Dikur isha vërtet mbret. Isha shumë i ri por isha mbret. Nuk e trashëgova fronin. Nga kush ta trashëgoja?! Askush nga farefisi im nuk kishte qenë ndonjëherë mbret. Të gjithë njerëz të thjeshtë. Secili në punë të vet. Kisha pasur dikë nga familja e nënës që kishte punuar për mbretin deri sa mbreti ra dhe siç duket i kishte mësuar mirë të fshehtat dhe dredhitë e mbretërisë. Djalë të vetin nuk pati dhe kësisoj ma vuri syrin mua. Kur isha kalama, më fliste gjithë ditën për mbretin dhe mbretërinë dhe më thoshte: “ Ty do të të bëj mbret.” Unë heshtja se nuk kuptoja asgjë. Ma përsëriste shumë shpesh këtë gjë, sa herë e takoja. Kur u bëra adoleshent filloi të më hyjë në qejf kjo puna e mbretit. Shkova në shkollë të mesme dhe më dukej vetja mbret i klasës. Kur mbarova shkollën e lartë fillova t’i vërtitesha oborrit mbretëror dhe me ndihmën e disa miqve që kishin shumë besim tek unë hyra në oborr. Mbreti kishte vdekur. Ia dhanë kurorën njërit po nuk bënte për atë punë. Ia morën shumë shpejt. E mori një tjetër. Shumë i zoti. Dhe do ta kishte mbajtur gjatë. Po unë tani kisha fituar eksperiencë duke qëndruar pranë oborrit. Hiletë i dija se m’i kishte mësuar i afërmi i nënës. Ai njihte shumë njerëz që kishin punuar për mbretin. Po tani dhe unë kisha njohur shumë oborrtarë. Bëra për vete shumë prej tyre duke u dhënë ryshfet e duke u premtuar edhe pushtet. Gjeta dhe një vajzë të shkathët të cilës i premtova ta bëja mbretëreshë dhe e rrëzova mbretin. Të gjthë propozuan emrin tim për mbret. U bë me votim. Në mënyrë demokratike. E fitova kurorën. U bëra vërtet mbret. Shumë nuk e besonin. Nga na doli ky? - thonin. Mbretëria kishte plot njerëz të mençur e të zgjuar, por nuk kishte marifetçi si unë. Ime shoqe fluturoi nga gëzimi. Nuk e kishte menduar veten me kurorë në kokë po ja që ndodhi.
I çuam në shtëpi të gjithë oborrtarët që gjetëm në mbretëri. E mbushëm oborrin me oborrtarë të rinj. Ambiciozë, njerëz që e donin lekun. Këtë detyrë ia ngarkova mbretëreshës dhe ajo e realizoi më së miri. Shumica e oborrtarëve ishin farefis i saj. Jo se i donte aq shumë, po i mori që t’i kishte nën zap. Pastaj edhe ndonjë lek e merrnin. Natyrisht në formë ryshfeti. Të gjithë filluan të bërtistin: “Rroftë mbreti! Rroftë mbretëresha!”
Na mbyti pasuria! Na mbytën peshqeshet! As që e mernim vesh se nga na vinin. Para kryesisht, por edhe prona. Prona gjithandej. Shtro ne dreka e darka për të tjerët, shtro të tjerët dreka e darka për ne! Mbretëria në fakt ishte e varfër por njerëzit i kishte shumë bujarë. Në veçanti ata që na shërbenin.
Kam bërë qejf vërtet, bashkë me gruan e fëmijët, bashkë me servilët e mi të cilëve herë pas here u hidhja ndonjë kockë për ta lëpirë. Mishin ua jepja maceve. Por ata e kuptuan shumë shpejt se po i trajtoja më keq se kafshët. U bënë bashkë dhe më rrëzuan. Na përzunë nga oborri. Mbetëm pa makina të bukura, pa roje, pa shërbëtorë. Lekë kishim sa të duash por ne nuk jemi mësuar t’i prishim lekët tona. Mbretëresha u zemërua shumë. Më quajti të paaftë. Më akuzoi edhe për tradhëti dhe më la. Më la vërtet. Më nxori dhe nga shtëpia. Sa të pamëshirshme janë gratë!
Tani jetoj me qira. Në fakt jetoj në një nga shtëpitë e mia të shumta po ashtu kam hapur fjalë se mbreti i ri është më hakmarrës se unë. Ka qenë bashkëpunëtor me mua në mbretëri dhe më njeh shumë mirë. Ka lëshuar gjithë gazetarët e mbretërisë kundra meje. Edhe gjykatat. Kërkon sebep për të më kalbur brenda. Kurse time shoqeje i kreh bishtin.
Tani nuk më ka mbetur gjë tjetër përveçse t’i shaj të gjthë ata që më lëpiheshin dikur, t’i shaj e ta mbush gojën plot. Morracakët e dreqit! Më kthyen shpinën pa një pa dy. Por do më njohin se nuk më paskan njohur mirë. Do të kthehem përsëri. Dhe përsëri mbret. Dhe atëherë do të flasim. Po deri atëherë të pushoj ca. Male, lumenj e përrenj ka sa të duash vendi im. Not di. I fortë jam. Do ia dal. Natyrisht nëse nuk ia dalin dot ata që duan të më shohin në burg e mbase dhe më keq. Le të çuditet sa të dojë mileti. Le të thonë: “Mjerë ne kë paskemi pasur mbret!” Aq më bën! Atë punë ka njerëzia. Çudia më e madhe tre ditë zgjat.
Bình luận