [1]Se sa herë turqit kishin synuar të ngjiteshin, i kishim përmbysur shkallët, i kishim vrarë me gurë, i kishim përvëluar me serë të ndezur. Ishte bërë plojë e madhe, gjaku rridhte lumë. Të vdekurit e turqve ishin bërë pirgje posht mureve. Batërrdia ishte bërë te porta e madhe që përpiqeshin ta hapnin me goditjen e dashit.Turqit nuk arrinin as t’i varrosnin të vrarët e tyre dhe ata po i hanin korbat! Brenda kështjellës, i gjithë populli ishte me ne, të vegjël e të mëdhenj, gra e burra, të rinj e të moshuar.

- Sa do të mundni të duroni?

- Sa të kemi frymë!

-Mirë Mazreku.

U kthye nga “turqit”, që po rrinin qetë dhe dëgjonin ne që mburreshim e trimëroheshim. Sulltan Murati, ishte Vathi nga Zhupani, që çështë e vërteta s’kishte sy as për nizam e jo më për sulltan.

- Sulltan Murat i dytë i Turqisë, Përse e ke rrethuar kështjellën e Krujës dhe kërkon të zaptosh vëndet e Arbërisë?

Vathi u mendua pak dhe e hodhi vështrimin mbi pashallarët që kishte në krah.

- Po, ja, zoti mësues, si ta them unë i shkreti, ashtu…kështu…

Mësues Islamit i hipën kacabujtë:

-Mor kokëtul! Ti je sulltani i turqisë, si belbëzon bërr-bërr, ku e ke krenarinë, madhështinë, trimërinë, urrejtjen!Se paske mësuar mësimin. Dysh! Hiqu mënjanë nuk bën për këtë rol. Tjetri! Dhe shënoi me gisht, djalin e sulltanit, Mehmetin.

Që nga ajo ditë, aq u desh, që Vathit t’i mbetej nofka “Kokëtul”

-I urrej arnautët, janë heretikë dhe Skënderbeu një besëprerë, që e rrita në oborrin tim, në besë të islamit, braktisi ushtrinë time, mashtroi dhe vrau mytesarifin, pushtoi kështjellën , lufton si kaçak në Sfetigrad, në Torvioll, në Albulenë e Domosdovë, dhe ma thyen e faron ushtrinë. Arnautët do t’i bëj synet e kthej në besë të islamit, të tjerët e pabindur, në raja. Kambanoret e kishave do t’i kthej në minare xhamish dhe në vend të kryqit të urryer do të ngre gjysmëhënën që është bekim i Allahut! Allahu është më i Madhi! Harramsëzin e dinsëzin, Skënderbeun, do ta mbyll në kafaz hekuri dhe do ta shëtit rrugëve të Adrianopojës. Pastaj do kapërcej detin, Papës së Romës do t’i vë në kokë çallmën dhe Shënpjetrin do ta kthej në xhami!

- Boll u trimërove. Mjaft për sot. Tani mbani vesh e dëgjoni se do të spjegojmë mësimin e ri.

Ora e mësimit të historisë mbaroi.

E fundit ishte ajo e gjuhës. Zonja Ariste do të na spjegonte gramatikën, kohët dhe zgjedhimin e foljeve.Me zërin e saj të plotë e tingëllues, si të goditura çekiçi, ajo mundohej të ngulte në mendjet tona në mënyrë të pashlyeshme, ndërliqjen e foljeve “Me qënë e me Pas”, në të tashmen, të shkuarën dhe të ardhmen në mënyrat dëftore, habitore, dëshirore e paskajore. E drejta edhe nuk më tërhiqte, por për të mësuar i mësoja.

Ngam një copë udhë me Melaninë, pastaj i uruam njerjatërit “Ditën e mirë” dhe u ndam. Melania do të shkonte të rehatohej në shtëpi,në të ngrohtë e me dritë elektrike, teksa unë kisha ende shumë për të bërë.

***

Më kishte marrë uria. Gjellën e drekës e kisha me vete: një shishe gjysmë litërshe me qumësht dele që e merrja nga shtëpia.Nëna kishte sajuar një trastë të ngushtë si këllëf. Kisha ngulur një gozhdë në bangë nga ana e murit dhe e varja aty shishen. Shokët në fillim u habitën, po më pas u mësuan dhe thoshin”Është qumështi i Idrizit” dhe nuk e trazonin. Mora rrugicën që të çonte në pazar te furra e bukës. Merrja me triskë pesqind gram bukë. Ky ishte racioni ditor që na jepnin ne shkollarëve.Nëpër bankinat e çimentos, fshatarët kishin nxjerë pë shitje presh, lakra, spinaq, qepë të njoma.Por mbi të gjitha dëgjoheshin të thirrurat me sa zë kishte të Sulë bosnjakut, me një gjysmë shqipe, një i vrarë lije, me lëkurën e fytyrës tërë vrima, kapuç të bardhë dhe përparse të gomuar.”Peshka taze ke xha sula, urdhnoni myshteri se a tu u maru” dhe sërish e sërish i njëjti refren-ftesë për myshteritë. Mbi bangot e çimentos ishin hedhur sardele dhe bakalaro të kripura që qelbnin me erën e rëndë tërë pazarin. Mbylla hundët kur kalova aty. U ktheva te cepi I rrugicës dhe shkova te furra e bukës.Nuk e di pse i thoshin furrë, se aty nuk piqej buka, ishte thjesht dyqan. Kishte radhë. Buka ende s’kishte ardhur. Njerëzia prisnin,në dy radhë, në njerën burrat,më të shumtë, në tjetrën gratë, më të pakta. Hyra në radhë. Pas meje edhe të tjerë, radha po zgjatej. Nisi të frynte veriu që sillte të ftohtë.

Nuk vonoi dhe erdhi karrua me arkën e madhe mbushur me bukë. Ishin të misërta, katrore si tulla, të trasha, u thoshin babanace. Po më afrohej radha, kur para meje më dolë një djalë, më shtyu prapa dhe zuri vënd para meje. Një hardall i hollë e i gjatë një kokë më i lartë se mua. Po kjo? Mos iu duka humbameno e frikacak. E zura nga krahu dhe e nxora jashtë radhe. “Si e ke hallin- më tha- jam para teje. Mos bëj llafe po nuk do të hash dru! Dhe më kapi fort në gjoks.E pashë në sy: fytyrë hequr, i shplarë, abrash, pa gjak, që po më skërmitej si qen. Nuk e di se si më erdhi, por hapa krahun dhe me sa më hante i dhashë një shuplakë të fortë në faqe, ai që nuk e priste, vuri dorën te vëndi I goditur, dhe unë i ngjesha edhe një shuplakë tjetër që e goditi në hundë dhe i rrodhi gjak. Na ndanë në çast. Ai, që më von e mësova që e quanin Berti, nisi të qante, më tha se kisha për ta parë se ç’do të më punonte i vëllai dhe shkoi në fund të radhës.

Me bukën në dorë, gjeta një qoshe ku s’më zinte era dhe drekova. Buka ishte e ashpër si zhavor, por e përcillja me qumësht që e pija nga gryka e shishes. Gjysmën e bukës e shpija në shtëpi, për ta ngrënë në mëngjes.

Kur u nisa për në shtëpi, koha u keqësua. Ishte fund nëntori, që nëna i thoshte vjeshtë e tretë. Dita e shkurtër dhe muzgu binte shpejt. Nxitoja sa mundja. Nuk kisha bërë as gjysmën e rrugës kur era u harbua, frynte dhe shfrynte bulçitë, dhe pjerrësonte pikat e shiut që nisi të binte. Kamxhikët e vetëtimave gjuanin retë dhe shkrepëtimat e bubullimat dridhnin vendin, tokën e gjithëçka mbi ‘të me zjarr dhe rrebeshet e shiut. Retë e zeza, barkmëdhaja, të shtyra nga era, zbrisnin mbi tokë, përzjeheshin me mjegullën dhe zbraznin litarët e ujit që me rrëketë e verdha suleshin me grafullimë të shkumëzuar , mbushnin gropat, shkisnin në sipërfaqet e rrafshëta dhe derdheshin në kanalet anës xhadesë.

Isha vetmitar, në rrugë të madhe, xhan xhin, në të dy anët fusha e shkretë, pa një strehë ku të mbrohesha. Ngjesha në kokë kaculen dhe mbulova shpatullat me thesin e leshtë, për aq sa mund të më mbronte. Futa në gji librat që të mos më lageshin dhe u luta: “ Shi o shi, pusho mos më lag se kam gjith atë rrugë për të bërë, nuk të vjen keq për mua, që jam fillikat, kaq i vogël e pa mbrojtje?”- dhe ua ngula vështrimin reve. Ato mu përgjegjën me bubullima dhe shkrepëtima që se linin zërin tim të dëgjohej. Epo? Ec të ecim. Nga gjunjët e posht u bëra ujë. Ujët më llokoçiste në këpucë, por çorapet e leshta e kanë atë të mirë, nuk më linin të ftohesha.U bë një orë që po ecja si i verbëri në mes shiut e mjegullës, kur shiu rralloi e pastaj pushoi. Duke llapashitur nëpër baltë dhe ujërat e verdha, lashë xhaden dhe hyra në rrugën e fshatit që ishte bërë dyst nga ujët dhe unë orientohesha me tahmin. Për të dalë në shesholl që ishte bërë det nga uji, mu desh të kapërceja një hendek. E mata me sy, u tërhoqa pas dhe mora vërtik dhe e kapërceva. Thesi më shkau nga koka dhe e mori përpara rryma e ujit. Desha ta kap por pa dobi, hendeku ishte i gjerë dhe rryma e shpejtë. E lashë dhe shkova në shtëpi. Thesin, që e kisha ndaç si çadër, ndaç si gunë, të nesërmen, kur ranë ujërat, shkoi dhe e kërkoi Sadiu. E gjeti që kishte ngecur në ferra.

Si i thonë, më ishte lagur dhe gjuha. Më ishin zbrujtur edhe mishrat e këmbëve. Nëna u lemeris nga e keqja dhe duke mërmëritur “Bir o bir”më zhveshi dhe më veshi me të thata, i hodhi dru zjarrit dhe më vuri të ngrohesha.

Shkolla kishte haraçin e saj!

Qershor 2022

[1] Pushkë të hershme.

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page