Fatmir Terziu: Kartolina e vitit 96, apo 69

ASPEKT BUZËBASHKIMI
U zgjova me emrin tënd në buzë.
U shkunda. Nuk isha gati për të të thirrur,
nuk dija nëse isha për të parë
nuk mbaj mend nëse heshtja kishte ende zë.
Ka një mënyrë të çuditshme
për t'u bashkuar dy njerëz:
nuk mjafton të jenë pranë,
duhet të kenë edhe të njëjtën largësi
nga ajo që i ndan.
Ti më jep një fjalë,
unë të kthej një strehë.
Ti më jep një mungesë,
unë e mbush me dritë.
Dhe kështu, pa e kuptuar,
bëhemi dy gjysma
të një tërësie që nuk na përket.
Buzëbashkimi nuk është puthje,
as premtim i thënë në muzg.
Është ai çast kur dy heshtje
nuk kanë më nevojë të shpjegohen,
kur një vështrim i vetëm
mban peshën e një jete të tërë.
Ndonjëherë largohemi
për të kuptuar sa pranë jemi.
Ndonjëherë heshtim
që të mos e lëndojmë fjalën.
Sepse ka dashuri që nuk kërkojnë dëshmi,
por një zemër që di të qëndrojë
edhe kur gjithçka tjetër ikën.
Dhe në fund,
kur dita të ketë mbyllur sytë
e nata të mos na njohë më,
do të mbetet vetëm jo sa herë u prekëm,
por sa herë u gjetëm
në anën tjetër të vetmisë.
Se buzëbashkimi,
në thelb,
është të mos jesh më i vetëm
edhe kur je vetëm. Thjesht dhemb!
Kartolina e vitit 96, apo 69
Kriporja me faqen nga dielli në vendin e diellit
dhe me gropat në gropa të mbushura me ujë të kripur
hesht kur tretet më mirë se tretja
kripa del nga vetvetja
kripëzuese
pa zhurmë,
pa zë,
e shkruar në gjuhë kimike NACL
në prani të pjatave ashtu sikurse ka mbetur
kripë
në prani të tenxhereve i zbraz qeset
me shije të reja për sallatorë
të kopshteve organike,
bio,
në tryezat moderne me femra këmbë mbi këmbë
shkrepje e një fotografi si sfidë
ndaj asaj që shijohet nga brenda
për sytë.
E gjitha e ka të keqen pa emra
dikush duhet ti zbuloj tradhëtitë.
Shakaja nuk është humor pa kripë.
Kjo kartolinë është për ekspozitë.
Manifesti ynë
Ne jemi shpëtimtarët e njëri-tjetrit
që vetë nata na ka parashikuar,
për të shpëtuar zemrat tona të lodhura
ku prej kaq kohësh fshihen mungesat.
Secili prej nesh, një udhëheqës i etur,
një hero i rraskapitur në vetvete,
që hyri në betejën e dashurisë
për të pushtuar një zemër të vetme.
Do t’i rindërtojmë shtëpitë e vjetra
ku dikur flinin ëndrrat tona,
do të mbjellim trëndafila në mure
që të mos kujtojmë më plagët.
Do t’i mbyllim dritaret ndaj erës,
do t’i ndalojmë shirat në prag,
do ta bindim dimrin të largohet
dhe verën të zgjasë përgjithmonë.
Do të kemi dy filxhanë mbi tavolinë,
dy karrige që presin të njëjtën mbrëmje,
dy emra të shkruar në avullin e xhamit
dhe një heshtje që vetëm ne e kuptojmë.
Distanca do të shpallet armike,
ora do të humbasë pushtetin mbi ne,
rrugët do të bëhen më të shkurtra
sa herë që zemra të thërrasë zemrën.
Nuk do të ketë më largime,
sepse valixhet do t’i lëmë bosh,
trenat do të kalojnë pa na marrë,
aeroportet do të harrojnë emrat tanë.
Do ta ndalojmë krenarinë te dera,
do t’i kontrollojmë fjalët para se të dalin,
do t’i varrosim të gjitha “s’ka rëndësi”
që kanë vrarë dashuri të panumërta.
Nuk do të kemi më të drejtë të themi
“më mirë vetëm”,
sepse vetmia është një mbretëri
ku mbretërit flenë pa duart e njëri-tjetrit.
Do t’i falim gabimet e vogla,
do t’i harrojmë fjalët e thëna keq,
do t’i lëmë netët të na mësojnë
se edhe zemra ka nevojë të gabojë.
Do të shpikim një gjuhë të re
ku “më mungon” do të thotë “jam këtu”,
ku “më fal” nuk do të jetë humbje,
dhe “qëndro” nuk do të jetë urdhër.
Një zemër, një strehë, një zjarr,
një tavolinë pranë dritares,
dy duar që e dinë rrugën e kthimit
edhe kur bota i humb udhët.
Kufijtë do t’i heqim nga hartat,
por jo nga njëri-tjetri;
sepse edhe dashuria ka nevojë për një derë
që hapet nga brenda.
Kur të gjithë të mendojnë se jemi një,
ne do të dimë se jemi dy,
dy njerëz që zgjedhin çdo mëngjes
të mos ikin nga vetvetja.
Fund sundimit të heshtjes,
fund mbretërimit të krenarisë,
le të na sundojë ajo gjë e vjetër
që nuk ka nevojë për ligj:
dora jote në dorën time.
Shikoni të dashuruarit e lumtur
që premtojnë se do të jenë përgjithmonë,
dhe mos u besoni shumë fjalëve të tyre,
sepse përgjithmonë është një fjalë
që duhet fituar çdo ditë.
Sapo të themi “përherë”,
koha do të fillojë të na provojë,
me dimra, me heshtje, me rrudha,
me mëngjese ku dashuria
nuk duket më si poezi.
Do ta rikthejmë arin e ditëve të para
aty ku tani ka vetëm kujtime,
do t’i japim dritë njëri-tjetrit
edhe kur fytyrat të mos jenë më të reja.
Nëse më zgjedh mua,
nuk të premtoj qiellin;
premtoj vetëm një vend pranë meje
kur qielli të bjerë.
Nëse më zgjedh mua,
nuk do të të premtoj paqen,
por do të rri pranë teje
kur lufta të jetë brenda teje.
Ky është programi ynë,
lexojeni ngadalë,
sepse dashuria nuk mësohet përmendësh,
ajo harrohet sa herë që nuk jetohet.
Nëse nuk keni mësuar të dëgjoni,
mësojeni nga heshtja,
nëse nuk keni mësuar të falni,
mësojeni nga plagët.
Ky është manifesti ynë,
mos e përcillni gojë më gojë;
mbajeni mes dy zemrave,
aty ku fjalët humbin zërin
dhe dashuria fillon të flasë.
Kjo është bileta jonë e klasit të parë,
jo për në parajsë,
por për në atë vend të rrallë
ku dy njerëz, pas gjithë viteve,
ende zgjedhin njëri-tjetrin.
Mjeshtër, fike qiriun
Mjeshtër, fike qiriun,
kohë të tilla kanë ngul kunja.
Mos fol shumë,
këtu edhe fjala ka shushunja.
Numëro yjet natën, por pas shpine,
se ditën qielli mbushet
me kulla, me flamuj, me premtime.
Mos u habit kur të ikë një tjetër,
pa u kuptuar e vërteta.
Nëna do t’i thotë në derë:
“Shko, bir, atje bëhet jeta.”
Do të mallkoj si përherë,
duke filluar nga e para,
dhe pastaj do të mbyllë derën
që të mos dëgjohet e qara.
Mbill qepë, mjeshtër.
Rregullo çatinë. Paguaj dritat.
Numëro ikjet dhe ardhjet e ditëve,
dhe mos pyet shumë
se kush e mori atë që ishte e të gjithëve.
Në kafene të gjithë flasin.
Kur vjen koha për të thënë emrin,
të gjithë pinë kafenë.
Prandaj shkruaj.
Jo për atë që do të vij nga matanë.
Shkruaj për atë që po ndodh
para syve tanë.
Për rrugën që prishet
para se të përfundojë.
Për shtëpinë që boshatiset
para se të shitet.
Për fëmijën që mëson anglisht
para se të mësojë të thotë 'mama' shqip.
Kohët janë serioze, mjeshtër.
Kllounët qeshin në ekran,
ne qeshim me ta,
dhe ndërkohë
dikush tjetër mbyll valixhen.
Mjeshtër, fike qiriun,
nëse ke frikë.
Por mos e fik penën.
Sepse një ditë
do të na pyesin jo
çfarë pamë,
por, pse heshtëm.
Por mos e fik penën.
Mos shiko se kush flet
ndoshta Shqipëria nuk ka nevojë
për një tjetër profet.
Ka nevojë për dikë
që të thotë me zë të lartë
atë që të gjithë e dinë,
si çështje morale
dhe askush nuk guxon ta thotë.
Kjo nuk është normale.








Comments