Fatmir Terziu: Paralelisht me regjisorin Aqif Ademi
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 17 hours ago
- 9 min read

Paralelisht me regjisorin Aqif Ademi
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Ky mendim më lindi kur, krejtësisht kundër rregullave dhe dinamikës së rrezikshme të Londrës, pashë me sytë e mi një rrezik kur makina me një drejtues e pasagjerë të zakonshëm kaloi para syve të mi dritën e kuqe në trafikun nervoz pranë Bibliotekës Britanike më 30 maj 2025. Unë vetë po nxitoja, por natyrshëm nuk konvertoja atë që kisha në mendje me gabimin e yshtjes në shkelje të rregullave. Isha me nxitim sepse një dëshirë e hershme për të shkruar për një figurë të respektuar ishte gati të bëhej realitet. Brenda asaj që kërkoja në arkivat e Bibliotekës, madhështore, më dukej si një takim unik dhe i papërsëritshëm që po bëhej pa prezencën e personazhit në një takim të ndjeshëm arkivor me një copë të së kaluarës së shqiptarëve dhe vetë Shqipërisë së disa dekadave më parë.
Ëndrrat e paplotësuara janë një fenomen i madh, prandaj nuk mund të zbuten me fjalë dhe kufizohen me pafundësinë. Megjithatë, të realizuarat shpesh e zvogëlojnë hapësirën e tyre në informacion të shkurtër dhe të saktë, i cili në rastin specifik të së kaluarës pasqyron sa vijon:
Kërkimi në brendësi të arkivës në Bibliotekën Britanike për materialet filmike, librore, dokumentuese, të heshtjes midis njerëzve të të njëjtit gjak, midis shqiptarëve dhe anasjelltas në kufijtë e Shqipërisë dhe të ish-Jugosllavisë, në kohën e monizmit. Rasti për vizitën e paracaktuar dhe të aprovuar nga stafi i Bibliotekës, natyrisht ishte paksa i vonuar në kohë, se tashmë kanë kaluar shumë vite, por dhe përkëdhelës në të njëjtën kohë, pasi drejtuesi i Departamentit sllavonik, në këtë Bibliotekë, ku bën pjesë dhe arkivimi shqiptar, kishte dhe një arsye më vete që e bënte më të suksesshëm. Në fakt gjëja e parë pasi shkon tek thelbi është ekzaminimi. Ekzaminimi i dokumentave ishte menduar si një dhuratë për shumë kureshatarë, për mjaft kërkues dhe hulumtues, për mjaft studentë që po diplomoheshin, me një mesazh për ta që të mos e humbasin kurrë realitetin historik, të mos e strukin errësirave kurë identitetin e tyre.
Dhe ndërsa prisja të bëja punën time, pas lajmërimit të kohës së duhur në zyrën përkatëse, duke bërë gati lapsin (se vetëm laps lejohet në këtë institucion) dhe duke marë dhe letrat në një qese plastike të tejdukshme, kurioziteti gjithnjë shkon tek celulari që pipëtin, ose dridhet në raste të tjera në xhepin tënd, por që para se të lejohesh të futesh në këtë departament, duhet ta kesh siguruar në pjesën e kyçur të materialeve të tua personale (se asgjë tjetër nuk lejohet të marrësh me vete, sipas rregullave të Bibliotekës). E kështu syri i fundit në celular dhe rishfaqja e një miku të hershëm në siparin e parë...
Ishte një përshkrim i regjisorit të mirënjohur shqiptar, Aqif Ademi, për një mikun tim të hershëm, njeriun e specializuar të Drejtësisë shqiptare, Baftjar Rusi, me të cilin kam kujtimet nga më të bukurat, në kohën kur unë bashkë me të punuam në një mjedis të njëtë edukimi në Ostren të Madh të Dibrës. E ndërsa prisja që të lajmërohesha për atë që në fakt kisha javë që kisha aplikuar, mednja ime si një penë e mprehur dhe e gatshme të shkoj në thellësi të errësirës së kujtimeve, filloi të më ngacmonte dyfish. Një arsye ishte intelektuali i mirëfilltë, Baftjar Rusi, që mbetet një Njeri mbi të gjitha vlerat që mund të ketë një dimension i tillë njerëzor, dhe vetë Regjisori tipologjik i kohëve të fundit, Aqif Ademi, që është dhe një seleksionues, përshkrues, arkivues dhe prezantues i figurave të një zone të madhe e të bukur, të pashkelur e të patrajtuar shumë, në tërësinë gjografike që i përket hapësirave e trojeve shqiptare siç janë Ohri, Struga dhe Dibra e Madhe. Dhe natyrisht të dhënat më sillnin në vëmendje edhe librat e tij të botuar kohëve të fundit, dhe që kanë të bëjnë shumë me historinë. Diku lexova me vëmendje një paragraf prej vetë Aqif Ademit: „Unë nuk jam historian, por duke bërë skenare historike dhe duke kërkuar për historinë më ka bërë që të jem dhe historian. Librat e mi janë të karakterit historik, si libri “Dibra e Madhe” i cili është pritur shumë mirë dhe ka pasur shumë reputacion. Meqenëse Dibra është një qendër e madhe kulturore, ekonomike dhe patriotike, shumë dibranë ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe unë bëra një gërshetim të tilllë në këtë libër. Kam bërë dhe një libër për trevën e Maqellarës ku dhe aty ka shumë figura. Kam shkruar dhe një libër për fshatin 6 mijë vjeçar, që është dhe origjina ime, Allajbegija e Dibrës. Tani kam dhe një projekt tjetër letrar për shumë figura që kanë dhënë për Dibrën, qoftë ushtarakë, doktora, apo arsimtarë. Mendoj të bëj një enciklopedi për këta intelektualë, që kanë kontribuar për komunitetin me rrezatim kombëtar.“
E kështu mes kësaj kërshërie të ngjallur nga informacioni paraprak, koha më obligonte dhe për një telefonatë në Atdhe. Formova numrin dhe menjëherë pas cingërrimës, u shfaq në veshin tim zëri mirësjellës dhe plotë kulturë i inxhinierit sizmolog, Lulzim Shahinaj, që në fakt mendova se ishte i vetmi intelektual për momentin që të më prezantonte më gjerë e më mirë emrin dhe veprën e regjisorit dhe këtij ngulmëgjurmësi të ekzistencës shqiptare, pra Aqif Ademit, pasi e pashë që në rrjetet sociale kishin bashkë një seri fotografish në Studën të Dibrës dhe në Borovë tek e famshmja e biznesmenit dhe dashamirësit gjithë kulturor Shkëlqim Golli, „Trofta Borova“. E biseda gjithnjë shkonte tek identiteti.
Shkurt dhe qartë. Por shumë pak për të gjitha ato që ne, të gjithë së bashku, intelektualët, shkrimtarët, profesorët, artistët, mësuesit, kemi investuar në kauzën tonë, për t'i mbajtur brezat shqiptarë, edhe kur ata ndjekin rrugën e tyre. Prandaj, përveç emocioneve deri më tani me këtë rrugëtim kaq të veçantë ballkanas, me këtë përjetim të rrallë dhe të ruajtur me xhelozi edhe në kohën e ndarjes me gardhe e tela, për ne, të gjithë, shqiptarë e të huaj dhe të diplomuarit në Britani të Madhe, do të kishin të ndiqnin dhe të pathëna të shumta, dhe pse të mos shtoja dhe këto shënime për Aqif Ademit, sepse dhe ai po bënte një rrugëtim të tillë modern në arkivim të vlerave. Mendimi i fundit jashtë projektit tim të kahershëm ishte veçanërisht i rëndësishëm. Dhe kështu në të dy rastet ndiqja dhe atë që Aqif Ademi e kishte ndjerë kur ai vizitoi si turist në kohë të ish_jugosllavisë zonën në fjalë, dhe ku pyetja e gazetës „Shqiptarja e Re“ Si ishte jeta në atë Ohër-Strugë? Gjente një përgjigje të tillë nga Aqif Ademi: „Krejtësisht e re, e gjelbëruar, çdo gjë e pastër. U ulëm të pinim diçka, unë nuk e dija si haeshin bananet. Dibra e Madhe ishte tip Stambolli, pashë për herë të parë televizor me ngjyra, ushqimi i shkëlqyer, çdo gjë në përsosmëri! Rrugës më ndalonte sigurimi i tyre. Ata nuk kishin asnjë ide, donin të dinin se çfarë pune bëja unë në Tiranë. Ata e dinin qe ne në Shqipëri jemi të varfër. Babai u shmall me njerëzit e tij, ajo ishte jeta më e mirë e tij. Babai e kishte gjithë farefisin në Dibër të Madhe.“
Tashmë arsyet po shtoheshin akoma më shumë. Dhe mendoja pytjet enigmatike të dikurshme po kërkonin sqarime të tjera, se pas kthesave kaq dramatike në historinë tonë të trazuar, a do ta njohim njëri-tjetrin kur të shihemi? Dhe a do të jemi në gjendje të lidhim fillin e vazhdimësisë pas shkatërrimit të tmerrshëm të traditave dhe lidhjeve të gjakut, nëse nuk arkivohen edhe sot në shekullin e njëzet e një në Londrën që flet për tërë botën? Më parë kisha dhënë disa leksione për këtë tematikë. Dhe me sytë që lëviznin në gjeografi tjetër e me mendjen në një tjetër, vetëm veshët ishin tek sinjali që prisja në Bibliotekën Britanike, ndërsa pjesët e tjera ishin të përgatitur si në fillim të një shkrimi të tillë, e në teori me të gjithë informacionin që më kishte arritur në mendjen time. Por një shkrim nuk është thjesht një pasqyrim, ai sipas stilit tim është më shumë se një hulumtim, më shumë se një narrativë, më shumë se një direktivë, që shkon dhe tek diksursi se kthimi i një ëndrre në realitet nuk mund të mbështetet vetëm në fjalë.
Ndërkohë më erdhi sinjali për të hyrë në departamentin përkatës në ndërtesën unike të Bibliotekës Britanike, të projektuar arkitekturisht si një anije me strukturën e lashtë, që sytë dukej e shpinin larg në ekzistencën tonë ilire të rezervuar për disa sekonda „flash“, derisa u hap salla me materialet e kërkuara që qëndronin mbi një tryezë me xham e të hapur. Ashtu me laps e me qesen plastike në dorë qëndrova ballë për ballë me sfondet arkivore, të paraqitura me ngjyra të kuqe vezulluese. Sikur furçat e artistëve sapo ishin ndarë nga sipërfaqja e pergamenës dhe përgjatë vijave të mbishkrimeve sipër dokumntacionit arkivor, ngazëllimi më çoi disa vjet prapa në audiencën më të pazakontë dhe më unike me traditën dhe mikpritjen shqiptare të turistëve britanikë që hynin në territorin shqiptar me pasaporta franceze dhe vetëm nga kufiri i Hanit të Hotit, pra nga Republika e atëhershme e Malit të Zi, në ish-Jugosllavi. Diku ndesha me një grup që kalonte Qafë Thanën. Aty kërkova ërrish në ndihmë Aqif Ademin…“Erdhëm në Tiranë me babain për të kaluar kufirin në Qafë Thanë. Pyeta njërëz të tjerë që kishin qenë andej, se çfarë duhet të çonim! Më thanë vetëm gjëra artistike, ata nuk kanë nevojë për asgjë. Fjetëm me babain një natë në Tiranë, të nesërmen shkuam për në Qafë Thanë me taksi nga Sheshi Avni Rustemi. Babain e zinte makina, rruga me shumë kthesa! … Kur shkuam te pala maqedonase na shikonin çuditshëm, sidomos mua. Kur erdhën kushurinjtë, sa hipëm në makinën strugane, pashë Liqenin e Ohrid, më erdhi në mendje Lasgushi, duke ecur me makinë dilnin rrugës reklama nudo. Dibra e Madhe ishte tip Stambolli, pashë për herë të parë televizor me ngjyra, ushqimi i shkëlqyer, çdo gjë në përsosmëri! Rrugës më ndalonte sigurimi i tyre. Ata nuk kishin asnjë ide, donin të dinin se çfarë pune bëja unë në Tiranë. Ata e dinin qe ne në Shqipëri jemi të varfër. Babai u shmall me njerëzit e tij, ajo ishte jeta më e mirë e tij. Babai e kishte gjithë farefisin në Dibër të Madhe.“ (Po aty)
Tashmë kisha një ide më të fortë për këtë intelektual shqiptar, për regjisorin, dashamirësin, arkivuesin e kohëve moderne të kësaj treve, njeriun që mban penën për vlera reale që të mos mbesin të tilla, të harruara. Ndjeva sikur fliste me mua me atë që kishte shprehur kohë më parë: „Njeriu sado që të arrijë përpara duhet të kthehet edhe mbrapa, të shkojë në origjinë, sepse origjina është respekti i të parëve dhe prindërve tuaj. Unë me modestinë time e kam mbajtur origjinën nga vij, nga Maqellara e Dibrës. Eshtë një fshat mijëravjeçar dhe unë nuk e ndjej veten asnjëherë të ikur nga ai vend. Tani edhe me Rrugën e Arbërit unë jam shumë prezent në ato troje. Pavarësisht monotonisë së jetës atje, unë bëj një gërshetim ndërmjet origjinës dhe metropolit shqiptar.“
Kjo më ngjante në sytë e mi ngjashmë me kuratorët e sjellshëm të bibliotekës që shikonin me një buzëqeshje çdo përhumbjen time në materilet e arkivës. Rreshtat e mia të renditura brenda njohurive të gjetura akademike nuk përfshinin askund pikën "Ngacmim historik". Ato fillonin që nga shfaqja dokumentuese, nga e përgjithshmja tek arsyet specifike, me pyetjen e përgatitur: a e dimë se çfarë do të thotë një dorëshkrim? Dhe i shihja strukjet e enigmave diku thellë në buzëqeshjen e heshtur, po me mirësjellje. Sepse e kisha kuptuar prej kohësh të vërtetën e formuluar në fjalinë gjeniale të themelit të Arkivës Britanike se "dorëshkrimet nuk digjen". Përndryshe, një dorëshkrim është një dokument i lashtë ose mesjetar (rrotullë, kodeks ose libër), i shkruar me dorë në fletë të ndara, ose të bashkuara. Mendimet më rrotulloheshin në një pikë dhe brenditë e revoltuara herë pas here përgjigjeshin sikur të ishin nga një libër i lashtë dhe i palexuar ndonjëherë. Jo vetëm për këtë pyetje. Njohuritë e mi e dinin se çfarë do të thoshte një gjetje identiteti. Dhe ndërsa shihja i trazuar me mendimet e shpërndara ndiqja se edhe të pranishmit detyrëbërës të Arkivës, pra edhe ata dinin gjithashtu fatet tona ballkanase, fatet tona shqiptare, të ndara me një formatim të Shqipërisë Londineze, të transmetuar dhe të kopjuar nga epoka në epokë për të arritur tek ata që janë të interesuar sot të njohin të vërtetën shqiptare.
Por ata gjithashtu e dinin se nuk ka mënyrë më të mirë për të arritur sesa ajo që është shkruar në gjuhën amtare. Ajo vjen direkt në zemër. Jo në mendje. Dhe kjo bëhet fole në gjirin e kujtesës së gjakut deri në fund të ekzistencës sonë personale. Nëse nuk ke kujtesë tënden, je zhdukur. E gjitha shëtiste midis kohëve ndryshe në mendjen time që shfletonin, shënonin dhe shkruanin katërdimensionalisht në Bibliotekën Britanike. Por dorëshkrimet nuk digjen. Ato jetojnë vetëm në mendimet dhe emocionet e atyre që bëjnë një dallim midis shkencës së madhe të saktë dhe fragmentit të ruajtur të historisë së tyre, në të cilën gjithçka e jona është unike. Prandaj, ishte e pamundur për mua të mos ndërhyja, vetëm të shkruaja e të transmetoja edhe për këtë projekt, edhe për atë që bënte dukshëm dhe ndjeshëm Aqif Ademi, regjisori, shkrimtari, hulumtuesi dhe arkivuesi i gjallë i identititet shqiptar në vitet e fundit. E këtë e bëja jo për shkak të bukurisë së qasjes arkivore në Bibliotekën Britanike dhe ngjyrave të ndritshme të dokumetave të lyera me ar, ose për shkak të gurëve të çmuar dhe diamanteve të zbukurimit të mjaft vlerave dokumentare, por për shkak të fjalës së shenjtë të brendshme…, identitetit të madh shqiptar.
Këtë bën dhe këtë ndjeva se e realizon mjaft bukur edhe regjisori Aqif Ademi, ky artist i lidhur ngushtësisht me identitetin shqiptar, me vetë vendlindjen. E them kështu, se aktivitetet e tij kanë gjithmonë karakter shumë masiv, nga vetë njohjet e tij personale, familjare dhe shoqërore. Promovimet e librave të tij janë bërë me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve. Me regjisurën e tij në sallën e Muzeut Historik Kombëtar ka udhëtuar suksesi dhe promovimi. Duke përfunduar kështu dola në konkluzion se nëse ajo që na ndodhi nuk na ndjek dhe nuk na sfidon përpara në kohë, do të fajësohemi vetëm ne!