VIRGJILI,
POETI I MREKULLUESHËM
I POSTULATEVE TË MËDHA
Si sot e kam parasysh, kur vite e vite më parë, profesor Mark Dema, një burrë trupvogël, me kapele republike dhe një pardesy të gjatë, por edhe shumë fetar, më dhuroi mua oficerit, librin e përkthyer prej tij “Eneida”. U përkul pak dhe pasi e vendosi librin mbi gju, nxori stilografin dhe shkroi një kushtim, ku theksonte botën tonë të rrejshme. Kishte pasur të drejtë, pasi si atë, ashtu edhe gruan e tij simpatike që ishte aktore në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës i kishin dënuar me burgime të gjata. Mua, më tërhiqte ky njeri, që pasi kishte kryer shkollë jezuite në qytetin e lindjes, kishte vazhduar në Romë Kolegjin Urban “Propaganda Fide” dhe më pas kishte studiuar për Teologji, pa harruar edhe frekuentimin e Fakultetit të Letrave, jo vetëm për kulturën e lartë dhe atë misterin joshës që mbanin këta lloj intelektualësh që kishin vuajtur ferrin e burgjeve shqiptare, për dijet e tyre, por edhe pse ai ishte shkodran, që për mua ishin dhe janë të adhuruar. E lexova atë libër, ku të habiste njohja e mitologjisë, e barabartë me autorin e “Iliada” dhe “Odisea”, por dhe referencat e shumta e të mençura, për të mos thënë se të pafundme ishin edhe ato të vetë autorit të atij libri të mrekullueshëm. Dhe kur pas ndërrimit të sistemit, nisa të shkruaja vetë, në të gjitha librat e mij, e veçanërisht ato me kritika letrare, e kam cituar shpesh Publius Virgilius Mar - in, poetin romak të lindur në 15 tetor të vitit 70 në Mantova, që e kanë quajtur edhe “babai i poezisë latine”. Ata që janë marrë me jetën e tij, kur flasin për të, duan të thonë se ishte trupmadh, i lidhur si një sportist, dhe me lëkurë të errët, por që nuk ndryshonte shumë nga paraardhësit e tij nga fshati. Tregohej gjatë edhe lisi madhështor që i ati kishte mbjellë, ditën që ai lindi. Në pamje të parë, nuk të linte përshtypjen se je para një poeti, e ca më shumë aq të rëndësishëm. Se edhe si natyrë ka qenë i mbyllur në vetvete, aqsa aristokracia e quante disi të vrazhdë. Sido që nuk duhet harruar, se duke jetuar në një kohë mjaft të trazuar, atëherë kur Roma kishte në rend të ditës luftën për pushtet, nuk besoj se e kanë pasur dhe aq mendjen te pamja a natyra e Virgjilit. Pastaj, ai më shumë jetonte i tërhequr e i papërzier me të tjerët, aqsa e quanin “lule mos më prek”, edhe pse studimet i kishte kryer për filozofi, ç`ka kishte qenë dhe dëshira e tij e përherëshme. Kishte mendimin se “Ka moment kur s`mund të thuhet asgjë; ka moment kur mund të thuhen ca gjëra; por asnjëherë nuk vjen moment kur mund të thuhen të gjitha”. Kur një obortar i tha pse nuk flet, apo jeni memec, ai ja ktheu: - Është e vërtetë që nuk flas. Për mua flasin veprat e mia. Nuk u martuar kurrë, veçse nuk mundi ta mbajë të fshehtë afeksionin për nja dy djem, gjë të cilën nuk e fsheh as te libri i tij “Bukolikat” (Bucolica, Këngë baritore). Të folurën e kishte të zakonshme, kurse për të deklamuar poezi, qëndronte mbi të tjerët. Ishte shumë i matur në të shkruar, asnjëherë nuk nxitohej dhe bënte shumë kujdes si me fjalën në veçanti ashtu edhe me frazën. Nuk është se la shumë vepra, por ato që shkroi, ndër shekuj i kaluan ndër duar shumë e shumë breza njerëzorë. Me të ngjau ashtu sikurse kishte thënë për veten e tij poeti me tre zemra: Greke, Oskane dhe Latine, centurioni i Luftës së Dytë Punike, Quintus Ennius: “Askush të mos qajë për mua, ose të mos e festojë funeralin tim me zi; sepse unë ende jetoj, ndërsa kaloj dhe kaloj nëpër gojët e njerëzve”. Pas “Bukolikët” që e shkroi për tre vjet, ai botoi “Gjeorgjikët” për shtatë dhe “Eneida” për njëmbëdhjetë vjet (29 - 19 p.e.s.). Shihet, se ka punuar me limë në dorë me një durim si pak kush. Se në këtë botë, asnjëherë nuk ka, dhe nuk ka pasur njerëz kaq të ngeshëm që të tegohen kaq të duruar me atë që shkruajnë. Duket që ka qenë i prirur që me pak të thotë shumë, dhe shumica e atyre që ka shkruar, të mbahen mend si postulate. Në Romë po ndodhnin zhvillime të rëndësishme, dhe pas vrasjes së Gaj Jul Çezarit, në Idat e marsit të vitit 44 p.e.s., pasuan turbullirat. U prish triumvirati i Dytë dhe Mark Antoni dhe Oktaviani (Caius Julius Caesar Octavianus), nipi i Jul Çezarit, e më pas djali i adoptuar i tij, dikur miq, tani i kishin kthyer arrmët njëri - tjetrit. Konflikti mes tyre përfundoi në vitin 31 p.e.s. me fitoren e këtij të fundit i cili e shpalli veten perandor. Virgjili, zë miqësi me Mecenën (Maecenas), një pasanik dhe dashamirës i madh arti dhe që kishte miqësi me perandorin August. Kështu që poeti, fitoi simpatinë e tij. Duhet pranuar se në kohën e sundimit të Oktavit, u pa një lulëzim në Romë dhe vetë ai veç Virgjilit, u bë mbështetësi i Tit Livit (Titus Livius), Horacit (Quintus Horatius Flaccus), dhe Ovidit (Publius Ovidis Naso), me shokë. Duke qenë se kishte dhunti dhe interes edhe për mjeksinë dhe matematikën, Virgjili aty nga viti 40 nisi të botonte veprat e tij “Bukolikët” dhe “Gjeorgjikët”, ku ngre çëshjen e sëmundjeve te bagëtitë, klasifikimin e tokave, dhe humanizmin. Sipas mendimit të tij, rrënjët e së keqes qëndrojnë në qytet dhe shpëtimin e tyre njerëzit duhet ta gjejnë në periferi, se kështu shprehej ai, shmanget edhe instinkti i luftrave për parësi. Në të parën, ai me fantazinë e tij, flet për një vogëlush që do të vinte të shpëtonte botën, gjë që më pas, katoliçizmi e përdori për të treguar se ai ishte profet, pasi kishte paralajmëruar ardhjen e Krishtit. Në nderim të përkrahjes që i dha deri sa vdiq në Brundisi në 21 shtator 19 p.e.s. teksa kthehej nga Troja e Greqia ku kishte shkuar, Virgjili ia kushtoi Augustit veprën e tij madhore, “Eneida” dhe kur ky ja kërkoi për ta parë pa e botuar, ai i dha tre pjesë nga libri. Si i lexoi pjesën e dytë, të katërt dhe të gjashtë, ai u mrekullua prej artit dhe forcës së gjykimit të tij. Ky libër me hekzametër daktilik (hex - gjashtë dhe metron - masë), që e kishte përdorur më parë edhe vetë Homeri, dhe që ka gjithsej 9.896 vargje, edhe pse i pa përfunduar, u botua nga miqtë nën interesimin e perandorit, pas vdekjes. Kjo mbetet vepra më e rëndësishme e tij. Në të flitet për Enean, kapedanin më të madh të lashtësisë sipas Lukianit, pasi kishte mbajtur në shpinë babanë e tij Ankizin gjatë largimit nga Troja që po digjej. Përshkruhet udhëtimi i tij I detyruar për në Itali dhe luftën e trojanëve kundër latinëve. Për këtë libër, autori i Elegjive, poeti tjetër Sesti Properci (Sestio Properzio), gati ka thirrur: “Pranojeni humbjen, o shkrimtarë të Romës, o krijues nga Hellada: Po lind një kryevepër, që edhe vetë “Iliadës” ia kalon!”. Enea, me prejardhje nga vetë Zeusi, pasardhës i Dardanit, biri i perëndeshës së dashurisë Afërditës, mbahet si themelues i Romës. Pas shumë peripecish, ai fton në dyluftim turnin, të cilin pasi e vret, i bashkon dy popujt, të tijin dhe latinët dhe e zmadhon qytetin. Nuk dihet fundi i vetë atij, por cilido nga dy variantet; qoftë ai i vrasjes nga Rutuli, qoftë ai i ngjitjes në qiell, ka mbetur një figurë e shenjtëruar dhe e nderuar si të ishte perëndi e vërtetë. Ndaj dhe populli i Romës, kur hynte në një vend ku qenë mbledhur, i rezervonte atij nderimin e perandorëve, duke u ngritur në këmbë. Dhe duhet pasur parasysh se atë edhe pas qindra e qindra vjetësh e nderonte vetë Dante Aligeri i cili e merr si shoqërues të tij gjatë udhëtimit nëpër Ferr. Por pavarësisht lavdisë, ai mbeti në vetvete modest,aq sa kur i thanë njëherë se poeti Kornific e shante, u përgjigj: “ …duket se çdo poet ka smirë poetët e tjerë. Sa për mua e vetmja hakmarrje kundër kritikëve të mij është të përfitoj nga këshillat e tyre të mira”. Dhe këtë njeri të thjeshtë dhe aq të madhërishëm njëkohësisht, që me artin e tij të mrekullueshëm, jo vetëm krijoi legjendën më të pranueshme për popullin italian, por edhe mahniti lexuesit e çdo vendi te të cilët gjithmonë predikoi mirëkuptimin mes tyre, e varrosën në Napoli. Veç sikur ta kishte parashikuar edhe atë, që njëri nga përkthyesit mjeshtëror të veprës së tij gjeniale, profesori i urtë dhe i ditur Mark Dema do të shpihej në ferrin komunist pa të drejtë, pa tjetër që do t`i kishte sugjeruar autorit të “Komedisë hyjnore” që ata që e kalbën burgjeve atë, të mbesnin të mallkuar për tërë jetën në veprën e pavdekshme të fiorentinasit gjigant.
SERVANTESI,
USHTARI DHE SHKRIMTARI ELITAR
Kur lindi Migel de Servants Saavedra (Miguel Cervantes), ndofta në 29 shtator të vitit 1547, Spanja thuajse e kishte përfunduar hakmarrjen për të gjitha pushtimet që i kishte rezervuar fati historik. Pasi Aragona u bashkua me Kastilien në vitin 1479, dhe u krijua mbretëria e Spanjës dhe kur në vitin 1492 u mor dhe Granada, qyteti i fundit që mbanin arabët, ajo jo vetëm u çlirua përfundimisht, por edhe nisi fushatat për t`u zgjeruar, dhe në këtë kontekst, së bashku me Portugalinë, çuditën botën me zbulimet e tyre të jashtëzakonshme. Me Karolin e Pestë, Spanja u bë shtet dominues në Evropë. Veç duhet thënë se pas shpalljes së pavarësisë nga Hollanda, flota e saj që i qe drejtuar Anglisë në 1588 u shkatërrua, kurse në luftë me Francën, Spanja doli e humbur. I përmend këto, për të theksuar dy momente; së pari, se nuk ka pse të çuditemi kur shohim se shkrimtari i madh u përfshi në ushtri e luftra, ku dhe u plagos aq rëndë sa nuk e lëvizte dot njërin krah, dhe e dyta, që vepra e tij qe aq e madhe, sa jo vetëm nuk u mbulua nga lavdia e lundërtarëve të mëdhenj, por dhe pati jehonë si në Evropë, ashtu edhe në gjithë botën, shekujt që pasuan. I lindur në qytetin e vogël Alkala de Enares, ai u pagëzua në 9 tetor të vitit 1547 në kishën Santa Maria. Nga prindët e tij Rodrigo de Cervantes dhe Cortinas Leonor, lindën shtatë fëmijë, ku Migueli ishte i katërti. I ati ishte kirurg dhe shkonte me punë ngado nëpër Spanjë, shpesh në këto udhëtim e merrte edhe familjen me vete. Djali fillimisht ndoqi shkollat në Valladolid dhe Sevilia, kurse më pas, në atë të Juan Lorez de Hoyos. Si u rrit, në moshën njëzetedy vjeçare, vajti në Itali, pranë një fisniku dhe pas një viti u fut në ushtri. Atë plagosjen që i kushtoi krahun e majtë dhe që ai tallej duke thënë se e humba dorën e majtë për lavdinë e së djathtës, e pësoi në luftë me ushtrinë turke në Lepant, ku dhe u gradua “Ushtar Elitar”. Nuk zuri mend nga belatë e luftës, ndaj me t`u shëruar u rreshtua sërish, së bashku me të vëllanë Rodrigo, në nënrepartin e një farë Manuel Ponce de Leon. Ishte një mënyrë për të fituar ca para edhe pjesëmarrja në ushtri dhe në disa luftime. Por më 26 shtator 1575, duke u kthyer për në Spanjë nga Napoli me anijen “Sol”, ata, pas një përleshje të përgjakshme, u kapën rob në brigjet e Marsejës nga shqiptari Arnaut Mami, i cili kryesonte një çetë pirate, pasi kish dezertuar nga flota turke ku kishte qenë admiral. Ndodhi që Servantesi të kishte me vete dy letra për mbretin e tij, ndaj kjo u kuptua se ai qenkej një njëri i rëndësishëm. Robërit i shpunë në Algjer, ku Rodrigun e mori Ramadan Pasha, ndërsa Miguelin e bleu Mehmet Pasha për 500 escudo ari. Dihet se piratët nuk kishin gjë me vëllezërit, por ishin të interesuar për fitimin që do të kishin, kur për lirimin e tyre të paguheshin. Dhe ashtu vajti ajo punë; u pagua nga familja një shumë e madhe dhe ata u lanë të lirë; në fillim Rodrigo e pastaj Migueli, për të cilin mblodhën një shumë të mirë dy priftërinj të ardhur nga Spanja, të dërguar nga familja, që i përkisnin trinitetit të shenjtë. Vetë shkrimtari ishte përpjekur tri herë të arratisej, por nuk ia kishte dalë. Si u kthye në vendin e tij, ai nuk ju nda ushtrisë, duke e parë atë si mundësinë e vetme për shlyerjen e borxheve. Ndaj shkon në Portugali dhe merr pjesë në luftë. Nuk i lë mënjanë shkrimet, por edhe dashurinë, pasi me një zonjë në Lisbonë, pati një vajzë me emrin Isabel. Por kur vendosi të martohej, mori për grua Katalina Dona de Palacios Salazara, që ishte shumë më e re se ai dhe me të cilën pati dy fëmijë. I eci edhe për të gjetur punë, dhe u sistemua si nëpunës për grumbullimin e grurit dhe vajit të ullirit për ushtrinë. Por si pasojë e ca ngatërresave me materialet e një katedraleje në Sevilia, e pa nja dy herë edhe burgun, ku nuk dihet në është e vërtetë, në u mor me shkrimin e Don Kishotit. Vështirë të merret e vërtetë kjo, pasi nuk ishin aq të buta e humane burgjet e Spanjës në ato vite. Në 1595 fiton një konkurs letrar, ku i japin nja tre lugë argjendi, por vetëm kaq, pasi poezitë e tjera, nuk patë ndonjë vëmendje. Më tej shkroi disa libra si drama (tragjedi) “Numansia” (1585) , romanin “Galatea” dhe histori gazmore të quajtura “Intermediot”. Në fakt, gjithmonë për të siguruar të ardhura për familjen, ai shkroi rreth tridhjetë drama, por jo se bënë ndonjë përshtypje, kurse novelat i botoi në përmbledhjen “Novela moralizuese”. Të krahasuara me Don Kishotin, ato, kujtdo i duken si parathënie e një gjeniu që do afirmohej te romani kushtuar hidalgos, që me mendësitë dhe sjelljen e tij, ishte përfaqësuesi tipik i gjithë sistemit të dekompozuar feudal. Ky roman në dy volume, pasi e punoi dhe e ripunoi për një kohë të gjatë, e pa dritën e botimit kur ai jetonte familjarisht në Madrit; pra i pari në vitin 1605 dhe i dyti dhjetë vjet më pas, dhe që në vitin 1617 u botuan së bashku në një vëllim. Veç angazhimit në një vëllazëri fetare, dhe futjes së të shoqes në manastir, ai u bë dhe anëtar i një shoqate letrare me emrin “Academia Salvaje”. Mirëpo, duke qenë se asnjëherë nuk iu ndanë telashet, se nga mbiu një Alfoso Fernandes i cili shkroi para tij pjesën e dytë të Don Kishotit, duke thënë se ishte ai autori i të parës. Kjo po i ngjiste edhe Shekspirit në Angli, sikurse i ngjau edhe Shollohovit shumë më vonë. Por si u botua pjesa e dytë nga Servantesi, gjithçka u sqarua për lexuesit, të cilët u shtuan, pasi romani jo vetëm u përkthye në frëngjisht, por dhe u botua në disa qytete të rëndësishme. Ma do mendja se “Don Kishoti i Mançës” është një nga romanet më të njohur në të gjithë botën. Pavarësisht ngatërresave në kohën kur ai jetoi, në Evropë ishin shpërndarë idetë e humanizmit të krishterë që kishin si teoricien një holandez, Erasmin e Roterdamit, sidomos pas botimit të librit të tij “Madhështia e marrëzisë” në vitin 1502, “Leksione” etj. Këtë erë të re që po frynte në Spanjë, zyrtarisht s`para e kishin për zemër. Por Servantesi e përkrahu fuqishëm atë, sidomos me krijimtarinë e tij. Kjo qe e para, por ai në këtë vepër, ku shkriu të gjithë talentin e tij, u mor me një temë mjaft të mprehtë. Se ishte koha e daljes nga terri mesjetar, për të shkuar drejt një sistemi të ri të përparuar. Dhe Servantesi dhe ca të tjerë si ai, ashtu sikurse edhe Shekspiri në Angli, mbyllën me sukses periudhën e Rilindjes që kishte nisur me Dante Aligierin qysh nga fundi i shekullit të XIII - të. Qe një reagim ndaj asaj letërsie që më shumë dëmtonte, me personazhe që kanë ngecur në vend dhe nuk japin asnjë lloj perspektive. Kurse si mjet artistik nga ana e këtij autori u zgjodh satira, pra ajo ku qortohen rreptë dukuritë e gabuara dhe ato, ai edhe i përqesh. Tre janë personazhet që të mbeten në mend; Don Kishoti, shqytari i tij Sanço Pança dhe e vluara e zemrës së hidalgos aventurier, Dylqinja e Tobozës, duke shtuar edhe një të katërt, kalin gërdallë Rosinantin. Pak janë këta, por sa ngjarje përballojnë, sa dështime në qëllimin e tyre të mirë, gjithmonë për të ndihmuar të tjerët, ata që kanë rënë në hall e janë në vështirësi, dhe pastaj, sa mesazhe. Kalorësit të rënë nga vakti, i lind një ide e madhe, dhe niset ta vërë në zbatim. Nuk ka ndonjë plan të mirëfilltë, por atij sikur i dalin vetë përpara fenomenet me të cilat i duhet të ndeshet. Tani ai, vesh pancirin, vë helmetën, merr heshtën e mburojën dhe pasi e nxjerr nga hauri kalin e tij kockë e lëkurë, merr një fshatar rondokop që i ka premtuar se do ta emërojë guvernator të një ishulli dhe o burra! Po ku shkon? As vetë nuk e di. Po ç`rëndësi ka kjo, kur bota është e mbushur me padrejtësi. Ai, si trim që ishte, do ta luftonte të keqen dhe do t`i bënte zap të liqtë. Pastaj, ç`i duhet atij nëse e keqja ka formën e mullinjve të erës a shakujve të verës. Lufton ndershmërisht me ta, sa e çudit edhe Sançon vetë dhe krenohet në heshtje para të dashurës së tij gjysmëbudallaqe. Rrugës takon Kalorësin e Fytyrës së vrerosur apo të Hënës së Bardhë, u jep një mësim atyre dhe vazhdon… por një dreq e di se ku shkon. Ose më mirë, shkon drejt vdekjes së tij. Por tani, i bërë pishman nga gjithë kjo lodhje e ky strapacim i kotë. Aq sa me të drejtë i vendosin si epitaf, atë strofën që u bë mësim për të gjithë: “Këtu dergjet Dona Kishoti, / Ish i fort` e ish i zoti, / Botën prapa desh ta kthente / Dhe me ushtën ta mbërthente”. Ama, i bëri gjithë njerëzimit të çdo epoke një të mirë të madhe; i la peshqesh termin “Donkishotizëm”. Dhe çfarë përkthimi, po kaq gjenial që i bën kësaj kryevepre Fan Noli ynë, i cili Don kishotin e ka quajtur subjektivisht (pra për vete), tragjik, kurse objektivisht (për ata që e shohin), komik. Ndofta Noli ka dashur t`i lajë dhe detyrimin që ne shqiptarët i kemi, për proçkën që bëri ndaj tij i paudhi Arnaut Mami! Nuk besoj se ka në gjithë historinë e letërsisë një personazh më tragjikomik se Don Kishoti. Një personazh, që ai vetë do kishte dashur ta quanim, një hero, që aq sa i dhimbseshin të tjerët, t`i dhimbset edhe ai atyre. Se me lotët e Sanço Pançës, na bëhet të bashkohemi edhe ne. Por jo për atë të fantaksurin që u pendua vonë, por për veten tonë si shoqëri, që gjithmonë besojmë dhe ëndërrojmë se e keqja do të zhduket përfundimisht dhe lumturia do të mbizotërojë, ashtu sikurse besonte edhe autori i këtij romani se do vijë “koha e artë kur njerëzit do të jetojmë të barabartë e të lumtur”. Vetë, ky shkrimtar gjenial u shua në 26 prill të vitit 1616 në Madrid dhe u varros në një manastir françeskanësh, me të cilët qe bashkuar vitet e fundit të jetës. Kishte vdekur në një ditë me Shekspirin, ai që e përjetësoi hidalgon e shkretë, ai “Ushtari Elitar” i dikurshëm, që ka merituar njëzëri edhe titullin më të lartë të “Shkrimtarit Elitar”.g
Comentários