top of page

Bilall Maliqi: Të qeshim apo të qajmë?


SATIRA SI PASQYRË E KARAKTERIT TË DEVIJUAR SHOQËROR

 

(Mexhid Mehmeti – “Të qeshim apo të qajmë?”, tregime satirike)

 

 Nga: Bilall Maliqi

 

 Në një kohë kur letërsia shqipe përjeton një deficit të theksuar në zhanrin e satirës, veçanërisht në prozë, libri “Të qeshim apo të qajmë?” i shkrimtarit Mexhid Mehmeti vjen si një kontribut i veçantë dhe i mirëpritur në këtë fushë. Me një titull që ngërthen një metaforë të fuqishme dhe përplot kuptim, autori na fton në një udhëtim përmes realitetit të përditshëm shqiptar, ku e qeshura dhe e qara ndërthuren në mënyrë të pazakontë dhe shpesh paradoksale.

Ky vëllim përmbledh tregime të shkurtra, me përmbajtje satirike të thellë, që rrëfejnë përmes një lenteje të mprehtë kritike realitetin shoqëror, politik dhe kulturor. Satira e Mexhid Mehmetit zbërthen shtresë pas shtrese fytyrën e shoqërisë sonë, duke çjerrë maskat e hipokrizisë dhe duke ekspozuar karakterin e humbur njerëzor në mjedise të ndryshme të jetës sonë kolektive.         Ironia, sarkazma dhe absurdi janë elementët kyç që përshkojnë strukturën narrative të këtyre tregimeve, duke e bërë leximin njëherazi zbavitës dhe tronditës.

Në brendësi të librit përfshihen tregime të ndërtuara mbi situata të zakonshme të përditshmërisë sonë, të cilat, përmes një syri të përzgjedhur autorial, shndërrohen në pamje groteske të së vërtetës. Ndodhive të zakonshme u jepet trajtë satirike me një gjuhë të mprehtë, të pasur dhe të kapshme për çdo shtresë lexuese.

Shumë prej këtyre tregimeve janë të formësuara si miniatyra letrare, në të cilat autori shpërfaq absurditetin e përditshmërisë përmes personazheve që janë shpesh alegorikë dhe bartës të një mesazhi të qartë shoqëror.

Ilustrimet si: “Kritiku që s’dinte të lexonte” – një metaforë e errët për ata që gjykojnë pa njohje; “Shkrimtari dhe redaktori i pamëshirshëm” – që shtjellon raportin shpesh të tensionuar mes krijuesit dhe kontrollorit të fjalës; “Kompozitori që urren muzikën e tij” – një ironi për artin e shndërruar në eksperiment absurd; “Gazetari i intervistave të rreme” – që pasqyron krizën e etikës në media; “Filmi që askush s’e kuptoi” – një thumbim i qartë ndaj pseudo-artit elitar... ...janë ndër shembujt ku Mexhid Mehmeti artikulon me mjeshtëri çrregullimin e vlerave dhe humbjen e standardeve etike në profesionet që dikur përfaqësonin ndërgjegjen dhe mendimin e shëndoshë shoqëror.

Në këtë mënyrë, autori shpërfaq një realitet në të cilin e qeshura nuk është më vetëm një akt relaksimi, por një mënyrë mbrojtjeje ndaj absurditetit dhe zhgënjimit.

Vetë titulli “Të qeshim apo të qajmë?” është një pikëpyetje ekzistenciale mbi përmbajtjen dhe kuptimin e jetës shoqërore në kohën e sotme. E qeshura e natyrshme zëvendësohet me të qeshurën ironike, të hidhur, që buron nga kontrastet e thella të realitetit.

Nga ana tjetër, edhe të qarit si reagim i mundshëm ndaj asaj që ndodh përreth, nuk është më një shenjë ndjeshmërie individuale, por një reagim kolektiv ndaj prishjes së mekanizmave shoqërorë të drejtësisë, ndershmërisë dhe logjikës. Prandaj, kjo e qeshur dhe e qarë njëkohësisht që na shoqëron nëpër tregimet e Mexhid Mehmetit, është shprehje e një satire të lartë morale e artistike. Përveç ndërtimit tematik dhe stilistik, duhet veçuar se libri ka një qasje tejet bashkëkohore në mënyrën e përçimit të mesazhit.

Satirat e shkurtra, të numëruara në mënyrë rendore, funksionojnë si “aforizma të zgjatura” që përçojnë me shpejtësi dhe efekt të menjëhershëm absurditetet e kohës dhe njerëzit që i mishërojnë ato.

Kjo formë është mjaft efikase për t’i komunikuar mesazhet në një shoqëri të përmbytur nga informacioni dhe shpërqendrimi.

Libri “Të qeshim apo të qajmë?” i Mexhid Mehmetit mbetet një ndër botimet më të veçanta në letërsinë satirike shqiptare të viteve të fundit. Ai arrin të mbushë një boshllëk të ndjeshëm në këtë zhanër, duke e rikonfirmuar rëndësinë e satirës si formë letërsie që jo vetëm argëton, por edhe ndërgjegjëson, thumbon e mëton të ndërtojë një pasqyrë të qartë përpara shoqërisë.

Autori meriton urimet më të përzemërta për këtë vepër të arrirë, e cila hap një shteg të ri për satirën në prozë dhe krijon një model të ri për të pasur shpresë se ky zhanër do të rifitojë vendin e merituar në letërsinë shqiptare bashkëkohore.

 

Preshevë, fundmaj 2025

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page