Selman Mëziu: HALIL RAMA , GAZETAR DHE SHKRIMTAR NË PËRSOSJE...

Shënime për librin “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave”, (Vëllimi i dytë - libri i 31-të - Poezi, portrete, kritika letrare)
HALIL RAMA , GAZETAR DHE SHKRIMTAR NË PËRSOSJE, PËRSHKRUES EMOCIONAL DHE KRONIKAN ME SHUMË VLERA
Dr. Selman Mëziu
· Libri “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave” - Vellimi i II-të, përfaqëson një punë serioze, kërkuese, kontakte direkte me veprimtaritë e protogonistëve dhe analizues serioz e plotë talent kritikën letrare të krijimtarive të tyre. Një enciklopedi e tillë siç mund ta quajmë njohëse, është shërbyesja më e mirë për të ushqyer mendjen dhe ndezur dritat për të udhëtuar në jetë
Të bëjsh një analizë, të japësh mendime mbi librin voluminoz të poetit, shkrimtarit, gazetarit Halil Rama “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave”, (Vëllimi i dytë-libri i 31-të - Poezi, portrete, kritika letrare) është boll e vështirë. Kjo rrjedh nga veprimtaria e tij shumëplanëshe, në fillesat e tij të hershme në të shkruar, së pari në zhanret e gazetarisë, pastaj në lëmi të tjera. Udhëtimi i tij në krijimtarinë artistike e gazetari është i vrullshëm, është cilësor dhe si kërkues nga vetja paraqitet i bindshëm, serioz, gërmues i zellshëm në gjetjen e shprehjen e fakteve dhe “zbulimin”, e heronjve të krijimtarisë së tij.
Për të plotësuar veprimtarinë e tij shkëputa nga parathënia një pjesë shkruar nga Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë Mujo Buçpapaj: “Në më shumë se katër dekada veprimtari, ai ka krijuar një univers që nuk njeh kufij mes artit dhe dijes, mes etikës dhe estetikës, mes realitetit të përditshëm dhe metafizikës së njeriut. Krijimtaria e tij është një lëvizje e pandërprerë nga fjala drejt mendimit, nga përvoja drejt reflektimit, nga përshkrimi drejt shpjegimit, një proces që i jep autorit statusin e rrallë të një intelektuali të ndërgjegjes kombëtare”., (f. 16)
STRUKTURA E LIBRIT
Një vështrim i tillë analitik shërben për t’u njohur me përmbajtjen e librit në pikpamjen skematike dhe për t’u njohur me materialin fillestar krijues përpara analizës tonë. Ndriçimi i kësaj skeme ka të bëjë edhe me stilin e gazetarit që ai ka zgjedhur për të portretizuar sa më të plotë në kohë e hapësirë veprimtarinë e tyre.
Kapitullin e I-rë autori e emërton: “Në poezitë e mia”. Këtu jepen disa poezi nga më të arrirat, të shkruar në momente frymëzimi në kohë të ndryshme, si: “Vendlindja e Skënderbeut”, “Me penë e pushkë” (Kushtuar shkrimtarit Dibran Haki Stërmilli); Një poezi e gjatë kushtuar “Odës Dibrane”, e tjera, duke e mbyllur me poezinë “Arti i bashkon Dibrat”.
Ndërsa kapitulli i dytë që është dhe më i gjati dhe me shumë personalitete si shkrimtar, poet, poete, doktorë dhe doktoresha, oficer, ansamble artistike të njohur, i emërtuar: “Institucione dhe personalitete të krenarisë kombëtare”.
Në kapitullin e III-të “Personalitete të artit dhe kulturës dibrane” përshkruhen momentet më kulmore të këngëtarëve Arif Vladi, Vera Laçi, Bledar Kaca etj, artistë të skenës e teatrit Llesh Nikolla e Muharrem Gjoka.
Në kapitullin e i IV -ët, “Reçensa, promovime të librave të autorëve dibranë”, gazetari dhe shkrimtari Rama ndalet më shumë, dhe e ka më shumë për zemër për të hedhur në hullinë e krijimtarisë së tij, analiza të vëllimeve poetike, me tregime, romane, autor të fushës së gazetarisë, monografive të heronjve, fshatrave, krahinave etj. Duke e mbyllur me “Në vend të pasthënies”- “Dibra në qendër të krijimtarisë së Halil Ramës”, (një profil krijues i tij botuar në portalin prestigjioz “DobraON”
HALIL RAMA “MJESHTËR I PROFILIT”

Një karakteristikë e rëndësishme që e bën librin tërheqes, të mbushur me të papritura dhe kureshtëndjellës është ndërtimi skeletik i brendshëm i shkrimeve, kushtuar heronjve të tij të çfarëdo veprimtarie apo profesioni qofshin. Shkrimin “Skënderbeu në prozën dhe shtypin amerikan” (f.32) i studiuesit Halit Daci, autori e ndan në tre episore: 1.“Prezantimi i legjendës së Skënderbeut në një publik të gjerë amerikan”; 2-“Origjinaliteti i teksteve”; 3-“Riformatimi i historisë së Iskender beut brenda konventave të romanit historik”. Me këtë strukturë kuptohet qartë objektivi i shkrimit, lloji i analizës dhe mënyra e paraqitjes të njohjes sa ma të thelluar të historisë.
Të marrim tani një tjetër shkrim “Gjeneralmajor Manushaqe Shehu ‘Qytetare nderi e Dibrës”, (f.54); është rasti dhënies së titullit “Qytetare nderi e Dibrës”. Dhe ja se sa me mjeshtri, zgjuarsi e profesionalizëm gazetari i zgjedh nëntitujt si gur themeli për përshkrimin e festës dhe veprimtarisë së gjenerales Manushaqe Shehu. Së pari na përshkruan ceremoninë e zhvilluar, pastaj vazhdojn nën mestitujt: “Ditë e veçantë për Dibrën dhe dibranët”; vazhdon me “Të jesh nderuar nga vendi yt nuk është vetëm krenari, është detyrim moral”. Dhe së fundi: “Pak radhë për profilin e gjeneralmajor Manushaqe Shehut”. Një “rrjet” nëndarjesh, kuptimplote, zbuluese të arritjeve dhe jetës së Manushaqes me karrierë të shkëlqyer në fushën ushtarake. Një gjetje më se rezultative, por edhe njohëse, emocionuese e kureshtëndjellëse.
Të marrim një tjetër profil, atë të këngëtares Vera Laçi, me titull “Kur Vera Laçi këndonte në festivalin folklorik kombëtar baladën ‘Dri o Dri” (f.195). Dhe ja ndërtimi i shkrimit me nëntitujt sa kuptim plotë aq edhe me rrezatime ylberike të vërtetash të jetës e veprimtarisë të Vera Laçit si këngëtare zëëmbël e melodioze dhe familjare. Dhe ja struktura:1. “Zëri i saj ka arritur të depërtojë pothuajse në çdo shtëpi shqiptare”; 2- “Që 6-vjeçe në koncertet e shkollës dhe skena festivalesh kombëtare”; 3-“Përfaqësimi dinjitoz i Dibrës në Festivalin Folklorik Kombëtar; 4-“Protagoniste kryesore e festivalit ‘Oda dibrane’ dhe në ansamblin shtetëror të këngëve dhe valleve popullore”; 5-“Me kurajo mposhti dhimbjen që e pllakosi”; 6- “Pak nga karriera artistike”.
Një nëndarje e tillë të lë të kuptosh për një “autopsi” të plotë të njohjes së këngëtares me të gjitha ngjyrimet e jetës, si dhe stilin e tij në përsosje si gazetar, përshkrues emocional dhe kronikan me shumë vlera i kohës.
Dhe së fundi po japim një paraqitje tjetër skematike, ku gatuhet brumi i krijimit të gazetarit me shumë përvojë dhe mjeshtër i penës në këtë fushë. Kjo materializohet, kuptohet më së miri në një tjetër shkrim si kritik letrare, si promovim dhe vlerat e pamohueshme të autorit Beshir Cala, si oficer në ushtri dhe si poet i mirëfilltë, te artikulli: “Guri i shkulur’, si reflektim i thellë i poetit Beshir Cala” (f.229). Nëntitujt mëvetës, të ndryshëm nga shkrimet e tjera të këtij lloji. Lexojmë: 1-“Dokumentari….”; 2-“Tatjana Parllaku: Beshir Cala ishte i orientuar drejt vlerave euroatlantike”; 3-“Pesha e mendimit filozofik në librin ‘Guri i shkulur”; 4-“Besim Ndregjoni: Beshir Cala rreshtohet me elitën krijuese kombëtare”; 5- “Moderimi mjeshtëror dhe interperetimi i poezive të Beshirit nga aktori profesionit Llesh Nikolla. Pra nga i njohur, por i fshehur nën mantelin e kohës, vetëm me nëntitujt, mjeshtri i të shkruarit Halil Rama na jep gjithë “peisazhin”, si oficer me aftësi të rralla, si njeri i arsimuar i paisur me kulturë dhe si poet me shumë vlera artistike, materializuar në vëllimin e tij poetik, pregatitur për shtyp nga vetë autori i këtij libri (H.R).
PËRZGJEDHJA E HERONJVE, FAKTEVE
DHE PËRSHKRIMI I VLERAVE
Shkrimtarit, gazetarit me hyrjen në shekullin e njëzetë e njëtë i duhet të studiojë me kujdes, heronjt e vetë, personazhet e veta për shkak të lëvizjeve të shumta në hapësirë e kohë, përsosjes së teknologjive të ndërlidhjeve dhe përkushtimit ndaj punës, profesionit, atdheut. Vetë libërshkruesi i tridhjetë e një librave Halil Rama, e ka shprehur më së miri këtë problem të mprehtë të ndjeshëm, por edhe i shtruar në “kuvendin e zgjidhjeve”, për cilindo, që ka dëshirë, pasion të shkruarin, si autori i librit në analizë. Dhe ja lexojmë me kujdes: “Në ditët e sotme për shumë arësye, për shkak të zhvillimeve teknologjike, të mundësive të shtuara ekonomike, të lëvizjes dhe të shkëmbimit të kulturave, të angazhimit dhe studimeve brënda dhe jashtë vendit, emrat që e nderojnë origjinën e tyre, Dibrën tonë, janë të shumtë dhe përzgjedhja e tyre është një proces jo i lehtë”, (f.60).
Për të hyrë në galerinë e personazheve të përzgjedhura do të ndalemi te portretizimi i Dr. Sali Kurtit, të cilit i janë dhënë disa dekorata, medalje dhe tituj duke çmuar veprimtarinë e tij shumëplanëshe. Shkrimtari Rama ka shfrytëzuar me kujdes dy libra kushtuar Dr. Kurtit, Si: “Dr. Sali Kurti, ikonë e stomatologjisë shqiptare”,, me autor Hamdi Hysuka dhe “Dr. Sali Kurti, mjeku që jetësoi çdo ëndërr”,, shkruar nga Jolanda Lila. Mjeshtri i portreteve të zbuluara i përshkruan me kujdes si “idhuj rrezatues vlerash”. Pas studimit me kujdes të librit të Hamdi Hysukës, shkruan se ai ka nxjerrë jetën e vrullshme të Dr, Sali Kurtit “…nga pluhuri i harresës, momente, histori jetësore, detaje, njerëz, ngjarje, vende e hapësira, të cilat së bashku shpalosin botën e brendshme dhe të jashtme”..,, (F.184). Një anaizë e hollsishme kjo ku zbulohet e gjithë veprimtaria e heroit shumëplanëshe, nëpërmjet një fjalësi të ngjeshur, të kuptueshëm.
Në vazhdim autori hyn thellë në zbulimet e virtyteve më të qënësishme të heroit të shkrimit. Në reflektim nga burimi i mësipërm gazetari i mirënjohur enciklopedist H. Rama shkruan: “…Dr. Sali Kurti del si simbol i përkushtimit, fisnikërisë dhe humanizmit matnjan”, (f.88). Ai nuk ndalet vetëm me studimin, leximin e këtyre jetëshkrimeve për Dr. Saliun. Autori është gjithmonë në kërkim të ngritjes së shtatores së njohjes të heroit të tij, të bindshme, konkrete dhe emocionuese. Autori shfrytëzon intervista të ndryshme si materiale bazë për njohje sa më besnike, duke hedhur dritë njohje në vlera të tjera te: “…veprimet e heroit por, mishërues dhe përçues i vlerave më të mira njerëzore, profesionale dhe intelektuale”...(f.92). Nuk ke se si të mos vësh në dukje pasurinë e shprehjeve, të gjuhës të autorit, për t’i ndriçuar kulturën, edukatën, karakterin, vyrtytet njerëzore personazhit të tij.
Tani do të perpiqemi të “gërmojmë” në mënyrat e portretizimit të një tjetri personazh me shumë kulturë dhe virtyte njerëzore, duke u nisur nga një përshkrim gjeografik. Dhe ja lexojmë: “Në historinë e Dibrës, në kreshtat e maleve të saj madhështore apo luginat pjellore, kanë lindur e janë formuar burra të dijes, të karakterit dhe të përkushtimit kombëtar..(f.60). Nga një përshkrim gjeografik autori kalon lehtësisht e mjeshtërisht në peisazhin e vlerave më të çmueshme të personazhit vendosur në qender të krijimit.
Në udhëtimin e tij mjeshtri i portreteve, Rama ndjek me kujdes gjithë harkun kohor të disa dhjetëvjeçarëve, veprimtarisë së tij. Prof. Shpetim Cami kryen me sukses punën si mësues e detyra nga më të ndryshme, nga mësues në fshatin Gallatë të Krujës, në Gjimnazin e Laçit etj... Shkrimtari Halil Rama për kryerjen e detyrave të shumta në lëvizjet e ndryshimet demokratike, do të shprehet: “Ai mbeti i lidhur fort me bindjet e tij demokratike, nivelin e lartë të përgjegjësisë për çdo detyrë të ngarkuar dhe me idealin e shërbimit ndaj shoqërisë”...(f. 62). Ky përshkrim i shërben autorit si karrem për të zbuluar imtësi të jetës së profesorit si mësues, veprimtar shoqëror, politik e intelektual.
Nga përshkrimi i hollsishëm me fakte të mbledhura e përzgjedhura nga jeta, prejardhja familjare si intelektual i formuar, profesori vepron me plotë zgjuarsi e kulturë. Lexojmë: “Kur politika u egërsua, kur argumenti u braktis, kur në skenë dolën të fortët dhe mjetet e egra, u tërhoq në jetën e tij intelektuale”...(f.65). Shkrimtari Rama ndalet në veprimtarinë e tij si shkenctar, si shkrues librash, si pjesmarrës në shumë konferenca, simpoziume etj. Autori do të shprehet: “Veprimtaria e tij akademike është e gjërë dhe shumëdimensionale. Ai ka një përvojë mbi 15 vjeçare në arsimin e lartë si pedagog dhe drejtues”… (f. 66). Për të mos “humbur” në morinë e veprimtarisë së dendur, për të shtuar argumente, për të bërë sa më tërheqës përshkrimin jetësor të Prof. Shpëtimit, autori e mbyll me një poezi të Zenel Axhakut, ku ndër të tjera poeti i frymezuar, krijon vargjet lapidar: “Në sa e sa libra gdhende në shpirt/ Besën, mikpritjen, paqen shqiptare/ Penë e larë me mendim dhe dritë/ Duke kërkuar dhe zbuluar thesare..”. Një qasje e re e shkrimtarit Rama në gjedhin e përshkrimeve të personaliteteve dibrane.
Autori i librit nuk rreket në një profesion as në një fshat, krahinë, qytet etj. Ai kapërcen male e kodrina duke kaluar nga Bulqiza në luginën historindritur, në fshatrashumtit e Kalasë së Dodës duke na njohur tanimë me një familje shumë të madhe, heroike, të guximshme, të zgjuar e intelektualesh, nëpërmjet librit të Tajar Domit. Shkrimtari Rama tregohet mëvetës në portretizimin me të tjera ngjyrime, me të tjera informacione si dhe ngritur në piedestal vlerat e arritjet e këtij libri. Dhe ja lexojmë: “…Tajar Domi ka trashëguar asetin fondamental të familjes së tij në tri breza dhe e ka treguar atë më së miri, gjer në detaje për të 115 personalitetet e kësaj dinastie”...(f.104). Krahas zgjuarsisë natyrale dhe më pas shkollimit, autori i pëshkruan me kujdes, trazon plagën e largimit nga mëmëdheu të kësaj familje ku dallgët e jetës i kanë përplasur në shtete të ndryshme të rruzullit të dheut. Fatkeqësisht ato “mohuan” gjithë shkollimin e marrun dhe nuk e vunë në shërbim të vendlidjes apo atdheut. Plagë e madhe që kullon mall, braktisje “dhunim”, edhe për kulturën e arsmimin e gjithë shqiptarëve krijuar me sadizëm nga politika 36 vjeçare. Dhe ja po e konkretizojmë. “Nga 115 të shkolluar me arsim të lartë të kësaj familje ka një shpërndarje të tillë interesante, që duket se kanë ‘pushtuar” botën”... (f.109). Në këtë shprehje, gjejmë materjen sasi që të trondit dhe kordinatat gjeografike të “ikjes” me përmasa hapsinore rrënqethëse. Meritë kjo e shkrimtarit Rama që tregon plazmim fakt, proçes shoqëror.
Nuk mund të lëmë pa shkruar se si e kryen ai misionin e “plugimit” cilësor të krijimtarisë së poetes e shkrimtares Bojana Malaj (f.239.) Dhe ja se sa me mjeshtri përshkruese, forcë shprehëse dhe gjuhën e larmishme shkruan gazetari Rama për romanin “Historia ime, por jo fundi im”... Këtu dallohet stili i thjeshtë, emocional dhe realist, shpesh me përdorim të të folmes autoktone të Malësisë, që i jep veprës afërsi me jetën e njerëzve të këtyre trevave. Me gjuhë të thjeshtë, por figurshëm… (f. 241).
Si mjeshtri i portreteve, autori i librit në analizë, ndjek lëvizjet e personazhit të vet dhe shpreh vërshimet e krijimeve letrare në gjithë krijimtarinë e saj të plleshme”... “….ku një pjesë të mirë të kohës e kalon në Tiranë e vendlindje, si frymëzuese të krijimtarisë së saj poetike e prozaike mjaftë produktive e cilësore, e konkretizuar kjo në botimin e 11 librave me poezi e prozë”...(f.243). Autori shpreh këtu lirshmërinë, elegancën në portretzimin e poetes, shkrimtares së mirënjohur Bojana Malaj.
Shkrimtari Rama do t’i duket i shkujdesur lexuesit në zgjedhjen e personazheve të tij kur ato kalojnë nga një poete e shkrimtare te një që ka shërbyer si ushtar në Afganistan, Irak, Kosovë dhe pastaj “…si oficeri i parë shqiptar që ka stërvitur trupat e NATO-s”… Mirëpo kjo përbën zgjedhjen e tij të kujdesshme për të “rrëmbyer lexuesin brenda vetes”, duke e befasuar e bërë gjithmonë e më kureshtar jo vetëm në përzgjedhjen e personazheve, por në çdo episod apo grimcë jete që autori përshkruan. Dhe ja lexojmë: “…Elton Myrku, duke u mbytur në det aksidentalisht, pasi me një ndjenjë të lartë qytetarie, ka kryer një akt heroik human dhe vetmohues, duke u shpëtuar jetën nga mbytja në det të dy fëmijëve të mitur, në vendin e quajtur ‘Plazhi i Gjeneralit’ të Njësisë Administrative Synej”.
Lexuesi sigurisht do të emocionohet, do të ndjejë krenari, do të mësojë për një shembull heroik dhe do të njihet me gjeografinë e ngjarjes. Pasi na përshkruan me imtësi ceremoninë e përurimit të monografisë letraro - artistike të librit “Fshati ynë Lubaleshi” autori i librit na jep përshkrime të disa momenteve të jetës së autorit Vebi Musta, ku të hipnotizon me përshkrimin: “…në këtë libër vjen me ‘pasaportën’ e zgjuarsisë natyrale, dhuratë e genit dhe natyrës së vendlidjes së tij me resurse të shumta njerëzore e turistike dhe si një intelektual i mirëformuar, me vitalitet, talent e shpirt të rrallë krijues”...(f.147). Ndërsa me një intensitet mendimesh, detajesh të përbashkuara, mjeshtri i portreteve të personaliteteve dibrane Halil Rama, shkruan: “… Etimologjia e emrit të fshatit Lubalesh, toponimet, origjina dhe përbërja e familjeve të 32 fiseve të tij, kontributi në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, traditat, infrastrustura, zhvillimi i arsimit, kultura shpirtërore dhe ajo e jetesës, heronjtë dhe dëshmorët e Minierës Bulqizë”....(f. 279). Pra në pak rrjeshta ai na pasqyron besnikërisht, realisht, gjithë përmbajtjen e librit që rrallkush shprehet kështu rrufeshëm, qartë, e në pak rrjeshta. Këtu qëndron individualiteti i tij, aftësia, talenti, përvoja në gjetjen e fjalsëva dhe ngjizjen e tyre mjeshtërore, kuptimplote të shtrira në kohë e hapësirë.
*
Shkrimtari Halil Rama qëmton, përzgjedh me kujdes në faktet e jetës të “peshkuara” në rrjedhjet e vrullshme të vullkaneve të jetës së personaliteteve të shumtë, të penës, ushtrisë, mjeksisë, deputetë, veprimtarë shoqëror, mësues etj, si: Fatos Daci, Astrit Gjunkshi, Elmaz Lala, Petrit e Hamdi Doda, Haki Ҫollaku, Sali Duka, Vera Kurti, Loreta Kodra, Ali Hoxha, Ardita Koçi, Nexhbedin Basha, Bajram Torba, Arif Puca, Skënder Murrja, Mehdi Luca, Arben e Anxhela Alliu, Ferit Manreka etj.
Ai i pasqyron faktet e jetës me artin e fjalës së zgjedhur, me filozofinë e njohjes në detaje, në pamjen fizike, në veprime, në krijimtarinë artistike, deri në thelbin e dukurive e psikologjinë e personazheve të tij. Duke i “thurur” në mënyrë të tillë mendimet, opinionet, shembujt, vlerësmet sa që ato rrezatojnë shembuj virtytesh, mësimesh për brezat e sotëm e të nesërm, libri “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave” - Vellimi i II-të, përfaqëson një punë serioze, kërkuese, kontakte direkte me veprimtaritë e protogonistëve dhe analizues serioz e plotë talent kritikën letrare të krijimtarive të tyre. Një enciklopedi e tillë siç mund ta quajmë njohëse, është shërbyesja më e mirë për të ushqyer mendjen dhe ndezur dritat për të udhëtuar në jetë.
Dr. Selman Meziu
27.09.2026








Comments