top of page

SEKUESTRIMI I MEDALJES SË ARTË



NGA

PIRRO LOLI *



Dy ditë pas arrestimit të liceistit Thanas Dhespa në Gjirokastër, ata uzurpuan në shtëpinë e tij në Zhej të Zagories dhe sekuestruan gjithçka. Ata rrëmbyen orenditë e shtëpisë që kishin vlerë deri te veshmbathjet, çarçafë e stofra të ndryshme si dhe dy kuti me bizhuteri luksi si vathë, unaza e gjerdanë floriri, trashëgimi stërgjyshore të shtëpisë. Të gjitha i ngarkuan në disa mushka duke udhëtuar tetë orë për t’u kthyer në Gjirokastër. Ishin tre veta. Tri hije të frikshme nga policia e fshehtë dhe prokuroria. Thanë vetëm, “jemi shteti dhe do bëjmë kontroll”. Kaq. Ata sekuestruan edhe Medaljen e Artë të Gjimnazistit që kishin arrestuar në bankat e shkollës në Gjirokastër. Nuk ishte e zakonshme kjo medalje; nuk ishte vetëm e artë. Vlera e saj e tejkalonte vlerën e artit të e përpunuar në të, por dhe motivacionin e gjatë që e shoqëronte. Gjimnazistit në klasën e katërt ia kishte akorduar Departamenti i Shkencave të Akademisë së Shkencave franceze. Kjo akademi kish organizuar një konkurs (olimpiadë) midis 20 vendeve evropiane me 2300 kandidatë, në matematikë-fizikë. Thanas Dhespa nga Zheji i Zagorisë, shpallet i pari fitues, laurant i olimpiadës. Ky nxënës, gati e pabesueshme edhe për jurinë, kishte zgjidhur një ekuacion intrgral me dy të panjohura në afatin më të shkurtër në një nivel të përpiktë. Në intervistën që organizoi kryetari i jurisë franceze, me fituesin së pari u habit me frëngjishten e kulluar ta nxënësit , sikur ky djalosh sykaltër nuk kish lindur në shkurret e Zhejit por në mes të Parisit. Dhe jo vetëm kaq, akademiku francez Zhan Pier Shevalie në motivacionin e gjatë firmosur prejtij, midis të tjerave kumtoi se “...Lauranti i këtij konkurrimi – olimpiadë , ekselenti Thanas Dhespa i përket së ardhmes dhe progresit, botës shkencore... Pa asnjë mëdyshje ai mbetet kandidati parësor për të vijuar studimet në universitetin e Kembrixhit ose të Sorbonës....”

Por atë që ia dhuroi Parisi si djepi i kulturës evropiane, ia grabiti shteti i tij. Edhe pas 78 vjetësh me kërkesë së familjes së nxënësit të arrestuar deri te kreu i shtetit dhe ambasadës franceze në Tiranë, Medalja e Artë nuk u gjet. U gjet vetëm një kopje e motivacionit që e kish rrëmbyer motra e Thanasit gjatë sekuestrimit të shtëpisë dhe e kish fshehur në trupin e saj. Kjo kopje është botuar në librin “Zhejoti fisnik që sfidoi kalvarin “ me autor publicistin e njohur Kiço Kapedani.

BURGU I PARË

..Nxënësi Th. Dh. U arrestua më 18 janar 1952, ( bashkë me dy shokë të klasës) në vitin e fundit të gjimnazit. Ai kishte shkuar në qytet të vazhdonte shkollën shtatë vjeçare ku tre vjet i mori për dy me rezultate maksimale. Në vitet e gjimnazit u dallua si nxënës i veçantë duke u renditur i pari në çdo lëndë me nota të shkëlqyera. Në çdo listë emri i tij rreshtohej i pari në tabelën e nderit të gjimnazit, madje në vitin e fundit, kur kish filluar semestri i dytë, vetë drejtoria e shkollës i kish propozuar për medalje të artë ...

***

Por nuk arriti. Në vend të medaljes i hodhën prangat. Çanta me librat e tij, mbeti mbi bankë disa ditë pa lëvizur. Pedagogët dhe nxënësit të heshtur ngrinin supet. Frynte erë e ftohtë ato ditë janari dhe kalldrëmet e Gjirokastrës ishin mbuluar me akull.

Akuzat ishin absurde: Sabotim në bujqësi , tentim për arratisje,(në disa skuta të errëta të sigurimit, përgojohej sikur do helmonte konviktorët ose ndonjë udhëheqës që mund të vizitojë qytetin). (!?) U dënua 20 vjet. Pa prova, pa dëshmitarë, pa dëgjues, pa avokat. Dhe nga bankat e shkollës, me pranga në duar përfundoi në burgun mesjetar të kalasë që nga tavani i lashtë mesjetar, rridhnin pika të ftohta uji edhe në verë. Quhej dhe burgu i shtatë penxhereve. Kish filluar kështu rruga e tmerrshme e kalvarit nëpër Shqipërinë socialiste. Në burg në një gjysmë errësirë të ftohtë do shkruante një poemth me dyzet vargje si : “Të tharë lotët në sy më qëndrojnë /dhe në buzë qeshja më ka ngrirë/ pranverën e bukur më nuk e shoh/ mbetem i akullt, beton në humbëtirë”.

Lirohet në vitin 1967.

E ARTA BRENDA TIJ

Derrat e “Fermës së Kafshëve“ i grabitën medaljen që i dhuroi shkenca franceze, por jo të artën që kishte vetë ai në qenien e tij. Në të gjitha ditët dhe netët e burgjeve, pak nga pak, por në çdo çast, i dukej sikur priste hekurat e burgut dhe me një këmbëngulje heroike, me vullnet të rrallë, ndërtoi lirinë e brendshme. Kjo liri e heshtur, gati e fshehtë pa gojë e pa poza, do të vinte me vullnet të hekurt, me sakrifica përmes dhimbjeve fizike dhe shpirtërore. Atij iu mohua rinia, dashuria, familja, shkolla, vlerësimi, lëvizja. Ai mbeti një monedhë e pa vlerësuar, e pa konvertuar për të kontribuar shkencërisht për të mirën e tij dhe të shoqërisë që kish aq shumë nevojë vendi ynë. Kjo liri individuale, si një nga akumulimet më intelektuale që mund të fitojë njeriu, e arta për të, fitoi emra të tjerë: dituri, tetë gjuhë, shkencë, histori, filozofi, poezi, bibliografi - libra, fjalorë. Ai ndrtoi netveten si një enciklopedi gjithpërfshirëse’’. Ai e kishte të artën e medaljes dhe motivacionin në mendjen dhe shpirtin e tij. Kur shkonin shqiptarët për të takuar njerëzit e tyre burgjeve, sillnin ushqime e veshje, Thanas Dhespa u lutej jo vetëm të tijve, por të gjithëve sa mundej, t’i sillnin libra, libra e fjalorë në çdo gjuhë që të mundnin. Jo për të ngrysur ditët, jo, por për të përvetësuar tetë gjuhë të huaja,( ai përkthente në gjuhën angleze dhe franceze) duke futur dhe greqishten e vjetër dhe latinishten. Thanasi do përgjërohej veçmas për fshatarin e tij, Trifon Çarkën, që e vizitonte shpesh burgjeve e kampeve të punës në Qafbar, Tiranë, Elbasan, Lushnjë , Kuçovë etj. dhe gjithmonë e furnizonte me libra. Ai më solli dhuratën më të , çmueshme, thotë - “La Rousse” , Enciklopedinë e madhe franceze. Administrata e burgjeve dhe ajo shtetërore në të gjitha instancat, edhe fshati i tij e Zagoria, nuk mund ta vlerësonin atë, pavarësisht se e njihnin me trung e me dega. Zhejoti ballë gjerë nuk ishte keqbërës, e aq më tepër armik i pushtetit. Ai dallohej vetëm se ishte nxënës ekselent. Ata, edhe sikur të donin, nuk mundnin, nuk ngjateshin dot në lartësitë e këtij individi të jashtë zakonshëm. Hijet i grabitën medaljen e artë( sendin) por jo të artën e moralit të tij dhe personalitetit. Këtë të artë ai e ndërtoi vetë dhe nderin e parë dhe të fundit e mori nga Evropa e shkencës dhe kulturës.. Mirë thonë që profetët nuk kanë duk në vendin e tyre. Duhej të priste një kohë tjetër që Thanas Dhespa do habiste personalitete të shquara të politikës dhe shkencës evropiane si në Francë , Londër, Berlin, Athinë etj.

BURGU I DYTË.

Pas lirimit nga burgu më 1967, atë e priste një burg tjetër, fshati i tij - Zheji. Nuk e mori me mend se ky burg iri prej 25 vjetësh, e priste në fshatin e tij të dashur, Zhej. Rraskapitës, ofendues dhe më i neveritshëm iu duk ky burg special nga njerëzit e tij që i përfytyronte me duar në qafë si në atë ditë kur kishte sjellë Medaljen e Artë franceze. Fshati shihte tek ai armikun e klasës. Zheji iu bë burg, Burg i gjatë, torturë psikologjike që komunikonte vetëm me një copë brigadier bujqësie i cili nuk harronte ta caktonte në punët më të rënda atë, armikun e sajuar të klasës. Ishte tjetërsuar njeriu shqiptar si sajesë lejfeniste trushpëlarë. Burg i gjatë, izolim shpirtëror për armiqtë e pushtetit popullor. Vigjilencë. Edukim klasor. Mallkim njerëzor urrejtje e pakuptimtë që nuk u shua dhe me rrëzimin e shtetit diktator.

Pse nuk ia dhanë triskën e frontit në mbarim të dënimit, paçka se e përmbante dhe ligji?! Ai e kishte shlyer “Krimin.” (kjo triskë, kjo paçavure që e ndau Shqipërinë socialiste më dysh duke mbjellë vetëm urrejtje). Zheji i tij i dashur që ishte i dëgjuar për mikpritje shëmbëllor për mikun, ditën dhe natën, djalit të tij i dukej si varr i hapur ( Porta “Dhespa” nuk u hap as për ngushëllime kur i vdiqën prindët, e për të edhe ato që mund të ishin gëzime njerëzore, bëheshin si për kësodh në vetmi. Sigurimi kish akuzuar dhe vllanë e tij, Jorgon. Para se ta shkarkonin nga detyra si mësues, ata e kishin akuzuar për sabotim, sikur po bënte plane t’i vinte flakën Zhejit (!?); e arrestojnë , e mbajtën tre ditë e net pa bukë e pa ujë që të pranonte dhe, kur nuk nxorën gjë, e lëshuan në një mes rruge gati pa ndjenja. Dhe dikush dha urdhër: të pushohet si mësues e të punojë si punëtor.

Nuk trokiste askush në derën e Dhespo, nuk i flisnin as mirëmëngjesi, nuk e ngushëlluan as kur i vdiqën prindërit. Në fshatin kuqalash - , Zhej, ndërtuar në gjunjët e Shkëmbit të Zhejit – ose pranë “Buzës së Rripës”, drejtonin ca komunistë frikacakë e dogmatikë, ku shembëllore funksiononte vigjilenca revolucionare dhe lufta e klasave. Por djali i tyre Thanasi me sy të kaltër ishte po ai që njihnin ata, i pafajshmi, sy kaltri e ballëgjeri. Veçse - tani ishte plotësuar e zgjeruar me përmasat e pabesueshme të lirisë së tij të brendshme - me atë urtësi engjëllore, me atë etikë fisnike, me atë enciklopedi dijesh , me atë formim kristian shëmbëllor si njeri i Zotit- mundohej ta kapërcente cinizmin e imponuar të fshatarëve me një buzëqeshje të lehtë, paçka se përbrenda një lot i nxehtë si prej jodi i përcëllonte fytin.

Duhen falur, i thoshte vetes, nuk i bëj me faj; u kanë shpëlarë trurin sistematikisht dhe tani i orientojnë e i urdhërojnë si lej-fenë të devotshëm për diktatorin.

PORTA E MADHE E LIRISË

Duhej të shembej regjimi totalitar, duhej të hapej porta e madhe e lirisë që, dhe ajo liria e vetmuar që ruante njeriu shqiptar së brendshmi, të dallohej, të shpërthente. E bashkë me të edhe demokracia që, nuk pritet me shirit inaugurimi, por është një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm që ka zgjedhur shoqëria njerëzore si rendin më progresiv të deritanishëm. Ndoshta , Thanas Dhespa si fenomen e përligj më së miri këtë. Së pari atij i erdhi fati në derë në zgjedhjen e shoqes së jetës, zonjën e nderuar Vergjenica ( Nica)Bërxulla; them fati se nuk ndodh gjithmonë që të qëllojë bashkëshorti ashtu siç e dëshiron; Ata sikur prisnin njeri tjetrin të bashkoheshin. Lidhën martesën në pranverën e vitit 1992 dhe për tridhjetë vjet e kthyen jetën e tyre në pranverë. Ky epilog u takon njerëzve të mirë. Nica rridhte nga një familje e nderuar delvinjote dhe kish punuar 42 vjet në shërbim të shëndetit të njerëzve si ndihmës mjeke duke merituar vlerësime të shumta dhe dekorime. Gojë mjaltë me të gjithë , një grua e shkathët, fisnike, e dashur me një nivel kulturor të kënaqshëm e të admirueshëm, ajo të imponon respekt. Për nga urtësia , për nga shpirti dhe cilësive të larta njerëzore, për nga mirëkuptimi, shërbesat, humanizmi që gëzonin të dy, ata qëlluan si “ alter ego. ” të njëri tjetrit. - Për mua ishte fati që më bashkoi me Thanas Dhespon, një intelektual i rangjeve më të larta -rrëfen ajo, - ne na lidhi dashuria, respekti, mirëkuptimi, karakteri i njëjtë, të gjitha vlerat që mbartim , ndjenjat e çiltra për njeri tjetrin. Vetë Zoti na bashkoi me dorën e tij .

***

Në qershor 1992 ata nisen për në Greqi. Në Athinë fati i i priu të njihen me një nga personalitet më të larta të kulturës diplomacisë dhe shkencës, akademik Dhimitris Papastamos, prof. dr. në arkeologji, ambasador i Greqisë në UNESKO dhe anëtar nderi i Akademisë së Luvrit. Ai ishte një burrë i dashur dhe së bashku me zonjën e tij, Babeta i ofruan Thananasit shtëpinë e tyre me trajtime mbresëlënëse; shpejt të dy si dy çiftet u miqësuan dhe që ndjenin kënaqësinë e njohjeve reciproke. Prof. Dhimitri

në Athinë shërbente edhe si drejtor i përgjithshëm i Akropolit. Ai vlerësoi kapacitetet intelektuale të këtij burri, dhe për një kohë të shkurtët arriti ta njihte , ta vlerësonte dhe të debatonte me të për gjithçka dhe për arkeologjinë. Thanasi njihte me rrënjë greqishten e vjetër dhe korifejtë e kulturës së lashtë greke dhe akademikut i kish bërë përshtypje ideja e këtij shqiptari ekselent se Greqia është e bukur dhe e pasur jo vetëm për këtë që na sheh syri, por sidomos nën dhe. Akademiku i mençur e trajtoi Thanasin si koleg dhe prezantoi në vende të ndryshme të Evropës me një

predispozicion të merituar intelektual që tërhoqi vëmendjen e të mëdhenjve të Evropës sidomos, në Francë, Londër e Berlin, Greqi.


NJËSHI I VLERËSIME


Thanas Dhespa

Bashkë me akademikun Papastamos (arkeolog dhe drejtor i përgjithshëm i Aktropolit) ai shkoi në Paris, Londër e Berlin në veprimtaritë zyrtare dhe jashtë zyrtare dhe, me një lehtësi të çuditshme u përshtat si konsulent dhe koleg edhe për problemet historike e arkeologjike. Me elokuencën e tij në shumë gjuhë Thanasi u përball, kontaktoi dhe u miqësua me personalitetet më të larta të politikës dhe shkencës. Ai komunikonte shkëlqyeshëm në frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht e, bazë të kulturës gjuhësore kishte shqipen, greqishten e vjetër dhe latinishten. T’i privosh njeriut vetëm për shkak të ndërgjegjes, është krim i rëndë. Qoftë edhe vetëm për mësimin e disa gjuhëve kryesore në Evropë në mënyrë autodididakte , ai meriton nderimin më të thellë. Ky është mesazhi që përcjellin të gjithë personalitet që e njohën...

F. Miteran – ish president i Francës: Thanas Dhespo e ka hak pozicionin në elitën e shquar të vendit të vet.

Zhan P. Sheverman – ish ministër i jashtëm i Francës: Zotin th. Dhespo e vlerësoj , jo vetëm për kulturën klasike por , por edhe për atë moderne.

Toni Bler -ish kryeministër i Anglisë- Zoti Dhespo e meriton vendin në fondin e kulturës rezervat të atdheut të tij. Ai të befason me kulturën klasike që posedon.

F. Frederik Gensher- ish ministër i jashtëm RF Gjermane: Më erdhi keq që një intelektual me potencial të rrallë mendor ka vuajtur në jetën e vet. Persona me ekspresion kulturor si zoti Dhespa meritojnë vëmendje e respekt në çdo kohë.

Dhora Bakojanis- ish ministre e jashtme e Greqisë – Zoti Dhespo është një nga shqiptarët që më sugjestionoi me formimin e thellë historik e kulturor.

Vasil Rupas – ish rektor Universiteti në Greqi- Zoti Dhespo meriton respekt të veçantë për vuajtjet që ka kaluar në burgjet e Shqipërisë dhe sidomos për kapacitetin e lartë mendor , filozofik e gjuhësor.

Dhimitris Papastamos, prof. dr. në arkeologji, ambasador i Greqisë në UNESKO: Frymëzohem dhe ndjej kënaqësi kur kuvëndojmë me një personalitet të tillë si Zotin Dhespo.

***

Në këto 30 vite post komuniste për Th. Dhespon u botua libri ‘’Zhejoti fisnik që sfidoi kalvarin”, 210 faqe; dhjetëra artikuj, intervista, portrete, kujtime, brenda dhe jashtë shtetit, u publikuan për të me tituj “prof., e dr,” , shumica nga shokët e gjimnazit dhe të burgut, akademikë, politikanë, shkrimtarë, shkencëtarë zagoritë , miq e shokë. Iu dha titulli Qytetar nderi i Zagories dhe Tiranës, e pritën dhe e dekoruan dy presidentë të Republikës,ë( deri te medalja Medalja e artw e Shqiponjws, iu festua disa herë ditëlindja e zonja e tij e nderuar me një korrektesë shëmbëllore organizoi disa festime e homazhe masive për atë burrë që nuk na mjafton gjuha t’i përmendim të gjitha ato vlera të larta intelektuale, që rrallë bashkohen në njerëz të veçantë.

***

I . Kadare , shkrimtari ynë i shquar, shok klase me të, gjithmonë e ka cilësuar Njëshi edhe pas afër 80 vitesh në një dedikim libri, kujtohet dhe i thotë. Thanasi ka qenë dhë është NJËSHI. D, Agolli: Thanas Dhespo është një mendje enciklopedike; Pr. Dr. Vedat Shehu nga Amerika: Sikur të mos kish marrë atë goditje ndëshkuese të pa merituar, të padrejtë, ai do të ishte sot një intelektual i sërës së parë , poliedrik, filozof e shkencëtar, kalibër i përmasave evropiane. Arta Franja , mësuese e tij, kur i kontrolloi një provim klase i tha: Thanas , ti nuk je i shkëlqyer, ti je fenomen. Simon Miraka, drejtor i përgjithshëm i Institutit të të Përndjekurve poitikë: Th. Dh. Mbetet simbol i qëndresës njerëzore ndaj një regjimi çnjerëzor, emblemë e tolerancës, unikal në mendje dhe kapacitete që ia vrau ai regjim. Leka Ndoja , politikan e gazetar:prangosja e tij ishte ngjarja më e shëmtuar e Evropës juglindore. Policia e fshehtë i grabiti Medaljen e Artë dhe individualitetin etj, etj.

***

Po Pse, pse, arrestuan dhe e burgosën këtë shqiptar të rrallë!?

Kjo pyetje ka mbetur pa përgjigje edhe sot pas 78 vjetësh.

Për atë nuk u organizua asnjë hetim e rrjedhimish rezulton i pafajshëm...

***

Dua të them dy fjalë si EPILOG , me ndjesë edhe si autokritikë në emër të zagoritëve dhe të personaliteteve të shquara të vendit: Në 40 vjet burg të Th. Dh. si nuk mori njeri guximin të trokiste në një zyrë të shtetit a të partisë?! Nga Zagoria e kuqe (nga Zheji i tij) dhe nga bashkënxënësit e gjimnazit kishte dhjetëra personalitete të shquara kombëtare si shkrimtarë, shkencëtarë , politikanë , oficerë të lartë, ambasadorë . kryegjykatës e prokurorë, në rang kombëtar- mbushur gjoksi me dekorata e ndere shtetërore që, e dinin fort mirë pafajësinë e Thanas Dhespos dhe që qenë shumë të afërt me E. Hoxhën, M.. Shehun, K. Azbiun etj. Në ferrin e atij regjimi kishte dhe rreze dielli, dhe, Cerberëve kur donin , nuk u mungonte ndërhyrja bamirësie dhe buzëqeshja.

*Mjeshtër i Madh

43 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page