top of page

Kadri Tarelli: Në vend të intervistës


Kadri Tarelli shkruan:

Maj 2025.

 

Qëllimi i jetës është të jesh dikushi, të përfaqësosh diçka, që jeta që jetuam të sjellë një ndryshim, qoftë edhe të vogël në këtë botë.

Leo Rosten.

 

DR. ENVER ISUFI dhe “BUJQËSIA BIOLOGJIKE”

Në vend të intervistës

Ka kohë që i kërkova mikut tonë Enver Isufi, (shkurt i thërrasim Veri), Prof. Dr. Shkencash në mbrojtje të bimëve, një intervistë jete, pune dhe krijimtarie. Dr. Enveri nuk më dha përgjigje, por pas ca ditësh më solli dy libra:

. I pari: libri “Njerëz të mirë”, (intervista, mbresa, kujtime), 2013, me autor Jorgji Muzaka, ku në afro 27 faqe libri, (143–147), përshkruhet e gjithë biseda mes tyre, duke prekur hollësisht të gjitha kohët e jetës dhe shkallët e arsimimit, specializimit, kulturës dhe punës të dr. Enver Isufit.

. I dyti: libri “Kapedanë të bujqësisë”, (Publicistikë). 2021. me autor Bashkim Koçi, ku në 16 faqe, (61–77), jepet shkurt jetëshkrimi dhe më shumë përqendrohet te “Bujqësia Biologjike”, ku idealizmi i specialistit Enver Isufi arrin kulmin, kur shprehet: - Po të kisha fuqi vendimarrëse, do ta shpallja vendin tim “Shqipëria biologjike”. 

Më pëlqeu veprimi i z. Isufi, sepse me heshtjen mësova një të vërtetë që nuk e dija më parë: Në dy librat shkruhej gjerë e gjatë, mbi jetën dhe punën e këtij specialisti, apo siç i thërrasin shkurt, kolegët dhe miqtë e tij, “Doktori” i  mbrojtjes së bimëve.

Kështu shtyhem të mendoj, se kush i ka lexuar këto libra, vetiu do të shprehej, se autorët me shumë dashuri e përkushtim, kanë bërë secili nga një monografi apo përmbledhje të të gjithë personaliteteve që kanë dhënë mendjen, mundin dhe djersën në zhvillimin e bujqësisë shqiptare, si në drejtimin dhe organizimin e punimeve bujqësore, ashtu edhe në mbrojtje të bimëve, që vetiu kërkon njohje, dije dhe punë shkencore.

Për këta specialistë, si diçka e veçantë dhe me shumë peshë mbetet për t’u vlerësuar ngritja e “Institutit të mbrojtjes së bimëve”, në Durrës, personeli i kualifikuar, pajisja me laboratorë dhe mjete teknike, e shikuar më tej, jo thjesht si qendër studimore shkencore, por më shumë si qendër e përhapjes së dijeve, se si të mund të mbrohen bimët e kulturave bujqësore. Krahasimi është i thjeshtë: Ashtu si mjeku kujdeset dhe mjekon të sëmurin, ashtu edhe specialistët e këtij instituti ishin përherë në lëvizje, në terren, aty ku prodhohej gruri, misri, duhani, panxhari, pemët frutore, ulliri dhe perimet, ..... etj, etj. Pikërisht në këtë institut punoi për një kohë të gjatë edhe Dr. Enver Isufi, në fillim si specialist, e më pas edhe drejtues i këtij institucioni.

Nuk kam ndërmend të përsëris autorët e nderuar, sepse kështu edhe shkrimi nuk ka vlerë, ndaj po përqendrohem te figura e mikut tonë, si mik, shok e njeri i ditur, tepër energjik, pse jo edhe poet. E them këtë, pasi jo vetëm në muhabet e biseda të zakonshme, ndodh që në shumicën e herëve shoqërohen me vargje apo shprehje që rimojnë bukur, të gjetura nga miku ynë Veri, duke i shtuar bisedës edhe pak muzikë dhe shumë ngrohtësi fjale dhe mendimi.

Më bën përshtypje një shprehje që dr. Veri e përsërit shpesh, madje e ka bërë si shoqëruese dhe udhërrëfyese në jetën dhe veprimtarinë e tij, kur thotë: - Shkencore thoshte Prof. Abdulla Kapidani: “Trajtimet sipas afateve kalendarike nuk janë shkencore. Po ashtu edhe kur bëhen sipas fazave të zhvillimit të bimëve, nuk janë racionale dhe të efektshme. Shkencore: - “Është trajtimi bazuar mbi biologjinë e parazitëve dhe dendësinë e tyre për njësi të kontrollit”. Dhe mendimi vazhdon, si këshillë për vete dhe të rinjtë që duan të bëhen specialistë të mirë të bujqësisë. Ardhur si porosi e një plaku të moçëm, të mësuar më shumë nga përvoja në jetë, ashtu edhe nga mësimi në shkollën e mesme bujqësore në Golem të Kavajës: “Nuk bëhesh dot usta, nëse nuk ke kryer punët e çirakut. Shqip: do të bësh punët e bujkut, që nesër të bëhesh agronom dhe specialist i mirë”.

Dr. Veri, nuk i pëlqen të mburret, kështu thotë dhe unë e besoj, por kur shikoj që ka botuar një sërë librash, (mbi dhjetë), dhe qindra artikuj, referate në konferenca shkencore, reportazhe të takimeve të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit, pyes veten: Pse vazhdon që edhe tani në pension nuk pushon, por lëviz e këndon, sa në pemëtore, vreshta e ullishta dhe parcelat e mbjella, sa në konferenca dhe takime specialistësh, këtu dhe në botë......? Përgjigjen e kam në majë të gjuhës, sepse jam në një mendje me të: - Një intelektual i kompletuar siç është dr. Ver Isufi, nuk mund të hiqet e të rrijë mënjanë, duke bërë sehir për problemet që ka bujqësia, vendi dhe shoqëria. Dhe, forma më e gjetur është shkrimi dhe libri, ndryshe fjalët i merr era. Më pëlqejnë këto pak falë që Dr. Veri i shpreh në bisedat tona: - Botimet janë gjurmë-lënia më e dukshme e çdo shkencëtari, shkrimtari, madje e çdo qytetari që ka pasion, mendon dhe shkruan. Besoj se nuk ka më bukur, një filozofi e gjallë e çdo kohe..!

Përvoja e tij shumë vjeçare hedhur në libra e artikuj studimor, është dhe mbetet kurdoherë e dobishme si për bujkun apo “fermerin”, (një emër i ri, i ardhur nga jashtë), ashtu edhe për agronomët dhe specialistët e bujqësisë. Libri apo “Arka e kujtesës”, siç e quaj unë, i vlen të sotmes, njëkohësisht mbetet trashëgimi edhe për të ardhmen e brezave, pasi bujqësia është baza ku mbështetet dhe mbahet gjallë e gjithë jeta e njerëzimit.

Dhe pa dyshim, libri më i arrirë shkencërisht dhe artistikisht është “Bujqësia biologjike”, ku në tetë kapitujt, mbërthyer në 361 faqe, ngërthehet shkenca, përvoja dhe letërsia. Kjo e fundit pak si e çuditshme, do të mendojë dikush, por ja që është e vërtetë.

Mbase të tjerë lexues e specialistë të bujqësisë, kanë folur më gjatë, duke vlerësuar materiali studimor shkencor, ndërsa unë do të përpiqem që me pak fjalë të përmbledh përshtypjet e mia:

Së pari: Literatura e përdorur në 8 faqe, (353 – 3060), ku përfshihen studiues nga vendi dhe bota. Besoj nuk është pak.

Së dyti: Në këtë libër e gjen veten e dhe një nxënës i shkollës 9-vjeçare, kur sheh në çdo faqe figurën e bletës dhe të krimbit të shiut, që duket si një gjetje artistike: por e vërteta është se këto dy gjallesa të vogla, janë bashkëpunëtorët dhe ndihmësit më të mirë që ka njeriu. Duket si çudi, por është një e vërtetë e pamohueshme. Pikërisht në libër sqarohet edhe puna që bëjnë bleta dhe krimbi i shiut, si dy gjallesa që pa zhurmë e bujë kontrollojnë dhe vlerësojnë, (testojnë), veprimtarinë e njeriut mbi bimët, tokën, larminë biologjike, (biodiversiteti), dhe në fund edhe mbi prodhimin, për të cilin është e interesuar e gjithë shoqëria. Ndaj autori thekson: “Nderim për këto gjallesa me ndikim të madh mbi jetën tonë”. Faqe, 128-131. Duke shtuar mes të tjerave edhe një kuriozitet: “Bleta ka vizituar dy milion lule për të prodhuar një kg. Mjaltë”. Faqe 129.

Së treti: Nëse më pyesni për gjuhë që përdor, u them shkurt: gjuhë e thjeshtë, por me mendim të ngjeshur, (bëhet fjalë për një libër shkencor), aq sa mund ta lexojë e ta kuptojë jo vetëm specialisti, por cilido nga ne, pavarësisht nga shkalla e arsimit dhe kulturës që ka. Kjo përbën një vlerë të shtuar që ka libri dhe autori i tij. Nuk e teproj me lavdërimet që po i shtoj si pa doganë, por vetëm diagramet apo tabelat shoqëruese dhe sqaruese, (të gjitha me ngjyra), të mbushin mendjen se mendimet kanë një bazë të qëndrueshme, ndaj duhen parë me kujdes, për të dalluar e penguar edhe gabimet që mund të bëhen në praktikë. Mjafton të lexoni tabelën Faqe 23, më pas “Shtatë rreziqet që kërcënojnë njerëzimin”. Faqe 27, dhe do të binden të gjithë këndonjësit e zellshëm, madje edhe për ata me arsim minimal, sepse forma dhe gjuha e përdorur, zëvendësojnë faqe të tëra leksionesh.

Së katërti: Autori përdor krahasimin si metodë studimi me shumë vlerë njohëse dhe edukative, pasi vë në punë mendjen e gjithsecilit, për të gjetur e përvetësuar më të mirën dhe të dobishmen. Gjykoni këto pak radhë, lidhur me Konceptin universal “Qëndrueshmëria”, ku ka brumë jete, mendim të qartë, por edhe mjaft filozofi. Dr. Veri, pasi na jep kuptimin praktik të fjalës “Qëndrueshmëri”, te të gjitha gjallesat, që është “Lakmia për jetëgjatësi”, ndërkohë në dallim: “Te njeriu qëndrueshmëria dhe jetëgjatësia nuk është qëllim në vetvete, pasi jetëgjatësia kërkohet të shoqërohet me cilësinë e jetës. Sa bukur......! Të jetosh gjatë dhe me shëndet të dobët ..... nuk është qëndrueshmëri e lakmuar......! Ajo që kërkohet dhe dëshirohet është jeta e gjatë dhe cilësore....!”, Faqe 22.

Ç’mund të themi më shumë...? Me veprat e shkruara dhe të zbatuara në praktikë, Prof. Enver Isufi është njëri nga këshilltarët më të mirë për bujqit shqiptarë. Ai në udhëtime pune ka vizituar 19 shtete të botës, më shumë ka qëndruar në Zvicër, Hollandë dhe Gjermani, duke përfituar nga përvoja e tyre dhe arritjet shkencore. Njohës shumë i mirë i gjermanishtes. Ka vizituar 90 qytete dhe ka qëndruar jashtë shtetit për kualifikim, studim e shkëmbim përvoje, një periudhë afro tre vjeçare. I gjithë ky investim pune, përmblidhet në këto pak fjalë, që dr. Veri i thotë qetësisht; “Diku kam lexuar se teknologjia mundëson shërbime të reja dhe zgjeron kufij. I mbetet njeriut, që pastaj t’i përdorë ato me përgjegjësi e zgjuarsi”. 

. Ka botuar 10 libra profesionalë në sferën e mbrojtjes së bimëve. Në këtë udhë mendimi, them se ndjehen tepër interesante gjetjet shkrimore plot fantazi letrare, siç janë: Intervistë me bimën e ullirit. Përkthyer e botuar në gjashtë gjuhë të huaja. Intervistë me revistën “Bujqësia”, intervistë me bimën e hardhisë dhe intervistë me bletën.

. Është anëtar i ISOFAR dhe Shoqatës Entomologeve të Gjermanisë.

. Ka kryer studime pasuniversitare në Gjermani, me një periudhë rreth dy vite, përfshirë këtu edhe kurset e shkurtra në ItaliSpanjë, Greqi.

Për të njohur më mirë mendimin dhe shpirtin e dr. Verit, po sjell në kujtesë tri-katër thënie të tij, ku gërshetohet shkenca, përvoja, arti, mendimi për të bukurën...... etj, etj. Të tjerë këndonjës do të mund të gjejnë edhe plot “xhevahire” nëpër faqet e këtij libri do ta quaja “magjik”:

. Toka është një organizëm i gjallë dhe duhet trajtuar si të gjithë gjallesat e tjera të gjalla

. E rëndësishme është që njeriu të shijojë të bukurën. E bukura ndodhet kudo, në art, në muzikë, sport, teatër, në film, në natyrë në shoqëri e kudo. Ndjenja ndaj të bukurës është universale. Shijet janë individuale.

. Unë në jetë kam pasur si model insektin e bletës: Të punoj si ajo, të jetoj në shoqëri si ajo, të prodhoj punë të ëmbla si ajo, të jem ekologjik si ajo. Unë e di që nuk e arrij kurrë bletën, por si model e kam pasur dhe e kam.

. Për një specialist si puna ime, kur flet për librat e tij, është po aq i padurueshëm sa një nënë që flet e mburr fëmijët e saj.

Këndonjësi i zellshëm nuk duhet të çuditet, kur dëgjon dhe lexon, se dr. Veri shkruan edhe poezi, madje ka botuar librin: “Thellësitë e thjeshtësisë”. Janë bindëse këto pak fjalë të thëna pa u mburrur nga dr. Veri: “Shkenca më ka nxitur të shkruaj poezi”. Ndaj në fund po e mbyll shkrimin tim me pak vargje të shkruara plot frymëzim, të vendosura në librin “Bujqësia Biologjike”, si porosi të një mjeshtri të fjalës dhe specialisti të shërbimit ndaj bimëve, për ta dashur tokën dhe për t’i shërbyer asaj, se vetëm kështu do të mund të sigurohet jeta dhe mirëqenia:

LUTJA E TOKËS.

Mund të më lini pa punuar,

Mund të më lini me shkurre e ferra

Dhe nëse kini me bollëk bukë e gjellë,

Mund të më lini edhe pa mbjellë.

...............

Bujku im i dashur,

Për të më kulluar,

të lutem bëj përpjekje!

Mos më lë mbuluar,

Mos më ço në vdekje....! Faqe 126.

Urime dr. Enver Isufi! Jetë dhe shëndet, për t’i shërbyer jetës dhe bimëve, duke zbatuar e shkruar përvojën shkencore në praktikën bujqësore.

 

Miqësisht!

 

Kadri Tarelli

Durrës. Maj 2025.

 

Shënim: Libri ”Bujqësia biologjike”, është përuruar në Akademinë e shkencave të Shqipërisë. Në Tiranë

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page